Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Fisi Haxhiaj në Progonat me 23 partizanë

Postuar: 15/09/2019 - 07:36

Me armë që këndonin në duar të 23 luftëtarëve, partizanë e territorialë. Ia “merrte” maliheri, ia “kthente” automatiku, ia “hidhte” mauzeri, “iso” të gjitha pushkët! Dhe kënga shkonte zile! Midis 23 luftëtarëve të lirisë, 11 partizanë të malit, sa një skuadër sulmuese; 12 luftëtarë në batalionin territorial. Të gjithë bashkë sa një togë! Secili me pushkë në sy. Me yll në ballë. Me shami të kuqe në qafë. Me hap ushtari. Më i madhi 30 vjeç, më i vogli 15. Në vitet 1942-43, u radhitën në çeta e batalione dhe u përfshinë në Brigadat e VI, III, dhe XII. Fis i zjarrtë. Me trima të rrallë, të njohur në Kurvelesh, në Labëri dhe më gjerë. Duhej lufta partizane, që të njihesha edhe unë me njerëz luftëtarë e fisnikë të këtij fisi. Me tre prej tyre u njoha në Brigadën e VI, Heroin e Popullit, që mbante emrin e heroit “Abaz Shehu”. Të parin njoha Dalipin, djalin e Orhanit, i cili u nda nga jeta dhe e la një vjeç. E rritën Dudia me Benin. Dhe Dalipi u bë aq i mirë, sa ua shpërbleu atyre duke i nderuar me figurën e tij të lartë, me atdhedashurinë e flaktë. E pashë me “mauzerin” në krah, që e përdorte me lehtësi sikur të ishte revole dhe kishte qejf që nazistin ta kapte nga palltoja të gjallë! Ishte i pari partizan, me të cilin kam fjetur natën e parë edhe unë partizan. U gdhimë në një familje lufte në Kardhiq. Eh, çfarë luftëtar ishte Dalipi! S’donte t’ia dinte se kishte përpara fashistin dhe nazistin! “Perëndia” e tij ishte trimëria. Bukuria e tij thjeshtësia. Karakteristikë e tij ishte gjakftohtësia. Shpirti ishte mirësia. Dëgjonte dhe nuk fliste. Po kur fliste e dinte vetë çfarë thoshte! Krenohej kur hidhte ose dëgjonte parullën “Para partizanë”! Dhe sulmonte i pari. Nuk fliste për vete, por për të tjerët. Trimërinë e tij në luftë duhet t’ia nxjerrësh me pyetje, si me “çengel” dhe ato që tregonte, të mahnitnin! Do të dëgjoja nga shokët për akte trimërie të Dalipit. Më vonë do të lexoja edhe kujtime të bashkëluftëtarëve të tij. Njëri prej tyre shkruan: “Ecnim xhadesë që kalon kudo buzë detit. Deti sot ka marrë një pamje të veçantë. Kjo pamje magjeps edhe ata që i kanë rënë rreth e qark lëmshit të dheut. Nëpër këtë panoramë magjepsëse unë dhe komandanti i kompanisë, Dalip Haxhia, shkuam në drejtim të Himarës për të marrë takim me patrullën tonë. Por tek hidhnim çape në drejtim të një muri, në anë të xhadesë, vështrimi ynë ndeshi tek tyta e një mitralozi dhe te ushtari nazist, që na kishte marrë në shenjë. Nuk ishim më larg se pesëdhjetë metra. U ndodhëm përballë me vdekjen. U zmbrapsëm nëpër plumba. Dalipi eci një kohë nëpër plumba. Krismat bënë që kompania të hidhej në sulm. Nazistët që kishin zbarkuar natën, u tërhoqën në panik. Asnjëherë tjetër nuk i ishin prerë teshat e trupit Dalipit, si kësaj here…” Po Rakipi? Trimi i Benit dhe Dudies, djali i këtij çifti dinjitoz, me shpirt luftarak, të cilët ai i nderoi në luftë dhe në punë pas çlirimit. Nga respekti që kishin vëllezër e kushërinj të tij, si Mejdiu e Rustemi i thoshin “Toto”. Por “Totoja”, Rakipi, u bë një partizan i njohur, luftëtar modest dhe kuadër cilësor, që i shkëlqente në duar automatiku. E doja dhe më donte shumë, jo vetëm se ishim në të njëjtën kompani, por ai ishte shpirtbardhë, që do ta donte e nderonte cilido partizan. Mendjendritur. Fjala e tij ishte gjithë lezet. Në debatin e ashpër që u zhvillua me Ismail Golemin te rrapet e Progonatit, u mblodhën 500-600 