Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Gjergj Kastrioti jetoi e vdiq si katolik, luftëtar kundër robërisë turke!

Postuar: 15/11/2018 - 07:12

Edhe pse çështja e përkatësisë fetare të një Heroi Kombëtar, në fund të fundit, nuk ka aq rëndësi, në këtë vit jubilar të Gjergj Kastriotit, kjo çështje ka qenë ndër më të debatuarat në mesin e studiuesve dhe të historianëve të ditëve tona. Ndonjëri prej tyre ka arritur në “konkluzionin” antishkencor, sipas të cilit “Gjergj Kastrioti lindi ortodoks” (?!), kur dihet se njeriu nuk lind me ndonjë besim fetar të caktuar. Ndonjë tjetër pohon se Heroi ynë Kombëtar e paska ndërruar disa herë fenë e të parëve të tij, pa iu referuar rrethanave të ndryshme historike.

Duke i pasur parasysh këto debate midis studiuesve dhe historianëve shqiptarë të ditëve tona, edhe akademiku ynë i shquar-Rexhep Qosja, duke folur për përkatësinë fetare të Gjergj Kastriotit, në një shkrim të gazetës “Dita” të datës 11 nëntor, çuditërisht, pohonte se “Unë nuk mund të them me bindje të krijuar prej të dhënave të bëra botore deri sot se cilës fe ai i takonte shpirtërisht dhe zyrtarisht: asaj katolike apo asaj ortodokse”.

Pasi nuk e gjeta në këtë shkrim të akademikut tonë një përgjigje përfundimtare mbi përkatësinë fetare të Kastriotëve legjendarë, fantazia më çoi tek konkluzioni lapidar i historianit tonë të madh Fan S. Noli, sipas të cilit“Në krye të shekullit XV, Shqipëria ishte, pothuaj, plotësisht katolike me nja 18 peshkopata të ritit latin”. (Historia e Skënderbeut”, botim i vitit 1949, f. 7) Dhe, kur dihet se peshkopata të ritit latin ishin peshkopata katolike, merret vesh se Gjergj Kastrioti kishte lindur në një familje katolike, në familjen e Gjon Pal Kastriotit! Se emra “Gjon” e “Pal” nuk ka as riti ortodoks, as ai islam!

Për këtë të vërtetë sikur dëshmon edhe studiuesi Gent Ulqini në librin “Shqipëria dhe shqiptarët, botim i vitit 2018, faqe 163, kur na bën me dije se “Që feja tek shqiptarët ka shërbyer, më së shumti, si koperturë politike dhe oportunitet politik, flet edhe konvertimi i Srazimir Balshës, në vitin 1365, nga feja ortodokse në atë katolike, për t`iu përshtatur besimit fetar të popullsisë që kishte nën zotërim”. Dhe, kur dihet që “popullsia që kishte në zotërim” Strazimir Balsha në vitin 1365, më së shumti, shtrihej në hapësirën gjeografike midis lumenjve Mat e Drin, ku jetonin Dukagjinët dhe Kastriotët, çështja bëhet e qartë: Edhe në shekullin IV këto popullsi i përkisnin ritit katolik.

 Sidoqoftë, për të përcaktuar përkatësinë fetare të fisit të Kastriotëve, studiuesit apo historianit serioz të historisë i duhet të shkojë edhe më larg në gjurmim të të vërtetave. I duhet të shkojë tek momenti historik kur krishtërimi u nda në dy rite; katolik e ortodoks, pra në vitin 1054, kur Perandoria Romake u nda në dy pjesë, pjesa lindore me emrin Perandoria Bizantine dhe pjesa perëndimore me emrin Perandoria Romake. Se atëherë u kristalizuan në histori dy ritet e krishtërimit, riti katolik në hapësirën gjeografike e Perandorisë Romake dhe riti ortodoks në hapësirën e Perandorisë Bizantine.

Lidhur me këtë, historiani Kristo Frashëri sikur i ndihmon shumë studiuesit dhe historianët shqiptarë për të dalluar përkatësinë katolike të fisit të Kastriotëve, kur pohon se “Pas vitit 1054, dioqezat e kishës lindore në gjysmën jugore të viseve shqiptare mbetën të lidhura me patriarkatin ekumenik bizantin, kurse dioqezat kishtare veriore kaluan përfundimisht nën vartësinë e kishës katolike romane”, duke shtuar se “Kufiri ndërmjet dy kishave nuk ishte i prerë”. (Principata e Arbërisë, 1190-1215, botime M&B, Tiranë 2014)

Duke pasur parasysh këtë të vërtetë, akademiku K. Biçoku, pasi theksonte se “Sipas një dokumenti të fillimit të shekullit XV, Peshkopata e Arbërit shtrihej në zotërimet e Kastriotëve”, dëshmon se “Duke qenë e para peshkopatë katolike në brendësi të vendit, Ipeshkëvia e Arbërit u bë shprehëse e interesave politike të Vatikanit për përhapjen e katolicizmit në trevat ku vepronte kisha ortodokse”. (“Mjedisi kishtar dhe politik i Kuvendit të vitit 1462”, (“Drita ndryshe”, suplement). - Nr. 531, 10 shkurt, 2008, f. 12- 13)

