BREAKING NEWS

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte përdhunimin nga disa persona, kush është shefi i lartë i Policisë: I kërkoi favore seksuale dhe mbesës së shkrimtarit të madh Martin Camaj

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte
x

Opinion / Editorial

Forca e ringritjes

Forca e ringritjes

Pandemia nga virusi Covid-19 ose Lufta e Tretë Botërore e njerëzimit do të jetë histori në më pak se dy vjet. Njësoj si Gripi Spanjoll 98 vite më parë në vitin e largët 1918, i cili infektoi një të tretën e popullsisë 1 miliardë e 800 milion njerëz të asaj kohë dhe shkaktoi nga 20-50 milionë viktima. Ky grip në dy vjet ishte një kujtim i trishtë dhe vetëm kaq. Ndërsa tani, një vaksinë, e cila do të marrë rreth një vit për t’u përdorur nga të gjithë, do ta kthejë rrezikun nga koronavirusi i ri në rrezikun që sot ndjejmë nga fruthi. Pas këtij muaji prill, maji dhe qershori do të kalojnë kudo në botë, duke e ulur numrin e atyre me virus në mënyrë të ndjeshme dhe duke gjuajtur me ngulm çdo person të prekur dhe duke e izoluar atë. Sidoqoftë, dy vjet ngjajnë një kohë e gjatë. Njerëzit janë në panik kudo në botë sot. Pronarët e bizneseve e dinë që jo të gjithë mund të mbijetojnë në treg për një kohë të tillë. Konsumatorët të mbyllur në shtëpi nuk kanë ç’të konsumojnë veç ushqime, ilaçe dhe internet. Tregjet e aksioneve kudo në botë po bien. Megjithatë, të gjithë lajmëtarëve të apokalipsit ekonomik mund t’u themi se forca e ringritjes do të jetë e jashtëzakonshme. Në Kinë bllokimet filluan në 23 Janar 2020. Vdekjet e përditshme filluan të binin më 23 shkurt 2020. Më 23 mars 2020, në vendin me 1.5 miliardë njerëz, numri i të infektuarve të brendshëm(jo të ardhur nga jashtë shtetit) ishte më pak se 10 në ditë. Në Kinë në këto çaste, njerëzit, e liruar nga shtrëngesat e largimit shoqëror, po prodhojnë si të çmendur. Me furinë prodhuese dhe të kapitalit që kapi vendet Perëndimore të planetit në vitet 60-70-të të shekullit të kaluar dhe të bumit ekonomik. Sigurisht ekonomia kineze nuk do të ketë gati tregjet ku eksportonte deri në dhjetor 2019 shtatë triliardë dollarë në vit, si eksportuesi numër një i planetit. Por gradualisht brenda pak muajve ose edhe një viti, do t’i ketë. Industria prodhuese kineze ra me 15 përqind, ose 1.5 triliardë dollarë në dy muajt janar-shkurt 2020 të krizës së koronavirusit aty. Për marsin, prodhueshmëria kineze ka pësuar një ngritje me 3 përqind, në krahasim me muajin shkurt, vetëm nga heqja e kufizimeve në javën e fundit të marsit.  Kjo do të ndodhë shumë shpejt kudo në botë. Do të kërkojë më shumë kohë në Itali, Spanjë, Britani të Madhe dhe SHBA, pse në këto vende qeveritë i mbyllën qytetarët e tyre në shtepi jo aq herët sa duhej. Ngurruan dhe ato pak ditë ngurrim bënë gjëmën. Po tek ne? Imagjinoni lehtësimin e shtrëngimeve të sotme edhe për ekonominë tonë, të themi në fillim të majit! Jeta dhe puna do të rinisin me energji të paparë ndonjëherë. Prandaj besoj në ringritjen e fortë ekonomike të vendit tim. Jemi në rrjeshtin e parë të karrikeve të këtij “filmi”, pse jemi vendi i parë në Evropë që u mbyll shpejt. Qytetaret i besuan qeverisë dhe instiktit të tyre dhe pranuan të keqen e bllokimit. Banka jonë qendrore bëri si duhet dhe në kohë detyrën e saj, duke ulur koston e parasë dhe duke u krijuar bankave tregtare likuiditet(dhënë para letër) pa kufi, për të mos lënë pa shërbyer qoftë edhe për një ditë asnjë qytetar apo sipërmarrës që kërkonte të merrte para nga depozitat e tij. Jemi një vend i mësuar me të keqen dhe privimet dhe dimë të jemi të disiplinuar në diçka të tillë madhore si ruajtja e jetës. Ne që nuk njohim disiplinë dhe jemi mësuar të kalojmë rrugën njëzet herë jo në vijat e bardha dhe njëherë aty! Po. Pikërisht ne. Nderi i takon njerëzve tanë që besuan se duke u ruajtur dhe u kyçur në shtëpi do të ndalonin gjëmën(dhe e ndaluam vërtet) dhe qeverisë sonë që u tregua syçelët. Ringritja do të jetë e fortë dhe e shpejtë dhe kush vajton sot gjëmat e ardhshme në ekonomi i ngjan një vajtojce pa pagesë të një arkivoli ku ekonomia jonë nuk ka për t’u futur kurrë kufomë brenda!