BREAKING NEWS

Telefonata që i habiti të gjithë në studio! Zbulohet kush është modelja shqiptare që i ka marrë mendjen Silvio Berlusconit!

Telefonata që i habiti të gjithë në studio! Zbulohet kush
x

Opinion / Editorial

Fundi i populizmit “Trump”, kthim në identitet

Fundi i populizmit “Trump”, kthim në identitet

Mbas një fushate të ashpër, deri diku edhe me nota banaliteti, më në fund u bë e mundur kthimi në identitet i demokracisë liberale. 20 Janari nuk solli vetëm inaugurimin e presidentit më të vjetër në moshë Joe Biden, por për shumicën e zgjedhësve të tij, është kthimi i Amerikës në identitet. Amerika ka folur jo pak për strategji të besueshme dhe të realizueshme, në mbrojtje të demokracisë liberale. Gjë për të cilën u fol edhe gjatë fushatës më të ashpër, në historinë e zgjedhjeve presidenciale amerikane. Gjatë fushatës pati zëra se presidenti i ri, do të jetë edhe një mundësi unike, për të forcuar demokracinë liberale në të gjithë botën. Këtë mundësi në sensin unik, e diktojnë perspektivat globale, të cilat cënohen nga politikat e qeverive populiste dhe organizatat ekstremiste. Këto qeveri dhe organizata me prirje populiste, që kanë një shtrirje gjeografike lindje-perëndim, kanë si strategji politike pushtetin teknokratik dhe një sistem formal drejtësie. Shfaqje të kësaj natyre, nga përplasjet e moralizimeve të perspektivës me ato të së kaluarës, u demonstruan fuqishëm në shoqërinë tonë postkomuniste. Boshllëku i politikave populiste që moralizonin ndërtimin e demokracisë liberale, u mbush me amoralitet individualist, duke krijuar figura të mitizuara që spekuluan në emër të saj. Por demokracia liberale mori goditje edhe në kështjellën e saj në Kapitol, nga ekstremizmi i nxitur dhe stimuluar nga ish-presidenti Trump në ikje. Këto ngjarje që shkojnë përtej mentalitetit të dinastisë së tij, u komentuan si një presion për demokracinë liberale, duke sugjeruar se po rrezikonin tërheqjen. Këto sulme të paprecedenta për një vend me demokraci të konsoliduar si Amerika, krijuan një situatë jo të besueshme për strategjinë e munguar të demokracisë liberale. Këtë e vërtetuan edhe shumica e republikanëve, që duke mbështetur ish-përfaqësuesin e tyre Trump, dhanë shembullin më negativ në historinë e SHBA, me sjelljen dhe nxitjen e trazirave anti-demokratike. Fakti është se mbi 73% e votuesve republikanë, mendonin se Trump po mbronte demokracinë. Ç'absurditet. Sepse këto trazira që u ndoqën me shumë vëmendje nga e gjithë bota, treguan se figura e përfaqësuesit të tyre, ra në nivelet më të ulta të historisë së demokracisë amerikane. Negativizmi i tij si një vazhdim i politikave të ndjekura për 4 vjet, bëri që të humbë mbështetjen në kongres. Më 13 janar, 10 republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve, u bashkuan me demokratët për të gjykuar Trumpin si mbështetës i terrorizmit. Nxitjet për të dytën herë për kryengritje, mund ta çojnë në përballje me gjyqin e senatit, me republikanin Mitch Mc Conell, që thuhet se kërkon ta heqë qafe nga partia e vjetër. Gjykimi i tij do të varet, nëse do të mbahet përgjegjësi nga personat e grushtit të shtetit më 6 janar. Për presidentin e ri Biden nuk ishte vetëm pengesa Trump, të cilën ai e kapërceu, por edhe padrejtësitë e tjera të karakterit politik, racor ekonomik e shëndetësor, për t'u paraqitur si një lider global, në mbrojtje të demokracisë liberale. Por historia amerikane si një model i demokracisë botërore, nuk ka qenë perfekte me sinqeritet të qëndrueshëm. Ajo ka përjetuar edhe ngjarje të tjera tronditëse, siç ka qenë shoqëria sekrete Ku Klux Klan, që karakterizohej nga racizmi dhe urrejtja për të huajt. Ngjarjet