BREAKING NEWS

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i fortë i SHBA-së, ja çfarë pritet të ndodhë në vijim

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i
x

Opinion / Editorial

Ftesë publike OSSHEE për rikonstruksionin e linjës Bistricë-Konispol

Ftesë publike OSSHEE për rikonstruksionin e linjës

Konispoli është qyteti më fundor i Shqipërisë. Që në klasë të parë, fëmijët shqiptarë, mësojnë se atdheu ynë, shtrihet nga Vermoshi në Veri dhe Konispoli në jug. Këto kordinata gjeografike nuk i harron askush. Bashkia e Konispolit, shtrihet nga Butrinti deri në fshatin Janijar dhe përfshinë më shumë se dymbëdhjetë qendra të banuara me popullsi aktive. Janë fermerët më në zë të vendit, veçanërisht për agrumokulturën. Plantacioni është më i madhi jo vetëm në Shqipëri. Janë mbi një milionë mandarina. Madarina është mbretëresha më e re e kësaj zone e njohur për cilësinë, kualitetin dhe shijen e pakrahasueshme, ashtu si tërë frutat dhe produktet blegtorale, deri tek mjalti i famshëm, i njohur në tërë Ballkanin për aromën dhe shijen. Konispoli, ka vuajtur ndër shekuj dhe ka përjetuar shumë legjenda. Gangrena e shekujve për Konispolin, që është edhe qendra e bashkisë, ka qenë mungesa e ujit të pijshëm. Amvisat konispolate ishin të detyruara të njëjtin ujë, për kursim dhe mungesë ta përdornin, tre dhe katër herë. Kështu ujin e larjes së rrobave e përdornin për dyshemetë me dërrasa të cilat i mbanin të verdha dyll, gati si pasqyrë. Po edhe për pastrimin e pllakave të gurta të oborrit të cilat janë të shtruara me rasa të bardha. Një gotë uji, vlente më shumë se një gotë qumësht pasi burimet natyrore, çezmat publike, veç se ishin nëpër skaje, larg me kilometra, kishin sasi të limituara dhe kroi mbetej vend pelegrinazhi, ku mblidheshin qytetarët, duke pritur radhën e gjatë për orë të tëra deri sa të mundësonin të mbushnin një gjym ujë të cilin e përdornin me pikatore për gatim dhe për të pirë. Legjenda e ujit, ishte shumë më agresive se “Legjenda e Misrit” e poetit tonë të madh Migjenit. Me gjithë këtë mungesë, pastërtia në këto zona ka qenë brilante. E njohur në tërë vendin për gëlqeren dhe bardhësinë, aromën e çarçafëve dhe veshjet e bardha të konispoliteve, të cilat për të shkuar në fushë udhëtonin në mëngjes dhe ktheheshin pas perëndimit të diellit. Jo vetëm staticienët, kuriozët e shifrave, ekonomistët, po gjithkush, ka njohur sakrificat e popullsisë së kësaj treve të spikatur për arritjet edhe pse të organizuar në kooperativë bujqësore për rendimentet kampion në shkallë vendi. E megjithëse treguesit nga më të lartët në shkallë vendi, ecnin mbi rrugët me gropa në shtigje dhish dhe mbanin ngarkuar bucelat e rënda edhe dy orë largësi. Legjenda e ujit, është e memorizuar në mendjen e çdo banori të kësaj zone. Hapat e para për furnizim me ujë u hodhën qysh në vitet shtatëdhjetë me ujësjellësin e parë me kapacitet të reduktuar që e merrte ujin nga burimi i Kamares në fund të Çukës së Ajtoit, kodrës me formën më perfekte të piramidës, një kodër nga maja në bazë, si të ishte ndërtuar nga arkitektët më në zë të kohës. Edhe Pikaso, piktori i figuracionit abstrakt do ta kishte zili një peizazh të tillë të papërsëritshëm. Është kodra që të mbetet në sy sapo e ke parë dhe imazhi i saj të ndjek kudo pasi nuk ka një të ngjashme aq më tepër në një qytet të lashtë baraz në moshën e Butrintin, tutje në