BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

Firmat piramidale, vjedhja me spektakolare e një diktature bastarde

Firmat piramidale, vjedhja me spektakolare e një diktature bastarde

Kujtesë për besim e shpresë

Eh, moj botë, moj botë virane! Shumë herë ti, ngrysesh piperkë e gdhihesh patëllxhane. Dhe mendja më shkon tek shoku Sali dhe shokët e tij, që u ngrysën komunistë dhe u gdhinë demokratë. Pastaj u bënë kapitalistë të rinj, baballarë të firmave piramidale në Shqipëri. Mendja ime kaq desh dhe shkon me vrap tek vitet 1996-1997… Më dalin para syve grupe njerëzish, burra, të rinj, gra… Duket sikur presin diçka… Vështrimet e tyre sikur e tradhtojnë shqetësimin. Kërkojnë me ankth në disa lista të varura në mur. Ah, sikur… sikur… sikur! Ka shumë në Shqipëri, si këta e si ata…Viktima me ëndrra të fikura, të grabitur nga vjedhja më spektakolare e shekullit, nga premtimet çudibërëse, që rrënuan e çuan drejt një dimri të akullt. Kështu u fut paraja në vendin tonë të bukur. E ndrojtur pak, e fshehur për merak. Në vendet e pista rrinte e strukur, se nuk i kursente premtimet biznesi i vetëshpallur. Pa pritur e pa kujtuar me erdhën në mendje, vitet kur komunistët shqiptarë të konvertuar, çekun e bardhë sapo e kishin nënshkruar. Vendit të shqipeve vetëm ca bunkerë i kishin mbetur pa rrënuar. Ofensiva e pathyeshme e parasë, fiton terren, sa vjen e rritet. Nga Perëndimi kthehen njerëzit me telefon celular, me gota uiski. Në ndihmë të kusarëve po vinte rasti… Piramidat si kërpudhat, një nga një po dalin. Për të ushqyer këto bisha paraja kërkohet edhe atje ku fshihej. Në bufetë e divanët e çdo shtëpie. “Shoqëria e Mirëqenies” fryhet, mburret. Për shqiptarët e thjeshtë fillojnë kusuret. Spekulatorë të duruar, me fitim të dhjetëfishuar, injektojnë paratë e tyre në ekonominë që po lindte, se e dinin nga del fitimi. Rritja e kërkesës stimulon ofertën, në këtë lloj regjimi. Dhe vitet rridhnin. Vlora e ndryshon fizionominë. Pihej e njëjta kafe, si në Bari e Brindizi. Fillimi i luksit… Në Tiranë, metamorfoza u bë më e prekshme. Ish shëtitorja-gjithë piceri…Tirana ka veç automobilë. Vajzat mbajnë xhinse italiane. Biçikletat janë jashtë mode. Kënaqësi të reja që shpërthejnë. Paraja gjithçka fsheh. Ndërmarrjet e rrënuara krejt. Plehrat ku zihen minjtë e qentë. Është fillimi i viteve të dinastisë…Të dinastisë më të pathyeshme, me emrin dinastia “Leku”. Ngrihet bursa, të luan tepeleku. I kapitalizmit që po lind është ky tempull. Por të çmend tregu. Shitet e blihet në një katrahurë. E improvizuar, e privuar nga çdo rregull. Aksionet e ndërmarrjeve shiten pa turp, me çmim qesharak. Qeveria demokratike me zellin e saj liberal, pasurinë kombëtare me 1/10 e vlerës nominale e kishte shpërndarë. Piramidat u bënë solide. Përfitime brenda pak ditëve. Pafund reklama. Një shtyp i gangrenizuar nga hataja, nga paraja. Fshatarët s’i shmangen tundimit. Pasuria e tyre zbret në qytet. Është koha e besimit. Është koha e besimit të verbër tek sportelet e firmave magjike, me emra tingëllues e joshës, “Vefa”, “Populli”, “Xhaferri”… Krokodilë që gllabërojnë, tek Emil Zola më çojnë. Tek romani “Paraja”. Sa e madhe është dhimbja! Më kujtohet Sakardi, ky tregtar iluzionesh. Të ngre peshë me premtime, me truke e projekte fiktive. Seç më ngjante me Vehbiun, kapterin e ushtrisë. Seç me ngjante me Saliun, “simbolin” e demokracisë. Besimin e turmave njerëzore, asgjë nuk mund ta lëkundë. As edhe fjalët e përhapura: Bëhet fjalë për pastrim parash. O zot! O zot! O zot! S’ka më keq se sot! Jemi shumë larg realitetit! Ja, shpërthen edhe kreu i shtetit: Paratë e shqiptarëve më të pastrat në botë! Ja dhe sinjali që prisnin. Ata që e kishin me mëdyshje, ata që hezitonin, tani shtyhen nëpër sportele. Hedh shtat besimi i verbuar. Ishte momenti i iluzioneve të fundit… Kurrë nuk kishte qenë kaq i sigurtë, shqiptari për t’u pasuruar. 21 dhjetor 1996. Mëngjes i vrenjtur ngarkuar me shi. Një kortezh i gjatë makinash përshkojnë qytetin e Vlorës. Presidentja e “Gjallicës” flet me një zë trishtues: Do të ketë më shumë të humbur, se sa fitues… Janar 1997. Televizioni lajmëron. “Sudja” falimenton, “Gjallica” nuk beson. “Populli”, “Xhaferri” kërkon. Për të tjerat… më vonë. Britma vinin nga njerëzia: Qeveria grabiti pasurinë tonë! Atëherë zuri fill kaosi. Turma e irrituar kërkonte kokën e shefit. Zemërimi popullor u vërsul mbi gjithçka, që simbolizonte shtetin, pasurinë dhe njerëzit e tij. Morën flakë disa bashki. Burgjet u shpërthyen. S’ka më shtet. Saliu bëhet president. Ironia e sarkazma gërshetuar me banda… Tani ethet e parave po shkruanin epilogun e tyre. Shqiptarët u zgjuan nga ëndrra. Shqiptarët u zgjuan nga ëndrra, por pasojat qenë shumë të rënda. Ata që futën paratë në këto firma nuk panë më ditë të mira. I mbyti trishtimi, vuajtja, mjerimi. Pati nga ata që ikën për fare nga kjo botë mizore. Disa sikur e morën njëri-tjetrin për dore. Ndërsa ai dhe partia e tij, që iku nga froni me bisht ndër shalë u bënë gjarpërinj, përsëri ëndërronin për pushtet e pasuri, sepse ishin zemërgurë e shpirtzinj, sepse mbi të gjitha nuk veproi e flamosura drejtësi. Pse nuk veproi, unë nuk e di. Një gjë e di shumë mirë. Ata e bënë realitet ëndrrën e tyre. Erdhën përsëri në fuqi, jo pak, por tetë vjet, s’ka gjë se u vesh me të zeza nëna Shqipëri. Sot drejtësia sikur jep shpirt nën këmbët e tyre, ndaj më 25 prill të vitit 2021, ata kërkojnë pushtet përsëri. Çudi! Kërkon pushtet përsëri një parti e mbushur me tradhtarë, katilë, kusarë, që na sollën 2 Prill, Otranto, Gërdec dhe 21 Janar. Deri kur kështu, o njerëz të ndyrë?! Si duron, o popull trim e bujar? Këto janë shuplaka të nxehta në fytyrë. Unë kam besim tek fuqia jote. Ajo do t’i fshijë me fshesë plehrat e kësaj toke.