BREAKING NEWS

Rama jep lajmin e mirë në mesnatë nga Infektivi

Rama jep lajmin e mirë në mesnatë nga Infektivi
x

Opinion / Editorial

Gëzuar 7 Marsin PNL!

Gëzuar 7 Marsin PNL!

PNL është shkurtimi për gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Stafit të mrekullueshëm pedagogjik të kësaj shkolle i uroj nga zemra Festën e Mësuesit, jo vetëm pse sa do të doja të isha petronins i vjetër, jo vetëm pse pak muaj më parë Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca u shpreh në ditën e 60 vjetorit të shkollës se ndihej edhe ai petronins, por për vlerat që ky staf mësimor ngërthen. Mësuesit e saj janë krenarë që shkolla e tyre mban emrin e një prej rilindasve më të shquar të historisë së Shqipërisë, Mësuesit të Popullit, publicistit dhe pionierit të hapjes së shkollave shqipe në Kolonjë dhe Ersekë, drejtuesit të Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, Petro Nini Luarasit. Një trashëgimi epokale kjo, e ruajtur me kujdes, përkushtim dhe e mbartur me sukses nga një ekip-plejade mësuesish shembullorë. Gjimnazi Petro Nini Luarasi përfaqëson një shkollë komunitare dhe shkollë elite. Ajo ka qenë e aftë të rrisë breza nxënësish që e kanë provuar veten të suksesshëm dhe rezultativë në të gjitha sferat e jetës. Suksesi i shkollës i dedikohet në radhë të parë një stafi pedagogjik të përgatitur, të ndershëm dhe të përkushtuar. PNL identifikohet me nivelin e lartë të mësimdhënies dhe disiplinës në realizimin e programit mësimor. Cilësia e mësimdhënies dhe besnikëria e përkushtimi ndaj programit mësimor e ka bërë këtë institucion publik të nxjerrë personalitete që kanë shkëlqyer në shkencë, art, kulturë, pedagogji, politikë etj. Është tipar i pandashëm dhe traditë tashmë e shkollës ndër dekada prania gjithnjë në rritje e nxënësve të ekselencës. Vetëm në Maturën 2019, shkolla renditi 36 maturantë me mesataren e notave 10.00. Në provimet e maturës shtetërore 2019 me notën 10 u vlerësuan në matematikë 57 nxënës, në gjuhët anglisht dhe frëngjisht 203 nxënës, ndërsa në lëndët me zgjedhje 163 nxënës. PNL përbën një djep profesional dijesh, pse reflekton investimet e kryera në të, duke ngritur ndër vite e dekada laboratorë mësimore model për kohën, këndin sportiv më te mirë në Republikë, duke rregulluar estetikisht mjediset brenda dhe jashtë shkollës, për ta kthyer institucionin në një eksperiencë aq të pashlyer e të bukur jete. Meritat preferenciale (lëndët e zgjedhura), si dhe vlerësimi i Maturës Shtetërore kanë ndikuar drejtpërdrejt në përzgjedhjen dhe vijimin e studimeve universitare për maturantët e shkollës. Për arritje të spikatura në Maturën shtetërore 2014, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Rinisë i ka dhënë gjimnazit “Petro Nini Luarasi” çertifikatë vlerësimi. Shkolla është përfshirë vazhdimisht në projekte dhe nisma nga Ministria. Të tilla kanë qenë pilotimi i laboratorëve digjitalë, ku nxënësit zhvillojnë orë mësimi me tableta dhe tabela interaktive; realizimi i videove tutoriale për nismën “3 lëndë në 6 orë” në lëndët letërsi, gjeografi, filozofi dhe informatikë; pilotimi i oficeres së sigurisë në shkollë në vitin 2018. Në vitin 2014 shkolla si qendër komunitare ishte e vetmja shkollë e tillë në Tiranë. PNL është shquar gjatë gjithë kohës për numrin e lartë të nxënësve me notën mesatare mbi 8, ndërsa ende vijon të mbajë koefiçentin më të lartë ndër gjimnazet e Republikës për numrin e nxënësve që kanë vazhduar shkollat e larta brenda dhe jashtë vendit. PNL ka realisht magji në gjirin e vet. Tharmi, elementi unik që të tërheq dhe të magjeps tek ky institucion, kur thua petronins, nënkupton një mjedis klubesh të vullnetarizmit, matematikës, të fizikës, të gjeografisë, të biznesit, të gjuhëve të huaja etj; një mori veprimtarish nga të gjitha sferat dhe interesat e jetës; një mjedis ku ndërthuret natyrshëm cilësia e procesit të mësimdhënies dhe përvetësimit të dijeve, pra formimi shkencor i nxënësve të saj, me eksperiencën dhe formimin në radhë të parë njerëzor dhe qytetar. Kjo i dedikohet tërësisht dashamirësisë dhe përkushtimit të stafit pedagogjik të shkollës. Shkolla është ndër institucionet më komunitare në Republikë, djep nismash nga më të larmishmet, nga ndihma për më të moshuarit në projektin “Adopto një të moshuar” të Komunitetit të San Exhidios në Shqipëri tek dhënia e abetareve shqip për disa shkolla në Itali, ku mësohet shqip; tek pjesëmarrjet e suksesshme në konkurse artistike, në ese për Bashkimin Evropian, në gara sportive; tek historia e klubit rinor PNL “Youth Club”, i mbushur me aktivitete për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, për Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës e shumë nisma të tjera në komunitet; apo tek Klubi i Biznesit, i formuar në vitin 2001, i cili 11 vite më vonë krijoi kompaninë “Hakuna Matata” dhe e përfaqësoi Shqipërinë në një konkurs ndërkombëtar për nismat e sipërmarrjes së nxënësve të shkollave të mesme në Londër, duke u radhitur ndër 9 skuadrat më të mira pjesëmarrëse; apo tek Klubi “Alba Junior”, i cili me mbështetjen e ambasadës italiane në Tiranë, ka realizuar një sërë aktivitetesh, ndër të cilat spikat në maj 2017 fitimi i vendit të dytë në Festivalin Ndërkombëtar të Kinemasë GEF, Edicioni i 19-të, me temë “Festivali Botëror i Kreativitetit në Shkolla”, me finalet në San-Remo në Itali. Institucioni mban vendin e parë mes gjimnazeve të vendit, për nga pjesëmarrja dhe numri i nxënësve fitues në olimpiada, konkurse dhe aktivitete të tjera shoqërore, artistike e sportive. Kur thua petronins, nënkupton një institucion ku qeveria e nxënësve funksionon jo vetëm në letër; ku senati i parë i shkollës e nisi aktivitetin që në vitin 1997. PNL është mjedisi ku betimi i senatorëve dhe senatoreve të klasave ka vlera dhe emocione reale; ku liria e të shprehurit të nxënësit është kusht “sine qua non” për demokracinë e mirëfilltë arsimore; ku zbatimi rigoroz i kurrikulës mësimdhënëse nuk përjashton sfidën ndaj nxënësve që të arsyetojnë në mënyrë analitike, të mendojnë në mënyrë krijuese dhe të argumentojnë në mënyrë kritike; ku aktivitetet bashkëpunuese me shkollat e tjera partnere brenda dhe jashtë vendit, si dhe projektet dhe aktivitetet jashtëmësimore kultivojnë miqësi të qëndrueshme. Ja pse sot uroj me gjithë zemër gëzuar 7 marsin shkolla publike model dhe elitë Petro Nini Luarasi!