BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Opinion / Editorial

Gangot realë dhe gangsterët imagjinarë!

Gangot realë dhe gangsterët imagjinarë!

Sapo kryeministri Edi Rama në një dalje publike në krah të ambasadorit të BE-së në Shqipëri, zotit Soreka, i drejtoi një ftesë publike, liderit të partisë opozitare jashtëparlamentare, Lulzim Basha, bashkë me presidentin për bashkëpunim institucional në plotësimin e kërkesave të BE-së, një stuhi mallkimesh, fyerjesh, akuzash, etiketime absurde, u drejtuan kundër tij. Sharjet ishin aq të egra, epitetet aq epike, sikur të kishte ngacmuar folenë e grerëzave, të gatshëm për të pickuar dhe helmuar trupin e shpirtin, jo vetëm të atij që shtriu dorën për bashkëpunim për një çështje me rëndësi mbarëkombëtare, siç është ajo e bashkërendimit të faktorëve politikë Pozitë-Opozitë-Presidencë për të realizuar angazhimet për rrugëtimin e sigurtë drejtë BE-së, po gjithë shoqërinë shqiptare. Qytetarët shqiptarë, sa herë bëhen ftesa për sinkronizim të veprimtarive politike, shoqërore, për realizimin e objektivave madhore të kërkuara me ngulm nga opinioni i gjerë shoqëror dhe faktori ndërkombëtar nga përtej Atlantikut, deri në kancelaritë e shteteve lokomotiva të bashkëpunimit europian, nuk është se habiten nga sulmet dhe denigrimi që iu bë kryeministrit për ftesën adresuar liderit të PD-së. Ashpërsia e manifestuar nuk do justifikonte edhe kërkesën e supozuar për t`i lënë pushtetin përjetësisht. Si t`u kërkonte të qëndronin larg nga politika, ta braktisnin atë. T`i etiketonte si përçarës. Si liderë që nuk bëjnë detyrën ndaj vendit në këto kohë të vështira me armikun e padukshëm mes nesh. Si tu shante partinë apo t`iu mohonte kauzën. Sikur të kërkonte të pamundurën dhe ta fyente opozitën dhe strategjinë e saj në rrugëtimin për të ardhur në pushtet. Si të përjashtonte dhe jo të mirëpriste në tavolinën e dialogut aq të domosdoshëm në një vend demokratik. Edhe sikur të bënte një provokim të tillë, shigjetimet nuk do ishin kaq të helmatisura, të ashpra. Duket një gjueti si mbi kafshët e egra në një xhungël, ku jeta varet në fije të perit dhe të duhet të mbrohesh me të gjitha armët për të jetuar. Dhe përsëri nuk pritej një kundërvënie kaq e egër. Nuk do justifikohej gjuha e liderëve të opozitës, kryetarit de jure e kryetarit në prapavijë. Nuk justifikohet logoreja e atij që kanë lënë dezhurnin prej vitesh në Presidencë, ish-presidentit Bujar Nishani. I pari që iu kundërvu si gjithnjë ftesës për bashkëpunim, duke përcjellë një mesazh mbarëpopullor mes shqiptarëve, të cilët duhet të jenë të bashkuar për objektivat madhore që qëndrojnë para shtetit shqiptar dhe që me aq ngulm lypen nga populli ynë, ishte ish-presidenti dhe kryeministri Sali Berisha. Me fjalorin tipik, akuza dhe fyerje të rënda hodhi poshtë ftesën, si të ishte virusi Covid-19, ftesën e sinqertë të kryeministrit për tu bërë bashkë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Dihet se duhen plotësuar kërkesat dhe angazhimet që lypin bashkërendim të tërë faktorëve politikë. Ftesa e Ramës nuk kërkon të shkrihen kufijtë e pluralizmit politik. Secila parti ka objektivat e veta për pushtet. Po kjo nuk është baras me luftë e kundërshti edhe për objektiva madhore që i japin vlerë aksioneve politike, secilit që kontribuon për afrimin me BE. Qëndrimi i ashpër përball dorës së shtrirë edhe kur kjo bëhet nga ai që shihet si njeriu pengesë për fitoret opozitare, me emrin Edi Rama nuk ka vend për akuza aq më tepër për fyerje dhe denigrime sikur të luftonim me një individ që kërkon të na përçajë, t’i vërë flakën Shqipërisë e jo të na bashkojë. Vlerësimi si një individ që do për vete gjithçka dhe të tjerëve kërkon t’u lërë në derë dështimet. Realisht, ftesa e kryeministrit është një urë përmes të cilës mund të