Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

Firmëtarët e paktit të detit legjendarë, të supozuarit tradhtarë!

Firmëtarët e paktit të detit legjendarë, të supozuarit

Askush nuk çuditet nga sherrnaja më e re e klasës tonë politike, mediatike,opinionistëve pas deklaratës së kryeministrit të Greqisë për zgjerimin e kufirit detar me Shqipërinë me 12 milje dhe diskutimin e këtij pretendimi në Parlamentin e shtetit fqinj. Ky pretendim është një dëshirë e kahershme e qeverisë greke për të shtrirë kufirin detar deri në atë pikë sa të përmbushi interesat e veta edhe pse në shkelje të integritetit territorial të Shqipërisë. Historia e paktit detar, ka nisur prej vitesh. Kulmin e arriti nën qeverisjen e kryeministrit Sali Berisha me nënshkrimin e paktit detar, marrëveshje e cila me iniciativën e opozitës së kohës, PS, Gjykata Kushtetuese e anulloi dhe e hodhi poshtë si të paligjshëm, në kundërshtim me konventat ndërkombëtare si dhe të drejtat e vendit tonë për hapësirat detare në kufi me Greqinë apo shtetet e tjera. Për marrëveshjen e nënshkruar në emër të qeverisë shqiptare të kohës nga lideri aktual i opozitës, Lulzim Basha, në një ceremoni festive, në krah të zonjës Bakojanis, ministre e Jashtme e shtetit fqinj, në prani të Berishës kryeministër, u bë shumë zhurmë, jo thjesht mediatike, po politike dhe shkencore nga personalitete të fushës detare, hartografisë së njohur ndërkombëtarisht. Argumentat e mirëfillta të Kolonel Pashait, ish-drejtor i Institutit të Hartografisë, njohës i shquar i teknikave të përllogaritjeve të hapësirave detare, argumentat të bazuara në prova, diskutimet e sugjerimet e mjaft prej specialistëve të kësaj fushe, i dhanë Gjykatës Kushtetueses, argumenta shkencore, objektive dhe të pakundërshtueshme për të marrë një vendim të drejtë, jo subjektiv pa cënuar të drejtën e askujt, larg interesave nacionaliste në vendin tonë apo tek ai fqinj. Opinioni shqiptar, shpalosi ndjeshmëri të jashtëzakonshme, gati ekstreme për mbrojtjen e të drejtave territoriale të Shqipërisë dhe nuk u dakordësua me aktin e vendosur me firmat e ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, akt që trazoi tërë politikën e vendit tonë dhe shkaktoi tronditje mes faktorit politik pasi në lojë vihej integriteti i Shqipërisë dhe hapësira detare e njohur ndërkombëtarisht. Pakti i pakonsultuar shkencërisht mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare mes të dy vendeve për të gjetur prerjen e artë që nuk cënon asnjë prej hapësirave detare të dy vendeve. Polemikat u ngritën në qiell. Mbi marrëveshjen e nënshkruar ranë shumë hije dyshimi. U sulmua Gjykata Kushtetuese nga bashkautorët e paktit, e cila është sovrane në marrjen e vendimeve dhe nuk merr për bazë asnjë kompromis që bie ndesh me integritetin dhe sovranitetin e vendit. Vendimi i Kushtetueses me hedhjen poshtë të paktit u prit nga opinioni i gjerë shoqëror si një akt atdhetar, i ndershëm, i matur, i argumentuar, njëherësh si mbrojtje e të drejtave të vendit tonë për ruajtjen të pacënueshme ta hapësirave detare e territoriale, të cilat ndër shekuj janë mbrojtur me të gjitha forcat, ashtu siç veprojnë të gjitha vendet normale. Asnjë shtet nuk lëshon territore apo hapësira detare pasi ky akt është tradhëti kombëtare. Hartuesit e këtij pakti iu kundërvunë vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e quajtur të padrejtë, akt të papranueshëm. Ata mbrojtën me tërë fuqinë krijesën e vet të turpit. