BREAKING NEWS

Ja se si nobelisti Montagnier po hedh në erë Big Farmën dhe po zbardh veprimet kriminale me covid 19

Ja se si nobelisti Montagnier  po hedh në erë Big Farmën dhe  po
x

Opinion / Editorial

Gërmo Ilir Meta gërmo dhe … mos e përmend Skënderbeun

Gërmo Ilir Meta gërmo dhe … mos e përmend Skënderbeun

Në veprimet çmendurake që e kanë kapur presidentin tonë të nderuar në detyrë Ilir Meta, ajo e dekorimeve është më sarkastikja. Nuk po lë personalitet të shquar, më së shumti nga ata që nuk jetojnë më pa i dhënë një dekoratë nga ato që ligji ia njeh. Në gjykimin e parë nuk ka asnjë të keqe: me dhjetëra njerëz të shquar ka nxjerrë ky vend në luftë, në art, në kulturë dhe në sport, por edhe në veprimtari të tjera jetësore. Një pjesë e tyre mbetën në hije për shkak të politikës njëpartiake 50-vjeçare që kush ishte me cen në biografi (dhe këta ishin shumë sipas partisë se veç të dënuarit për një apo tjetër gabim apo faj, ndëshkimi shkonte deri në brezin e tretë e të katërt) nuk meritonte të vlerësohej. Por edhe në vitet e shumta të demokracisë, dekorimet që më së shumti bëheshin djathtas nuk është se ishin me prurje të shumta. Presidentët e mëparshëm dhe Ilir Meta i deri pak muajve më parë më tepër vegjetonin në zyrë ose më së shumti u kushtonin rëndësi situatave politike që kalonte vendi. Vetëm këta 4-5 muajt e fundit këto dekorime kanë marrë një vrull sasior sa, nëse i numëron mund të jenë më shumë së në 100 vite histori shqiptare të marra së bashku. Nëse do të më bëhej pyetja normale dhe e logjikshme se shoh unë në të dekoruarit ndokënd që nuk e meriton, padyshim që përgjigja ime do të ishte e prerë dhe negative, jo. Sa për konkretizim: A ma zë mua goja të them se nuk e meritonin të dekoroheshin luftëtarët e ‘20 në Vlorë që nuk pyetën për tela me gjemba dhe gryka mitralozash italianë, por i hodhën ata në det? Absolutisht që jo. A ma zë mua goja të them se nuk e meritonin dekorimin sportistët më të mirë të Partizanit të famshëm (një pjesë të të cilëve i kam patur pedagogë të edukimit fizik) apo ata të 17 Nëntorit të dikurshëm? Padyshim që jo. Të gjithë të dekoruarit e presidentit tonë të nderuar janë njerëz me kontribute në profesionin e tyre. Kanë qenë lapidarë në qëndresën e tyre ndaj sistemit që nuk e donin madje e kundërshtonin, kanë qenë legjendë e sportit shqiptar me arritje botërore, kanë shkëlqyer në artin modest shqiptar dhe po ashtu kanë dhënë kontribut të shquar në lulëzimin dhe përparimin ekonomik të vendit tonë. Jo vetëm ata që janë dekoruar deri tani, por edhe dhjetëra qindra të tjerë që janë në aktivitet apo janë larguar nga kjo jetë meritojnë një vlerësim shtetëror institucional jo vetëm nga presidenti, por edhe nga njësi të tjera administrative. Por mënyra dhe shpeshtia e dhënies së këtyre dekoratave dhe koha që po jepen me kaq ngut nga presidenti Ilir Meta të krijon një shije jo të mirë. Pyetja e parë që të vjen ndërmend për t’ia drejtuar presidentit është: (perifrazuar nga një ngjarje historike botërore) Ku ishe ti Ilir Meta këta tre katër vjet që je ulur në kolltukun presidencial dhe në këta vite nuk ke dhënë kaq shumë dekorata? Përse u kujtove ti këta 5-6 muaj përpara ditës së zgjedhjeve të 25 prillit të këtij viti për ta kthyer Presidencën në punishte dhe shpërndarje dekoratash? Të gjithë e dinë përgjigjen: skraparlliu që mburret se ka lindur në ato male mendon se duke shpërndarë sa më shumë dekorata do të bëjë për vete politikisht familjet e të dekoruarve dhe t’i ketë vota të sigurta në votimet që presim. Nuk i do për vete, por për Monën. I gënjen mendja se me një dekoratë blen (e ka ves shitjen dhe blerjen dhe siç thotë populli, vesi del vetëm me shpirtin) vota duke kujtuar se jemi ende në fillim vitet ‘90. Atëherë kur pjekuria politike dhe intelektuale nuk kishin nivelin e sotëm dhe populli më së shumti shkonte pas berihajit. Atëherë kur populli hante ende