Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Fondi” i kujtimit

Postuar: 08/11/2019 - 07:09

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” këto ditë justifikon plotësisht emrin që ka. Mban mbi vete të varur fotografitë e dhjetra martirëve të luftës për liri të mbi 75 viteve më parë. Kur ecën mbi bulevard dhe mban kokën lart, fotot e atyre të rejave dhe të rinjve që falën aq pastër jetën për një ideal të shenjtë si liria e atdheut, të prekin shpirtin e të fusin në mendime. Është ndoshta homazhi, nderimi më i bukur dhe i thjeshtë që mund t’u bëjmë dëshmorëve të Atdheut. Në 46 vitet e para pas përfundimit të luftës (1944-1989), familjet e dëshmorëve, në kundërshtim me kujdesin dhe trajtimin e veçantë edhe financiar që u rezervohej të rënëve në luftë ose pjesëmarrësve të saj të ngelur gjallë në të gjithë botën (por sidomos në SHBA, Britani e Madhe, Francë, etj.), merrnin vetëm dy pako kafe me leje, disa kilogramë mollë e ndonjë frutë apo ushqim tjetër që gjendej me vështirësi, sidomos pas prishjes me kinezët në vitet 1979-1989. Në të 29 vitet e demokracisë (1990-2019), bashkëshortet apo motra a vëllai i dëshmorit morën një pension qesharak, ose asgjë. Vetëm indiferencën e një shteti që kishte shumë probleme dhe buxhet të varfër, por që askurrë nuk e gjeti një fond sado modest për të kujtuar si duhet të rënët e luftës, të mbijetuarit prej saj dhe të afërmit e martirëve e morën me bollëk. Tani, pasi kanë kaluar plot 75 vite dhe bashkëkohësit e asaj periudhe tejet të vështirë, por heroike janë aq të rrallë, Bashkia Tiranë dhe qeveria gjejnë këtë zgjidhje për të “festuar” 75 vjetorin e fitores mbi fashizmin në Shqipëri. Duke i kujtuar ata që bënë sakrificën sublime: dhanë jetën! Shumë foto klerikësh të pushkatuar nga krimet e komunizmit tek ne, u varën në qiell në po këtë bulevard pesë vite më parë, më 17 shtator 2014, në prag të vizitës së Atit të Shenjtë Papa Françeskut. Ishte një veprim i drejtë dhe i denjë, për të kujtuar martirët e masakrave të komunizmit tek ne. Si fotot e klerikëve martirë edhe fotot e martirëve të luftës për liri janë e njëjta gjë. I njëjti veprim fisnik, si në kujtim të idealistëve të luftës që dhanë jetën, edhe të viktimave të terrorit komunist, që humbën jetën në burgje e internim mes privimesh pafund, apo u pushkatuan. Në të dyja rastet kemi sakrifica sublime. Të parët që e dhanë jetën me vetëdije se mund edhe të vriteshin në luftë. Të dytët që humbën jetën nga terrori. Dhe është shumë mirë për vlerat e të qenit shqiptar, për bashkëjetesën dhe harmoninë tonë si komb, që të dy kategoritë e martirëve kujtohen dhe respektohen njëlloj. Tregon tolerancën dhe ndjenjën e detyrës, si nga Bashkia e Tiranës dhe qeveria qendrore. Kundërshtimet për fotot e martirëve të luftës janë sa jashtë kohës, aq edhe absurde. Pse martirët e luftës nuk janë xhelatët e klerikëve të pushkatuar! Nuk e sollën ata diktaturën komuniste, pavarësisht se një pjesë e tyre, në mes të idealeve dhe paragjykimeve të kohës, e quanin veten komunistë. Askush prej atyre që dhanë jetën për Atdhe nuk kishte menduar për pushtet apo privilegjet që gëzoi më vonë elita komuniste. Martirët morën malet për të gjetur lirinë, jo pushtetin. Prandaj dhe meritojnë vëmendjen tonë, respektin tonë maksimal për sakrificën e tyre. Me ardhjen e demokracisë është shkruar, dokumentuar, folur dhe reflektuar shumë pak për aktet e tyre heroike. Ndoshta nga ndjenja e fajit për glorifikimin me tepri të heronjve të luftës dhe harresën 45-vjeçare mbi të rënët nga krimet komuniste. Në të kundërt, abuzimet dhe krimet e një kohe lufte çlirimtare janë evidentuar me të drejtë. Por nga ana tjetër, krimet partizane me robërit ballistë ose nacionalistë janë përgjithësuar, ndërkohë që ato ishin vetëm një fragment i tërësisë së luftës për liri. Sigurisht fragment i dhimbshëm dhe i dhunshëm, që duhet dënuar ashpër në çdo kohë. Por kjo dhunë nuk mund të demonizojë, nxijë dhe asgjësojë të gjithë veprën e luftës çlirimtare. Në radhë të parë idealistët e asaj kohe që dhanë jetën. Prandaj dhe martirët e luftës për liri janë atje në bulevard sot. Qëndrojnë të qetë e fisnikë në sakrificën e tyre, po ashtu si ata dhjetëra klerikë të pushkatuar nga komunizmi qëndruan mbi bulevard pesë vite më parë. Ndoshta jo vetëm një herë në përvjetorë festash si kjo e Çlirimit të Atdheut që po afron, apo në vizita të jashtëzakonshme si ajo e Papës, këto foto duhet të dalin. Jo! Fotot e klerikëve të pushkatuar duhet të jenë mbi bulevardin tonë kryesor të paktën një herë në vit. Dhe jo vetëm atyre, por me dhjetëra e qindra të tjerëve të pushkatuar pse e mendonin ndryshe nga komunizmi. Në Ditën e Martirëve nga krimet komuniste. Sikurse edhe fotot e martirëve të luftës duhet të jenë çdo fund nëntori mbi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Vetëm kështu sjellim të drejtën dhe harmoninë në vuajtjet, tragjeditë tona kombëtare, por edhe në festat po aq patriotike dhe kombëtare, sa ç’është festa e Çlirimit të Atdheut nga fashizmi. Fotot e të dyja kategorive duam t í kemi më shpesh mes nesh, sepse koha kalon dhe harresa është e pamëshirshme. I duam t’ua tregojmë fëmijëve tanë që na pyesin “Ç’është ajo teta apo ai xhaxhi varur aty o ba/o ma”. Është i vetmi “fond” kujtimi që i kërkojmë shtetit tonë me buxhet të varfër. Dhe kjo bashki e kryeqytetit dhe kjo qeveri bën mirë të na e japë këtë “fond” të paktën një herë në vit, për të dyja kategoritë e martirëve.