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, autorët e këtij akti, asnjëherë nuk pranuan se realizuan një marrëveshje që cenonte sovranitetin tonë kombëtar dhe shkelte me të dyja këmbët Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Përkundrazi, u sulmuan ata që e iniciuan këtë mision që çoi në prishjen e paktit mes dy qeverive. Autorët e paktit të detit, Berisha në rolin e kryeministrit dhe Basha në atë të ministrit të Jashtëm, mbrojtën krijesën e tyre, duke e konsideruar akt të drejtë dhe të bazuar në ligjet ndërkombëtare, duke rënë në kundërshtim të hapur me realitetin dhe argumentimin e kushtetueses, e cila mbajti qëndrimin me të drejtë gjatë tërë ekzistencës së saj. Për këtë pakt, u debatua me argumenta e u bënë shumë akuza. U sollën prova, u bënë insinuata. Autorët e paktit, asnjëherë nuk denjuan të kërkonin falje publike për mungesën e transparencës dhe llogaridhënies së munguar edhe pse u bë e qartë për të gjithë se ishte faj i pafalshëm. Po autorët e mbrojtën paktin dhe u fshehën pas argumenteve false dhe subjektive, duke akuzuar opozitën e kohës se kërkonte të godiste prestigjin e qeverisë Berisha në një kohë kur ishte me të drejtën dhe realitetin për cënim të territorit të Shqipërisë në një hallkë të ndjeshme që lidhet me hapësirat detare. Shteti shqiptar, vendi ynë në vite është sakatuar e copëtuar. I janë prerë troje dhe i janë rrëmbyer copa nga trungu i vet. Dhe një pakt për legjitimimin e dhënies së hapësirave detare do ishte vërtetë akt tradhtie dhe pranim i dorëzimit të hapësirave detare me dëshirë dhe akte që më pas do ishin kular në qafën e Shqipërisë. Akti historik i Gjykatës Kushtetuese, ishte shpëtim i nderit dhe dinjitetit të atdheut tonë, shpëlarje edhe e mëkatarëve, moslejim i copëtimin të hapësirave tona detare, mbrojtje e sovranitetit në një kohë kur sovranistët dhe patriotët e pilafit, interesave meskine e kishin lëshuar dorën sikur jepnin pjesë nga pasuria e tyre familjare. Shteti fqinj, Greqia më shumë se njëherë e ka akuzuar Shqipërinë për mos zbatimin e marrëveshjes për kufirin detar të përcaktuar nga pakti mes dy vendeve fqinje dhe ka kërkuar të zhbllokohet ky pakt, i cili është i panegociueshëm pas vendimit të Kushtetueses. Shumë zhurmë është bërë për këtë pakt dhe vendimin e gjykatës. Historia vazhdoi me diskutimet e bëra mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, Koxias-Bushati, ku natyrisht u debatua edhe për kufirin detar. Ende edhe sot nuk janë publikuar këto diskutime. Po nga qeveria shqiptare, është deklaruar se nuk do ketë cënim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese aq më tepër që ka qenë kjo mazhorancë, atëherë në opozitë që ka kundërshtuar paktin detar. U desh vetëm një deklaratë e kryeministrit grek se do zgjerohet hapësira detare e Greqisë me 12 milje, që këtu në Shqipëri të ngrihet stuhi e jashtëzakonshme nga patriotët e vendit tim, të cilët vite më parë hartuan paktin më të papranueshëm për kufirin detar dhe e nënshkruan atë. Flamurtarët e këtij aksioni politik, revolucioni atdhetar e patriotik, janë Basha, Berisha, Meta e tërë koalicionistët e analistët, shtypi pranë tyre që u thonë shqiptarëve se tradhtari Edi Rama shiti Shqipërinë. Akuzatorët, janë pikërisht ata që e bënë një akt të tillë të kryer dhe të dokumentuar. Të hartuar në dhjetëra faqe, të nënshkruar nga ministri i