BREAKING NEWS

MSH: Ndërrojnë jetë 2 pacientë në spitalin Infektiv nga koronavirusi

MSH: Ndërrojnë jetë 2 pacientë në spitalin Infektiv
x

Opinion / Editorial

Foto e Bashës në kornizë, si Sekretari i Parë i K. Q. të Partisë

Foto e Bashës në kornizë, si Sekretari i Parë i K. Q.

Shqiptarët prej vitesh në dhomat ku flinin, në mjediset më të dukshme të shtëpive, në sallone, kuzhina nga zonat fushore, deri në maja malesh, mbanin të varura fotot e ish-Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë. Sistemi komunist sundohej nga një parti dhe drejtohej nga një njeri dhe mbajtja e fotografisë së udhëheqësit ishte një rutinë, e cila në shumicën e rasteve mbahej për dukje, servilizëm, po jo në pak raste edhe nga respekti për udhëheqësin e partisë. Fotua shërbente si simbol i besnikërisë. Ishte një lloj shenje për të treguar lidhjet me partinë e sistemin komunist.

E mbanin, jo vetëm familjet e lidhura me partinë e pushtetin, simpatizantët e zjarrtë, njerëz të zakonshëm, punëtorë fshatarë, po edhe ata që nuk e donin sistemin dhe urrenin çdo udhëheqës të partisë e të shtetit. Edhe unë kisha një foto në shtëpinë time, vendosur në krye të dhomës. Edhe pse nuk ishte e detyrueshme, qytetarët shqiptarë kopjonin njëri-tjetrin, imitonin dhe vraponin t`u ngjanin komshinjve, duke ekspozuar fotografinë e Enver Hoxhës edhe pse nuk kishin në mure asnjë foto të gjyshërve, baballarëve, nënave apo fëmijëve të tyre. Gjithsesi asnjë ligj nuk detyronte një ekspozim të tillë. Secili vepronte me intuitë dhe dëshirë. Kuptohet shumë edhe për servilizëm për t`u dukur besnik e të lidhur me sistemin si mishi me kockën. Nuk ishin vetëm fotot që i mbanim si relike. Kështu me këngët, me vallet, në recitime, në dasma e morte. Në dolli po ashtu, ku e para u kushtohej udhëheqësve.

Në vatrat e kulturës të çdo fshati, fotot e anëtarëve të Byrosë Politike, qëndronin në rresht në ballinën e sallave të mëdha, me tavanet prej kartosere, të cilat në jo pak raste gjatë dimrit pikonin, duke qullur fotot e byrositëve dhe në verë nga të nxehtit, kartosera pikonte zift, duke i ngjyer xhamat e fotografive me katran të zi vende-vende, çka sillnin andralla dhe frikë te përgjegjësit e vatrave të kulturës dhe drejtuesit zonal të partisë, që ndonjëherë gdhinin netët duke i pastruar me lecka me benzinë e vajguri për mos të rënë pre e denoncimeve apo akuzave si veprime të qëllimshme. Herë pas here, shumë vende në reshtin e fotove të byrositëve mbeteshin boshë pasi jo pak prej tyre dënoheshin apo pushkatoheshin si shkelës së vijës së partisë dhe detyrimisht hiqeshin me urgjencë, duke krijuar njolla të errëta që dukeshin si dhëmbë të rënë. Mundim i madh për drejtuesit e vatrave të kulturës për të hequr të rënët nga vakti dhe gjetur fotot e anëtarëve të rinj. Kjo ishte pothuaj ciklike dhe përsëritej sa herë grupe armiqësore në ushtri, ekonomi, artë e kulturë, zbuloheshin nga partia dhe dërgoheshin në qeli ose pushkatim.

Po kjo tablo e trishtë e groteske në ditët e sotme duket si e shekujve të largët. Jetojmë në demokraci. Jemi të pavarur, të lirë të veprojmë secili sipas gjykimit individual dhe askush nuk detyrohet të imitojë kohën e shkuar. Edhe portreti zyrtar që mbahet në zyrat dhe institucionet shtetërore është përcaktuar në vendimin e parë sapo erdhën në pushtet socialistët. Në vend të fotografive të presidentëve të radhës, në krye të vendit në ballinë të zyrave u vendos fotografia e themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar, babait të pavarësisë, Ismail Qemali. Një vendim i drejtë që i dha fund ndërrimit të fotove në çdo pesë vjet dhe ngatërresave qesharake me fotot në zyra të ndryshme. Ismail Qemali është në vendin e duhur, si babai, themelues i shtetit të parë të pavarur shqiptar që ka meritën e madhe të shkëputej nga Perandoria Osmane, në 28 nëntor 1912. Dita nga nisi edhe jeta e shtetit të ri. U ndalëm në historikun e fotografive në sistemin që lamë pas, po edhe në tri dekada demokraci, të nxitur nga një risi që këto ditë shpaloset në takimet rutinë të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e drejtuesve të tjerë të kësaj partie.