Nga Fatos Çoçoli

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/12/2019 - 07:07

Sigurisht që koha e sotme ka nxjerrë në pah dhe iniciatorë dhe emra të rinj "fantastikë të publikut", por dhe të dashur, përdorur sigurisht për mirë, të depërtuar dhe ngritur në skenë të famshme, që kanë në

Postuar: 12/12/2019 - 07:06

Mendojmë se forcat politike në pushtet duhet të përcaktojnë dualitetin shtet-pushtet, në zbatim t

Postuar: 12/12/2019 - 07:05

Përmbysja e sistemit komunist në 1990-ën ishte vepër e shumicës së shqiptarëve, në radhë të parë

Postuar: 12/12/2019 - 07:04

Mbas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit që pllakosi dhe tronditi zemrat e shqiptarëve të kudon

Postuar: 11/12/2019 - 07:09

Shumë shpesh duken nga Gjermania si LVV dhe LDK në momentin kur akoma nuk gjejnë dot një pikë të

Postuar: 11/12/2019 - 07:08

E hëna e 9 dhjetorit ishte pushim, pas së dielës që ishte festë kombëtare, Dita e Rinisë.

Postuar: 11/12/2019 - 07:07

Solidariteti si një produkt shoqëror, lind, rritet e zhvillohet në shoqëritë e emancipuara.