Vivarin për karshi. Më të vlefshme e bën kodrinën piramidë, burimi që rrjedh nën rrënjët e saj të gurta, burimi që furnizohet Konispoli. Po viti 1970 nuk e zgjidhi mungesën e ujit të pijshëm pasi shpërndarja bëhej vetëm në qendër dhe përreth depos së ujit. Skajet, pjesët fundore që zgjaten si gjymtyrët e një trupi të stërmadh prehistorik, vijuan të mos kenë ujin, lëngun e jetës, pa të cilën asgjë nuk ekziston, që nga njeriu deri tek gjëja e gjallë dhe bimësia. Por tre vite më parë ujësjellësi i ri zgjidhi një nga plagët më të rënda e cila ishte baraz me legjendën e ujit. Ujësjellësi i ri, modern, me kapacitet të shumëfishuar, me linja transmetimi e klorifikimi cep më cep të qytetit të Konsipolit me depot e ujit në kodrat më dominuese, zgjidhi furnizimin me ujin e pijshëm për njëzetë e katër orë. Çezmat e familjeve konispolite, duket sikur këndojnë nën presionin e ujit që vjen që nga lartësitë e Bregut të Koçit, ku gjendet depoja qendrore. Matësa në çdo familje. Pagesa korrekte për çdo muaj, ulje në nivele minimale të humbjeve. Është investimi më serioz, ujësjellësi i cili merr ujin që nga distanca prej shtatë km e përcjellë përmes energjisë elektrike drejt e në depot, lart në kodrat e qytetit nga ku shpërndahet përmes rrjetit kapilar që kalon pranë çdo banese. Por në se është zgjidhur uji për Konispolin pasi fshatrat përreth në juridiksion të kësaj bashkie kanë nevojë për investime dhe ujësjellësa në çdo fshat për sigurimin e ujit për të gjitha familjet, një problem gati i pazgjidhur deri sot, por që ka nisur të ketë shpresë me investimin e ndërtimit të ujësjellësit gjigante që do shtrihet në dy bashki, gangrenë mbetet furnizimi me energji elektrike. E tërë zona që nis nga Vurgu e përfundon në Vrinë dhe larg në kufi me shtetin fqinjë Greqinë, Janijarin. Është energjia elektrike e cila edhe pse prodhohet fare pranë nga tre hidrocentralet mbi lumin “Bistrica”, duke nisur nga Bistrica një, dy dhe më i fundit tek ura e Kranesë. Linja e transmetimit është plotë pesëdhjetë e dy vjeçare, po kaq edhe nënstacioni kryesor i Livadhjas, i cili është i mes viteve gjashtëdhjetë. Një nënstacion në moshë të tretë, i plakur. Nuk siguron rregullimin e energjisë dhe transmetimit me cilësi. Është një linjë transmetimi e gjatë 55 km dhe pasi je njohur me metrat e para të duhen ditë të mbërrish në finish, duke kaluar nëpër shtigje e lugina, në male e qafa, deri sa të mbërrij në fshatra dhe qytetin e Konsispolit. Deri tani, kjo linjë nuk është rivlerësuar asnjëherë dhe nuk është kryer asnjë rikonstruksion i cekët apo i thellë për ta përmirësuar transmetimin e energjisë. Një mungesë e jashtëzakonshme, janë kabinat elektrike, të cilat u ngjajnë karakolleve në kufi, kabina me mure guri, me pajisje të teknologjisë së vjetëruar, që nuk arrijnë të sigurojnë tensionin e nevojshëm, i cili për ditë me radhë u mungon ose është aq i ulët, sa duket sikur llampat janë ca qirinj të varur në tavane. Po cilat janë problemet më pikante pa u futur thellë në anët teknike të cilat janë objekt i ekspertëve për t`i zgjidhur? Gjatësia e linjës pa fund. Kjo është e pa ndryshueshme. Në të janë të instaluar rreth gjashtë mijë izolatorë të cilët siç thonë inxhinierët dhe teknicienët e energjisë, janë burim difektesh pasi janë vjetëruar e dëmtuar dhe problabiteti për të shkaktuar ndërprerje, është si të thuash, ngjarje e sigurt. Kalimi nëpër shtigje