BREAKING NEWS

Fillon Kongresi i PS/ Deputetja kërkesë urgjente Ramës: Këtë çështje duhet ta shikoni me prioritet

Fillon Kongresi i PS/ Deputetja kërkesë urgjente Ramës:
x

Opinion / Editorial

Filtrim me filtra difektozë dhe kontrollet e dekriminalizimit bosh

Filtrim me filtra difektozë dhe kontrollet e dekriminalizimit bosh

Partitë politike, kanë detyrimin ligjor që rrjedh nga ligji i dekriminalizimit të zgjedhin e të nominojnë kandidatët për t`u votuar në zgjedhjet e përgjithshme për deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe në krye të bashkive të vendit, individë me integritet, të pastër, të kualifikuar, të moralshëm, të papërlyer në asgjë që bie ndesh me ligjin. Përballë një detyrimi të tillë ligjor për t`i prerë rrugën zgjedhjes në poste publike të individëve me njolla në biografi, të papërshtatshëm për të përfaqësuar grupe të gjera shoqërore, të cilët i kanë sytë tek njeriu që i përfaqëson dhe duhet t`i japin besimin. Të nominuarit për përfaqësim apo për t`u emëruar në poste kyçe qytetarë janë dhe nuk janë të imunizuar nga problematikat e kohës, duhet të kalojnë në filtrat e përzgjedhjes. Ky është një detyrim ligjor. Ata mund të kenë qenë emigrantë. Të kenë jetuar jashtë Shqipërisë për vite të tëra. Të kenë pasur punë me drejtësinë. Të jenë ngatërruar atje me pisllëqe. Të jenë përzierë në veprime antiligjore, sikundër mundet të jenë pleksur në shoqëri të këqija, me individë që kanë shkuar në ato shtete, jo për të djersitur, po për tu pasuruar, duke u marrë me tregti të paligjshme, përdorim të drogës dhe krime të tjera të dënueshme. Jo pak prej tyre janë bërë kontigjentë të krimit. Në njoftimet e përditshme të mediave të huaja, mësojmë fatkeqësisht për bëmat e tyre dhe ndihemi të zhgënjyer që qytetarë nga vendi ynë, veç prishjes të imazhit të tyre personal i faturojnë nota negative tërë shoqërisë. Jo pak shtete na shikojnë prej këtyre bëmave, si delja e zezë e Europës, si vendi që eksporton vetëm krim, korrupsion dhe drogë. Në realitet nga këto konkluzione edhe pse ndihemi të përçmuar, na vjen keq që dëgjojmë lajme që na bëjnë të ulim kokën. Krimi nga cilido të kryhet, ka një adresë individuale, por edhe një emër kolektiv, mbiemër kombëtar, shqiptar. Nga përvoja e përzgjedhjeve që bëhen për individët që na përfaqësojnë, parti politike në Shqipëri e shkelin me të dyja këmbët, jo vetëm rregullin, po edhe etikën. Kjo mënyrë sjellje të kujton tregimin se si një tregtar kërkonte të shiste një thes me arra. Me thesin e arrave që u vinte përpara blerësve, tregtari u thoshte: “Ja ku i keni! Merrni! Janë të mira, cilësia e parë. I kam kontrolluar në duar, kokërr më kokërr. Janë bio njëqind për qind. Hidhe thesin në kurriz dhe çoje në shtëpi”. Mos ki merak fare”. Cili pranonte t`i marrte ashtu, opshe, sa hapte grykën e thesit, mbetej i zhgënjyer se brenda tij gjente me qindra arra të krimbura, të copëtuara, të vockla. Dhe thoshte me zë të lartë: Pika që besova. Ndryshe ai që bën kujdes i kontrollon një për një dhe merr më të mirat. Merr mall vërtet të mirë. Edhe pse çdo shembull çalon, pika takimi mes thesit të arrave, tregtarit dhe bashkësisë së listave me individ me personalitet dhe politikanëve vendimmarrës ka. Zgjedhja e individëve të përgatitur, intelektualë, specialistë të provuar, burra e gra që meritojnë të jenë në krye të preferencave për ti emëruar në detyra, të bëjnë punë të mira dhe të mos jenë target i kritikëve apo demaskimeve në jo pak raste keqdashëse. Pikërisht përzgjedhja e individëve nga forcat politike në këto tri dekada, ka vuajtur, jo vetëm nga subjektivizmi ekstrem, po në galerinë e të zgjedhurve fatkeqësisht kanë rezultuar më të preferuar ata që dinë të shfaqen dhe të bëjnë figurë të mirë në sytë e liderëve. Pa folur këtu për zgjedhje mbi bazë kriteresh që nuk kanë asnjë lidhje me demokracinë, individë të aftë të marrin vota që shquhen për ndikim përmes forcës apo se kanë biznese të mëdha, janë njerëz me para e llogari bankare të majme. Pikërisht, kjo mënyrë nominimi ka qenë praktikë dhe strategji për t`i