Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Gjëegjëzat”, që nuk kanë të sosur!

Postuar: 06/12/2018 - 07:13

Janë të shumta por përmbledhtazi përmblidhen në një të vetme: Ku duket “mjalta” më e hidhur se balta”? Dihen tashmë fjalët e një të mençuri kur shkruante se “ku është balta më e ëmbël se mjalta” por kjo thënie, mbas shumë dekadash është kthyer në të kundërtën e vet. Është një vend i bekuar nga natyra “zemërgjerë” që ja krijoi të gjitha privilegjet dhe ua plotësoi të gjitha dëshirat që i kërkuan banorët e tij. Ja fali natyra por askush prej tyre, nuk i shijon. I dha pasuri të shumta nën e mbitokësore, por qytetarët e saj janë më të varfërit. I dha dete e lumenj, i dha fusha pjellore ku rriten e kultivohen të gjitha llojet e bimësisë, por banorët e saj janë më të “palarët” e më të “pangrënët” nga të tjerët. Dhe, a e dini që atje, ku është “ari i zi” dhe “ari i verdhë”, atje edhe varfëria është më e madhe? Ka pasuri të mëdha nafte, por kjo, jo vetëm që nuk u ka përmirësuar jetesën banorëve të saj por përkundrazi, i ka lënë edhe pa shtëpi sepse ja ka prishur edhe kasollet, ja ka helmuar tokat, ja ka helmuar edhe ujin e po helmon edhe detet e lumenjtë! Thonë, them thonë sepse askush nuk e di se sa ton naftë nxirret në vit, por diku e kam dëgjuar që nxirret rreth një milion ton në vit? Përse ka shërbyer kjo? Përveçse ka sjellë sherre e grindje me të huajt dhe me punonjësit që kanë punuar për vite me rradhë për nxjerrjen e saj, asnjë përmirësim nuk ka sjellë në rritjen e mirëqenies. Edhe atje ku del floriri, banorët e saj janë më të varfërit, atje ku edhe fëmijët marrin në sy vdekjen dhe përpiqen që të mbijetojnë! Ata që kanë gërmuar në thellësitë e nëntokës, ata që jetojnë rreth e qark këtyre minierave, janë më të varfërit. Më duket sikur quhen Bulqizë, Batër, Reps apo diçka aty afër. E çfarë i ka sjellë ky fat që i serviri natyra duke i dhënë flori të të gjitha ngjyrave? I ka sjellë biletat më të shtrenjta në Europë e qytetarët shkojnë atje ku nuk ka naftë për të blerë biletat e avionit apo të trageteve më të lira! S’janë vetëm çmimet e biletave më të larta në Europë, por janë të gjitha, edhe të artikujve ushqimorë, edhe të barnave e deri tek portieri që rri në derën e spitalit, duhet ta paguash!

I dha natyra fusha pjellore, por nuk kanë as grurë e as misër. Miell marrin atë që Europa e përdor për bagëtitë sepse vendin e grurit dhe misrit tonë e përdorin për të mbjellë helmin, për të mbjellë atë që i shkurton jetën e jo atë për të zgjatur jetën. Po kullotat përrallore. Kullota të tilla që të mund të mbahen miliona kokë bagëti, por jo. Qytetarëve u “shijon” më shumë mishi që vjen nga Brazili me salmonelë apo kalbësirat e fqinjëve që në vend që ta hedhin, ua bëjnë “peshqesh” komshinjve!

I dha natyra pyje me të gjitha llojet e drurëve, por shumica nuk ka as krevatë prej dërrase e askush nuk i shijon përveç atyre që këta pyje i shkatërrojnë, i trafikojnë dhe shumica e qytetarëve mobiljet i blejnë si “frëngu pulën” sepse paguajnë edhe rrugën e mjeteve që sjellin drurët nga vendet skandinave! Edhe drutë e zjarrit, fukarai që jeton në vendet me dimër të ashpër e marrin metrin kub sa një pension mujor që merr fermeri në fshat.

Po plehrat kimike? Me shitjen e atyre frutave që shet fermeri, nuk nxjerr as një të dhjetën e atyre plehrave kimike apo pesticideve që ju hedh. Pjesa tjetër i mbeten në magazinë derisa të bëhen pleh!