Jashtëm, sot lider i opozitës, pretendenti për kryeqeveritar. Ajo që të çudit nuk është alarmi që ka ngritur opozita, si betejë për mbrojtjen e hapësirave territoriale, po loja që bëhet përmes kësaj zhurme, duke qëlluar me plumba manovër, me zhurmë të stërmadhe e cila ka për synim të shantazhoi qeverinë, ta zhvlerësojë në sytë e shqiptarëve, ta trajtojë si tradhtare të interesave shtetërore dhe ta shpalli tradhtare këtë mazhorancë, së pari kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Nëse opozita ka fakte që ne shqiptarët e zakonshëm nuk i njohim, le të na i tregojë. Nëse ka prova që nuk i dimë të na i bëjnë të njohura. Nëse ka në dorë materiale të nënshkruara në fshehtësi, atëherë nuk pse bën propaganda, po t`i dërgojë në organet e drejtësisë. Edhe pse Gjykata Kushtetuese ende nuk është funksionale, detyra e parë e një opozite dinjitoze është t`i drejtohet gjykatës dhe të regjistrojë kallzim penal për kryeministrin dhe qeverinë. Akuzat e hedhura me tonelata, qëndrimet hipokrite që mbahen gjatë këtyre ditëve nuk janë asgjë tjetër, veç një lojë e pistë që synon të damkosë qeverinë e Shqipërisë dhe ta shpalli tradhëtare të interesave tona kombëtare. Hapësira territoriale e Shqipërisë, çdo gur e kodër, mal e det, lumë e liqen, pyll, një gur i shkëputur, është i patjetërsueshëm. Nuk ka burrë apo grua, politikan apo shtetar të guxojë të marrë vendime në fshehtësi për të tjetërsuar hapësira që i takojnë shtetit tonë. Akuzatorët, autorë të paktit të nënshkruar dhjetë vite më parë, janë vërtet interesantë. Ata që kanë dhënë provën më të turpshme dhe kanë marrë vendimin skandaloz në këto njëqind vjet në lidhje me territorin e Republikës së Shqipërisë, janë duke bërë teatër absurd. Gjykojnë se meritojnë kurora lavdie mbi veprën e shëmtuar që e kanë nënshkruar me koshiencë dhe ndërgjegje në dritë të diellit, faqe tërë shqiptarëve dhe botës mbarë. Ata që e falën detin. Ata që bënë aktin më të shëmtuar që vërtet është tradhëti kombëtare, sot janë mobilizuar të godasin Edi Ramën, ta akuzojnë se po shet detin, po i fal Greqisë territore shqiptare. Edi Rama nuk ka asnjë tagër, të japë, të falë, të marrë territore. Shqipëria nuk është pronë e tij. Dhe nëse ka diçka të vërtetë në këtë stuhi që ka shpërthyer dhe ka ngritur në qiell dallgët e trazuar mendjet dhe ndjenjat e shqiptarëve, le ta na tregojë cilido kompetent një provë të këtij akti të supozuar, një akt të kësaj tradhtie dhe të gjithë ne do të rreshtohemi në krah të Berishë, Metës, Bashës dhe do t`i amnistojmë ata për aktin që kanë kryer ndaj hapësirave territoriale të vendit tonë me paktin e nënshkruar prej tyre. E gjithë kjo zhurmë, pa pasur asnjë fakt. Pa asnjë letër të shkruar. Pa prova të dokumentuara dhe të shpallura para shqiptarëve, ashtu siç kemi paktin e pranuar nga qeveria Berisha. Kjo akuzë me përmasa, është një bumerang për ata që e kanë ndërmarrë. Nacionalistët dhe patriotët tanë, do bënin mirë të na jepnin argumenta, të na mbushin mendjen se ata janë duke bëre heroin real dhe jo hipokritin dhe kombëtaristin imagjinar. Se e kanë me gjithë mend që do bëhen kamikazë dhe do nxjerrin nga gjiri i tyre Avni Rustem, Mic Sokola, Asim Vokshi e Kanan Tafilë. Nëse kanë argumenta, populli i pret. Po deri sot të gjithë akuzatorët e rreshtuar në krahun e opozitës, vetëm bëjnë insinuata. Flasin dhe gërthasin, betohen e lëshojnë rrufe. Kërcënojnë e bëjnë trimin. Gjëmojnë