BREAKING NEWS

Ja se si nobelisti Montagnier po hedh në erë Big Farmën dhe po zbardh veprimet kriminale me covid 19

Ja se si nobelisti Montagnier  po hedh në erë Big Farmën dhe  po
x

Opinion / Editorial

Gjenocidi “modern”, që po shpopullon Shqipërinë!

Gjenocidi “modern”, që po shpopullon Shqipërinë!

Shqiptarët e kanë njohur që herët gjenocidin. Romakët, pas pushtimit të Ilirisë, i zhvendosën banorët vendas nga bregdeti, zona ku zhvillohej gjithë jeta social-ekonomike. Pushtuesit e mëvonshëm, serbët dhe turqit pas tyre, i detyruan një pjesë të arbërve të braktisnin dhe fushat e kodrat e buta, për t’u pozicionuar ndër male, ku shpata dhe heshta e pushtuesit e kishte më të vështirë të arrinte. Ndërsa një pjesë prej tyre, kapërcyen detin drejt Perëndimit. Pasojat e këtij gjenocidi ishin të rënda. Popullsia iliro-arbëro-shqiptare u rrallua në maksimum, çka do të krijonte dhe mundësinë e aneksimit e të copëtimit të tokave të tyre nga pushtuesit e fillim shekullit të njëzetë. Për pasojë, në vitin 1913, shqiptarët mundën të ruanin unitetin etnik vetëm në një të tretën e hapësirës që patën trashëguar nga të parët. E megjithë këtë gjenocid biblik, shqiptarët, ndonëse të pushtuar nga hasmi, nuk i lëshuan asnjëherë trojet dhe veçanërisht identitetin e tyre. Qëndresën, mbijetesën dhe rikthimin në trojet amtare pas çdo gjenocidi, e përsëritën në fundshekullin e njëzet shqiptarët e krahinës së Kosovës, të cilët, sapo krahu i tyre i armatosur, UÇK-ja dhe miqtë ndërkombëtarë, përzunë gjenocidistin serbosllav, u kthyen përsëri në shtëpitë e tyre të djegura, për t’i ndërtuar e për të përcjellë gjenezën në trojet e tyre mijëravjeçare. Kjo tablo e shkurtër historike na vërteton faktin, se asnjë gjenocid me armë e me dhunë, nuk mund të zhbëjë për fare një komb, sidomos një komb të lashtë e të konsoliduar, siç ishin dhe mbeten shqiptarët. Aq më pak mund të ndodhte kjo në gjysmën e dytë të shekullit të njëzet, kur ata, ndonëse të copëtuar dhunshëm në pesë shtete, kishin si mburojë të sigurtë shtetin socialist të drejtuar nga shqiptari i madh Enver Hoxha. Po sot, çfarë ka ndodhur e po ndodh me shqiptarët, veçanërisht me qytetarët e Republikës së Shqipërisë, ku ndonëse nuk kemi gjenocid si në të kaluarën, ata po e braktisin vendin në shumicë, madje me një braktisje pa kthim? Në kohët e sotme, gjenocidi i hapur, shoqëruar më dhunë dhe armë, ka dalë jashtë “mode”. Degjenerimi, rezulton sot një armë dhjetra fish më e efektshme se arma e dhuna. Dhe kur themi “degjenerim”, nuk e kemi fjalën vetëm për degjenerimin në aspektin moral, por një degjenerim që përfshin gjithë sferat dhe asetet e jetës së shoqërisë, të cilat pastaj realizojnë gjenocidin “vullnetar” të qytetarëve. Ky degjenerim “modern” sot është drejtuar për të goditur tri pasuritë kryesore që e mbajnë një komb në këmbë e në jetë: Burimet mbi e nëntokësore, pasuritë kulturore dhe vlerat shpirtërore. Dhe goditja në këto tri drejtime, në këta tri dekadat e “demokracisë” borgjeze kanë qenë e vijojnë të jenë fatale. Çfarë burimesh mbi e nëntokësore ka sot punëtori dhe fshatari shqiptar, që përbëjnë pjesën dërmuese të shoqërisë? Fshatari, apo siç e përkëdhelin duke e thirrur: “fermeri shqiptar”, ka sot e shumta e shumta një rrip toke deri në 5-10 dynym, shoqëruar më pamundësinë e punimit të saj dhe sigurimit të ushqimit të familjes, pa bërë fjalë për tregun, i cili është “okupuar” nga prodhimet e huaja. Po kur themi fermeri shqiptar, kuptojmë një person që e ka kaluar gjysmën e moshës, sepse moshat e tjera në bujqësi kanë shterur tashmë nga emigrimi. Nëse doni të shikoni demografinë e fshatit të sotëm shqiptar, bëni një shëtitje, jo në fshatrat malorë, ku shtëpitë e banuara janë aq larg, sa vetëm me kaçatorr mund të komunikojnë me njëra-tjetrën. Shkoni në fshatrat në fushë, ku vërtet kanë “mbirë” mjaft “Vila” të ndërtuara me remitancat e emigrantëve, por brenda shumicës së tyre gjenden jo më tepër se dy pleq, që mundohen ta ruajnë vilën si karabina, në pritje pa shpresë të rikthimit të trashëgimtarëve.