kalojnë të gjithë drejt bashkëpunimit real, pa prapaskena. Po kjo kërkon mirëkuptim, jo fodullëk, heqje dorë nga urrejtja dhe ndasitë e thella, largim nga betejat pa parime mes faktorëve politikë në vend. Berisha është kundër totalisht ndaj një bashkërendimi politik dhe bashkëpunimi në realizimin e detyrave të ngarkuara nga shtetet që i kërkojnë vendit tonë të bashkërendojë tërë faktorët dhe të bashkojë energjitë për të ecur sa më shpejt drejtë Europës. Si gjithnjë bën Kasandrën, mallkon çdo afrim dhe pajtim për çështje me rëndësi madhore. Për të ka vetëm një armik. Kryeministri që e ka lënë pa pushtet, pa grada, pa privilegje, pa autoritet. Ndaj është kategorikisht kundër ftesës për bashkëpunim. Dhe këtë nuk e shpreh me arsyetim normal. As me kundërshti parimore. Po me fyerje e anatemime sikur përball të kishte Neronin që bën thirrje për djegien e Romës. I njëjti zakon. E njëjta sjellje. Dhe nuk ka asnjë ndryshim apo korrigjim shënjestre qoftë edhe milimetrike. Asgjë nuk e ndryshon ish-presidentin Berisha në luftën me Edi Ramën dhe mazhorancën. Kjo është vijë sjellje, strategji, stil, kulturë politike. Mbetet në të njëjtën llogore. Më i armatosur, me armët e përçarjes dhe urrejtjes. Po ajo që mbetet në kujtesë, si një sulm epik, që më dhembi, si qytetar i këtij vendi dhe nuk jam i vetmi, është sulmi me fjalor rruge i ish-presidentit, Bujar Nishani. Jashtë çdo etike, gjuhës së politikanit, sjelljes institucionale si njëri prej shtetarëve që ka mbajtur poste nga më të lartat, gradat më madhore në këtë vend, ai që për pesë vite na ka entuziazmuar e habitur me fjalimet brilante, plot kolorit, figuracion, emocion, krahasime, epitete, përshkrime romantike, mbushur me sinonime kur u drejtohej ushtarëve, marinarëve, policëve, qytetarëve, anijeve, avionëve, nxori nga fjalori i shqipes një nga fjalët më fyese për t`iu drejtuar kryeministrit. E etiketoi gangster. E barazoi me Alkaponet, me Kozanostran. E etiketoi njeri të mafies. I foli me gjuhën që edhe halabakët nuk e kanë shumë për qejf ta përdorin mes tyre. Dhe unë për të kuptuar më thellë këtë fjalë epike të gojëtarisë së ish-presidentit tim, Bujar Nishani, shfletova fjalorin shqip. Në të sqarohet se, gangster është një emër i gjinisë mashkullore. Pjesëtar i bandave të grabitësve dhe kriminelëve, bandit, kriminel. Organ i dhunës, frikësimit. I pamëshirshëm ndaj njerëzve. Që udhëhiqet nga veprim dhe sjellje prej gangsteri. Pra nëse analizojmë tipologjinë shkencore të kësaj fjale shkohet shumë larg në etiketimet ekstreme që bën Nishani, që ka pasur fatin e madh të na drejtojë si shtetas dhe ka pasur detyrimin kushtetues të na udhëhiqte, jo vetëm këtu në drejtimin e zhvillimin të Shqipërisë, po edhe kundër cilitdo që do guxonte të prekte trojet arbërore. Pra ka qënë për pesë vite Komandanti ynë i Përgjithshëm. Ne i besuam jetën tonë. Shpresat dhe besimin. Të ardhmen. Dhe do rreshtoheshim në të njëjtin front, ku do na drejtonte komandanti, presidenti ynë. Sa të paditur kemi qënë! Sa pak e kemi njohur komandantin tonë. Vetëm dy vjet pas ikjes nga Presidenca, po që nuk është sulmi i parë, as i fundit, lexojmë një ish-president që merr borxh fjalorin më fyes dhe poshtërues. Kështu askush në çdo vend të botës nuk do guxonte, jo nga frika, po nga logjika të sulmonte kryeministrin e shtetit të vet, zgjedhur me votën e shqiptarëve. Nëse është burrë dhe politikan Nishani, le ta mundë me votë dhe ta demaskojë si individ dhe si gangster. Po ai nuk zgjedh këtë rrugë. Është pozicionuar në betejën e etiketimeve dhe fjalimeve sa herë i cënohet interesi i vockël apo i duhet të na thotë ja ku jam. Jam në jetë! Në pozicion. I gatshëm për të akuzuar cilindo, mjafton të gudulis partinë dhe t’i jap sinjale Lulzim Bashës se e prin. Kur dëgjon etiketimet e Nishanit, jo se