Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Gjithmonë “do vrasim” bilbilin për hatër të thëllëzës?!

Postuar: 14/02/2018 - 08:47

Kënga qytetare popullore vlonjate është e mrekullueshme. Jo vetëm nga modeli i saj lirik, por dhe nga poezia në vargëzim. Dueti i famshëm Doda – Osmani, sidomos me këngën “në degë të selvisë” që në vegjëli më ka bërë jashtëzakonisht përshtypje dhe patjetër që në një farë mënyre sot ky tekst i kësaj kënge, më jep një frymëzim dhe pse negativ, por shumë shterues mbi “vrasjen e bilbilit për hatër të thëllëzës”. Teksti i mrekullueshëm për nga figurat dhe fantazia, por disi i ashpër nga e drejtpërdrejta është i tillë: Në degë të selvisë moj, bilbili këndonte, në strehë të çatisë moj, thëllëza dëgjonte. I fola thëllëzës, ajo s’më dëgjoi, do ta vras bilbilin e pastaj do këndoj. I fola thëllëzës, ajo s’më dëgjoi, do ta vras bilbilin pastaj do këndoj! E rri i menduar moj deri sa doli ylli, me çifte në duar moj, bëra poshtë nga pylli. I fola thëllëzës, ajo s’më dëgjoi, do ta vras bilbilin, e pastaj do këndoooj... Melodia një kryevepër lirike dhe dashuria deri aty - sa për të bërë thëllëzën të dëgjonte, duhej “vrarë” me çifte bilbili. Sigurisht është një model poetik folklorik që nuk i do të keqen bilbilit, i cili kuptohet qartë se këndon kaq bukur dhe kaq lart me zërin e tij – sa që thëllëza është marrosur mbas tij dhe nuk dëgjon askërkënd?! Biles nuk dëgjon dhe njeriun apo modelin e marrosur mbas – thëllëzës! Kjo është kënga vlonjate dhe ky është teksti, por unë e kam fjalën te e sotmja e shëmtuar për të “vrarë realisht bilbilat për hatër të thëllëzave”.

Kjo duket politikisht në mënyrë super të shëmtuar, pa asnjë moral dhe pa asnjë të drejtë reale në drejtim. Si te gjuetari i këngës - sot njerëz të cilët ju duhet “thëllëza” e cila sigurisht nuk dëgjon sepse kaq e lartë është kënga e bilbilit, e vrasin këtë të fundit, për hatër të një zogu të kolmë i cili as këndon, as ka ndonjë talent të tillë, por thjesht bën (bënte mirë dikur dhe sot si shpend në mes të shkurtës e fazanit) për tu ngrënë ose për tu pjekur dhe shijuar. Në fakt, nuk ka zë të bukur dhe jo më të konkurojë bilbilin. Është thjesht diçka për t’u gjuajtur ose ngrënë dhe sigurisht unë që jam kundra gjuetisë – do ta shijoja dhe vetëm duke e parë! Por bilbili nuk është për t’u ngrënë. Ai nuk hahet. Ai dëgjohet dhe shijohet vetëm në këngën e tij dhe padyshim dhe nga bukuria e jashtëzakonshme e një zogu të vogël me një fuqi magjike të këngës.

Politikisht sot po teprohet me “thëllëzat” duke vrarë bilbilat apo dhe kanarinat po të doni. Nuk hahen as bilbilat as kanarinat! Ato këndojnë dhe shikohen për bukurinë e tyre magjepsëse në audio dhe video. Në Shqipëri po vriten bilbilat dhe kanarinat për hatër të thëllëzave dhe kjo politikisht po bën shumë keq. Në administrim dhe ekonomi akoma më keq. Thëllëzat po mbushin ministri dhe drejtori, po mbushin politikën në saj të vrasjes të pa shpirt të bilbilave dhe kanarinave (meshkuj femra), që kanë zërin, fuqinë dhe bukurinë për të bërë krenar dhe për të drejtuar pikërisht këngën – shtetin. Atë këngë që nuk mund të realizohet, këndohet dhe interpretohet nga thëllëzat e kolme në shumë raste dhe në disa raste – thatiqe. Çfarë kanë zbuluar sot me thëllëzat? Kanë zbuluar atë që në fakt gjysëm sundimtarët dhe autokratët dikur, nuk e kishin zbuluar plotësisht. Kanë zbuluar se duke mbushur administratën me thëllëza, duhen vrarë bilbilat (vriten automatikisht pra largohen nga kënga) ose më qartë zëvendësojnë bilbilat me thëllëza!