tronditëse kanë pasuar me vrasjen e Martin Luther King, luftëtarit simbol për të drejtat e njeriut, bartës i vlerave të lirisë, harmonisë dhe barazisë. Po ashtu vrasja e presidentit Jon Kennedy, ku edhe pse ekzistojnë 2800 dosje sekrete nuk është bërë e mundur zbardhja e të vërtetës. Por duke folur nga pozitat e shtetit të fuqishëm, për interesat e tyre ekonomike dhe politike, kanë mbështetur qeveri autoritare, për të rrëzuar ato të zgjedhura, si kundërvënie ndaj ish-BS. Në vitin 1950 rrëzuan qeverinë e Iranit, lehtësuan grushtin ushtarak kundër ish-presidentit Kilian Salvadore Alende, duke vazhduar me Amerikën Qëndrore e Karaibet, si dhe vende që janë prodhuese të naftës. Kjo panoramë që nuk përputhet me parimet e demokracisë liberale, aq më tepër për një vend si Amerika, ka nxitur administratën e re Biden dhe zv. e tij e zgjedhur për herë të parë në këtë detyrë Kamala Harris, të kenë një tjetër vizion për të ardhmen. Ata po hartojnë një strategji me mundësi unike, për të zhvilluar politika të qëndrueshme e të besueshme, për ndryshimin e imazhit të fuqisë botërore, nga njollat e ekstremizmit të djathtë. Strategjia e politikave Biden dhe stafit të tij, nuk do të jetë si më parë, sepse nuk do ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve të tjera për mbështetje efektive të vendosjes së demokracisë liberale. Sipas kësaj administrate një regjim i vendosur nga jashtë, do të ketë probleme të mëdha për të fituar legjitimitet dhe kredibilitet. Transmetimet amerikane që mbështesin demokracitë liberale në botë, nuk duhet të merren si ndërhyrje e të huajve. Programi i administratës së re do të ketë parasysh, krijimin e zonave gri, të cilat kanë si objekt kufirin midis pikëpamjeve anti-autoritare dhe ndërhyrjet për ndryshime të regjimeve, ku ka përputhje të politikave me interes të përbashkët. Kjo administratë mendon se bota ka nevojë për metoda të reja "të kontrollit të armëve"ndërsa teknologjitë e reja, armatosja dhe objektivat e sigurisë dhe ato ekonomike, bëhen më të vështira për t'u arrirë. Ky program që karakterizohet nga qëllime të larta, ka një axhendë të brendshme duke i dhënë përparësi drejtësisë. Ndryshe nga ajo që ndodhi në Shqipëri, ku e djathta gjatë qëndrimit në pushtet, e paralizoi drejtësinë dhe i la rrugë të lirë anarkisë, që vuri shinat e krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjithë piramidën shtetërore. Kjo administratë kërkon të zhdukë "mëkatin fillestar" të shoqërisë amerikane, të epërsisë së bardhë, duke dhënë shembullin sinjifikativ në të gjithë botën demokratike. Ajo angazhohet të mbrojë denjësisht demokracinë liberale, si i vetmi sistem qeverisës, që mund të përmbushë aspiratat njerëzore universale. Ndryshe nga administrata e parë që ftohu lidhjet me aleatët, duke i bërë një farë mbyllje Amerikës, kjo administratë do t'i forcojë lidhjet me ta, me një sistem aleancash, për të mbrojtur hapësirën kibernetike, inteligjencën artificiale, bioteknologjinë, për rrezikun e ndryshimeve klimatike, sigurimin e të mirave globale, si dhe luftën kundër pandemisë. Sipas kësaj administrate, për dekada të tëra SHBA u ka munguar një strategji e përgjithshme, e besueshme dhe e realizueshme, për mbështetjen e demokracisë liberale. Prandaj ajo aludon se adresimi i shumë sfidave të vjetra dhe të reja, kërkojnë një multilaterizëm të ringjallur dhe institucione më efektive. Sipas komenteve të ndryshme nga kritika dhe politika, kjo administratë me liderët Biden dhe Harris, i kanë mundësitë që të mbështetur edhe nga politika progresive, jo vetëm do të kthehen në lider botërorë, por do të demonstrojnë rolin e Amerikës si fuqi e madhe e demokracisë liberale.