Në rrethin e Fierit nga Roskoveci në Patos e Fier, Mallakastër, Ballsh, kudo që mbajnë takime me popullin demokrat, Bardhi e të tjerët nuk harrojnë, veç flamujve festivë, atë kombëtar e të PD-së, parullave e banderolave të vendosin në qendër të sallës apo klasave të shkollës, hotele, motele, restorante, fotografinë e Lulzim Bashës. Sa e pashë foton varur në mur sepse mu kujtuan fotot e ish-anëtarëve të Byrosë Politike. Natyrisht, zoti Bardhi, Paloka apo Spaho, nuk synojnë të imitojnë fotografitë e Enverit. Po mënyra e vendosjes, shpeshtësia, ngulmimi për ta shpalosur kudo sepse ngjan me ato foto. Në të njëjtat vende. Në të njëjtin sfond qëndron Basha i varur në fotografi. Që fotografia duket sikur do zbresë me grushtin lart për fjalimin e zjarrtë. Sikur do nisë marshimin e madh drejt revolucionit për pushtet. Sa veprim grotesk, sa shaka pa shije, fare pa kripë, kjo e fotos në qendër të sallave të takimeve të Bardhit. Të presim se ndoshta të gjithë udhëheqësit e Partisë Demokratike do na shfaqen në çdo cep me foton e Bashës në sfond të sallave, ku diskutohet strategjia e PD-së dhe zbardhen skenarët si të zhvillohen betejat e fitores për të ardhur në pushtet me çdo çmim. Një imitim vërtet fotokopje e pesëdhjetë viteve të shkuara.

Me sa duket Bardhi dhe kolegët e tij nuk mjaftohen me fjalimet e debatet, diskutimet me deklaratat dhe mburrjet për ardhje të shpejtë në pushtet. Bardhi ndihet më i plotësuar nëse në takime, ku Basha mungon fizikisht, të jetë së paku simbolikisht në fotografi. Përpjekje më donkishoteske për të ngritur kultin e udhëheqësit Lulzim Basha nuk gjendet askund. Pak më vonë ndoshta si të mërziten me fotot, do shfaqen në podiume bustet. Më pas përmendoret. Dhe në fund monumentet. Se kështu nisi edhe qëmoti. Sa për pamje, Basha nga fotot duket goxha. Vendosja e fotografisë së Bashës sikur të ishte Skënderbeu apo babai i pavarësisë, Ismail Bej Vlora, është një risi që deri sot nuk ishte parë së paku në takimet rutinë të kryetarëve të partive, përjashtuar fotove që mbajnë militantët në duar në mitingje të mëdha në sheshet e qyteteve. Fotot e Bashës, varur mbi oxhak në ballinë të sallave për tu thënë shqiptarëve: E shikoni atë burrin atje që buzëqesh dhe u vështron nga përtej xhamit të kornizës? Shikojeni mirë! Është drita jonë! Engjëlli mbrojtës. Prijësi ynë. I ndritur. I dituri. Udhëheqësi në marshim drejtë kolltukut kryeministror. Kjo propagandë bajate e qesharake shoqërohet me fjalimet e të deleguarve të partisë, të cilët u thonë roskovecarëve, mallakastriotëve, fierakëve e qytetarëve të Patosit e më tej: “Ai atje lart në fotografi na ndjek, është me ne këtu, me hallet tuaja. Është burri që do ndryshojë Shqipërinë. Është fati i shqiptarëve. Njeriu që do sjelli begatinë. Do çlirojë Patosin nga mafia. Roskovecit do t`i kthejë naftën. Fieri do çlirohet nga banditët. Populli do marri në dorë fatet e veta. Po, po! Mbajeni në kujtesë. Kjo do jetë dita e ndryshimit të madh! Besojeni. Ai burrë e mban fjalën. Do bëjë ndryshimin e madh. Dhe për ta bërë sa më të pranueshëm e të besueshëm, ja ku e keni në fotografi”.

Është një foto imponuese, karagjozllëk ekstrem që në sallat e takimeve të zakonshme promovohet portreti i Bashës. Propaganda e viteve 1950. Sikur të ishte heroi i Shqipërisë, Skënderbeu apo Ismail Qemali. Po Basha, ç`merita ka vallë që duhet t`i vendoset fotografia në salla në vende të dukshme alla byroiste dhe të shfaqet në televizione jo takimet, po fotografia e udhëheqësit të madh? Cili është synimi i kësaj fotografie? Lulzim Basha nuk ka nevojë për t`i varur fotografinë në korniza druri, qofshin edhe prej ari. Është vetë në këmbë, i ri, energjik dhe në vend të fotografisë, le të shkeli Shqipërinë në çdo cep. Të flasi drejtpërdrejtë me popullin, ta shikoj e ndjejë nga afër. Se fotografia nuk thotë asgjë, veç e bënë më grotesk atë vet dhe më shumë ata që mendojnë se kështu promovojnë veten përmes Lulzimit. Promovuesit e fotove, duan të imponojnë shqiptarët se është ai, udhëheqësi i nesërm.

Më shumë se Bashën, servilët, ata që janë vendosur në rresht në pritje të posteve ministrore duan të gudulisen e lëpihen, por edhe ta godasin vetë Bashën me kultin që duan t’i ngrejnë, që më shumë se kult është kurth për ta denigruar, duke e promovuar në këto forma. Edhe nëse rotacioni politik një ditë do ta sjelli në pushtet, besojmë se perëndimori Basha, siç shitet, nuk do bjerë në nivele mediokre të zëvendsojë Ismail Bej Vlorën dhe Skënderbeun me fotografinë e tij. Nëse sot do i gëzohej fotografisë së promovuar nga servilët e partisë, do ishte paradoks që do ta bënte vërtetë qesharak, ashtu siç bëhet këto ditë nga eunukët, duke i varur fotografinë në sallat e fshatrave të Shqipërisë, si të ishte Sekretari i Parë i K. Q. të Partisë!