BREAKING NEWS

Lëkundje të forta tërmeti në Shqipëri, ndihet në disa qytete të vendit, ja ku ishte epiqendra

Lëkundje të forta tërmeti në Shqipëri, ndihet në
x
BREAKING NEWS

U shpall në kërkim, arrestohet pas disa orësh ish-kreu i Kadastrës së Vlorës, zbardhen detaje nga dosja që e ka fundosur

U shpall në kërkim, arrestohet pas disa orësh ish-kreu i
x

Opinion / Editorial

“Gjeneralët e lodhur” të Partisë Demokratike

“Gjeneralët e lodhur” të Partisë Demokratike

Historia ushtarake botërore ka raste të panumërta kur gjeneralët ( gjeneral është grada më e lartë ushtarake) marrin mësymje çlirimtare edhe në momente të vështira. Por gjeneralët e ditur këto mësymje i marrin kur janë të bindur në fitore, ndaj triumfojnë. Në atë mori shembujsh po citojmë për konkretizim vetëm disa. “Gjenerali” ynë popullor,Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte i sigurtë në fitore kur u arratis përmes Hungarisë nga ushtria osmane dhe çliroi Krujën dhe gjithë Shqipërinë. Mustafa Qemal Ataturku ishte i bindur në fitore kur udhëhoqi luftën ndaj forcave të Antantës dhe u bë jo më kot frymëzuesi dhe drejtuesi i Revolucionit Turk, në rrëzimin e Sulltanit. Duajt David Ajzenhauer ishte po ashtu i sigurtë në fitore kur drejtoi zbarkimin e Forcave Aleate në Normandi, në Luftën e Dytë Botërore. Kostandin Rokosovskij e mbrojti me dinjitet edhe Moskën edhe Stalingradin dhe i dha dërrmën e fundit ushtrisë naziste sepse e mbajti gjallë fryma e fitores. Spiro Moisiu dhe Shtabi i tij i Përgjithshëm gjeti momentin në tetor-nëntor 1944 për të marrë ofensivën përfundimtare për çlirimin e vendit. Po tejkaloi vetveten dhe po bëj një krahasim të pakrahasueshëm me këta heronj të vërtetë me “gjeneralët e lodhur” të Partisë Demokratike që duan të marrin frenat e drejtimit të kësaj partie, që pranohet nga të gjithë edhe nga vetë protagonistët se është në momentin e saj më kritik, që nga themelimi i saj. (Po i quaj “gjeneral” jo se e meritojnë, por se në hierarkinë e kësaj partie janë ose kanë qënë në kupolën e saj). Së pari duhet thënë se në këtë gjendje atë nuk e sollën “armiqtë e jashtëm”, siç jemi mësuar zakonisht të justifikohemi, por kjo gjendje është produkt i drejtimit në vite i saj në mënyrë jo demokratike ose më saktë me stilin berishian. Duke qenë se në pjesën më të madhe të këtyre viteve ajo ka qenë në pushtet duke bërë rokadë me PS, me forcën e shtetit ka mbajtur gjallë edhe partinë. Mirëpo duke qenë se përndryshe planeve dhe ëndrrave për të ardhur përsëri në pushtet pas 4 apo 8 vjetëve, ajo mbeti përsëri në opozitë, plasi edhe bomba. Në kërkim të fajtorit të humbjes ka nisur edhe gara për drejtimin e kësaj partie. “Gjeneralët e lodhur” që e lakmojnë këtë post janë njëri më katrahurë se tjetri. “Kryegjenerali” është vetë Sali Berisha që realisht e ka drejtuar këtë parti që nga themelimi dhe vetëm prej metodave të drejtimit të gabuara prej tij, është kjo situatë e sotme. Jo vetëm kaq, por edhe ai që drejton sot këtë parti “de jure”, është prodhim “made in Berisha” i cili vetëm kur iu prekën interesat personale nxitoi ta shpallë atë armikun më të madh të partisë. Pabesinë e Bashës ndaj Berishës e kemi cituar edhe herë tjetër, por kaq i pabesë është treguar edhe vetë Berisha ndaj Partisë Demokratike, pjellës së vetë. Për 8 vjet, në humbje pas humbjesh të Bashës ai e mbronte me të gjitha energjitë. Edhe pas humbjes së 25 prillit nuk pati asnjë ofensivë ndaj kanakarit të tij. Heshti në Kongres, heshti kur u zgjodhën Këshilli Kombëtar dhe Kryesia dhe vetëm më 9 shtator kur i dogji b…a e vetë u kujtua ta shpallte atë “non grata” në parti siç ishte shpallur vetë nga SHBA. Të gjithë këta faktorë e bëjnë atë një “gjeneral” humbës në betejën që ka nisur. Ai fryhet dhe fluturon nga turmat që e ndjekin nëpër foltoret nëpër qytete, por ai harron më kryesoren, ata që brohorasin për të janë jashtë strukturave drejtuese të partisë, ku merren vendimet e rëndësishme. Ata janë tifozët në shkallët e stadiumit, por golat i bëjnë futbollistët që janë në fushën e lojës dhe këta Lulzim Basha i ka zgjedhur nga “farefisi” i vetë dhe ia errëson fitoren Berishës. Aq më dyshuese bëhet një fitore e Berishës kur si mëkëmbëse