Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Gangsteri politik, që u ngazëllye më shumë se populistët holandezë

Postuar: 19/04/2019 - 07:10

Lajme sensacionale janë të përditshme në jetën tonë. Me burim kombëtar, ndërkombëtar, qiellore deri gjithësisë. Njoftime tragjike,komike, të rralla, të bukura, të shëmtuara, gënjeshtra, vërteta, të veçanta që vijnë nga çdo cep i globit. Pak ditë më pare, një lajm i trishtuar mbërriti nga Parisi. Kryeqyteti francez ra në zi, ashtu si tërë kombi pas flakëve që përfshinë katedralen “ Notre Dame de Paris”. Po tragjedia e Parisit ishte njëherësh një shembull i jashtëzakonshëm se si veprojnë popujt e qytetëruar, liderët e tij, opozita, kur gjenden përballë një ngjarjeje tragjike dhe me përmasa të jashtëzakonshme me reflektim ndërkombëtar. Presidenti Trump i kushtoi posaçërisht këtij rasti fatkeq vëmendje të veçantë. Kështu vepruan udhëheqës nga e gjithë bota. Edhe pse një dhimbje e thellë për simbolin e Francës, mrekullinë e arkitekturës dhe katolicizmit, brenda të cilës gjendeshin thesare të kulturës nga kurora e Krishtit dhe qindra simbole shekullore. “Katedralen” që e bëri të pavdekshme, pena e gjeniale e Hygoit, askush nuk shigjetoi Makron, Presidentin e Francës. Përkundrazi, ajo që zbuti këtë dhimbje ishte solidariteti i një kombi të qytetëruar, i cili nuk priti të gjejë fajtorët dhe nuk akuzojë askënd për çka ngjau. Ndryshe nga vendet e paqytetëruara, ku gjithçka kthehet në politikë dhe goditje të kundërshtarit, vërshuan financimet për të ringritur këtë kult dhe për t’i dhënë asaj përmasat që kishte. Vetëm për dy ditë u grumbulluan 800 milionë euro. Kjo është mrekullia e qytetërimit. Drejtësia ngriti akuzën për dëmtim pa dashje. Askush nuk u anatemua. As shteti as shtetarët. Përkundrazi edhe “jelek verdhët” heshtën dhe u kthyen në shtëpi për të kaluar bashkë me qytetarët fatkeqësinë që u ngjau në shtëpinë e tyre. Edhe ata iu drejtuan, jo bulevardit, duke klithur e ndezur zjarre, po bankave për të kontribuar me sa të mundin. Të gjithë për katedralen! Një popull i bashkuar para një fatkeqësie ashtu siç ka ndodhur në të gjithë historinë e këtij shteti modern edhe kur në mes të bulevardit mendjet e sëmura kanë kryer akte të rënda terroriste, ku kanë humbur jetën dhjetëra njerëz të pafajshëm. Kështu veprohet kur nuk vihet politika dhe interesat meskine në rend të parë. Kur sytë dhe zemrat rrahin për atdheun dhe njerëzit. Kur popujt dinë të sillen të qytetëruar dhe të respektuar me vetveten dhe ku politikanët lënë armët në pritje të zgjidhjeve të mëdha dhe të fitores mbi fatkeqësinë.

Po ky rast nuk është i vetëm. Kujtoni solidaritetin pas shembjes së kullave binjake dhe humbjes së jetës së mijëra amerikanëve. Dhe mendoni për një çast sikur një fatkeqësi e tillë në përmasa apokaliptike e zvogëluar mijëra herë të ndodhte këtu tek ne. Askujt nuk do t’i shkonte në mend të solidarizohej dhe të ngrihej në lartësinë që kërkon një rast i tillë. Aq më pak të hiqte nga portofoli dhe buxheti i familjes miliona për të ringritur simbolin e rrafshuar. Të gjithë do t’i drejtoheshin rrugës. Topat e propagandës do qëllonin mbi Kryeministri dhe Kuvend. Ekuivalenca do ishte përmbysja e qeverisë. Atje do kërkohej e keqja ndaj duhej rrafshuar. Ata duheshin likujduar, ata janë zjarrvënësit e vërtetë. Dhe përmbysja e tyre do konvertohej me ringritjen e objektit të lashtësisë apo arkitekturës. Në dreq të shkonte simboli! Për politikën tonë nuk ka asnjë vlerë arkitektura apo monumentet. Monument i vetëm mbetet pushteti. Privilegjet, përfitimi. Sundimi. Të ishte ndryshe nuk do rrafshonim me një të rënë të lapsit monumente që do ti kishin zili tërë bota. Nuk do t’i shndërronim parqet tona në vende të grumbullimit të plehrave. T’i kthenim vende të mrekullisë natyrore si “Syri i Kaltër” në xhungël apo të linim të degjeneronin kështjella, kisha, xhamia, liqene, basene lumenjsh, ujëvara apo banesa karakteristike me vlera të jashtëzakonshme historike e arkitekturore, ku u lindën dhe jetuan korifej të pushkës e penës të vendit tonë.

