BREAKING NEWS

Nuk gjen qetësi toka, 3 lëkundje të njëpasnjëshme tërmeti në Korçë, ja ku ishte epiqendra dhe sa ballë

Nuk gjen qetësi toka, 3 lëkundje të njëpasnjëshme
x

Opinion / Editorial

Fryma e prospektit të rrugës nuk mund të kthehet në bumerang për demokracinë

Fryma e prospektit të rrugës nuk mund të kthehet në bumerang

Në këtë shoqëri tejet të politizuar, ku instinktet personale janë bërë motiv i moralizimeve partiake, fryma e debatit ka zbritur në nivelet e sentencave të rrugës. Këto sentenca shterpëzuese të karakterit zhurmues, janë bërë filozofia e një opozite që ka humbur gjithçka, duke u kthyer në një organizatë revolucionare me frymën e prospektit të rrugës. Me këto qëndrime sandiniste, kjo opozitë e varfëruar politikisht pa ide e alternativa progresive, po vret kohën e çmuar aq shumë të nevojshme për proceset integruese. Këto formacione politike e individë të veçantë, të dështuar në veprimtaritë e tyre shtetformuese, po vazhdojnë të demonstrojnë elementë paranojakë dhe të papranueshëm për kushtet në të cilat ndodhet vendi dhe shoqëria shqiptare. Në seancat parlamentare do të dëgjosh këmbanat zhurmuese të opozitës që kundërshton çdo masë për shkatërrimin e perandorisë së krimit. Kësaj opozite problematike, nuk i interesojnë arritjet dhe standardet, si kushte detyruese ku do bazohet raporti i BE, në prag të hapjes së negociatave. Këto formacione janë hedhur kundër reformës në drejtësi, ku në vend që të përbaltin dhe dënojnë tragjeditë e shkaktuara gjatë qeverisjes së tyre, u japin kurajo shkaktarëve për të mos u përballur me përgjegjësitë dhe ndëshkueshmërinë që meritojnë. E ardhmja e shoqërisë shqiptare nuk ndërtohet duke nxitur armiqësinë, përçarjen dhe urrejtjen brenda saj, por duke ndëshkuar format e keqqeverisjes dhe abuzivizmat me pushtetin. Këto formacione që vazhdojnë të flasin me gjuhën e prospektit të rrugës nuk kanë mundur të zhvishen nga elementët paranojakë të së kaluarës, të papranueshëm për ndryshimet që kërkon vendi dhe shoqëria. Shembulli më sinjifikativ janë tonet radikale, shkeljet e etikës parlamentare, si dhe më keq akoma zhargoni fyes, që reflekton mungesën e formimit ideopolitik, të intelektualizmit, të mos respektimit të mendimit ndryshe. Në Parlamentin shqiptar dëgjon xhevahire të stenografisë utopike demonizuese, të viteve të mëparshme, kur alternativat diskriminuese të qeverisjes nga PD e LSI, u morën për parime demokratike. Kjo stenografi që përdori pozita e djeshme në komunikim me kundërshtarët e saj, nuk u bazua kurrë në kriteret e demokracisë, por në vetëdijësitë e saj, duke mos përfillur sovranitetin popullor, sundimin e ligjit, të drejtën e votës, të shprehjes, mundësitë e barabarta, ndarjen e religjioneve fetare nga shteti, drejtësinë e shpërndarjes dhe ekonominë e tregut. E dalë jashtë kontureve të transformimeve demokratike, ka treguar se nuk ka as ide, por as edhe propozime alternative për komponentët e demokracisë liberale. Kjo ka ardhur si rezultat i mungesës së shtetit me ligje, të cilën ajo e identifikoi nëpërmjet sundimit të tiranisë së shumicës për interesat e partitizmit. Ajo injoroi rolin përcaktues që ka vota e lirë e qytetarëve në demokracinë liberale. Autori kryesor i Kushtetutës amerikane, Jemes Madison, thotë se njerëzit i frikësohen prospektit të turmës, ngaqë duke dalë jashtë kontrollit, janë të prirur vetëm për shkatërrim të institucioneve. Kjo praktikë në Shqipëri nuk është e panjohur, sepse ata që e provuan në grushtin e shtetit me 1998, kërkojnë ta përsërisin me në krye revolucionarin Sali Berisha, që nëpërmjet komunikimeve dixhitale, karikon mbështetësit e tij për shkatërrimin e shtetit dhe injorimin e komponentëve të demokracisë. Ky njeri që po përjeton dimrin e vetmisë së madhe, që ka