Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Toka nuk gjen qetësi/ Dy lëkundje të forta tërmeti godasin gjatë natës Shqipërinë, ja ku ishte epiqendra dhe sa ballë

Toka nuk gjen qetësi/ Dy lëkundje të forta tërmeti godasin
x

Opinion / Editorial

“Gjithmonë me fjalë të butë, por një shkop mbaje në dorë... ”

“Gjithmonë me fjalë të butë, por një shkop mbaje

... Kështu ka thënë presidenti i shquar amerikan, Roosevelt, i cili në koalicion me Stalinin komunist të Rusisë ishin fitues të Luftës së II Botërore dhe shpëtuan popujt nga murtaja naziste. Kjo thënie e mençur nënkupton harmonizimin e efektshëm të metodës së bindjes, të edukimit paqësor me zbatimin e rregullave, disiplinës së ndërgjegjshme me ushtrimin e forcës së ligjit. Kur një ndër presidentët më rezultativë të Amerikës thotë “…por edhe një shkop mbaje në dorë”, nënkupton faktin se aty ku edukimi nuk realizohet më me këshilla e fjalë të mirë, kur bindja nuk jep më efekt, duhet të veprojë patjetër ashpërsia e ligjit, se ndryshe fillon shthurja.

Në periudhën e demokracisë që po jetojmë sikur është tepruar disi me tolerancën, është tejkaluar me qëndrime liberale dhe ka patur neglizhenca të papranueshme në zbatimin e ligjit, deri në mosndëshkimin e fajtorëve që i kanë shkaktuar dëme të mëdha shoqërisë. Nëse vazhdon të zgjatësh metodat demokratike të bindjes me fjalë, kur është e nevojshme zbatimi me korrektesë i ligjit, pala kundërshtare, ajo që bën shkeljen e dëmin, do ta marrë këtë për dobësi ose paaftësi. Janë bërë disa herë protesta të dhunshme nga opozita në vendin tonë, madje shpesh herë të nxitura edhe nga deputetët, të cilat kanë çuar në djegie të institucioneve e dëmtim të pasurisë së popullit, madje ka patur edhe plagosje e vrasje, por ligji nuk është zbatuar.

Janë bërë arrestime të bujshme, është shoqëruar nga forcat e policisë për pak kohë edhe ndonjë deputet, por pastaj përsëri janë lënë të lirë e shkelja e ligjit ka vazhduar si më parë. E çfarë “fjalë e butë” duhet dhe si mos të veprojë forca e ligjit kur dhunohen institucionet, sulmohen forcat e policisë, i vihet zjarri pronës së popullit, vetëm për faktin se duhet respektuar opozitarizmi, apo se në krye të turmave janë deputetët. Kështu ndodh edhe me disa personalitete të tjera publikë, sidomos këngëtarë, shkrimtarë e moderatorë. Persona të tillë janë kapur në shkelje flagrante të ligjit, janë ndaluar për armëmbajtje pa leje e si përdorues droge dhe janë lënë të lirë, duke i këshilluar me fjalë të buta, edhe pse ata janë përsëritës të shkeljeve të ligjit. Para ligjit janë të gjithë njëlloj, qytetarë të barabartë, si pushtetari ashtu edhe i papushtetshmi, artisti i madh dhe njeriu i zakonshëm, i pasuri dhe fukarai. Kush e prek ligjin, duhet t’i nënshtrohen të gjithë forcës së tij pa dallim, siç i nënshtrohen pa dallim të gjithë vdekjes.

Nuk mund të jetë personalitet apo artist i madh ai që shpërfill ligjet. Kur PD ishte në pushtet pati shumë nëpunës që në emër të partisë që përfaqësonin kanë shkelur rëndë ligjet e kanë shpërdoruar me dashje detyrën e ngarkuar, por disa prej tyre, jo vetëm që nuk kanë mbajtur asnjë lloj përgjegjësie për dëmet e shkaktuara, por vazhdojnë të qetë punën aty ku ishin, ose kanë zënë vende të tjera më të mira, e madje janë ngritur edhe në përgjegjësi. Më ka çuditur fakti i para ca ditëve, kur po kërkoja dëmshpërblimin sipas vendimit të gjykatës për largim të padrejtë nga puna kur punoja në Bashkinë e Tiranës. Përgjegjësja e zyrës juridike, një pd-iste e paftë që na “kopsiti letrat” neve, disa socialistëve “për shkelje të marrëdhënieve kontraktuale” sipas urdhrave të partisë së saj, tani ishte bërë drejtoreshë po në këtë institucion. Dhe merret me mend, se si mund ta fitosh të drejtën, kur shkon e i ankohesh ujkut pse e hëngri delen. Nëse do të veprohet në kuadër të llafeve boshe e justifikimeve bajate se “këta tani kanë ndryshuar”, apo “i mbaj se mua më bëjnë punën” e se “ne nuk veprojmë si PD” siç deklarohen eprorët e tyre, fundi i këtyre akrobatëve mediokër, që nuk kanë as bindje dhe as parti, që nxisin paaftësinë dhe korrupsionin, nuk do të vijë asnjëherë. Fjala e ëmbël dhe mirësia ka një kufi.