të tij ka zgjedhur një shqiptaro-greke- amerikane. Gabim i pafalshëm. Ai ka në grupin që e mbështet deputetë të denjë për të qenë në krye të partisë dhe këtë e kanë treguar edhe në betejat parlamentare edhe në drejtimin e strukturave kryesore të këtij shteti. Edhe “gjenerali i lodhur” që “de jure” drejton aktualisht këtë parti nuk është plotësisht i denjë për të qenë sërish në krye. Jo se hodhi poshtë “babain politik” por sepse për 8 vjet nuk e ka justifikuar veten për këtë rol. Lulzim Basha është ndoshta rasti unikal në botë që humbet 5 palë zgjedhje, parlamentare dhe lokale njëra pas tjetrës dhe vazhdon të drejtojë opozitën. Një lider i vërtetë opozite nuk pret si dhelpra t’i bien dashit k…t, por shkon në fushëbetejë dhe ia thyen brirët dashit në duel të drejtpërdrejtë. Luli që vetëm qesh nuk e ka këtë brum dhe tashmë që i ka humbur edhe mbështetja nga “eminenca gri” që e çoi në atë post dhe e mbajti aty për 8 vjet, është mirë të hapë krahun. Ai në rrugë statuore është e sigurtë që e mban ende edhe në të ardhmen postin, sepse jo pa zgjuarsi i zgjodhi si me kokrra ata që kanë veton me votë në strukturat partiake dhe aq më shumë që ka pas vetes mbështetjen amerikane. Mbështetjen e vërtetë amerikane se gjoja një mbështetje amerikane ka gjetur edhe Berisha, por ajo është një OJQ pa të drejtë vendimmarrje ndërkohë që mbështetja amerikane e Bashës është “xhandari i botës”. Ti gëzohet kësaj mbështetje dhe aty t’i ketë shpresat se të jetë për mbështetësit e tipit Grida Duma e Enkelejd Alibeaj, që janë përdhunuar politikisht qysh herët dhe jo njëherë, as që ka mundësinë më të vogël të qëndrojë në atë post që ka. “Gjeneralët e tjerë të lodhur” që synojnë kreun e kësaj partie po i gjykojmë në grup, ngase nuk e kanë karrizmën e duhur për të qenë vërtetë “gjeneralë”. Kadilli aty ka qënë me kohë, në sofrën e kësaj partie dhe ka ngrënë i qetë bukën që i kanë dhënë dhe asnjëherë nuk është merakosur apo më saktë nuk e ka ngritur zërin për drejtimin berishist dhe jo demokratik të saj. Tani që u bë deti kos rrëmbeu edhe ai një lugë. E futi njëherë këtë lugë në atë “kos” konkurrimi dhe e pa sa vota mori. Nëse shpreson tek ata që më së fundi i janë bashkuar duhet t’i kujtojmë edhe atë se shumë prej tyre janë nga ato fytyra që kanë qënë dështakë dhe jo modern në drejtimin e kësaj partie. Edhe Harxhi që ka qenë pothuajse në krye të kësaj partie që e kishte parim të saj që kush është në krye të shtetit është edhe në krye të partisë, sepse në konceptin bolshevik të drejtimit të kësaj partie nga një bolshevik i vërtetë, kjo ishte më e rëndësishme se sa të shkruhej në statutin e Partisë. Sa i përket vlonjatit Shehaj, ai është në të vërtetë një “gjeneral” fitues në biznes, por në politikë është një “axhami” që me sa duket nuk e njeh mirë skakierën ku kërkon të konkurrojë. Aty ka “ujqër” të vjetër si Mark Marku me kompani që jo vetëm ti dinë bëmat e jetës, deri edhe numrin e këpucës, por edhe nuk hezitojnë ato t’i thonë edhe publikisht. Shehaj nuk e ka paturpësinë të përballet me ta. Kështu që duhet pohuar me plot gojën që “gjeneralët e lodhur” që ne i cituam në grup e shumta mund të prishin punë në një rikonkurim për kreun e partisë, por e kanë pothuajse të pamundur të jenë rival të denjë për këtë post. Por duhet theksuar se brenda kësaj partia ka gjeneral të vërtetë plotësisht të denjë për të drejtuar këtë forcë politike sot në opozitë dhe me mundësi të mëdha për ta sjellë atë në pushtet nesër. Ka nga ata që kanë dhënë prova të denja për t’i paraprirë kësaj partie në mënyrë moderne drejt pushtetit, që është qëllimi final i një opozite dhe janë sprovuar në beteja të denja opozitare dhe nuk kanë asnjë dilemë t’i dalin përballë edhe mazhorancës së sotme. Por ka edhe të rinj që as duan t’ia dinë për mënyrën berishiane të drejtimit prej gati 30 vjetësh të kësaj partie dhe janë të gatshëm që në mënyrë moderne dhe pa komplekse pushteti t’i vënë shpatullat kësaj opozite drejt fitoreve. Mos më kërkoni emra. Siç i di dhe i kam të qartë unë ashtu i dini po aq mirë edhe ju që lexoni këto radhë. Le të dalin ata në krye dhe uroj të kemi një opozitë të fortë se më të bukur dhe më të fortë do ta kemi edhe Shqipërinë.