vetë nga gjithë fshatrat e Kurveleshit të Sipërm. Përpara se të fillonte mbledhja, një grup progonatas si Sherif Zeneli, Sadik Buzo, Rakip Haxhiu, Hyso Haxhiu etj., me iniciativën e tyre, kishin ngritur një këngë dhe filluan të këndojnë. Kënga fillonte me vargjet: “O Tomorr i Shqipërisë/ më i madhi i malësisë/, trego gjithë ç’ke mësuar/ dhe ç’ke parë e ke dëgjuar”. Deri këtu Ismail Golemi nuk u ndie, por kur dëgjoi vargjet: “Ballë dreqin kush e ngriti e stërviti/ kush i dha të madhe bujë/ të bënte vendin rrëmujë”, kapua i ballit protestoi, duke thënë se balli nuk i meriton këto “nofka”... Nga të dy këta kushërinj të parë, Dalipi e Rakipi, mësoja shumë për figurën e partizanit. Tek shpirti i tyre gjeja frymëzim. Tek trimëria e tyre merrja mësim. Tek lufta e tyre merrja guxim. Tek modestia e tyre gjeja të bukurën. Dy njerëz zemërmirë. Dy luftëtarë sypatrembur. Dy atdhetarë të paharruar. Dy partizanë të mirënjohur. I mbaja lidhjet me ta edhe pas çlirimit. Takoheshim në “Tiranën e tiranisë, që u bë Tirana e lirisë”. Sa keq që ata u ndanë shpejt nga jeta! I kujtoj gjithnjë me respekt e nderim. Edhe Rustemi ishte partizan i Brigadës VI Sulmuese, por në tjetër batalion, në të parin, “Asim Zeneli”. Batalion me famë. Kisha dëgjuar për vjetërsinë e tij në lëvizje, si njeri i aksionit në Tiranë, punëtor në fabrikën e tullave, aktivist, trim, që vepronte nën hundën e fashizmit e të spiunëve të tij, pjesëmarrës edhe në demonstratën e Tiranës, pastaj partizan, sypatrembur në beteja luftarake, por nuk më ishte dhënë rasti të njihesha nga afër në ato vite të zjarrta. E njoha më vonë, mësova për prindërit e tij dinjitozë, xha Sulon dhe Viton, për vëllanë tjetër, Shamon. Do të njihja sot edhe birin e tij, Maksin, këtë jurist me kulturë. Lule e burrëruar, të cilit sytë i vezullojnë si yje. Bir besnik dhe trashëgimtar i denjë i Rustemit, trim gjakftohtë në këta vite të përzierë të tranzicionit. Puna do të më njihte edhe me Mejdiun, pionierin partizan, që s’i kishte “lapë syri”, trashëgimtarin e denjë të Abazit e të Afizesë. Edhe pse i vogël, sulmues. Me sy të ndritur. Me buzëqeshje të ëmbël. U plagos në luftë, por mbeti shtyllë, gjatë luftës dhe pas çlirimit. Njeri besnik, i vendosur, vigjilent, i dashur, shoqëror, familjar shembullor, gojëmbyllur, që kryente detyra të rëndësishme, me të cilin do të na lidhnin shërbime të përbashkëta civile e ushtarake. Pas çlirimit do të njihesha edhe me vëllanë e tij, Enverin, këtë kuadër të zgjuar të punës, të gojës e të shembullit personal, që shkoi vullnetar e dha përvojë në Veri, i njohur deri në udhëheqjen e lartë të partisë. Njeri me ndjenja. I respektueshëm. E mbaj mend atë ditë, kur një grup Asimzenelas ia morën këngës për Hysni Kapon, i cili s’kishte shumë kohë që kishte mbyllur përgjithmonë sytë, ndërsa Enver Haxhia ia shkrepi të qarit, sepse kishte shumë kujtime të bukura prej tij! E bëri grupin ta pushonte këngën. Sa njerëzor ishte Enver Haxhia! Sa i aftë në detyrën e specialistit. Një model në blegtori e në bujqësi. Po xha Hysoja? Njeri i urtë, me zë të ulët, që s’dinte kurrë të bërtiste e të fliste me inat. Në buzëqeshjen e tij shikoje zemrën e bardhë. Në fjalën e tij të ngrohtë ishte dashamirësia e tij. E donin shumë xha Hyson. E kishin zgjedhur kryetar të kooperativës në fshatin e të ri “Asim Zeneli”. Ta shikoje, s’ta merrte mendja se qe kryetar, njeri i thjeshtë dhe fjalëpakë, por punëshumë. Njeri që respektohej nga të gjithë. Gjakftohtë, i ndershëm, i drejtë. Vitet e fundit të jetës xha Hysoja i kaloi në