Po si sillen politikanët tanë kur dëgjojnë një lajm të madh, të zakonshëm apo të papërfillshëm? Ndalen dhe analizojnë, presin të qetësohet gjendja, të kuptojnë thelbin dhe shkaqet përse emetohen njoftime të tilla apo zgjedhin sulmin me të gjitha armët për të shumëfishuar dhe ta bërë kryelajm, jo vetëm në shkallë vendi po deri në Australinë e largët të mësohet ajo që ndodh tek ne?! Edhe kur lajmet janë të pavërteta edhe atëherë amplifikimi i sensacionit mobilizon tërë mediat dhe tellallët përdorin rrufeshëm teknologjitë e reja, internetin, facebook, portalet, mediat klienteliste. Vetëm lajmi që u intereson vihet në qendër. Asnjë reagim për këtë lajm nuk merret në konsideratë. Llogaria bëhet çfarë fitojmë prej tij? Sa fiton partia ime!

Dhe një nga lajmet që u dëgjua së fundi ishte njoftimi se në parlamentin holandez në përgjigje të një kërkese bërë kohë më parë nga populistët e djathtë dhe jo të gjithë, po në emër të tyre deputetja, Van Torrenbur për vendosjen e regjimit të vizave ndaj shqiptarëve nuk u la të binte asnjë sekondë në tokë. U bë flamur i liderëve të opozitës tonë, gangsterëve tanë të cilët me një ngazëllim të papërmbajtur deklaruan nga të gjitha podiumet e TV se prej Holande mbërriti një lajm i hatashëm. Kryelajm, parlamenti holandez i kërkoi qeverisë që ajo t’i dërgonte Parlamentit Europian kërkesën për vendosjen e vizave për shqiptarët, pasi sipas tyre janë bërë rrezik për Holandën dhe popullin e këtij vendi. Që disa holandezë kërkojnë ngritjen e mureve dhe ndarjen e Europës si para “Murit të Berlinit”, natyrisht jo të gjithë, po disa kokrra të veçantë, që janë të interesuar të bëjnë një politikë të ashpër kundër emigrantëve dhe për të fituar pikë mes populistëve, gjë që është në të drejtën e tyre të luajnë me akuzat dhe të vërtetat, kjo është e njohur dhe e ditur. Dhe janë në të drejtën e tyre, ashtu siç ishin po në të drejtën e tyre kur ndryshe nga 28 vende të Unionit Europian, kërkuan që Shqipëria të priste para portës së BE-së për hapjen e negociatave edhe një vit. Dhe kur kjo periudhë karantine po përfundon, një deputete nga ato që kërkon të ngrejë stekën e partisë së saj radikale ndaj emigrantëve, qëndrimi i politikës shqiptare nëse do ishte vërtetë për të mirën e qytetarëve do të kompaktësohej dhe do kërkonte ndryshim kursi dhe mbrojtje të qytetarëve shqiptarë të cilët e kanë heqjen e vizave një arritje madhore dhe mos rendjen nëpër ambasada e konsullata me një mal dokumetash nën sqetull për një vizë turistike një mujore. Po ç`ndodhi në të vërtetë? A u solidarizuan sadopak politikanët e këtij vendi edhe në shembullin e klasës politike dhe kombit francez, që tek e fundit u shkrumbua një nga simbolet ku janë rritur me lavdinë e saj qindra breza? Aspak. Në një ngazëllim të paparë, liderët e politikës, nisën garën në tribunat e partisë. U regjistrua si fitore e thellë mbi shqiptarët. Nga SHQUP-i, zëvendëskryetari i PD, Edi Paloka trumbetoi me të madhe se Rama është përgjegjësi. Rama ra, vërtetë ra pasi arritjen më të madhe të shqiptarëve e bëri zero. Se është ai dhe qeveria e tij që e detyruan parlamentin holandez të kërkoi vendosjen e vizave për shqiptarët. Në PD u thirr me të madhe Fitore, fitore, fitore! Për vite u lobua nga Basha, holandezi fluturues për këtë fitore të ligë. Dhe Kryemadhi, meqenëse është më afër vendimmarrjeve politike të shteteve të Europës edhe si bashkëshortja e numrit një të shtetit deklaroi se Holanda do shumëfishohet me shtetet e tjera. Të tjerë shtete do veprojnë njëlloj. Ndaj gëzimi le të ndizet flakë se ia mbërritëm! Sepse kishte një buzëqeshje dhe fytyrëçiltërsi ndryshe nga kumtimet e tjera. Kur ka deklaruar rënien e Ramës ka qenë më serioze. Datën e protestës së ardhshme, më e përmbajtur. Mitingjet brenda sallës së parlamentit, më pak agresive. Në garë për të fyer qeverinë dhe ministrat pas këtij lajmi janë vënë të gjithë. Edhe vetë