Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Formulari i vetëdeklarimit të kotësive, si koncept "sançopançist" politik!

Formulari i vetëdeklarimit të kotësive, si koncept

Do të kishte qenë e hatashme nëqoftëse zonja Topalli do ta kishte plotësuar një "sançopançizëm" (jo në lartësinë e donkishotizmave) si formularët e kotësive të Lulzim Bashës, si renegati dhe transformeri më i arritur i së djathtës, por dhe njeriu më i dobët në lidership, që një parti që i thotë vetes konservatore, apo e djathtë, zakonisht ka. Nuk është aspak problemi te Topalli (zonja nëqoftëse nuk e ka kuptuar akoma se ka bërë pjesë në një parti post dhe neo komuniste, nuk ka për të kuptuar kurrë më) dhe disa të tjerë, figura të dikur të larta politike që nuk e honepsin Bashën, apo që Basha tani i urren. Këto figura këtë "mrekulli" duhet t’ia kërkojnë Sali Berishës dhe kur nuk janë të zotët të thonë diçka për ish-kryetarin legjendar të tyrin, tani bëjnë mirë të struken në qoshe, pikërisht sepse ai dhe familja e tij ja besuan pronën parti një njeriu si Lulzim Basha. Por unë e kam te degradimi që Basha i ka bërë dhe po vazhdon t’i bëjë PD-së në shërbim të vetes dhe marrëveshjes me Rilindjen e Ramës dhe po ashtu në shërbim të Ramës vetë. Ishte një marrëzi formulari i vetëdeklarimit në politikë se po kopjonte politika drejtësinë, por Rama, kur Basha kërkon qiqra në hell ja plotëson, kur mbase kërkon ndonjë gjë të hajrit i thotë: ik pir..u. Basha ka kujtuar ose më mirë gënjen të vetët se ka pastruar politikën me një formular vetëdeklarimi. E kjo është gënjeshtra më e madhe, sepse sigurisht mbase nuk futej një kriminel që nuk mund të vetëdeklarohej, por ai fuste në vendin e tij një njeri të tijin dhe formulari tipikisht idiot i Bashës nuk vlente dhe nuk vlen për asgjë, biles as për të fshirë prapanicën. E sigurisht kështu do të ndodhë (ka ndodhur tashmë) në politikë dhe ka ndodhur që kriminelët të veshur me politikë vendosin njerëzit e tyre që nuk kanë ndonjë problem me formularin, por i binden atij që tanimë nuk ka nevojë për pikërisht formularin kotësi të Bashës. Ndërkohë që përfaqësimi i partisë dekriminalizohet kur drejtësia bën punën e saj, kur individi në parti nuk katapultohet dhe nuk përdor, paguan apo blen partinë me para. Kur partia është pronë e krimit vetë dhe Basha do ta pastrojë me formularët e tij idiotë të vetëdeklarimit, kjo është tragjikomedi dhe grotesk politik. Akoma më shumë në partinë e tij këto ditë kur medemek bëjnë dhe përzgjedhjet. Të kërkojnë dhe të gjejnë një parti të djathtë në kontinentin europian që sillet kështu si PD-ja e Lulzim Bashës. Ai sot me të zgjuarit e tij, kanë thirrur disa të vjetër që ju kishte mbetur hatri nga Berisha deri diku, (por që nuk është kanë ndonjë gjë) që dolën në periferi të aksionit politik të PD-së dhe sot bëjnë përzgjedhje. E çfarë bëjnë formularizimet në fillim? Kërkojnë çfarë ka bërë kandidati që merr formularin para ‘90-tës. Pra, specifikisht nëqoftëse kanë qenë anëtarë apo kandidatë të Byrosë Politike, Anëtarë i Komitetit Qendrorë i Partisë Punës, Anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimit, apo denoncues ose dëshmitar në procese politike të posaçme. Po pra duke përjashtuar sekretarë dhe organizata partie që kanë marrë vendime linçimi si për njerëzit dhe për anëtarët e tjerë. Por kjo kuptohet qartë. Pastaj formulari vazhdon a je dënuar