Tiranë. Po ku ishte mësuar ai të rrinte nëpër qytet, pa punë në pension! Ai s’mund të qëndronte pa dëgjuar këmborën e dashit. Nuk duronte dot pa u ngjitur si djalë i ri malit Çajup e të gdhihej me barinjtë. S’mund të rrinte pa pirë nga uji i ftohët i fushës së Çajupit! I qenë mësuar sytë në trëndelinën e këtij mali. Donte të dëgjonte melodinë e fyellit të barinjve. Rreth Liqenit Artificial të Tiranës do të bëja shëtitjen e fundit me të dhe më nuk u pamë. Më mbeti në sy ai njeri i mirë dhe dashamirës, me atë fytyrë të vogël, i urtë, me trupin e shkurtër e me kapele me strehë në kokë. Në punë të përbashkët do të njihja edhe djalin e tij, Fiqiriun, punëtor i palodhur, i zgjuar, me sy kritik. Do të rriteshin filiza të rinj në fisin “Haxhia”. Erdhën ditë që do të njihja “lule” të tjera: puna me rininë do të më lidhte me Fejzo Haxhian, i biri Rizos dhe i Shumrikës, anëtare e këshillit të gruas së fshatit. Djalosh dinamik, i papërtuar, i zgjuar, që s’dinte ta bënte dysh fjalën e Partisë. Ishte i ri në mes të të rinjve. I shkonte shumë shprehja: “Më thuaj me cilin rri, të të them se cili je”. Oh, sa kënaqësi ndjen cilido që rri qoftë dhe një copë herë me njerëz të fisit “Haxhiaj” të Progonatit, familjet e të cilit kanë një rrugë luftarake, atdhetare! Janë njerëz që meritojnë nderime. Çdo familje e këtij fisi është një çerdhe patriotike e revolucionare: me luftëtarë të papërkulur brez pas brezi. Secili një luftëtar në emër të popullit, për lirinë dhe lumturinë e tij. Secili një shqiponjë. Njerëz bujarë. Me zemër të gjerë. Burra e gra të zakonit. Me shtëpi dyerhapura. Edhe kush nuk i ka njohur më parë, kur takohet me ta, i duket sikur nuk piqet për herë të parë! Janë njerëz me duar në qafë. Këto cilësi janë manifestuar tek të parët e tyre qysh para LANÇ. Xha Sulua kishte parë botë me sy. Emigrant në SHBA. Bënte pjesë në Shoqërinë “Vatra” dhe kontribuonte për vendin e vet, që e la dhe e gjeti në ditë të zeza. Pas kthimit nga mërgimi ka marrë pjesë në çetat patriotike, në lëvizjen antizogiste, në Luftën e Vlorës më 1920, në Revolucionin Demokratik më 1924, në mbrojtje të qeverisë së Fan Nolit. Atdhetarë ishin të gjithë burrat “Haxhiaj”, të cilët bashkë me gratë shqiponja të tyre i kthyen shtëpitë në baza të sigurta të luftës: Zubua, Feimi, Beni, Abazi. Të gjithë së bashku e pritën fashizmin jo me tufa trëndafilash, por me “lulet” e vezmeve të rripit të mesit, me fishekë që s’mbeteshin pa ndezur dhe pa shkuar në objektivë. E gjithë skuadra e partizanëve “Haxhia” do të kalonte përmes zjarrit të aksioneve luftarake, do të ndeshej me armiqtë në malet e Kurveleshit, në Qestorat, Dukaj, Labinot, Orosh, Shupal, Iballë, Tropojë, Nikaj-Mërkur, në Mal të Zi, Bioçe e Kosor, në Drinsko, Suhagorë e Vishegrad. E kush nuk i njohu këta trima partizanë! Djem me atdheun në zemër e zemër flakë. Në fushën e betejave morën plagë Dalipi, Hajrua, Mejdiu e Shamo Haxhiu. Por edhe të plagosur nuk u ndanë nga partizanët. I gjithë fisi grusht të bashkuar. Përlesheshin me armiq dhe s’donin t’ia dinin. Shefqeti s’kishte shumë fjalë, por kur do të shkonte në aksion luftarak, thoshte: “Më ha hunda për mish”, domethënë do vrasim armiq! Shamua, një ditë do të mbushte ujë në krua. Por aty ishin dhe ballistë, që kishin zënë radhë. Shemua i shtyu dhe u tha: “Dale të mbush unë i pari, se më pret komandant Shamua”! Ballistët nuk e njihnin se ky ishte vetë Shamua, por nga frika e emrit të tij e lanë të mbushë ujë i pari, pa radhë! Shamoja ishte sulmues në njësitet guerile. U plagos, iu