Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Gërdeci, një krim që shqiptarët nuk mund ta harrojnë

Postuar: 15/03/2019 - 07:15

Një protestë që nuk do të na sjellë ndonjë gjë të re ne shqiptarëve të stërlodhur e të stërvarfëruar, nga kjo me nder klasë politike, që deri tani na ka sjellë vetëm fatkeqësi. Mes shumë fatkeqësive, Gërdeci mban kryet e vendit. Një krim, ende i pandëshkuar. I pandëshkuar, ashtu si shumë krime të tjera që i kemi peshqesh nga palo-politikanët që për afro 30 vjet na mbajnë të nënshtruar.

 Nesër e gjithë opozita do të jetë në protestë. Bashkë me të, edhe shumë të tjerë. Sepse sot për të protestuar çdo shqiptar ka të drejtë. Vetëm politikanët në të djathtë e në të mëngjër nuk kanë të drejtë të protestojnë. Pasi janë të vetmit shkaktarë të kësaj situate gati tragjike të këtij vendi në breg të Adriatikut.

Në mesditën e 11 viteve më parë, ndodhi krimi i Gërdecit. Ishin politikanët që e gatuan me kujdes, thjesht për të nxjerrë fitime të majme për veten e tyre. Dhe shpërthimi vrasës, ekzekutoi 26 njerëz dhe plagosi e gjymtoi 300 të tjerë. Ishin këta palo politikanë që edhe sot i kemi në krye të vendit që grumbulluan miliona tonelata predha për t’i demontuar vetëm 100, apo 200 metra larg shtëpive të banimit. Kështu do të arrinin të nxirrnin edhe fitime më të majme. Edhe pse e dinin fort mirë, se kështu nuk ndodhte kund tjetër demontimi i një sasie kaq të stërmadhe predhash. Po fitimi ua kishte errësuar sytë. Atë ditë edhe një fëmijë 7 vjeç, Erison Durda, sapo u zgjua, doli nga shtëpia të luante me biçikletë. E kishte shtëpinë shumë pranë kraterit vdekjeprurës. Dhe shpërthimi ishte fatal edhe për 7 vjetarin e pafajshëm. Shpërthimi i predhave e goditën edhe atë, ndërsa po luante në oborrin e shtëpisë. Erisoni ende akuzon gjithë klasën politike shqiptare. Që në mënyrën më shtazarake vrau sa deshi atë mesditë të 15 marsit, ndërsa më pas vetëm mbrojti kriminelët vrasës. Bile, sa nuk u akordoi edhe dekorata. E pse jo? Ish ministrin e Mbrojtjes, ndër fajtorët kryesorë, e gradoi ministër të Mjedisit. Një veprim grotesk i kësaj palo klase politike që shqiptarët vështirë se do ta harrojnë ndonjëherë. Pasi krimi i Gërdecit nuk do të harrohet edhe ndër breza. Nuk do të harrohet përderisa fajtorët e tij do të dalin para drejtësisë. Natyrisht jo, para plazhistëve të Durrësit, që kanë treguar se njohin vetëm teorinë e mosndëshkimit, kundrejt pagesës.

 Në mënyrën më të pamoralshme, kjo palo klasë politike pas vrasjes së 26 personave theksoi paq iu dridhur zëri: “Gërdeci është një incident teknologjik”. Këtij fyelli, kjo klasë politike që shqiptarëve u ka shkaktuar shumë fatkeqësi, vazhdon t’i bjerë edhe sot e gjithë ditën pa u ndalur.

Një justifikim që ngjall neveri në të katër anët e kësaj bote, pasi askush nuk e beson një justifikim të tillë. Kur të gjithë e dimë se më së shumti punëtorët ishin gra e fëmijë që u ngjanin më shumë skllevërve. Gërdeci, sido të vijnë punët në këtë Shqipërinë tonë, tashmë të shkatërruar nga kjo klasë politike, do të mbetet treguesi më i mirë e së vërtetës se ç’fatkeqësi madhore i ka shkaktuar kësaj Shqipërie kjo klasë politike që tamam, tamam është për t’u flakur me neveri në fundin e trekëndëshit të Bermudës. Bile edhe nëse ndodh një ditë, ne shqiptarët do ta kemi të vështirë të shpëtojmë prej kësaj klase vrasësish. Këtë po e ndjejmë edhe këto ditë, 11 vjet pas Gërdecit, kur vrasësit e vërtetë, askujt nuk i shkon mendja t’i ndëshkojë. 