Akoma më mjerane është situata e punëtorit, i cili nuk ka as atë parcelën e vogël të fshatarit, përveç krahëve të tij të punës, të cilat, kur janë “të reja e të fuqishme”, argasen në fabrikën apo punishten e pronarit të huaj, brenda apo jashtë vendit. Sektorët më të fuqishëm ku punësoheshin punëtorët në kohën e socializmit, ishin pasuritë minerale dhe fabrikat e uzinat e përpunimit të tyre. Një pjesë e vogël e këtyre aseteve, që i kanë shpëtuar shkatërrimeve të Saliut, kanë degraduar sot në rreth 150 “ndërmarrje”, pjellë e PPP-ve, koncesioneve dhe privatizimeve të ish-minierave të kromit, ku numri i minatorëve dhe punëtorëve nuk i kalon gishtat e duarve, gjysma e të cilëve nuk figurojnë në listë-pagesat përkatëse. Të mos flasim për Bakrin dhe Metalurgjikun që, tashmë janë pronë e “vëllezërve” tanë turq, e ku punëtori shqiptar, nëse ka zënë ndonjë qoshe galerie, apo kantieri, paguhet e trajtohet si zezakët e Amerikës në kohën e Martin Luter Kingut. Ndërsa nafta dhe kombinati i përpunimit të saj, tashmë është varrosur, ngase ka humbur pa nam e nishan pronari i pestë apo i gjashtë i saj. Ka humbur me gjithë çelësa sa, qeveria që duhet ta kontrollojë, nuk mund të hyjë as për inventarin e xhamave të zyrave ku drejtonin firmat anonime.

Për rininë shkollore dhe atë universitare, problemi është “zgjidhur”. Pas mbarimit të universitetit dhe bachelorit, mbajtësi i diplomës prej kartoni (në pamje dhe në vlerë), detyrohet të nisë stazhin e specialistit në detyrën e kamerierit të restoranteve perëndimore. Ndërsa teknikët e mesëm, si dhe infermierët e infermieret, me një kurs plotësues të gjermanishtes, e kanë të sigurtë “postin” e shoferit të kamionit, ose të babysiter-it së fëmijëve e pleqve në Republikën e mikeshës sonë, Merkel. Kjo ndodh edhe me mjekët e specializuar e të kualifikuar, çka e ka sjellë punën që vendi ynë të ketë mjekë për banorë shumë herë më pak se vendet e Europës e të rajonit. Po, pasi ikin studentët e universitarizuar, mjekët, infermierët, punëtorët e kualifikuar, mosha aktive e punës dhe dijeve, kush mbetet në Shqipëri? Mbeten pleqtë e plakat, ushtarët, policët dhe nëpunësit e administratës shtetërore. Të moshuarit aktualë, pas afro një dekade do t’i thonë lamtumirë kësaj bote, edhe në mos pastë Covid. Nga ana tjetër, situata mund të agravojë ndonjë emergjencë dhe ajo pakicë ushtarësh që kemi, të përfundojë në Afganistan, apo vend tjetër, ku rrezikohen interesat amerikane e të NATO-s. Atëherë kush mbetet në Shqipëri? Policët dhe nëpunësit e administratës shtetërore, të cilët, ngase nuk do të ketë asnjeri t’u shërbejë për qepjen e uniformave dhe pastrimin e zyrave, do të detyrohen ta mbyllin “aktivitetin” e tyre, duke ia dorëzuar pushtetin “blerësit më të parë”! Kjo e fundit, tashmë ka nisur dhe, siç tregojnë shenjat, në mandatin e ardhshëm të pas 25 prillit, do të vuloset edhe me ligje e veprime konkrete. Është fjala për Durrësin dhe portet e tjera të Adriatikut tonë, dalë tashmë në ankand! Krahas gjithë këtyre që cituam më lart, korrupsioni që ka mbërthyer elitën drejtuese të vendit, është një shtysë plus për t’u larguar nga vendi. Shqiptarët e kanë kuptuar se korrupsioni në sistemin kapitalist që ju është imponuar, është si lubrifikanti për motorin e makinës. Por nuk e kishin menduar dhe nuk mund ta gëlltitin korrupsionin galopant që ka mbërthyer çdo pore të shoqërisë, veçanërisht kjo në sistemin e drejtësisë. Një pjesë e mirë e shoqërisë shqiptare e ka përjetuar periudhën e socializmit dhe kur sot ballafaqohet me një administratë shtetërore, jo vetëm të paaftë, por edhe të korruptuar në çdo sektor të piramidës së saj, në pamundësi për ta korrektuar atë, merr në sy braktisjen e vendit, larg kësaj skote hajdute, që nuk ka asnjë parametër njerëzor, duke filluar nga një sanitare e thjeshtë spitali, e gjer tek instancat më të larta të shtetit, tashmë të dukshme në hajdutërinë e pasurisë qytetare e kombëtare. Por goditja më fatale për shqiptarin dhe vendin e tij, ka qenë e mbetet degjenerimi i pasurive kulturore dhe vlerave të tij shpirtërore. Nëse pasuritë mbi e nëntokësore lidhen me jetën dhe mirëqenien ekonomike, të cilat në një të ardhme edhe mund të rikuperohen, pasuritë kulturore dhe vlerat shpirtërore, të krijuara në shekuj, lidhen me dinjitetin dhe identitetin, të cilat shqiptari i ka konsideruar gjithnjë si pasuritë kryesore të jetës së tij. Këto pasuri, po u cenuan është shumë e vështirë, në mos e pamundur të rigjenerohen.