Presidenti e quajti një gjëmë. Ky lajmi holandez i ndezi emocionet dhe rriti maksimalisht adrenalinën opozitare. Guri i fatit u erdhi në dorë. Dhe ky gur u ngjit nga një vend nën nivelin e detit, fushor, atje ku kryetari Lulzim Basha ka shtëpinë, ku është edhe shtetas i atij vendi. Mezi priste Paloka dhe shumë të tjerë që Holanda të merrte një vendim të tillë, i cili kapërcen sundimin e një qeverie dhe vihet përballë tërë klasës politike të Shqipërisë në realitet. A ishte kjo, rruga e logjikshme dhe në interes të shqiptarëve, kur liderët e opozitës bëhen bashkë me keqbërësit dhe shqiptarët që vërtetë kanë sjellë shqetësime në një shtet të paqtë si Holanda? A ka sens që të dakordoheshin liderët tanë me një vendim të tillë, pavarësisht nëse do zbatohet apo jo, pasi dihet se rruga e një penaliteti të tillë duhet të kalojë nëpër shumë labirinte të politikës europiane? Po kjo ka pak vlerë. Edhe pse një fatkeqësi për ne, vendosja e regjimit të vizave nga një shtet i vetëm do ishte një humbje e madhe, një goditje e rëndë për të gjithë ata që duan të jetojnë të lirë dhe mezi presin për t`iu bashkuar Europës. Kënaqësia e liderëve të PD-së është e papërmbajtshme. Edhe lajmi më i mirë për vendin tonë nuk do kishte marrë këto përmasa. Sikur të gjithë u ndjenë të gëzuar në një ditë hidhërimi në PD-LSI. Dhe nisën argumentet përse populistja holandeze kërkoi që të ndëshkohen shqiptarët. Dhe filluan të bëhen paralelizma mes qeverisë dhe kriminelëve. Ngazëllimi ku e ku e kapërceu çdo përmasë edhe të vetë iniciuesve dhe u bë superlajm. Ky po ishte lajm i madh për opozitarët tanë. Ishte një armë e re si të qëllohet mbi qeverinë sikur janë ata që humbasin dhe goditen nga një veprim i tillë. Shqiptarët e dinë se kryeopozitarët janë të pajisur me pasaporta diplomatike dhe nuk kanë nevojë as për viza dhe as u ndjenë nëse hiqen apo rivendosen. Shumë prej tyre, duke qenë bijë e nipa të nomenklaturës komuniste, të përkëdhelurit e regjimit të përmbysur e kanë vizituar Parisin dhe Amsterdamin dhe e kanë prekur nga brenda katedralen për të cilën sot duken të mërzitur e të dhimbsur. Po për qytetarët e votuesit e tyre si ndihen? E treguan këtë me gjestet e tyre që shpërthyen me brohoritje, me duar e këmbë. E shfaqën në fytyrë të gjithë ata që e emetuan këtë lajm. U lexua në titujt bombastikë të gazetave dhe televizioneve sivëllezër të Lulzimit e Kryemadhit. Asnjë zë opozitar edhe periferik nuk shfaqi aspak solidaritet me shqiptarët e zakonshëm që u kërcënohet lëvizja dhe kërkojnë të bëjnë dy Kosova bri njëra- tjetrës me regjim karantine. Askush prej tyre nuk mbajti qëndrim në krah dhe interes të shqiptarëve që po ju vidhet një ëndërr vetëm se disa bashkombas të tyre i kanë mërzitur holandezët dhe merren në atë vend me pisllëqe. Po harrohet se ata nuk janë as të njërit as të tjetrit krah. Janë bashkatdhetarët tanë, që kanë zënë rrugën e keqe, që kanë vjedhur e kanë trafikuar, që kanë deleguar prostituta nga vendi ynë dhe trafikuar shqiptarë nëpër dete e rrugëve të këtij shteti për në vende të tjera. Ata nuk kanë tesera partie. Ata kanë vetëm një tesër, atë që kishte Murataj i Rinasit, i cili nuk mund t’i faturohet PD-së vetëm se ka foto me ta. Gangsterët shqiptarë në Holandë janë problem ynë, i vendit tonë. Po në një kohë kur ambasadorë të nderuar, si ai i BE-së dhe Italisë e të tjerë, vbëjnë avokatin e shqiptarëve, mbrojnë arritjet e Shqipërisë dhe deklaruan treguesit e përmirësuar edhe në drejtim të trafikimit dhe kërkesave për azil në Holandë, gangot tanë, vunë kujën dhe ngritën në qiell vendimin e parlamentit holandez. Asnjëri nuk doli të fliste burrërisht se qëndrimi i populistëve është i padrejtë dhe i papranueshëm, dhe se nuk e meritojmë. Përkundrazi, të gjithë u shtruan në gostinë e populistëve me lugë në brez, u bënë zëri dhe shpirti i tyre. U bënë ortakë dhe i kapërcyen në nismën që ndërmorën. Dhe jo më kot.