pre gishti i madh i këmbës, u gjend në një shpellë, e sollën në Tiranë dhe pasi u bë mirë, vazhdoi përsëri në beteja si partizan. Në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare ishin me dhjetra të tjerë, që armën e kishin në duar dhe vepronin si territorialë. Zubua ishte anëtar i këshillit Nacional Çlirimtar të fshatit dhe të krahinës, shtëpia e të cilit u dogj e para, pas saj u dogjën edhe shtëpi të tjera. Kështu vepronin në terren edhe të tjerë. Luftëtare trime ishin edhe gratë e këtij fisi. Gra atdhetare, dinjitoze, fisnike, trime. Më e moshuara ishte Duda, nëna e Rakipit, e cila në Operacionin e Dimrit 1943-44, kur ballistët trokitnin në portë për të hyrë në shtëpi e të bënin reprezalje, ajo mblodhi të gjitha nuset “Haxhia” dhe doli me to në dritare, duke u thënë trimërisht ballistëve: “Porta jonë nuk thyhet. Po erdhët, ja, na shikoni! Të gjitha do hidhemi nga dritarja si Suljotet”! Ballistët ikën me bisht ndër shalë, kurse nënë Duda u dërgua delegate në Konferencën e grave të qarkut të Gjirokastrës, që u zhvillua në Poliçan të Pogonit e më vonë delegate në Kongresin e Gruas në Berat.. Të gjitha gratë e fisit “Haxhiaj”, kanë pritur e përcjellë me buzëqeshje partizanë dhe komandantë e komisarë të tyre. Pesëmbëdhjetë gra shqiponja nga ky fis janë aktivizuar në ndihmë e në shërbim të LANÇ, duke shkuar deri në Borsh, tek vapori anglez që shkarkohej me municion, të cilin ato e ngarkonin dhe e çonin tek Shurri i Kuçit. Nëna, që lindën dhe edukuan bij si veten: trima, të ndershëm, të përkushtuar, atdhetarë, të fortë si shkëmbinjtë e Malit të Thatë aty përballë Progonati. Për Hajro Haxhiaj, invalidin që iu pre një këmbë, kam shkruar portret të veçantë. Trimi i mirënjohur, kur iu pre këmba, pa narkozë e me sharrë druri, ia mori këngës, së cilës ia kthente Dr. Ibrahim Dervishi, kurse kirurgu italian i çuditur tha: Sa njerëz kam operuar, s’kam parë ndonjë që t’i pritet këmba dhe të këndojë”! Secili nga fisi “Haxhia” është me biografi të shkëlqyer. E kam vështirë të shkruaj për çdonjërin, jo vetëm se janë shumë, por për ata që kam njohur në zjarrin e luftës, më pushtojnë malli dhe emocionet, gjë që më vështirëson e më pengon, të shkruaj më tepër dhe për të gjithë. Kush i ka njohur e thotë me plot gojën: “Haxhiajt e Progonatit, në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare kanë qenë sulmues, në vijën e parë të zjarrit: prej tyre 4 oficerë madhorë. Ushtarë besnikë të Atdheut, të Partisë e të Enver Hoxhës.

Në kuadrin e 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut

Nga Sevo Tarifa

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/10/2019 - 07:20

Për opozitën tonë jashtëparlamentare si në tërë këto vite, gjithçka që ndodh në këtë vend individualizohet e pykëzohet në një emër të vetëm.

Postuar: 23/10/2019 - 07:18

Në raportin e zbatimit të buxhetit faktik të shtetit për vitin 2018, institucioni i auditimit më

Postuar: 23/10/2019 - 07:16

Me siguri na erdhi shumë keq të gjithëve për lojën që luhet si përherë në kurrizin e ne shqiptarë

Postuar: 23/10/2019 - 07:14

Marrëzia jonë, ka shkuar deri aty sa shumë kush të "zemërohet" me Francën!

Postuar: 22/10/2019 - 07:21

Ka tronditje të madhe në politikë për fundin e formimit të SPAK apo fillimin e punës së tij!

Postuar: 22/10/2019 - 07:14

Dihet që Këshilli Europian nuk arriti të marrë një vendim pozitiv për çeljen e negociatave me Shq

Postuar: 22/10/2019 - 07:13

Të trishtuar dhe humbës real nga vetoja e francezëve në Këshillin e Europës, ku presidenti Macron