Ku është halli? Pse vritet bilbili për hatër të thëllëzës? Po është mëse e qartë! Bilbili ka këngën dhe melodinë – të vërtetën e magjikes dhe të mrekullisë! Ka modelin që tregon supremaci dhe realitet të jashtëzakonshëm! Ka profesionalizëm dhe art. Ka shpirtin e duhur të gjenialitetit në përgjithësi. Kurse gjuetarët e sotëm – duan vetëm mishin e thëllëzës. Shërbimin e saj të vetëm. Jo gjë tjetër – sepse ajo nuk ka gjenialitet, as mrekulli jashtë normales që ka pikërisht bilbili dhe kanarina.

Prandaj gjuetarë të tillë i përdorin thëllëzat në politikë, mbushin rradhë me urdhër dhe shifra thëllëzash, duke abuzuar dhe me llojin e tyre dhe të drejtat e mëdha të tyre në përfaqësim. Kërkojnë mediokritetin për të sunduar më mirë! Kurse bilbili – nuk ka lidhje me mediokritetin! Po dhe bëjnë pastaj një masakër bilbilash dhe kanarinash që këndojnë, që bëjnë koncerte dhe që janë kryevepra talenti dhe tregojnë që thëllëzat rrinë nën çati. Nuk i do ai - gjuetari që e ka mendjen te thëllëzat dhe që tashmë ky lloj gjuetari është shtuar në partitë “thëllën-ziste” të së shkretës Shqipëri! Në shumë raste për të nxjerrë thëllëzat në krye, thuhet, deklamohet dhe trumbetohet se ato janë të buta, punëtore dhe të ndershme dhe prandaj – si pasojë duhen vrarë bilbilat të cilët janë “të egjër” ose kanarinat që “bërtasin shumë”. Katapultimi politik i qëllimshëm i “thëllëzave” – pastaj bën që ato akoma më keq të përgojohen të trajtohen jo si vërtetë thëllëza, por si modele që kanë bërë keq. Kështu po veprohet në dy krahët e politikës për fat të keq, me zonja dhe zonjusha, por edhe modele të tilla katapultimi nga “gjuetarët” rrufjanë që i kanë bërë dhe i bëjnë keq – pyllit tonë të përbashkët, si një mjedis që ka nisur të vrasë prej kohësh bilbilat për hatër të “thëllëzave”./Nga Besi BEKTESHI

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 35

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/08/2018 - 12:50

Akademiku Artan Fuga ka reaguar për uljen e numrit të të rinjve që duan të regjistrohen në universitete.

Postuar: 15/08/2018 - 07:20

Për parulla, ne shqiptarët jemi rekordmenë ndoshta edhe në shkallë botërore.

Postuar: 15/08/2018 - 07:19

Lista e studimeve që vërtetojnë se konsumimi i alkoolit ndikon pozitivisht kundrejt diabetit ësht

Postuar: 15/08/2018 - 07:18

Sigurisht që ka liri mali, banorët e tij janë vërtetë njerëz të lirisë, të sjelljes së lirë dhe p

Postuar: 14/08/2018 - 07:13

Ajo me të cilën ushqehen shqiptarët prej tre dekadash, sapo një ngjarje e rëndë ndodh në një cep

Postuar: 14/08/2018 - 07:11

Në funksion të integrimit në BE dhe kapërcimit të trashëgimive problematike të së kaluarës, rajon