Stimulimi i kësaj kategorie që i ngjiten pushtetit si rrodhe, nuk është aspak sjellje demokratike, përkundrazi është ose frikë para tyre, ose rënie e hapur në korrupsion. Në emër të bindjes dhe mirëkuptimit, po ndodh edhe një frymë liberale në zbatimin e rregullores në shkolla. Disiplina ka ardhur duke rënë vit pas viti, sepse ndaj nxënësit nuk mund të zbatosh si duhet më rregulloren e shkollës, se të quajnë ballist. Nxënësi, edhe kur nuk kryen detyrimin më minimal që i takon, si paraqitjen në orar në shkollë, apo kryerjen e detyrave kryesore si nxënës sipas rregullores, ai e ka në majë të gjuhës justifikimin: “Mos më fol me zë të lartë! Mos më ofendo! Është e drejta ime të mësoj ose jo”. Dhe kështu kërkesën e llogarisë apo thirrjen e prindërit për të bashkëpunuar, nxënësi e quan “dhunë psikologjike”, “diktaturë”, ”ndërhyrje në jetën e tij personale”, etj. Dhe nëse mësuesi kërkon ndihmë në këtë mjedis jo efikas për zbatimin e rregullave në fuqi, përgjigja e të gjithëve është: “Mundohuni t’i bindni, gjeni rrugët dhe metodat e duhura! Nuk ka nxënës të këqij”! E në shumicën e rasteve ata që janë jashtë shkollës e heqin kollaj barrën nga vetja. “Gjej metodën, gjej taktin, komuniko me kulturë dhe fute në rrugë”, kjo është porosia e këshilla e të gjithëve për mësuesin. Po çfarë takti e metode mund të përdorësh me një nxënës të shkollës së mesme, i cili nuk di të lexojë, që bën mungesa të pajustifikueshme, madje edhe kur vjen në klasë përton të mbajë edhe çantën? Ka nxënës që vijnë në orën e mësimit pa libra e fletore, duke u justifikuar se “nuk kanë lekë t’i blejnë”, ndërkohë që celulari që mban në xhep është qindra mijë! Duke spekuluar me “metodën e bindjes”, kanë krijuar koncept të gabuar edhe disa prindër, kur u kërkohet bashkëpunim, duke ia lënë krejt barrën shkollës, edhe pse fëmija i tij është i pabindur. “E si do ta përjashtosh, - hidhet përpjetë ai, ku do ta çoni, do ta hidhni në rrugë! Keni për detyrë ta edukoni”! Fjala e mirë, këshillat e urta dhe sqarimet e duhura janë për ata që i pranojnë që reagojnë për mirë e duan të ndreqen.

Jo të gjithë janë të mirëkuptueshëm, jo të gjithë kanë ardhur për të mësuar në shkollë, jo të gjithë e vlerësojnë edukimin dhe vlerën e shkollës. Në demokraci fjala e lirë, toleranca e mirëkuptimi duhet të ecin në raport të drejtë me zbatimin e rreptë të ligjit. Nëse secili bën detyrën e tij sipas ligjit e rregullave të përcaktuara, nxënësi në shkollë, nëpunësi në zyrë, përdoruesit e rrugës në qarkullim, eprori në marrëdhënie me vartësin, tregtari ndaj blerësit, atëherë ky është mirëkuptimi e nuk ka pse të përdoret fjala e ashpër e dhuna. Në raportin bindje-ndëshkim, duhet bërë qartë dallimi midis atij që nuk ka mundësi e aftësinë e duhur dhe atij që neglizhon e shkel me dashje ligjin, sepse është tjetër gjë kërkesa e llogarisë nga kapriçollëku zyrtar, sjellja e kulturuar nga krekosja ndaj qytetarit të zakonshëm, harbutëria nga edukata.

Të pranosh demokracinë, do të thotë të jesh luajal, të pranosh edhe lëvdatën kur punon mirë, por edhe ndëshkimin kur bën prapësira. Të kesh të drejtën e fjalës, nuk do të thotë të ofendosh, të çaprashitësh ç’të të vijë nëpër gojë, por të japësh mendim kur të kërkohet e të ndëshkosh fajtorin kur duhet. Të përsosur nuk ka, as në qeveri e as në popull, por ama brenda normalitetit njerëzor duhet të jemi të gjithë. “Njeriu nuk e ka të domosdoshme të bëhet i mirë, por e ka të ndaluar të jetë i keq”, shkruan shkrimtari Kim Mehmeti.