Po vjen një shekull rrotull dhe qytetarët nuk e kanë ngopur njëherë barkun me bukë, herë me triskë, herë me tollon, herë me bllokadat e “armiqve”, qytetarëve u është dashur të shtrëngojnë vetëm rripin! Pse kaq të mallkuar sikur ta kishim zënë Zotin me gurë? Na ka dhënë natyra ujë me bollëk dhe siç kemi dëgjuar politikanët është vëndi i dytë në Europë për sasitë e mëdha të rezervave ujore që kemi. Me këto rezerva ujore kemi ngritur hidrocentrale për të marrë dritë. E pastaj? Përse na duhet ky ujë me bollëk përderisa kilovatin e energjisë elektrike e paguajmë më shtrenjtë në Europë duke i kaluar edhe vendet që ujin e kanë me pikatore? Dëgjoni përditë që banorët ankohen për mungesën e ujit për të pirë, për perimet e kopshtit, për prodhimet. Asnjë pikë ujë! Nuk ankohen vetëm njerëzit, por ankohen edhe “bimët”, “ankohen” edhe prodhimet bashkë perimet! Uji është një pasuri e madhe për të vjedhur vetëm disa nga ata mijëra e mijëra që mbushin kafenetë ditë e natë. Po si është e mundur që kamerieri të sjell kafenë dhe nuk të sjell një filxhan ujë që ta shoqërosh? Dhe mos guxo t’i thuash, sepse do të të përgjigjet: “Hidhu që të pini ujë”! Dhe “hidhu” do të thotë të paguash më shtrenjtë se kafenë një gjysëm litri ujë e diku më tej, të paguash edhe tre apo katër fishin e kafesë një gjysëm litri ujë.

Na fali natyra jo vetëm vende të mrekullueshme malore, por edhe një bregdet të virgjër me një bukuri mahnitëse. Edhe sot, mbas shumë dekadash ka mbetur ndonjë cep i virgjër siç thonë sepse shumica e bregdetit është “zhvirgjëruar” dhe është bërë si një “prostitutë”, të më falin për shprehjen, e veshur rrecka-rrecka! Privilegjet që i dha natyra këtij vendi nuk ja dha askujt tjetër. Jo vetëm që ja dha, por edhe e vendosi në një vend të sigurt me “bekimin e Zotit” që të mos ja shkatërronte asnjë nga ato që quhen fatkeqësi natyrore, si tërmete, tajfune, ciklone apo cuname. Edhe disa përmbytje janë bërë, por nuk kanë ardhur nga Zoti, por nga “koka” e disave që nuk kanë bërë asnjë investim në shtretërit e lumenjve e nuk njohin asgjë tjetër përveçse të vjedhin.

“Lavdi Zotit” themi për këtë “privilegj” nga fatkeqësitë e natyrës, por cila është ajo forcë edhe më shkatërrimtare nga fatkeqësitë e natyrës? Edhe kjo është një “gjëegjëzë”! “Gjëegjëzat” janë të shumta, nuk kanë të sosur. Ç’do vend në këtë Planet qeveriset nga disa, që qytetarët i quajnë si më të aftë për të qeverisur e për të menaxhuar këto pasuri të shumta. Por cili është ai vend që qytetarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre për të rregulluar diçka, kurse ata bëjnë të kundërtën, paguhen për të shkatërruar, për të mbjellë urrejtje, për të mbjellë përçarje? “Koka e këtyre është në “pushtetin e parë” atje ku përfaqësuesit e popullit që quhen opozitarë, nuk shkojnë por dalin rrugëve me pretekstin për t’i ardhur “në ndihmë qytetarëve”. “Bishtalecët” e popullit, punët i fillojnë nga bishti! Sherre, grindje, urrejtje, përçarje pa fund që fillojnë nga “koka”! Të paguash deputetë e politikanë që të shkatërrojnë, kjo është pa ç’është! Kemi tridhjetë vite që dëgjojmë vetëm kriminelë, burg, pranga, narkotikë, trafikantë, drogaxhinj prostituta... Kush merret me drogë e kush drogohet nuk merr vesh i pari të dytin. “Gjëegjëzat” vazhdojnë e nuk gjenden...