të vështira të cilat nuk mund të shmangen pasi ky është terreni nëpër të cilin kalojnë. Rrjeti i shpërndarjes brenda qendrave të banuara është difektoz dhe i pa monitoruar. Për pesëdhjetë vjet nuk është vënë dorë. Në këtë periudhë përdorimi i energjisë, është rritur në përmasa të frikshme. Burimet e energjisë alternative pothuaj janë zeruar. Janë lënë mënjanë drutë dhe vajguri, gatimi bëhet me energji. Edhe ngrohja. Pajisjet e shumta, sot në çdo familje, kanë rritur së tepërmi përdorimin e energjisë. Ndriçimi publik është një shtesë plus pasi të gjitha qendrat e fshatrave dhe qyteti është i ndriçuar nga rrjeti dhe jo me llampa që karikohen nga energjia diellore. Në bashkinë e Konsipolit, po edhe në Livadhja e më tej në zonë e Vurgut, kërkesa për rinovim të nënstacionit të Livadhjas, ka qenë një këngë e kënduar prej vitesh, po që asnjëherë nuk është dëgjuar nga vendimmarrësit. Të ndërtohej një nënstacion në fshatin Shkallë do ishte një zgjidhje që përmirësonte furnizimin me energji në tërë zonën. Që në sistemin e kaluar ka qenë kjo kërkesë e banorëve të zonës matanë lumit Pavëll. Në një takim me ish Ministrin e energjisë, Damian Gjiknuri kur iu kërkua zgjidhje për zonën e Konsipolit, kishte një ide që nëse materializohej, natyrisht me investime për ndërtimin e një autostrade energjitike, si në Bregdet që vërtetë u investua, po zgjidhjet janë të prekshme. Së paku në këto nëntëdhjetë fshatra që shtrihen nga Bistrica deri në Konispol dhe mijëra abonentë, shto këtu edhe më shumë se njëmijë elektropompa që përdoren për ngritjen e ujit për ujitje të prodhimeve të shumta do ishte zgjidhja më e mirë. Kërkesat për investime në energji, banorët e zonave Livadhja, Vurg dhe veçanërisht Konispoli, i kanë dëgjuar dhe premtuar ministra, deputet, drejtorë të OSHEE-së. Po deri sot e tërë kjo zonë vuan mungesën e furnizimit me energji. Ajo që shqetëson më shumë,janë ndërprerjet e shpeshta, gati të përditshme, sapo nisin reshjet. Ndaj në këtë zonë thonë: “Po ra shi në Korfuz, qyteti matanë detit, fiken dritat në Konispol”. Duke iu bashkuar zërit të mijëra familjeve që paguajnë energjinë deri në nëntëdhjetë përqind të sasisë së faturuar dhe ata që nuk jetojnë në këto zona dhe janë në emigracion sapo kthehen shlyejnë detyrimet, për gjithë këta familjarë korrekt me detyrimet ndaj prodhuesit dhe shpërndarësit e energjisë, për vet pozicionin gjeografik atje ku ndahen kufijtë mes shteteve, u drejtojmë një ftesë publike, drejtuesve të OSSHEE, Ministres Balluku, Kryeministrit Edi Rama, ta barazojnë këtë zonë së paku me Bregdetin në investimet për energjinë. Edhe pse nuk ka turizmin në ato nivele, ka prodhime që konvertohen në miliona dollar dhe i shërbejnë turizmit elitar pasi pa produkte ushqimore nuk ka turizëm. Livadhja, Vurgu, Konispoli e meritojnë vëmendjen e qeverisë për ndryshimin e gjendjes. Vërtetë kërkohen investime. Po janë investime që ia vlejnë. Le të shpresojmë se ftesa publike e cila nuk është gazetareske do dëgjohet nga drejtuesit e OSSHEE, ministrja përkatëse dhe kryeministri Rama për ta ndryshuar situatën e furnizimit të këtyre zonave me energji elektrike, pa të cilën asgjë nuk mund të zhvillohet. Le të mbetet sentenca e fikjes së dritave me shiun e pare, në arkiv dhe energjia të jetë e pranishme, në dimër, në acar, në verë, në shi, dëborë, breshër e ditët me diell. Le të shpresojmë në vëmendjen e qeverisë.