BREAKING NEWS

Ulen rastet e reja me COVID, Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin çfarë ka ndodhur 24 orët e fundit

Ulen rastet e reja me COVID, Ministria e Shëndetësisë publikon
x

Opinion / Editorial

Franca, flakë për flakë!

Franca, flakë për flakë!

Kancelaritë e ish-perandorive europiane e ndiejnë lagështinë edhe nëse shiu bie në Himalaja. Nëse vrenjten maja e Himalajës në Paris hapen çadrat. Më shpejt se të mësonim që kryeministri Edi Rama kishte bërë një “kritikë” për vendet e BE dhe adresim më konkret për Francën, dëgjuam ofshamën për dhimbjen që iu shkaktua Francës. Me sa duket edhe qimja rëndon shumë në shpinën e të mëdhenjve. Them qimja sepse kritika e kryeministrit tonë është një qime floku krahasuar me rëndësinë e problemit dhe shqetësimit që ai shtron në mënyrë të përsëritur ndaj vendeve të BE. Pa dyshim se ambasada franceze në Tiranë bën detyrën e vet, mbron nderin e Republikës së vet dhe mirë bën. Por ku ka gabuar kryeministri ynë? Çfarë tha ai që iu qëndroi kaq rëndë BE dhe Francës? Kryeministri nuk kërkoi llogari, as akuzoi. Thjesht iu kujtoi një premtim të tyre dhe iu bëri thirrje për ta mbajtur atë. E thënë hapur, iu bëri thirrje për të mundësuar shpëtimin e jetëve edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Nëse u fol për cinizëm dhe egoizëm gjithçka ishte e adresuar për një rast konkret. Edhe ne qytetarët e Ballkanit Perëndimor kujtonim se ishim të rreshtuar me qytetarët e BE dhe ende kujtojmë. Mbase ne padrejtësisht kemi kujtuar se një jetë njeriu vlen njësoj si në BE apo në Ballkanin Perëndimor dhe në çdo skutë të botës. Kujtonim se po luftonim ndaj të njëjtit armik, pra ishim në një betejë të përbashkët; ku ne shqiptarët do të ishim të gatshëm të jepnim nga gjëja jonë për qytetarët e BE, gjë që nuk kemi munguar ta bëjmë; jo vetëm në këtë rast, por edhe herë të tjera. Historia është dëshmitare. Kur të bëhet thirrje për të shpëtuar jetë njerëzish jo vetëm në shtëpinë tënde, nuk ka vend të thuhet se në thirrje ka doza cinizmi apo egoizmi. Cinizmi dhe egoizmi janë dukuri të të mëdhenjve, të atyre që kanë mundësi dhe sidomos kur ato mundësi nuk i ndajnë me të tjerët. Sa mirë do të ishte sikur në vend të notës, ambasada franceze të kishte dërguar qoftë edhe dy doza vaksine për të vaksinuar një infermier, që ne ta falënderonim nga zemra për gjestin edhe pse do të ishin dy doza; dhe kjo sepse dy doza janë një jetë! Ah sikur vendet e BE ta ndiejnë njerëzisht atë që foli kryeministri ynë dhe të reagojnë për mirë! Kjo do të thoshte se BE ndjen që na ka pjesë të sajën edhe pse jo ligjërisht. Nga qindra miliona dozat që po marrin dhe të ndajnë disa dhjetra apo qindra mijëra. Për vendet e BE do të thoshte të shtynin një javë apo 10 ditë më tej periudhën e vaksinimit, por ne do ta ndienim shumë këtë veprim njerëzor. Le të presim e shpresojmë të ndodhë ajo që nuk ndodhi. Sa më pak nota diplomatike dhe më shumë vaksina. Vaksinat flasin më shumë se notat diplomatike.