ndonjëherë me vendim të formës së prerë, nga autorit shqiptar apo i huaj, nga një vendim jo përfundimtar, a ke qënë ndonjëherë nën procedim penal, i ndaluar apo arrestuar, me urdhër kërkimi ndërkombëtar, me masë dëbimi nga shteti i huaj, me urdhër mbrojtjeje etj. etj. Ky sigurisht është "panairi i kotësive" sepse të gjitha këto janë punë të drejtësisë dhe jo partisë. Partia nuk është as prokurori, as gjykatë dhe as organ drejtësie, biles partia nuk është as vend ku i rrëfehesh priftit, sepse Lulzim Basha as partia e tij dhe as Besnik Mustafaj dhe Genc Ruli nuk besoj se janë priftërinjtë e lagjes me qoshkun e rrëfimit. Po pra ku të rrëfehesh. Partia është vullnetarizëm dhe jeta, biografia dhe penalitetet janë pjesë e individit dhe drejtësisë. Imagjinoni çfarë i bën individit, fuqisë së tij dhe vullnetit të tij në parti, kontributit të tij në këtë vullnetarizëm që sigurisht ka statutet e tij (a e kenë vendosur në statut të partisë formularin nuk e di) dhe që është partia dhënie llogari me shkrim për çështje penale dhe personale të kësaj natyre, Besnik Mustafajt dhe Genc Rulit? E për më tepër, pse këtyre të dyve apo pse kanë dhe jetë e karrierë me diktaturën e Enverit, Ramizit, Saliut dhe sot me Bashën dhe Ramën? Për këtë gjë, ju duhet plotësuar formulari kotësive këtyre individëve. Sepse kështu i ka individët partia e Bashës që nuk ju duhen kontributet (as që ju bëhet vonë për to) dhe jo më ka qenë apo nuk ka qenë bastard dhe hajn jashtë shtetit. Po pra si te partia e mikut të tij të 17 majit ose Rama. Sepse personat e kontributeve dhe rrezatimit të lartë në kontribute sigurisht që e kanë të dukshme dhe të qartë dhe biografinë e tyre personale, por meqë PD është bërë si sekt satanik pothuaj si Rilindja, kush nuk futet dhe kush nuk hyn brenda duke nxjerrë jashtë çdo individ që formulari e turpëron për pyetjet që i bën. Po pyetje që t’i bëjnë kur shkon klandestin apo t’i bënin dikur kur arratiseshe. Formulari merret me kotësi, por atij i mungojnë disa pyetje të qarta dhe jashtë kotësive. I mungon bie fjala pyetja: A jeni i akuzuar nga shtypi dhe persona apo dhe kërkuar nga gjykata për abuzim me "Rrugën e Kombit"?  Apo pyetja: A jeni akuzuar nga persona, parti, shoqata dhe media për vrasje, plagosje dhe dhunë në protesta përpara Kryeministrisë më 21 janar? Apo pyetja: A jeni akuzuar ndonjëherë për gabim dhe faj në nënshkrime (korruptive dhe anti kombëtare) për delimitacionin e ujërave shtetërore me fqinjin jugor që si pasojë ka pasur hedhjen poshtë nga Gjykata Kushtetuese? Po sigurisht për këtë pyetje hartuesit e marrëzive dhe kotësive me formularë do thonë: Këto janë pyetje politike dhe në fund të fundit duhet të merret drejtësia. Por dhe për formularin e kotësive po ashtu mund të thuhet: po ato janë pyetje që i takojnë t’i bëjë dhe gjejë drejtësia dhe kthehen në pyetje politike nëqoftëse kjo e fundit nxjerr formularë që zëvendëson drejtësinë nga partia apo kthen partinë në organ gjyqësor dhe përndjekës si prokurori. Po pra, që ka dhe bord dhe gjykatë që gjen pastaj kush bën për deputet dhe kryetar bashkie të partia e Bashës dhe kush jo. Sepse pikërisht ky është dhe qëllimi i formularit të kotësive apo dhe marrëzive bashkë. Por që në fakt, është formulari poshtërsive dhe jo një partie që ka si prapashtesë atë tashmë pothuaj kot (pa ju rënë që qafë demokratëve të vërtetë) - demokratike.