Liderët tanë në opozitë mezi presin që Shqipëria të ngeci në qershor. Për këtë punojnë. Dhe ky është rasti i artë për të fajësuar mazhorancën. Për të treguar se opozita nuk ka asnjë përgjegjësi. Se sa ishin ata nuk kishte asnjë trafikant apo keqbërës nga Shqipëria në Holandë dhe të gjithë janë made in “Rama”. Sot kanë shkuar, nën sundimin e tij kanë vajtur në këtë vend. Harrohet se krimi dhe trafikantët nuk kanë atdhe. Ata mund të bëjnë aleancë edhe me djallin në emër të parasë. Dhe këtë e kanë bërë dhjetëra herë. Po çakejtë këtë punë kanë! Gangot e politikës si nuk ulin kokën një sekondë dhe të arsyetojnë se kujt i bëhet dëmi. Ndaj ngazëllimi me populistët holandezë ka kapërcyer çdo limit. Është solidarizuar në atë masë sa vetë homologët e saj nuk kanë guxuar ta bëjnë. Në selitë e PD-LSI-së fërkojnë duart me vendimin e populistëve. Ata presin që Europa, jo vetëm të mos hapë portën, po të na heqi edhe atë që na ka dhënë. Ta ndëshkojë rreptë këtë qeveri. Të bllokojë lëvizjen e lirë. Për të gjitha këto, liderët tanë opozitarë janë në ekstazë. Në delir. E mësuat? Kjo qeveri u mbyll në karantinë. Ndaj ta përmbysim për të shpëtuar. Vetëm ne ua garantojmë lëvizjen e lirë!?

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 24/08/2019 - 07:51

Studio më e freskët televizive me moderator Çim Pekën nuk kishte si të çelte siparin ndryshe, veç me të intervistuarin e parë, kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

Postuar: 24/08/2019 - 07:49

Një fushatë malinje dhe ç’kombëtarizuese po vazhdon prej kohësh me ulje ngritjet e saj nga

Postuar: 24/08/2019 - 07:48

Çdo vit e më shumë shtohet një nga fatkeqësitë kombëtare akoma e pa marrë seriozisht jo vetëm nga

Postuar: 24/08/2019 - 07:46

Kjo është përgjigja që merr nga fatorinot dhe shoferët e linjave urbane e ndërqytetëse të autobus

Postuar: 24/08/2019 - 07:45

Roli i lidershipit ka qenë dhe mbetet objekt studimi, për vetë domosdoshmërinë dhe interesimin që

Postuar: 23/08/2019 - 07:43

Beteja me informalitetin ka nisur me një tjetër ritëm.

Postuar: 23/08/2019 - 07:41

Shqipëria është nga të paktat "demokraci hibride" që të keqen e madhe të saj, e ka në m