bukë misri dhe të verdhë madje dhe ëndrrën më të madhe kishte një shtëpi. (Në këtë kuadër më lejo të të tregoj një ngjarje të jetuar në fillim vitet ‘90. Hodhi një miku im kandidaturën për deputet dhe siç çoi në disa fshatra të komunës nga një makinë miell, do të çonte një të tillë edhe në vendlindjen time. Më ftoi ta shoqëroja. Nuk ia prisha. Makina me miell përpara dhe ne me benzin e rehatshëm të kandidatit pas shkuam aty një ditë korriku. Lamë nja tre-katër djem të shpërndanin miellin dhe ne morën nga një birrë të ftohtë në verandën e një lokali aty afër. Kur pothuajse ishte shpërndarë gjysma e makinës, vjen pas saj një bashkëfshatari im në moshë të marrë racionin. E ndihmuan djemtë ta ngarkonte thesin në gomar dhe mënyra se si ai falënderoi ndihmuesit i bëri përshtypje kandidatit që e thirri të vinte pranë nesh e të pinte një birrë. Sapo i erdhi birra e thithi menjëherë gjysmën. E pyeti kandidati: Ç’bëhet? Bashkëfshatari im ishte llafaqejf i madh: Po ja ka ardhur një burrë përsëmbari dhe na ka sjellë dhuratë nga një thes miell. Brus ia bëftë perëndia. Është ky i them unë. Çohet bashkëfshatari dhe zgjatet t’i puthë dorën, por nuk e lë kandidati. Qenke burrë i mirë dhe zoti të ndihmoftë. Po nuk më the me cilën parti ke hedhur kandidaturën? Ia tregojmë. Uli kokën një çast bashkëfshatari dhe: qenke vërtet burrë i mirë, por paske zgjedhur parti të gabuar. Tani, ose ta nxjerrë këtë gjysmë birre që kam pirë ose ta pi dhe këtë gjysmën tjetër dhe ta paguaj vetë. Të kthej edhe miellin se unë votën do ia jap partisë time, asaj që ja kam dhënë tërë jetën. Çuna iu drejtua kamerierëve kandidati, një birrë tjetër xhajës. Çuna u drejtua nga makina, ngarkojini edhe një thes tjetër xhajës. U çua, e puthi në ballë xhajën dhe: të faleminderit që më fole hapur po ç’t’u bëj këtyre të tjerëve që thesin po e marrin dhe votën s’do ma japin. Dhe vërtet, nga 70 thasë me miell që shpërndau në atë fshat, vetëm shtatë vota mori. Ndaj edhe ti o presidenti ynë, mos u gëzo shumë se nuk do të japin vota të gjithë ata që po marrin dekorata. Nuk them se sot është zhdukur plotësisht varfëria apo është siguruar për të gjithë strehimi, por shumica e popullsisë i ka siguruar të mirat minimale të jetesës dhe falë edhe mediave të shumta ka më qartësi për procesin e zgjedhjeve. Me legjislacion duke ardhur çdo ditë në sigurimin e votës dhe dënimin e atyre që duan ta sigurojnë pabesisht, votuesit janë qartësuar dhe nuk mund të gënjehen me një dekoratë dhe një thes miell. Mesa duket ka për t’i shkuar dëm e gjithë kjo përpjekje gjoja përkujdesjeje që po shfaq Lirua këto kohë. Ai vazhdon të gërmojë në analet e historisë për të gjetur të tjerë heronj e dëshmorë, që Shqipëria i ka me shumicë për t’i dekoruar, por duket se i ka ngecur sharra në gozhdë dhe ne do të shikojmë në vazhdimësi a do të jetë ai Iliri i Kushtetutës tashmë që KQZ ka ndaluar çdo aktivitet promocioni këto muaj. Do të dëshironim që presidenti ynë t’i japë fund kësaj fasade që herë kthehet në qesharake dhe të lërë ca dekorata për t’i dhënë pas 25 prillit dhe të tregojë se nuk është Santa Klaus vetëm përpara fushatës elektorale, por i tillë është gjatë gjithë periudhës kur është në Presidencë. Nëse vazhdon edhe tani me dhënie dekoratash me shumicë, kam për presidentin një kërkesë personale: Gërmo Ilir gërmo dhe do gjesh se edhe unë dikur kam qenë i dalluar në spartakiadat e kooperativave bujqësore si futbollist dhe kam qënë edhe kampion shahu në ushtri. Mbase më bie edhe mua radha të më japësh një dekoratë. Dhe meqë këtë vit fole me aq superlativa për heroin tonë kombëtar (ku ishe vitet e tjera mo Ilir) po të isha këshilltari yt nuk do të lejoja ta bëje. Shembulli i Skënderbeut me jetën dhe veprën e vet është dhjetra mijëra km drite larg nga ty. Ai 25 vjet sakrifikoi gjithçka për mëmëdheun ndërsa ti ke 25 vjet që po e mjel pa kursim atë në të mirë të familjes tënde.