e lëshojnë deklarata nacionaliste se do bëjnë namin. Po deri sot, vetëm fjalë dhe akuza në ekranet e televizioneve e portale. Nëse Edi Rama, ka cënuar hapësirat territoriale të Shqipërisë, le të na e argumentoni, të na e faktoni. Dhe ai të përgjigjet para shqiptarëve. Dërgojeni në SPAK. Në Hagë. Në Strasburg. Në gijotinë po deshët. Kudo që ju gjykoni për t`i dhënë dënimin e merituar. Ndryshe askush prej jush që bëtë aktin e turpshëm të faljes së detit me prova e fakte, marrëveshje të shkruara e të botuara nuk keni asnjë moral të na bëni propagandë. Të përlyerit nuk kanë asnjë të drejtë të nxijnë e të shpifin. Deri tani asnjëri nuk ka treguar asgjë. Janë mjaftuar me deklaratën e kryeministrit të Greqisë. U desh një deklaratë e tij që këtu të ndizet politika jonë. Një kauzë e rënë nga qielli si dhuratë paraelektorale. Të rrëmbejnë armët e propagandës ata që dje i bënë gjëmën këtij vendi me paktin e firmosur dhe nënshkruar faqe tërë botës. Sot, bëjnë sikur nuk janë ata autorët e faljes së detit. Me firmë e vulë. Me marrëveshje dhe pakt të nënshkruar. Me zë e figurë. Me filmime e dokumenta. Me vendimin e Kushtetueses të anulimit të marrëveshjes. Me qindra argumenta për cënim sovraniteti. Përpjekja për të vënë shenjën e barazimit mes aktit të kryer dhe akuzave për pakte në fshehtësi, të supozuara, kur është vetëm në mendjen e politikanëve tanë, është e papranueshme. Ata që kërkojnë lavdi për atë që bënë vite më parë me ndërgjegje dhe koshiencë të plotë edhe pse duhet të mbajnë mbi krye kurorën e turpit, kujtojnë se kanë fituar kurorën e lavdisë dhe trimërisë me akuzat që bëjnë sot. Janë pikërisht ata që sot me akuza pa asnjë provë kërkojnë t`i vendosin qeveritarët e Shqipërisë në piedestalin e tradhtisë kombëtare, të dalin të pastër për aktet e nënshkruara. Përpjekja për të bërë pisë të gjithë është strategji politike e opozitës sonë, e cila pasi mbaroi punë me akuzat se, Edi Rama, ka pranuar ndryshimin e kufijve të Kosovës, duke mbrojtur Serbinë, tani i janë sulur për t`i vënë damkën e tradhtarit se kërkon t`i shesë Greqisë hapësirën detare të Shqipërisë. Kjo përpjekje, është tinzare dhe e paskrupullt. Është një akuzë e pistë që synon dhe ka për qëllim përfitime elektorale. Është beteja e opozitës për të fshirë nga kujtesa aktin e turpshëm të marrëveshjes, me vulë e firmë të qeverisë së djeshme, nënshkruar nga lideri opozitar Basha. Është një sulm që kërkon të deligjitimojë mazhorancën, ta shfaqi para shqiptarëve tradhtare dhe shkelëse të sovranitetit të Shqipërisë. Deri sa akuzatorët të na vënë përballë provave dhe fakteve se akuzat e tyre janë të vërteta, kemi gjithë të drejtën të gjykojmë se: Ata që i vunë Shqipërisë mbi krye aktin më të turpshëm në historinë moderne të shtetit tonë, kërkojnë lavdinë e munguar. Synimi: Qeveria e sotme të dënohet për tradhti kombëtare. Na jepni një provë të nderuar miq opozitarë. Na tregoni një fakt. Një firmë apo një vulë mbi një akt marrëveshje apo pakt që qeveria e Shqipërisë fal det apo hapësira të tjera dhe të gjithë ne do rreshtohemi me ju sovranistët për t`i dalë zot Shqipërisë. Dhe ju nuk keni nevojë për të gjetur atentatorë për të bërë Avninë a Mic Sokolin. Se për Shqipërinë dhe atdheun tonë të gjithë jemi gati të bëhemi therorë dhe ta mbrojmë me jetën tonë çdo metër katror! Po prova dhe fakte veç. Ndryshe zoti Basha hesht. Ju Berisha po ashtu. Dhe ju zoti president gjithashtu!