Sot gjithë shqiptarët e kanë të qartë: Ndodhen nën hyqmin e një klase politike krejtësisht të përçudnuar që ka mbetur e pandëshkuar, edhe pse deri tani ka mësuar të artikulojë vetëm idiotizma me brirë, sa të gjithë ne ndjehemi të turpëruar prej saj. Jemi të trishtuar se po mbajmë mbi kurriz ca monstra me të cilat po çudisim botën mbarë, sa duket se dalëngadalë edhe ajo po na braktis. Shenjat na i ka dhënë të qarta. Me këtë klasë politike, vështirë se do të nisë bisedimet për futjen në BE. Jo këtë qershor, po as vitin tjetër e më tej. Kësaj klase politike së cilës i jemi nënshtruar ne shqiptarët dhe çuditërisht vazhdojmë ta mbajmë mbi kurriz, askush nuk i afrohet. Të gjithë miqtë tanë të mirë e shohin si të përçudnuar e të frikshëm për të sotmen e të ardhmen. Dhe jo vetëm për shqiptarët, por edhe për veten e tyre.

Sot shqiptarët përkujtojnë Gërdecin, krimin e rëndë shtetëror, por paturpësisht dhe çuditërisht të pandëshkuar. Nesër nën udhëheqjen e lloj-lloj malukati politik do të protestojmë që të ndërrojmë një h…le me një h …le tjetër. Çfarë mund të ndryshojë për shumicën e shqiptarëve në këtë rast? Asgjë! Kur e dimë mirë, se të dyja h… të janë të vetmet që e kanë fëlliqur gjithë Shqipërinë në këto afro 30 vjet dhe të dyja bashkë janë shkaktaret e vetme të ndotjes së madhe të Shqipërisë, të këtij vendi me plot pasuri në breg të Adriatikut, por të mbetur më i varfëri e kontinentit plak. Të paktën, Gërdeci është sot treguesi më ekzemplar i së vërtetës së kësaj klase politike që edhe pse ka humbur krejtësisht moralin po bën gjithçka të qëndrojë ende në fron. Edhe pse sot shqiptarët e stërlodhur nga mjerimi dhe varfëria ku kjo klasë politike i ka zhytur thonë gojëplotë: Sa të kemi në krye të punëve lloj-lloj maskarenjsh nuk do të kemi një ditë të bardhë. Dhe si zgjidhje për brezin pasardhës ka gjetur largimin sa më të shpejtë nga ky vend i zaptuar nga maskarenjtë. Nuk mund të themi ndryshe, përderisa kjo klasë politike lejoi demontimin e predhave luftarake as 100 metra, apo 200 metra larg shtëpive të banimit. Këtë gjë jemi të bindur se nuk do ta lejonin të ndodhte as fëmijët. Sepse edhe ata e dinin se demontimi as 100 metra larg shtëpive të banimit ishte thjesht një vetëvrasje prej budallai. Po kjo klasë politike e pranoi rolin e budallait për një fitim të madh edhe pse të përgjakshëm.

Sot është dita e Gërdecit. Protesta e nesërme sikur do të na thotë, se kjo klasë politike asgjë nuk ka ndryshuar. Për të, karrigia e pushtetit dhe e fitimit është mbi gjithçka. Ndërsa hesht për çfarë ka ndodhur në Gërdec, në… lumin e madh të poshtërsive që kjo klasë politike ka mundur të ngrejë gjatë këtyre 30 viteve të kësaj pseudodemokracie albaneze.

Sido të vijnë punët, Gërdeci është një krim që nuk mund të harrohet. Këtë duhet ta dijnë mirë pseudopolitikanët tanë, që vetëm moral nuk kanë. Për ta, Gërdeci do të mbetet një akuzë e rëndë, një akuzë që do ta trashëgojnë ndër breza.

Nga Riza HOXHA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/05/2019 - 07:14

Tito shpiku në fakt, të famshmen "Bashkim Vëllazërimin" mes popujve të ish Jugosllavisë!

Postuar: 21/05/2019 - 07:13

Ishte vendimi i Kongresit të Përmetit, ai që i dha shfaqjes tonë teatrale partizane titullin &ldq

Postuar: 21/05/2019 - 07:11

Politikanët tanë, veçanërisht ata në opozitë, pa përjashtuar edhe ndonjë zë të mekur minor, si të

Postuar: 19/05/2019 - 07:54

Shqipëria dhe shqiptarët po përjetojnë atë që pritej.

Postuar: 19/05/2019 - 07:52

Veprimi i 18 shkurtit i opozitës së votuar për të dalë përfundimisht nga parlamenti është dënuar

Postuar: 19/05/2019 - 07:50

Në intervistën në VOA, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, u përpoq të dukej si një tjetër Moni

Postuar: 18/05/2019 - 07:38

Prof.