BREAKING NEWS

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona
x

Opinion / Editorial

Gjeografikisht Europë, në pluralizmin, vetëm e të majtave kleptokratike shqiptare!

Gjeografikisht Europë, në pluralizmin, vetëm e të majtave

Nuk do fillojë asgjë (bisedime integrimi) dhe në dhjetor dhe askush nuk është "kundër shqiptarëve" por duhet të plotësojnë kushtet - plotësisht. Kaq dhe nuk është se ka diçka më tepër. Nuk na duan, se jemi të korruptuar, një pjesë myslimanë apo folklorikë, kjo tashmë nuk ka rëndësi. E rëndësishme është se tani për tani, nuk na duan në Europë dhe bëjnë sikur i thonë qeverive apo politikës, plotëso kushte kur në fakt po i thonë një shoqërie fajtore - je ti për plotësim kushtesh në radhë të parë. Po ndëshkojnë jo thjesht politikën, por shqiptarët që kanë ndërtuar dhe prodhuar një politikë të tillë. Shkurt po tallen disi si me ne dhe veten e tyre, duke dhënë dakordësi si Bruksel dhe mos dhënë dakordësi, si kryeqytete të veçanta në BE. Ne nuk duhet të mërzitemi kurrë më, sepse tashmë sa jemi ne fajtorë janë dhe burokracitë europiane që kanë gjithë jetën e tyre, që merren me klikat kleptokraci që ne si shoqëri mbajmë mbi krye. Ajo Europë dhe ato kryeqytete të mëdha në të, me ato burra dhe gra shqiptarë të politikës, që nuk plotësojnë kushte dhe bëjnë që Shqipëria me letra të mos jetë në Europë - hanë, pinë takohen dhe qeshin. Pastaj thonë - jo nuk plotësoni kushte. Tashmë në Shqipëri dalëngadalë po vjen koha moderne e mos besimit dhe dyshimit për integrimin në BE, në dyshimin nëse BE do të jetë ndonjëherë e bashkuar apo zgjeruar dhe krijimin e bindjes se "asgjë nuk na gjen edhe pse nuk futemi në BE". Po dhe mua një ithtar i flaktë i integrimit europian me sëpaku dhjetëra e dhjetëra opinione pro këtij integrimi. Por nuk kam nevojë t’u vendos faj as holandezëve të Lulit dhe askujt tjetër në BE. Nuk kanë faj ata. Ne jemi fajtorë. Por ka diçka. Europa na ka formuar si territor dhe këtë "faj" e ka bërë në 1913-të duke na lënë jashtë mijëra km katror territore shqiptare. Ne jemi gjeografikisht në Europë dhe nuk ka mundësi as një BE dhe as shtet i veçantë të na largojë fizikisht nga Europa. E kjo na mjafton përveç faktit e natyrës dhe klimës nja 100 herë më të mirë dhe të bukur nga Holanda, e cila na ka zili dhe për cilësinë e hashashit apo kanabisit tonë fantastik. Jo nuk po bëj shaka, sepse edhe atë e prodhojmë shumë më mirë se sa Holanda. Do vijë dita që kur BE të thotë "jeni për Europë" do mendohemi, nëse është e dobishme akoma për ne kjo gjë. Se deri në atë kohë shumica e shqiptarëve do të jenë "inertë" ose pa asnjë afeksion ndaj BE-së. Sepse është një ditë e largët kur vetë Europa nuk do të jetë më kaq shumë - Europë. Por faji është joni. Ata jashtë e dinë se është faji jonë shoqëror. Ne nuk kemi bërë politikisht asgjë më tepër ndryshim që nga diktatura përveç faktit se kemi ndarë PPSH në disa parti tashmë kleptokratike të majta, duke shuar, asgjësuar mundësinë e paktë që kishim për të ndërtuar dhe një krah të djathtë politik. Si origjina e PS, LSI dhe PD janë plotësisht të majta dhe kur ka depërtuar ndonjë