Një dëshmi e tillë, që e tregon qartë përkatësinë katolike të Kastriotëve, pra edhe të Gjergjit zëmadh, nuk ka arsye të kontestohet nga studiuesit dhe historianët tanë, sepse kjo pikëpamje gjen shprehjen e saj tek shumë autorë të tjerë. Se edhe historiania turke Nuray Bozbora nuk do të pohonte pa u mbështetur në dokumente të kohës, se “Gjon Kastrioti, kreu i familjes Kastrioti,…njihej si një nga princat katolikë të rajonit të Mirditës”. (“Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane”, f. 75)

Dhe që Gjon Kastrioti ishte “një nga princat katolikë të rajonit të Mirditës”, na dëshmon edhe akademiku Dh. Shuteriqi, kur shkruan se "Gjon Kastrioti, sipas disa dokumenteve, më 1407 pretendon të ketë kisha të cilat... ishin pjesë e Peshkopatës së Arbërit. Midis tyre është edhe Shën-Mëria e Ndërfanës (kishë në fshatin Gëziq të Mirditës). Ai (Gjon Kastrioti) thotë se "që prej 800 vjetësh, Peshkopata e Arbërit vendosej në tokat e sunduara…prej tij”. (Almanaku “Mirdita” 1, f. 41)

Këtë të vërtetë akademiku ynë i paharruar e shpaloste edhe kur shkruante se "Gazulli shqiptar (Gjon Gazulli-shënimi im), autoritet në Raguzë, nuk duhet të jetë pa dijeni, mbi çka zhvillohet në Mirditën e tij, ku zoti i vendit, Gjon Kastrioti, është thyer e nënshtruar më 1430 dhe tani e ka syun për kryengritje". (“Moti i Madh”, f. 83)

Të gjitha këto dëshmi e dhjetra të tjera si këto, të cilat nuk është e vështirë të gjenden, sikur e bindin njeriun e arsyeshëm se familja princore e Kastriotëve, ashtu si edhe ajo e Dukagjinëve, ishte e besimit katolik. Se, sikur të ishte ndryshe, përveç të tjerave, Gjergj Kastrioti nuk do të quhej nga Papa Atlet a “kalorës i Krishtërimit”. Është kjo arsyeja që duken si anekdota pa brumë pohimet e disa studiuesve e historianëve, sipas të cilëve jo vetëm Gjon Kastrioti, po edhe i biri, Gjergji, e paskan “ndryshuar dy a tri herë” besimin e tyre, duke u shfaqur herë si ortodoksë, herë si myslimanë e herë si katolikë.

Në lidhje me këtë, nuk është aspak serioze të luhet me faktin që Heroi ynë Kombëtar, pasi u mor peng nga sulltani, vazhdoi studimet në një shkollë ushtarake në Turqi. “Atje, thonë ca tipa studiuesish e historianësh, Gjergj Kastrioti u konvertua në fenë islame”. (?!) Por këtyre tipave u duhet shtruar pyetja: Nëse gjatë studimit në atë shkollë, në vitet 1415-1426, Gjergjit 14-vjeçar iu imponua praktikimi i ritit islam, vallë u konvertua ai shpirtërisht në fenë islame?!

Përgjigja, siç dëshmoi gjithë jeta e tij, është e qartë: Jo! Se nuk ishte thjeshtë rastësi fakti që dëshmohet edhe në tekstin e nivelit akademik “Historia e popullit shqiptar”, v. I, 1, botim i vitit 2002, f. 393, ku theksohet se “Emri i Gjergj Kastriotit, për herë të parë, përmendet në Shqipëri… në dokumente të vitit 1426 për çështje pronësie, kur ishte kthyer si spahi”. “Fshatrat që formonin timarin e tij gjatë kohës kur ai ishte në postin e spahiut, theksohet më tej aty, kanë qenë disa fshatra të vilajetit të Dhimitër Jonimës, diku midis Lezhës dhe Rubikut…, ku, në mes të viteve 30, Skënderbeu pati në zotërim një timar të madh… që përfshihej nga udha e karvanëve që lidhte bregdetin me Prizrenin”. 

Në vazhdim të kësaj dëshmie të rëndësishme, studiuesi Mark Uci, në shkrimin e tij “Kastriotët rrjedhin nga Kastri mirditor”, pohon se “një dokument osman i viteve 1430, i tregon Kastriotët në domenin e tyre: Gjergj Kastriotin-spahi në trevat e Mirditës së sotme, Lezhë-Rubik, Stanishin-në Mat, ndërsa Gjon Kastriotin subash në Krujë”. Dhe ky pohim sikur tregon qartë se Gjergj 21-vjeçar erdhi në trojet e fisit të vet katolik, në Mirditë, në vatrën e qëndresës antiosmane, nga ku do të drejtonte betejat legjendare të shqiptarëve kundër robërisë turke.