mbajtur nën trysni dhe për t`u thënë në çdo kohë urdhëro, si urdhëron, lepe peqe, sa herë duan liderët politikë. Kështu ka qenë që në ditët e para të pluralizmit. Emërimet në ato vite u bënë pa kaluar asnjë filtër. Njëlloj si të fusësh dorën në vazon e goglave dhe të rrëmbesh kot cila të bjerë. Dhe sa herë këta individë shmangeshin qoftë edhe një milimetër nga vija e politika e partisë, u tundej në fytyrë dosja me njolla, si individë me biografi të zezë. Nga sëmundja e përzgjedhjes pa filtrim, kanë vuajtur të gjitha partitë. Në historikun e emërimeve, zgjedhjes së individëve që nuk meritojnë të jenë në organe të rëndësishme, shërbëtorë të qytetarëve nga ekzekutivi, legjislativi, drejtësia e çdo hallkë e shtetit. Janë me qindra emrat që përgojohen si të paligjshëm. Edhe sot kanë mbetur në kujtesë e arkiva individë që kanë hyrë në politikë, duke ardhur nga labirinte të krimit. Ky kontingjent, ka penetruar, jo se nuk janë njohur apo se ua kanë hedhur atyre që i kanë promovuar, po janë më të përdorshëm, të preferuar, të pëlqyeshëm. Janë më të mundshmit për të ndryshuar sjellje e qëndrime nga të fryjë era për të kërcyer sipas muzikës së partisë. E gjithë filozofia e partive politike tek ne fatkeqësisht është: Të zgjedhurit, të emëruarit të bëjnë ushtarin e bindur të partisë. Të thonë për çdo sekondë: Yes Sir! Të buzëqeshin e të bëjnë servilin. Zgjedhjeve pa kaluar në filtra nuk i ka shpëtuar as Partia Socialiste. Ndaj së fundi është vënë në qendër të goditjeve të opozitës. Kohët e fundit nga gjurmimet që bën opozita, janë shënjestruar, jo pak figura me plagë të thella në biografi. Nuk ka pse qortohet Lulzim Basha apa Gaz Bardhi që kryetari i Bashkisë Shkodër rezultoi i dënuar në Itali. Dënim i padeklaruar në formularin personal. Dhe u përpoq të përgënjeshtrojë vendimet e gjykatës italiane, referuar nga podium i Partisë Demokratike. Janë shpifje deklaroi Pjetri. Është keqdashje. Nuk është e vërtetë. Po shumë shpejt koha tregoi se radarët e PD-së, të ngarkuarit me gjurmimin e biografisë së të emëruarve dhe të zgjedhurve nga radhët e socialistëve, kanë dalë me njolla, dënuar jashtë Shqipërisë. Ndaj edhe gjendja e tyre gjyqësore, lëshuar nga Ministria e Drejtësisë Shqiptare, ka qenë gjithnjë pozitive. Pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit nga kryebashkiak i Shkodrës, një tjetër kryebashkiak doli me probleme. Kajmaku i Vorës ishte i radhës. Edhe ai e përgënjeshtroi akuzën. Shumë shpejt, rezultoi se nuk ishte akuzë as shpifje. Vendimi ishte i saktë. Dhe pas kësaj odiseje, Kajmaku nuk është paraqitur para drejtësisë. Mbetet në arrati. Radarët e opozitës, vijojnë gjurmimet. Strategjia e tyre politike, t`i bëjnë pis të gjithë të zgjedhurit socialistë. Gjurmon, demaskon, publikon, denigron. Po atje ku ka të drejtë duhet t`i themi: Po! Është e vërtetë! Edhe kur në krye të punëve të rëndësishme zgjidhen individë që nuk kanë fuqinë intelektuale dhe morale, nuk janë kockë e fortë dhe bien në gjunjë edhe për një fjalë goje, duke dorëzuar mandatin kur kërkohet të qëndrojnë në krye të detyrës. E respektoj dorëheqjen e kryebashkiakes së Durrësit. Po largimi në kohën e katastrofës së tërmetit kur Durrësi ishte i rrafshuar, flet për përzgjedhje të individëve të pafuqishëm, të papërgatitur për të kryer punë të vështira, të lodhshme, me telashe. Parë në këtë dritë dhe evidentuar rastet kur të zgjedhur apo emëruar dalin me problematika me ligjin, me njolla e plagë në biografi, pyetja që bëhet është: A funksionojnë filtrat e partisë dhe organeve kompetente aq më tepër kur flitet për partinë në pushtet? Përse radarët e opozitës dhe konkretisht të PD-së, janë më vigjilentë e të ndjeshëm? Është koha që mazhoranca, që i ka të gjitha mundësitë të rishikojë metodologjinë e përzgjedhjes së individëve që na përfaqësojnë. Të forcojë filtrat dhe t’i ndërrojnë fare për të filtruar saktësisht deri në detaje ata që vihen në krye të punëve. Ndryshe, me filtra difektozë do zgjidhen individë që e kanë vendin në kosh dhe partitë do bëjnë dekriminalizime bosh.

Nga Bardhyl BEJKO