BREAKING NEWS

KQZ nënshkruan marrëveshjen e rëndësishme: Ja çfarë do jetë kategorikisht e ndaluar gjatë fushatës zgjedhore

KQZ nënshkruan marrëveshjen e rëndësishme: Ja
x

Opinion / Editorial

Gabimi Europës, me ndëshkimin e shqiptarëve për faj të politikës korruptive!

Gabimi Europës, me ndëshkimin e shqiptarëve për faj të

Sigurisht që ata që ndjekin dhe dinë si vepron burokracia europiane, e kanë të lehtë të kuptojnë dhe paralajmërimin e kancelares Merkel që diplomatikisht thotë “jo tani, por shumë shpejt” për Shqipërinë. Janë shtete dhe kancelari europiane të shumta që nuk duan të vijnë te bisedimet dhe një “po” për negociatat me Shqipërinë. E mbase kanë të drejtë. Kanë të drejtë, për mungesën e theksuar të drejtësisë. Shqipëria dhe shteti i saj janë një shembull ku drejtësia jo vetëm mungon por është e padrejtë. Kanë të drejtë megjithëse me ambasadat dhe misionet e tyre, kanë tre dekada që marrin pjesë në shtetformimin dhe drejtësi funksionimin në Shqipëri. Që iu përkëdhelin bishtin politikanëve në 360 gradë të politikës në Tiranë. Kanë të drejtë megjithëse edhe ata si ne shqiptarët poshtë, janë “bashkëpronarë” të ndërtimit të shtetit dhe padyshim shtyllës kryesore ose drejtësisë. Kanë të drejtë për korrupsionin e jashtëzakonshëm deri në qelizën më të vogël të shtetit shqiptar. Patjetër, sepse kur nuk ka sistem të drejtë drejtësie, nuk ka si të ketë luftë kundër korrupsionit. Kanë të drejtë për “luftën folklorike” pa principe demokracie dhe europiane që palët në politikë bëjnë në Shqipëri. Një “luftë” e cila është pa parime, pa etikë e pa moral dhe që turpëron një shoqëri. Kanë të drejtë, për shpërdorimin e pushteteve dhe mbajtjen e tyre me forma nga më të turpshmet, duke mos krijuar asnjëherë kushtet që zgjedhjet politike të jenë normalisht të lira dhe pastaj dhe demokratike. Europianët janë vetë bashkë me ne shqiptarët “bashkëpronar” të certifikimit apo dhe kritikave për zgjedhjet në Shqipëri. Kanë të drejtë, sepse asnjë qeveri nuk është në detyrë në mënyrë që të plotësojë kushtet dhe të ketë sukses në këtë plotësim. Sigurisht dhe sot kështu është. Kanë të drejtë, sepse megjithëse po punohet për drejtësinë e re ajo është përdorur pa filluar punë dhe paragjykuar kaq shumë sa tashmë dhe sponsorët vetë si BE-ja, nuk arrijnë të binden nëse kanë bërë diçka që nesër do të funksionojë realisht. Kanë të drejtë, jo për atë që idiotë politikë thonë “kulturë e mos ndëshkimit”, por për aftësinë që drejtësia politike e korruptuar ka për të mos zbatuar ajo e para ligjin. Për të mos ia dhënë drejtësinë qytetarit shqiptar dhe për ta përdoruar atë kundër pikërisht këtij qytetari. Kurse ajo që duket është se asnjë delirant politik i korruptuar nuk është dënuar, nuk është proceduar apo dhe i hapur e famshmja dosje dhe që në sy të të gjithëve akoma askush nuk do të procedohet dhe aq më pak kjo drejtësi ta dënojë apo më mirë të them – të bëjë drejtësi. Dënimi nuk është drejtësia, drejtësia është të – bësh drejtësi. Ne si asnjë vend tjetër në Ballkan nuk bëjmë drejtësi me korrupsionin galopant dhe kriminal në mënyrë të dukshme dhe faqeza përpara dhe miqve që tashmë ndëshkojnë shoqërinë shqiptare duke në një farë mënyre “premiuar” pikërisht të korruptuarit në pushtet dhe opozitë që e kanë sjellë këtë vend në “zgrip” të demokracisë dhe lirisë së kërkuar në vitet 1990-të. Po pse po bëjnë gabim dhe një herë? Po bëjnë gabim, sepse në një masë të madhe nuk e kanë akoma popullin shqiptar kundër tyre. Nuk e kanë kundër BE-së dhe nuk e kanë anti-perëndimor si shumë shoqëri dhe popuj të tjerë në Ballkan. Po përgatiten të ndajnë tashmë dhe në bisedime Shqipërinë me Maqedoninë. Po me shtetin artificial etnik dhe territorial, por që vepron më mirë me luftën ndaj korrupsionit dhe ka vënë në arrati lidershipe politike si ai i Gruevskit. Kjo ndarje padyshim po u realizua do të ketë si pasojë dhe rrëzimin e shtatores së madhe që shqiptarët i