origjinar i djathtë e kanë groposur ose përdorur ose eliminuar. Partia e komunistit Sali Berisha me veset e tij dhe partisë së parë të tij, ndërtuan apo sajuan të djathtën mashtruese dhe bolshevike, e cila u soll dikur me doktorin dhe sillet sot me holandezin, si një parti ultra e majtë reaksionare dhe e mbyllur, sektare dhe përjashtuese ose më mirë të themi një parti lumpen proletariati sikundër e deshi Sali Berisha, i cili do të jetë komunisti i fundit në Europë që në moshë të thyer del deputet dhe drejton sërish parti në background. Partia Socialiste e Ramës jo vetëm ka origjinën, por është kthyer dhe me anën e Rilindjes në drejtim me të privilegjuarit e kastës bythlëpirëse të PPSH-së dhe fëmijët e privilegjuar të saj. Ata janë një pjesë e madhe "njeriu ynë i ri", prodhimi më i keq i diktaturës. LSI-ja është dalje e PS-së dhe origjinarë të komunistëve proletarë të pasuruar nga fundi i diktaturës. Partitë e tjetra janë një pluralizëm politik mashtrues si "parti kryetarësh" të cilët e lëshojnë postin vetëm kur vdesin. Ose kur natyra ose zoti vendos të mos jenë më të zot për të kryesuar. Mediu, Shehu, Ndoka, Milo, Gjinushi etj. etj., janë furgon partitë e një kaste që i përket ideologjisë së majtë të mbijetesës në kapitalizëm. Kanë të përbashkët vetëm ngritjen e kleptokracisë më të madhe në Ballkan, duke anuluar pluralizmin e vërtetë. Kanë anuluar demokracinë me anën e mungesë tragjike të një të djathte të vërtetë. E kjo shoqëri i gjeneron, i mban, i duartroket dhe i ndjek pas. E pastaj e ka fajin Holanda e Lulit? Ne vendosim një çakshirxhi folklorik si Berisha dhe rrëzojmë, për të ngritur një piktor nomad shallvarexhi si Rama, e në rezervë kemi një "matematicien" komedian Sanço Panço si Luli dhe një tragjikomedian folklorik si Meta e fajin na e paska - Europa. Fajin dhe turpin e kemi vetë të gjithë shqiptarët. Ne ju kemi çuar atyre në Europë, folklorikë të tillë, sepse kështu shoqërie jemi. Kaq jemi të lexueshëm dhe kaq kemi dhe si moment politik dhe bindje politike. Ne gati gati refuzojmë demokracinë dhe për më keq nuk perceptojmë dot - pluralizmin. Pluralizmi vetëm i të majtave grabitëse apo kleptokratike shqiptare është dhe tragjizmi më i madh i yni. E akoma nuk po e kuptojnë e krijojmë sërish (lejojmë) të krijohen sërish parti të reja që kanë po atë mentalitet, po ata njerëz dhe po atë formë e përmbajtje. Po pra Topallin që ka "Zot" Berishën dhe vajzën e Hajdarit që akoma kujton se historitë e babait të saj janë letra "demokracie", Patozin që ka jetuar dhe bashkëpunuar kur PD ka bërë dhe krime dhe Murrizin që tashmë është e kot të lodhesh për ta kujtuar si ndryshe dhe "yll polar" për një të djathtë të re. Alternativa politike e shqiptarëve është të gjejnë apo votojnë një nga të majtat hajdute, të provuar se janë grabitëse dhe që janë edhe kriminale për nga histori të vërtetuara krimi politik dhe ekonomik. Në Shqipëri nuk ka akoma pluralizëm real. Në Shqipëri, e majta sundon se ka një shoqëri vërtetë "lumpen proletariat" dikur e pasuruar, por që është injorante deri në "amshim". Kaq dhe nuk ka ndonjë gjë më të sofistikuar se sa kaq.