Cili është ai vend në botë, që pasanikët më të mëdhenj janë kriminelët dhe hajdutët që kanë grabitur djersën e të tjerëve? Kjo është njëra anë dhe kjo nuk mbaron këtu. Është një pushtet i tretë apo i drejtësisë që ka bërë padrejtësitë më të mëdha. Siç thuhet nga statistikat, një e pesta e gjykatësve dhe prokurorëve me apo pa “plepa” kanë tjetërsuar pronat, kanë dhënë vendime të padrejta, kanë shkaktuar zemërime pa fund? Çudia është që asnjë gjemb nuk u hyn në këmbë, përkundrazi, ata mbeten të nderuar dhe të gjitha padrejtësitë e tyre i paguajnë viktimat! Hajdutët dhe kriminelët, jo vetëm që nuk ndëshkohen, por nuk u sekuestrohet as ajo që janë vjedhur. Nuk u sekuestrohet pasuria as atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë vënë pasuri përrallore me “çekiçin” e drejtësisë. Përkundrazi, pasuria ju merret minatorëve që kanë punuar me vite thellë nën tokë dhe sot marrin një pension qesharak! U merret pensioni ish ushtarakëve që i qëndruan roje besnike pasurisë dhe djersës së popullit, që nuk morën asnjë grosh me ndërrimin e sistemit kur hajdutët me “licensë” shtetërore u sulën “Yxhym” përpara për të rrëmbyer. Duket sikur po vinte një sistem i ri, por në fakt po përjetojmë sistemin më primitiv! Jo vetëm që nuk morën asgjë ushtarakët në rezervë, por do të kthejnë edhe djersën e tyre që u takonte dhe që e kanë marrë në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Flitet shumë ditë për ditë se do merren këstet sot e do të merren mot. Do të merren këstet nga ish të përndjekurit dhe mirë bëhet por për atë të “dënuar” në liri që mbijetojnë vetëm me një pension do ta kthejnë mbrapsht edhe këtë pension sepse kanë “përvetësuar” djersën e të tjerëve! Asnjë centim nuk kthejnë ata gjykatës që kanë marrë këto vendime. Gjëegjëzat janë të shumta por më parë duhet gjendur vendi se ku ndodhin këto gjëra. “Është një vend në faqe të dheut, thotë i Madhi Konica, ku katilin e kanë për njeri të nderuar, hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon, e fshehin nga i vetëthëni gjyq, në iu tektë sëvetëthënës polici të bëjë sikur e kërkon, edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit, (ligjit) e shajnë dhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm...! Përderisa Faik Konica i ka thënë mjeshtërisht këto fjalë, më mirë le t’ja lëmë atij që ta gjejë “Gjëegjëzën” tonë “...Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë. Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë, kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës por në Europë”. A nuk ka të drejtë Konica kur thotë që “Armiqtë më të mëdhenj të këtij vendi janë vetë vendasit? 

Nga Pandeli BARDHI       

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 9

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:17

 Përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit mes dy dhjetorëve dhe për të përfituar frytet e një lëvizjeje masive studentore, e cila deri tani në thelb ka disa kërkesa dhe që mundet nesër të përparojnë dhe me të t

Postuar: 09/12/2018 - 07:16

 Në ditën e shpallur nga Sali Berisha si "dita e Rinisë" dhe sigurisht e

Postuar: 09/12/2018 - 07:14

 Ka më shumë se një muaj që banorët e unazës se re protestojnë ditë e natë, në mbrojtje të b

Postuar: 09/12/2018 - 07:13

 Nuk është vetëm dufi i studentëve.  Protesta e tyre ka trazuar gjithë shoqërinë.

Postuar: 08/12/2018 - 07:22

Ҫdo vit, miliona njerëz detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehë si refug

Postuar: 08/12/2018 - 07:21

Njohja me një vendim për ngritjen në Shqipëri, të varrezave të ushtarëve grekë të vrarë gjatë Luf

Postuar: 08/12/2018 - 07:20

Një opozitë që nuk frymëzon! Është ky konstatimi që e bën kushdo në këtë vend.