BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Gjendja Civile nën akuzë, alibi e opozitës për vjedhje të zgjedhjeve

Gjendja Civile nën akuzë, alibi e opozitës për vjedhje

Akuzat për vjedhje të zgjedhjeve nisin të artikulohen që ditën e përfundimit të tyre. Kështu ka ndodhur në tri dekada demokraci në Shqipëri. Në zgjedhjet e vitit 2013. Në 2017. Dhe në zgjedhjet lokale në qershorin e vitit 2019, ku opozita braktisi garën dhe bëri fushatë kundër pjesëmarrjes me qëllim që qytetarët të bojkotonin. Në përfundim, referuar listës numerike edhe për gjysma e qytetarëve me të drejtë vote larguar nga Shqipëria, deklaruan se populli nuk mbështeti qeverinë dhe tetëdhjetë e pesë për qind bojkotuan. Këto u regjistruan vota për opozitën. Argumenta të shumta, akuza nga më të ndryshmet janë deklaruar si të vërteta absolute sa herë opozita jonë nuk ka dalë fituese në zgjedhjet e radhës. Ky qëndrim është i njohur, pothuaj është bërë viral sa herë nuk arrihen treguesit që synojnë forcat politike, dështojnë objektivat për fitore. Faji mbetet jo tek pamundësia për të bindur qytetarët për mbështetje mbarëpopullore për të dhënë verdiktin e tyre se kush do i qeverisi, po më shumë për të gjetur alibi që të fajësohet kundërshtari, i cili akuzohet se vodhi votat, i sabotoi ligjet. Shkeli me të dyja këmbët Kodin Zgjedhor dhe mijëra justifikime për të dalë të pacënuar moralisht liderët politikë që t`ia hedhin paq mbështetësve, duke u shfajësuar dhe akuzuar se nuk ka qenë faji i tyre për humbjen, po atyre që kanë pasur përballë, që kanë manipuluar në shkallë të gjerë procesin zgjedhor. Ky stil, kjo metodë, kjo praktikë është e njohur në këto tri dekada si strategji pothuaj e të gjitha forcave politike. Secili prej humbësve, përveçse është vetëshpallur fitues, ka akuzuar palën fituese si manipulatore të proceseve zgjedhore dhe fitorja e tyre nuk është e merituar, përkundrazi është e vjedhur. Dhe mbi këtë bazë nisin kontestimet, bojkotet, protestat pa fund. Kjo alibi për të larguar nga vetja përgjegjësitë, është kthyer në mekanizëm që përdoret në stil të gjerë, shitet si një mënyrë për të larë duart nga përgjegjësitë para mbështetësve, militantëve dhe kritizerëve brenda kampit të partive humbëse. Në këtë rrugë ecet edhe ditët e sotme kur qeveria, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, janë vënë nën akuzë të rëndë se janë duke manipuluar adresat dhe po kryejnë një operacion të gjerë spastrimi, manipulimi total dhe transferimi të votuesve për të krijuar zhvendosjen e simpatizantëve të opozitës për t`i larguar nga qendrat e votimit nga frika se ata do jenë votë kundër mazhorancës. Një gjykim i tillë është më e pakta subjektivist pasi askush nuk e di se për cilin voton një qytetar i zakonshëm në një zonë apo fshat. Kjo provohet fare lehtë kur cilido nga kandidatët që kërkon të fitojë një vend në Kuvendin e Shqipërisë kur takohet me elektoratin, të gjithëve iu thonë se: Vota ime dhe e familjes time është për ju! Ta gëzoni! Fjalë burri. Kështu për dhjetë e më shumë kandidatë, të gjithëve ua premtojnë votën si pa të keq edhe pse secili ka vetëm një votë dhe nuk mund të kënaqë një duzinë me kandidatë. Në këtë aspekt opozita përdor të gjitha mekanizmat për të hedhur baltë mbi procesin, paraprakisht për të krijuar shtratin e nevojshëm për post zgjedhjeve. Nëse fiton, të gjitha alibitë harrohen. Nëse humbet, atëherë akuzat shumëfishohen dhe bëhen platformë për të justifikuar humbjen që liderët ta kapërcejnë disfatën pa asnjë gërvishtje nga simpatizantët dhe mbështetësit e tyre në radhë të parë për kritikët, ata që kanë shprehur mosbesim për performancën e lidershipit që udhëheq partinë prej shumë vitesh. Aktualisht sipas radhës në qendër të goditjeve është vendosur, Gjendja Civile