këtu nuk janë përdorur nga të tjerë ordinerë edhe më të rënda fjalë, po ai duhet të bënte ndryshimin, mendimi të shkon tek ai dhe politikanët e PD-së ndër vite. Të kujton marshimin mbi këndin e lojnave të fëmijëve për t`u vrarë ëndrrat dhe t`iu hiqte me përdhunë argëtimin. Nuk po flasim për largimin tinëzisht të të birit, duke i hequr Shqipërisë një mendje të shquar, siç e motivoi. Nuk përmendim dekorimin e pinjollëve të fashizmit. Po nuk mund të numërosh tërë fjalorin dhe bëmat që kanë përdorur ndaj kundërshtarëve bashkëpunëtorët e tij, veprat që kanë kryer në kurriz tyre. Nuk mund të harrosh vrasjet, grabitjet, burgosjet. Vjedhjen e votave faqe tërë botës, siç ngjau me Bashën në garën me Ramën, ku vërtet u bë gangsterizëm me votat në kutitë e “gabuara”. Nuk mund të mos kujtosh vjedhjen vetëm në një vepër publike “Rrugën e Kombit” të 260 milionë eurove. Përsëri Basha në krye të dikasterit të rrugëve. Fjalorin vërtet prej gangsterësh që ishin të gatshëm për pushtet të bënin atë që asnjë popull nuk e pret. Nuk është fantazi gazetareske. As subjektivizëm apo përpjekje për ekuilibra dhe për të sharë njërën palë e lartësuar tjetrën. Është e vërteta absolute që politikanët e shtëpisë së Bujar Nishanit, kanë bërë çudira, kanë bërë kërdinë kundër shqiptarëve, kanë vrarë me plumb në ballë protestuesit në mes të bulevardit, kanë gjakosur në majin e 1996 opozitarët në qendër të sheshit “Skënderbej”, deri edhe të urtin Servet Pëllumbin, kanë nxitur urrejtjen dhe i kanë hedhur bomba mbi kokë qytetarëve. I kanë armatosur në vitin 1997, kanë pushtuar kryeministrinë në 1998, kanë plagosur policë gjatë vitit të revolucionit të madh, kanë flakur mandatet dhe kanë braktisur reformat dhe asnjëherë nuk janë cilësuar nga kundërshtarët gangsterë. Jo se nuk e dinë këtë fjalë, jo se janë më pak të armatosur me fjalor denigrues, po kanë lënë gjithnjë një shteg për bashkëpunim, kanë zgjatur dorën për të ecur bashkë. Besoj se është i paharrueshëm një detaj pas bombardimit apokaliptik të Gërdecit, i cili pa frikë mund të etiketohet krim shtetëror, se nga shteti ishte organizuar i gjithë poligoni i demontimit të predhave dhe në krye të tij kanë qenë shtetarët më të lartë, ku pas vrasjeve masive, kryetari i opozitës, Edi Rama, i rrahu shpatullat kryeministrit të kohës, Berisha, duke u solidarizuar në ato momente të vështira, jo se ishte dakord me atë që ngjau, po koha ishte përpara dhe llogaria për ngjarjen tragjike priste. I tha po pranimit të Shqipërisë në NATO. Gjykoni një moment nëse do ishte e kundërta, si do ta pësonte Rama nëse do të ishte vend të Berishës. O do dorëzonte pushtetin, ose jetën. Shteg të dytë nuk kishte. Megjithatë gangster nuk e quajti askush. Pasi dëgjova Bujar Nishanin që artikuloi fjalët, gangsteri Edi Rama fton opozitën për bashkëpunim dhe derdhi një lumë fyerjesh dhe kundërshtish, me të drejtë themi: Cilët janë, nëse i referohemi këtyre tri dekadave, gangsterët e vërtetë? Si t’i ndajmë engjejt nga djajtë? Të ndershmit, të qetët, të urtët, nga gangsterët? Cilët janë real-gangsterët? Ata që kanë bërë çudira sa herë kanë qenë në pozitë dhe opozitë apo atë që etiketon Nishani? Çdo shqiptar me sado pak mend në kokë e ka përgjigjen të gatshme. E di shumë mirë se cili ka bërë dhe vijon të bëjë gangsterizëm politik. Se cili e ka profesion dhe zanat gangsterizmin dhe cili ka vjedhur, ka vrarë e ka denigruar pa mëshirë shqiptarët në këto tri dekada. Është e lehtë për t’i ndarë e seleksionuar gangsterët realë nga ata imagjinarë. Dhe këtë aftësi nëse donte e ka edhe ish-presidenti Bujar Nishani. Natyrisht nëse i drejtohet arsyes, etikës, logjikës. Nëse bën ish-burrështetasin. Ndryshe të gjithë ne shqiptarët në gjykimin e tij, do jemi nga pak gangsterë përderisa i kemi besuar pushtetin një “kryegangsteri”!