humbur monopolin politik sëbashku me aleatët e tij të rrugës, përçmon dhe sulmon me çdo mjet nismat për shkatërrimin e perandorisë së krimit, të ngritur prej tij dhe bashkëpunëtorit Ilir Meta. Fronti i rezistencës së tyre ka marrë krah nga vonesat e strukturave të reja të drejtësisë, të cilat nuk po veprojnë për ta vënë këtë klasë politike të defiguruar para përgjegjësisë, për pasojat shkatërruese kriminale që ka lënë pas. Kjo klasë politike që është kthyer në front rezistence anti-shtet, harron që demokracia e tyre nuk u bë kurrë pronë e popullit, por tirani e shumicës për të mbrojtur pushtetin dhe pasuritë marramendëse të tyre. Këta manipulatorë të turmave dhe mbështetës të tyre, nuk u intereson asgjë përveç kthimit të monopolit politik të humbur, nga shpërdorimi dhe abuzivizmi me pushtetin. Por qytetarët nuk mund të manipulohen më me frymën e prospektit të rrugës, ata sot kërkojnë një shtet që është i qëndrueshëm, i sigurtë për jetën e tyre, gjë që nuk e përjetuan gjatë sundimit të binomit partiak PD-LSI. Kjo "Deja-vu" që bie erë revolucion na shpie shumë dekada më parë, kur në disa vende evropiane, lindën dhe u polarizuan idetë ekstremiste, që sollën pasoja shkatërruese për lindjen e demokracive. Kështu ndodhi me Gjermaninë para unifikimit të saj, kur valët për demokratizim nuk ndaluan, por u deformuan dhe për pasojë, ajo u pushtua nga idetë naziste. Spanja duke injoruar kërkesat e shtresave të ndryshme të popullsisë, shkaktoi destabilizim dhe dhunë. Austria që ju përgjigj reformave, nuk arriti të rezistojë sepse këto lëvizje u shuan shpejt, ngaqë nuk po u shkonin për hosh skeptikëve të ish-perandorisë. Këto vende me histori të shumta lëvizjesh përparimtare, nuk mund të përballonin presionin e forcave monarkiste, konservatore, fetare, si dhe ndarjet me diferenca sociale. Kjo filozofi bëri që të instalohen regjime të padëshirueshme, siç ndodhi me Italinë, e cila përqafoi fashizmin, Gjermania ja dorëzoi pushtetin nazizmit, Austria dhe Spanja u përfshinë nga luftrat civile, ndërsa Franca e revolucioneve të bujshme, trashëgoi një republikë të dobët që për pasojë u bë pre e pushtimit fashist. Por shembuj të këtyre natyrave gjejmë edhe në historinë tonë, kur dy protagonistët e të njëjtave ideale, Luigj Gurakuqi e Bajram Curri, duke mos rënë dakord për formën e regjimit, i lanë rrugë të lirë Ahmet Zogut që me bajonetat serbe të Pashiqit, të rrëzojë qeverinë demokratike të Fan Nolit në dhjetor të vitit 1924. Ky paralelizëm dëshmon historinë e hidhur të politikës shqiptare, që nuk është nisur nga interesat kombëtare, por nga ato personale e klanore, që kanë krijuar dhe ushqyer insinuata të papranueshme për demokracinë. Prandaj qytetarët e këtij vendi të lodhur nga demagogjia provinciale, për shtetin dhe demokracinë, kërkojnë një shtet prosperues, që të garojë me vendet rivale. Ata kërkojnë një shtet që të drejtohet nga zgjedhësit e tij dhe jo të partive, me rregullat e sanksionuara në Kushtetutë për të gjithë brezat. Masat e mara nga shteti për të luftuar krimin dhe bazat mbështetëse të tij, jo vetëm skeptikët e demokracisë, por edhe qytetarët e thjeshtë, duhet t'i vlerësojnë si mbrojtje për lirinë dhe barazinë qytetare. Këto masa janë domosdoshmëri, për të siguruar qëllimet themelore për të cilat ekziston shteti. Jo vetëm partitë, por dhe qytetarët duhet të kuptojnë se demokracia dhe liberalizmi, ofrojnë tipare të lavdërueshme për shoqërinë tonë, por pa nënvlerësuar kërcënimet dhe vështirësitë për mbrojtjen e tyre. Këto vështirësi janë të dukshme jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet demokratike, përderisa sot jemi përballë terrorizmit global, polarizimit politik, lufta me mbetjet e psikologjisë së komunizmit, si dhe rritja e pabarazisë shoqërore.