e Shqipërisë. Ky është hapi i parë, sulmi fillestar, numri një në listën e planit luftarak për të delegjitimuar zgjedhjet. Shqiptarët, brezat që kanë jetuar në sistemin monist e dinë shumë mirë se Zyrat e Gjendjes Civile në tërë territorin e Shqipërisë, kanë qenë institucioni më serioz i shtetit. Nuk kishte asnjë mundësi që një fëmijë i lindur të mos regjistrohej. Një i vdekur të mos fshihej nga defterët. Llogaria e lindjeve dhe vdekjeve, transferimeve apo largimeve nga një qendër në tjetrën, ishte e kontrolluar rreptësisht. Besueshmëria ishte absolute. Për këtë po sjell një fakt të përjetuar. I gjendur në kufirin me Austrinë, përballë policit të kontrollit të dokumentave, një nga udhëtarët shqiptarë pati problem dhe gati të moslejohej të hynte në Austri. Nëpunësi i kontrollit në fund i kërkoi ndonjë dokument tjetër veç pasaportës ndërkombëtare. Shqiptari si me përtesë i zgjati letër njoftimin e kohës së komunizmit. E vogël. Ngjyrë mavi. E shkruar me bojëtush, me bukurshkrim, pastër me gërma të rrumbullakuara. Nëpunësi i kufirit sapo e mori në dorë pa mëdyshje iu drejtua: Po. Korekt, mund të kalosh. Ishte pasaporta shqiptare më e besueshme edhe mijëra kilometra larg atdheut. Një shembull se si shteti monist e pajiste qytetarin e vet me një dokument që konsiderohej i patjetërsueshëm,unik i pavënë në dyshim. Jo vetëm regjistri i gjendjes civile për lëvizjen dhe demografinë ishte model dhe i pakontestueshëm, po edhe gjëja e gjallë,blegtoria kontrollohej nga specialistët dhe ishte një model rigoroziteti. Redikondet blektorale, ishin libri i llogarive të ndërmarrjeve bujqësore e kooperativave nga Konispoli në Vermosh. Edhe ky dokument ishte më i plotë se libri themeltar i shtetasve pas vitit 1990. Lëvizjet kaotike, shpërnguljet pa kriter, bën që edhe inventari njerëzor të humbiste. Mbisundoi rrëmuja, çrregullimi, pasaktësia. Vendi u mbush me qytetarë anonimë, pa adresë, pa identitet. Veçanërisht adresat dhe përcaktimi i vendndodhjes të banorëve ishte i pakontrollueshëm. Adresa specifike, thesi i madh i anonimëve që përfshinte një numër shumë të madh të panjohurish ishte shifra 999. Adresë rrumpallë. Ky ishte dhe kontingjenti më i mundshëm, reparte të gatshme, grupe sulmi, mbushës me të cilët penetrohej dhe përdoreshin për mbushjen e kutive të votimit, atje ku i nevojitej vota partisë. Ky fenomen duhej vënë nën kontroll. Po këtu nisin ankesat dhe vërshojnë akuzat. Partia Demokratike, deklaron se ka bërë kallëzim penal ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj. Ky kallëzim penal i dorëzuar në SPAK nga PD, është depozituar për 3 vepra penale: Falsifikim i dokumenteve shpërdorim i detyrës, shkelje e të drejtës së zgjedhjes. Ndërkohë në kallëzim i kërkohet SPAK-ut të sekuestrojë të dhënat kompjuterike, siç është Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile për të vërtetuar ndërhyrjet e paligjshme në sistem, që sipas Partisë Demokratike, është kryer me qëllim ndryshimin e adresës së vendbanimit dhe, për rrjedhojë, të pengojë qytetarët të votojnë, përmes ndryshimit të vendvotimit. Partia Demokratike denoncon: Manipulimi me regjistrin e gjendjes civile, padit në SPAK Sandër Lleshaj dhe Bledar Doracaj: Qëllimi i qeverisë ishte manipulimi i listave të votuesve. Çështja e ndryshimit të vendbanimit të qytetarëve, pa kërkesën e tyre me qëllim manipulimin e listave të votuesve duhet të hetohet nga SPAK. PD bën përgjegjës ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, për 3 vepra penale: Në padinë e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion i kërkohet të sekuestrojë të dhënat kompjuterike, siç është Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile për të vërtetuar ndërhyrjet e paligjshme në sistem me qëllim ndryshimin e adresës së vendbanimit dhe, për rrjedhojë, të pengojë qytetarët të votojnë, përmes ndryshimit të vendvotimit. “Rastet e denoncuara nga shtetas të ndryshëm për një periudhë rreth 2 javore mbi ndryshimet e vendbanimeve, pa dijeninë e tyre, tregojnë për tentativat për të manipuluar listat e zgjedhësve shqiptarë nga personat përgjegjës, ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile”, thuhet në padi. Dhe në vijim: Ligji për Gjendjen Civile dhe Kodi Zgjedhor janë shumë të qartë lidhur me këtë çështje. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile ndikon në procesin zgjedhor, duke ndryshuar menjëherë qendrat e votimit ku duhet të votojnë qytetarët shqiptarë. Sipas nenit 46 të Kodit Zgjedhor në fuqi, qendrat e votimit bazohen te kodi i vendbanimit. Duke iu referuar nenit 15 pika 3 i ligjit “Për gjendjen civile”, në padi jepen argumenta se vendbanimi ndryshohet vetëm me kërkesën e shtetasit. Duke vënë në dukje se SPAK duhet të kishte nisur vetë hetim për këtë çështje, organet ligjzbatuese duhet të veprojnë pa asnjë hezitim dhe me profesionalizëm të diktuar nga interesi i lartë që është cënuar dhe preket në këtë rast, duke qenë se jemi përpara akteve të rrezikshme që do të cenonin transparencën e procesit zgjedhor dhe lirinë e zgjedhjeve, si parime bazë të demokracisë. Referuar denoncimit të PD-së për manipulim të adresave në interesim të qytetarëve, pas takimit me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, ministri Sandër Lleshaj argumentoi me zë dhe me figurë, para tërë shqiptarëve dhe hodhi dritë me fakte dhe argumenta mbi bazat ligjore se, asnjë cënim i të drejtës së qytetarëve nuk është bërë. Zoti Lleshaj faktoi se adresat janë vetëm për të identifikuar banorët që ata të jenë me një vendndodhje të përcaktuar. Se adresat nuk kanë lidhje me vendbanimin, përkundrazi precizon secilin prej qytetarëve, ku ndodhet, në cilën lagje, rrugë apo banesë jeton. Të njëjtin sqarim me prova dhe fakte bëri edhe specialisti i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Megjithë argumentat e dhëna nga drejtuesit më të lartë dhe kompetentë në lidhje me adresimin e qytetarëve, PD depozitoi padinë në SPAK. Me sa duket argumentat dhe faktet e personave përgjegjës, kanë qenë të pamjaftueshme. Janë parë si manovër për t`i shkarë përgjegjësisë. Për të fshehur manipulimin. Tani pas padisë së PD-së dhe sqarimeve të hollësishme para qytetarëve të personave përgjegjës, i takon SPK të trajtoj me shpejtësi,objektivitet, kompetencë për të provuar të vërtetën. Nëse Lleshaj dhe vartësit e tij kanë manipuluar, të veprojë ligji. Po nëse jo, ligji të veprojë ndaj atyre që kanë marrë aksionin më të gjerë për të akuzuar qeverinë, kryeministrin së pari, se po manipulohen adresat në interes të fitores të zgjedhjeve të 25 prillit. Drejtësia e re duhet të veprojë me guxim e shpejtësi. Koha nuk pret. Nuk ka dy fajtorë as dy të pafajshëm. Njëra palë, ajo që akuzohet për manipulim, po edhe pala që akuzon duhet të marrin hakun që u takon nga drejtësia. Duhet sqaruar populli shqiptar se cili është fajtori, i akuzuari Lleshaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, qeveria apo liderët e PD-së, Basha,Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi. Koha për të vërtetën është tani. Çdo vonesë hedh dyshime mbi procesin mbi të cilin përcaktohet fituesi dhe ndërtohet piramida shtetërore. Situata kontrollohet në themel. Një gur i vendosur keq, rrezikon tërë ngrehinën shtet. Ndaj SPAK, le të veprojë më tërë kompetencat që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji. Shqiptarët presin me sytë nga SPAK për të mësuar të vërtetën! Të ndajnë akuzatorët nga manipulatorët, të ndershmit nga shantazhuesit! Qytetarët presin me sytë nga SPAK transparencë absolute!