kanë ngritur Brukselit dhe Strasburgut dhe BE-së. Do të marrë si përgjigje nga shqiptarët ftohjen e një besimi se BE është ajo dashuria e madhe e jona (tyrja). Do t[i kthejë pa fajin e tyre të vërtetë si popujt e tjerë në Ballkan. E me sa duket ky është dhe qëllimi që shqiptarët të mos jenë më 90% për BE-në. Mbase i do më racionalë. Por është gabim këtë shoqëri të vuajtur, por besnike të Perëndimit, ta ndëshkosh pse “nuk janë të zot” të prodhojnë klasa politike (elita) dhe politikanë të ndershëm dhe të sinqertë për demokracinë. Në fakt, po ndëshkohet shoqëria shqiptare tashmë në shumicë e bindur se ka “monstra” sipër kokës së saj në politikë pikërisht pse ka lejuar ti ketë kështu. Gabimi qëndron në faktin e interesave të tyre (europianëve) të cilat nuk po përkojnë tashmë kaq shumë me interesin tonë kombëtar. Është një gabim i ngjashëm me qershor gushtin e vitit 1913-të kur krijuan territorin e cunguar shqiptar. Ndëshkuan me territore një popull dhe shoqëri që nuk ishte në gjendje të përfaqësohej kaq qartë dhe mirë me politikanë dhe klasa politike të besueshme në Perëndim. Kjo kur sot jemi në NATO dhe jemi afër BE-së dhe kur çdo gjë që bëjmë mund të kontrollohet dhe përvijohet në kontroll nga BE dhe kancelari mike tonat kudo në pikërisht Europë. Po bëjnë që njerëzit t’i referohen akoma më shumë super patriotit shqiptar si At Gjergj Fishta që thotë: “Ah Europë moj ku..va e motit...që i re mohit besës së Zotit, po a ky shenji qytenisë ma da tokën e Shqipnisë”. T’i referohen në çdo lloj mënyre si të ditur si të paditur në moralin e qartë të Fishtës për atë çfarë po ndodhte pikërisht në vitet 1913-të. Shqiptarët kanë faj për ngritjen e piedestaleve të Berishës, Ramës, Metës apo dhe të tjerëve me radhë, por... Por me këta njerëz flet dhe bën marrëveshje Europa. Janë dhe të saj. Një populli të dashur me Europën tashmë shtete dhe kancelari po i “bijnë mohit” sepse ndëshkojnë shqiptarët për pa aftësi të bëjnë shtetarë dhe shtet normal demokratik dhe të së drejtës. Gati gati, duan të krijojnë ishullin e “jo integrimit” në Ballkan që do të jetë Shqipëria dhe shqiptarët. E kjo është e padrejtë. Krejtësisht jo e drejtë dhe jo për të mirën e tyre përvese se tonën. Në fund ata do ta paguajnë. Si gjithmonë në interesin sylesh dhe jo moral që kanë drejt shqiptarëve. Të marrësh me të mirë Ramën dhe Bashën, Monikën dhe Ilirin partitë e korruptuara dhe të ndëshkosh shqiptarët, nuk është as zgjuarsi dhe as urtësi nga ana e tyre “është thjesht interes aspak i mirë”. Përballë kësaj praktike dhe teorie gabim ka vetëm një përgjigje. Pa lënë idealin europian duhet të fillojmë pak nga pak idealin tonë kombëtar. Daljen në një hapësirë tjetër filozofike që është ideali ynë kombëtar. Ky ideal (ideali kombëtar) është më i madh se sa idealin europian te i cili kishim mbështetur shpresat. Ata si dhe ne, kemi dështuar përballë bandave politike qeverisëse që kanë tridhjetë vjet që dëmtojnë demokracinë dhe kanë shkallmuar drejtësinë asnjëherë në veprim në këtë vend. E kjo qartësi filozofike dhe politike, sa do të vijë dita apo muaji dhe viti, do të shtohet në shoqërinë shqiptare. Nuk do të pranojnë të gjithë të ikin nga ky vend, sepse nuk janë të zot të bëjnë shtetin demokratik. Këtë gjë mbase e duan dhe fuqitë europiane, sepse kanë nevojë të rinohen në plakjen e tyre jo vetëm të trurit, por dhe fizikut. Por sigurisht që nuk është kaq larg dita që nuk do të pranojmë me plakjen e shtetit tonë shoqërisë tonë për të rinuar shoqërinë europiane tashmë të plakur deri në pikën pa kthim. Vjen shumë më shpejt se sa mendojmë, dita kur si pesha e Europës dhe vetë kancelaritë, nuk do të kenë në përballje me kërkesën në rritje për komb dhe shtet kombëtar dhe pse Europa nuk do ta dëgjojë aspak. Kjo ditë vjen dhe pastaj nuk ka rëndësi se me cilët në politikën shqiptare bisedon Brukseli, Berlini, Parisi apo të tjerët e korruptuar, sepse shoqëria nuk do t’i ndjekë më.