Sidoqoftë, si krejt rastësisht, studiuesi Mark Gj. Zefi, autor i katër librave, na bën me dije senë Revistën "Illyricum", 1-2, Prishtinë-Zagreb, botim i vitit 2018, është botuar, në faqen 5 të saj, një rapsodi e këngëtarit Viktor Paloka, kushtuar Gjergj Kastriotit, ku, ndër të tjera, janë edhe këto vargje:

"N’Kaçinar ka arën e oborrin,

Lezha thotë: Tek ne ka vorrin;

Kisha e Shën-Gjergjit thotë: Kam dokument,

Pagëzue e ka ai Anton Prend”. 1)

 Në fund të kësaj faqeje ku është kjo rapsodi, është bërë sqarimi i shënimit 1): "…Marrë nga fletorja e regjistrimit të popullsisë në Kishën e Kaçinarit (të Mirditës-shënimi im), e cila ia dorëzoi Kishës së Krajës, në vitin 1451 dhe, po atë vit, e dorëzon në arkivën e vjetër të Vatikanit. Fletorja e regjistres (regjistrit-shëmimi im) është nr. 59641, Vatikan". [1] Dhe këto të dhëna, cituar nga Prof. Dr. But Ndue Jaku, nëse nuk janë trillime fantaziste, i japin fund dilemës “ishte apo nuk ishte Gjergj Kastrioti katolik”. Se me ditën e pagëzimit nuk kanë luajtur shqiptarët e të dyja besimeve!

Po edhe sikur pohimi i revistës “Ilyricum” të jetë një stisje fantaziste e ndokujt, ka plot dëshmi të tjera që tregojnë se Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti ishte dhe mbeti katolik deri në fund të jetës së tij. Se jo rastësisht, siç dëshmon historiani gjermanMarkus Petërs, në veprën “Përballjet e historisë se Kishës katolike në Shqipëri” (1919-1996), f. 222,“Kisha gotike e Vaut të Dejës, e vetmja e këtij stili në Shqipëri,…ishte kisha në të cilën ishte martuar (kishte vënë kurorë-shënimi im) Heroi Kombëtar katolik Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Dhe pohime të tilla nuk mund të anashkalohen nga studiuesit dhe historianët, që gjurmojnë të vërtetat historike!

Dhe që Heroi ynë Kombëtar i përkiste ritit katolik të krishtërimit dëshmonte edhe historiani italian Çezare Kantu, i cili, në veprën “Storia Universale”, duke folur për Gjergj Kastriotin si udhëheqësin e shqiptarëve kundër robërisë turke, shkruante:“Gjergj Skënderbeu, me titullin e ushtarit të Jezu Krishtit, ishte në krye të një lidhjeje princash katolikë të Shqipërisë së Epërme, që, me trimat e tij mirditorë, kundërshtoi Muhametin dhe, duke pasur këtë mandat, kërkonte adhurimin e shpatës së tij”. Se pyetja shtrohet përsëri: A mos edhe ky pohim dikujt i duket si stisje, si trillim?!

Sidoqoftë, për të mos i lodhur dashamirësit e historisë me citime të tjera, po ia lëmë fjalën vetë Heroit tonë Kombëtar! Se ai, përpara se të varrosej në kishën katolike të Shënkollit në Lezhë, në testamentin e tij pat lënë amanet: “Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim”. Dhe pas këtij amaneti, si një përfaqësues i madh i Rilindjes Evropiane, por edhe si politikan i rrallë, Gjergj Kastrioti shpalos, siç pohonte edhe akademiku Rexhep Qosja, tolerancën fetare, që është proverbiale në Shqipëri.

Këtë e bën kur u thotë princave shqiptarë, po edhe të birit, Gjonit 10-vjeçar, se “Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin”. Dhe shtegtoi ky mesazh në rrjedhën e shekujve, derisa poeti Pashko Vasa e shndërroi atë në parullën e madhe të Rilindjes sonë Kombëtare: “E mos shikoni kisha e xhamia,/ Se feja e shqiptarit asht shqiptaria”.

Nga Preng Cub LLESHI


/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:17

 Përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit mes dy dhjetorëve dhe për të përfituar frytet e një lëvizjeje masive studentore, e cila deri tani në thelb ka disa kërkesa dhe që mundet nesër të përparojnë dhe me të t

Postuar: 09/12/2018 - 07:16

 Në ditën e shpallur nga Sali Berisha si "dita e Rinisë" dhe sigurisht e

Postuar: 09/12/2018 - 07:14

 Ka më shumë se një muaj që banorët e unazës se re protestojnë ditë e natë, në mbrojtje të b

Postuar: 09/12/2018 - 07:13

 Nuk është vetëm dufi i studentëve.  Protesta e tyre ka trazuar gjithë shoqërinë.

Postuar: 08/12/2018 - 07:22

Ҫdo vit, miliona njerëz detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehë si refug

Postuar: 08/12/2018 - 07:21

Njohja me një vendim për ngritjen në Shqipëri, të varrezave të ushtarëve grekë të vrarë gjatë Luf

Postuar: 08/12/2018 - 07:20

Një opozitë që nuk frymëzon! Është ky konstatimi që e bën kushdo në këtë vend.