BREAKING NEWS

Telefonata që i habiti të gjithë në studio! Zbulohet kush është modelja shqiptare që i ka marrë mendjen Silvio Berlusconit!

Telefonata që i habiti të gjithë në studio! Zbulohet kush
x

Opinion / Editorial

Fronti i madh anti klasë politike shqiptare, jashtë 25 prillit!

Fronti i madh anti klasë politike shqiptare, jashtë 25 prillit!

-“Partia më e madhe e shqiptarëve” kësaj radhe pa përfaqësim politik-

Zullumi i jashtëzakonshëm i klasës politike shqiptare tashmë në më shumë se tre dekada, ka krijuar në mënyrë të çuditshme “partinë më të madhe të shqiptarëve”. Absolutisht në spektrin politik shqiptar, është mbledhur dhe “fuqia” më e madhe politike shqiptare, e cila është sasia impresionante e njerëzve që nuk duan të shikojnë me sy të ballit, që nuk duan të bashkëpunojnë dhe nuk duan të votojnë PS, PD, LSI dhe absolutisht krijesat e reja të dala nga këto të treja dhe bashkëpunëtorët e tyre si grupime politike që sot kanë mundësi aleancash. Sidomos gjatë kohës së pandemisë, është krijuar “Fronti i madh opozitar” ndaj klasës politike korruptive dhe degraduese të demokracisë, pronës dhe lirive të shqiptarëve, në të ashtuquajturën demokraci apo post diktaturën shqiptare. Për pikërisht këtë “front opozitar” ndaj klasës politike shqiptare, establishmenteve të saja si në pozitë dhe opozitë, unë e kam fjalën si “partia më e madhe e shqiptarëve”. Sipas shumë indikacioneve ky front opozitar ndaj klasës politike, kalon për nga numrat çdo parti përfshi dhe “simbiozën fatale” Rilindje dhe Parti Socialiste. Kalon çdo opozitë mes PD dhe LSI apo dhe rreth rrotullakëve të tyre si opozitë ndaj Rilindjes dhe socialistëve. Sigurisht ky front opozitar është dhe ndaj partive të Topallit, Patozit dhe të tjerëve të dalë nga PD e padyshim dhe të rinjve “Thurje” apo edhe më shumë se sa kaq, sepse e di që janë dalje o nga mitrat e partive të mëdha, ose nga fondacione që nuk kanë pse të kenë emër të mirë në Shqipërinë e sotme dhe të djeshme. Fronti i madh opozitar ndaj klasës politike është mbi 35% në mos është 40% e shqiptarëve me të drejtë vote dhe brenda Shqipërisë. Ky front opozitar ndaj klasës politike, nuk ka asnjë arsye të votojë partinë e Bashës dhe pse është opozitë, sepse nuk do të marrë përsipër fajet e PD-së që nga Berisha dhe Basha më vonë. Nuk do të njësohet me servilë dhe parti që kanë bërë “makineri punësimi dhe humbje vlerash qeverisëse si LSI apo të njehsohen me parti familjare dhe sigurisht nuk duan kurrsesi të njehsohen me Rilindjen ose pjesën më sharlatane dhe më të korruptuar në historinë e politikës shqiptare dhe as me arrogancën idiote të saj kohët e fundit”. Nuk duan të njehsohen as me trashëgiminë sa korruptive të PS dhe atë të trashëgimisë enveriane të saj dikur. Janë shumë të tillë njerëz që nuk e shikojnë veten të përfaqësuar dhe nuk kanë asnjë individ, grup njerëzish dhe parti të organizuar t’i përfaqësojë realisht në Shqipëri. Janë mërzitur kaq shumë, se nuk duan t’ia dinë fare dhe urrejnë çdo fytyrë të këtyre partive apo gazetarëve të tyre, bisedave në studiot tani banale të tyre në Tiranë dhe nuk durojnë dot asnjë lloj ekzibicioni të Ramës dhe delirit të tij politik tashmë në kulmin e marrëzisë personale dhe partiake. E dinë se çfarë halli i madh është një mandat i tretë i një personi që po bën Lukashenkon, por artist në Shqipëri dhe po ashtu nuk iu bën zemra të afrohen dhe japin votën për partinë e Berishës sot e Bashës, e cila akoma nuk mund të jetë përfaqësuese e idealeve të tyre sa demokratike dhe shtet ndërtuese në bazë të ligjit. Janë zhgënjyer kaq shumë sa nuk shikojnë dot as fytyrat e reja, as ato të vjetra të politikës shqiptare. Ju duken njësoj, sepse veset janë pikërisht njësoj. Kanë përpara tyre premtimet e Bashës për rritje pagash dhe ulje tatimesh apo mbrojtje shoqërore e rritje mirëqenie dhe nga ana tjetër ose nga Rilindja e Ramës fantazmagori me aeroporte, porte, rrugë, spitale, qytete turistike dhe rrugë të tilla që nga premtimi kanë dallim të madh. Basha iu jep premtimin pagë, kurse Rama premtimin investim dhe tendera. Rama në fakt premtimin investim e jep sepse mbas çdo investimi të tij, ka një darovitje, përfitim apo vjedhje qeveritare dhe nga Rilindja, kurse Basha e di që një paketë prej 400 milionësh mund t’iu bëhet lëvizja e pagave të shqiptarëve dhe në këtë pikë është pragmatik. Sot ky front opozitar, ndaj klasës politike në Shqipëri, nuk ka drejtim dhe e vetmja gjë që i ka mbetur është mos të shkojnë në zgjedhje. Por sërish e dinë se mund të kenë Ramën dhe katër vite në të cilat do “t’iu rripet dhe lëkura e dytë” sepse e para lëkurë ekonomike iu është hequr. E dinë se Rama në mandatin e tretë do të jetë arrogant deri në marrëzi. E dinë se mandati tjetër i Ramës do të sjellë një krijim të shtetit plutokraci të plotë dhe efektive. Po dhe që Perëndimi do të pajtohet me të, sepse do t’i vendosë faj popullit dhe do ta pranojë me kritika Ramën njësoj si tiranokratët në lindjen tonë ose afër Rusisë. Perëndimi do pajtohet me një që i sundon shqiptarët, sepse këta nuk veprojnë normalisht në demokraci. Po do detyrohen të pranojnë një vend të ngjashëm me republikat ish-sovjetike mes Rusisë dhe Turqisë si afërsi. Fronti opozitar me klasën politike ose partia më e madhe e pashpallur e shqiptarëve dinë dhe pavendosmërinë dhe qëndrimet e lëkundura të Bashës. Po pra po, dinë dhe dyzimin e tij. Prandaj janë tashmë “out rolit të tyre në politikë”. Në këto zgjedhje, partia më e madhe e shqiptarëve nuk do të marrë pjesë. Nuk kanë as kushte dhe nuk kanë asnjë organizim. Kanë vetëm një mundësi dhe kjo është të mos marrin pjesë në zgjedhje. Sigurisht nuk është gjë kaq e mirë, por padyshim nuk kanë asnjë alternativë tjetër për të prezantuar idenë e tyre politike. Kjo ide nuk përputhet kurrë me Rilindjen dhe akoma më shumë me PS që pranon sipër kokës një mostër si Rilindja, nuk bashkohet kurrë me LSI dhe nuk beson te PD. Sidomos kjo e fundit është fatkeqësi e madhe politike. Por ja që kështu është.