Siç shikohet e konstatohet sot me lehtësi, në tri dekada të sistemit që kemi aplikuar dhe falë skotës politike e pushtetare, që i kanë ndihur me të gjitha mjetet, gjenocidi “modern”, i ka kaluar dhe po i kalon “rezultatet” e gjenocidit qindra vjeçar të hasmëve të vendit tonë. Vetëm në dekadën e fundit, sipas shifrave të institucioneve prestigjioze, janë larguar nga Shqipëria rreth 500 mijë shqiptarë, të cilët bashkuar me ata të mërguar qysh nga viti 1990, përbëjnë gjysmën e popullsisë së vendit. Dhe për fat të keq, “shigjeta” e kësaj lëvizje demografike është në rritje. Këtë na e tregojnë sondazhet, ku midis të tjerave ato për rininë, shënojnë shifrën e tmerrshme 70 -75 për qind. Nga ana tjetër, shifrat e atyre që kthejnë në vatrat e tyre, ka ngrirë, e madje po nis uljen, çka ka nxjerrë në pah më tepër se kurrë rrezikun e shpopullimit të plotë të vendit. Pa diskutim, nëse një popull e një kombi i rrëmben pasuritë kombëtare dhe mundësinë e punësimit në vendin e tij; nëse i degjeneron kulturën që ka formuar në shekuj; nëse i nakatos e i degjeneron vlerat shpirtërore që lidhen me familjen, me heronjtë e dëshmorët, simbolet kombëtare, historinë, etj., atëherë ai kthehet në popull nomad, e më tej kësaj, në një popull i shpërndarë ndër vende të tjera, ku duke mos mundur të organizohet në komunitet, shkon drejt asimilimit të pashmangshëm. Nga kush e kemi “peshqesh” këtë gjenocid “modern”, ngjashëm në përmbajtje me gjenocidin e pushtuesve të kohërave të kaluara, por shumë më të efektshëm e më të shpejtë në rezultate? Pa asnjë diskutim, nga politikano-pushtetarët tanë, të cilët kanë të njëjtën mendësi e të njëjtën sjellje me pashallarët shqiptarë të kohës së turkut, modeluar me stilin mafioz të globalizmit të kohës së sotme. E për ta personalizuar më tej autorësinë e kësaj gjëme antishqiptare e antikombëtare, mund të citojmë pa frikë se gabojmë, “trion” “muzikore”, më saktë – mizore, të pluralizmit politik shqiptar me inicialet PD – PS (alias Rilindja) - LSI, dhe në mënyrë të veçantë, dy të parat, me drejtuesit Berisha e Rama, i pari misionar i shkatërrimit të Shqipërisë dhe i dyti misionar i degjenerimit të asaj që mbeti pa shkatërruar. A duhet ta lëmë të realizohet gjer në fund këtë “skemë moderne” të gjenocidit të sotëm asgjësues? A duhet t’i lëmë këta bashkëkombësit tanë bastardë të na degjenerojnë jetën dhe të ardhmen tonë? Nëse vijojmë të heshtim dhe akoma më keq t’i mbështesim si militantë të sëmurë dhe të budallepsur, atëherë fundi ynë do të jetë i pashmangshëm. 25 prilli është një mundësi për të dalë nga tuneli i errët, ku këto forca politike e këta liderë të degjeneruar gjer në gen, na kanë plandosur prej tri dekadash, nën etiketën mashtruese të “demokracisë” kapitaliste.