BREAKING NEWS

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe 2 mijë të vdekur brenda ditës

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe
x

Opinion / Editorial

Gjithsecili të "kujdeset për kriminelët" e partisë së vet!

Gjithsecili të "kujdeset për kriminelët" e partisë

Sigurisht që akuzat që i bëhen sot "OFL-së" nga opozita, ose më mirë akuza që i bëhet Ramës nga njësitë opozitare "ekstra parlamentare" nuk duan të krijojnë vetëm atë frymën e mos besimit dhe urrejtjes, por në përgjithësi kanë dhe një qëllim tjetër të rëndësishëm. E ky qëllim është se në rast të funksionimit të modelit të ndërtuar, "OFL" rrezikohen dhe "kriminelët" apo njerëzit e tyre me "qëndrim djathtas". Në fakt, po mundohen t’i mbushin mendjen njerëzve në përgjithësi që mafiozë, trafikantë dhe kriminelë ka vetëm Rilindja dhe PS-ja, kurse këta që akuzojnë janë të "ndershëm". Po pra, janë parti që asnjëherë nuk kanë pasur të bëjnë me "njerëz të narkotrafikut" as me zona të ekspansionit dhe ekstensionit të modelit "lazaratus-kanabisus" & SHPK ose partia e doktorit. As me kriminelë të pasur që mbronin interesa elektorale të PD-së dhe sigurisht blerje-shitje të LSI-së dhe se e gjithë kjo marrëzi krimi në Shqipëri është produksion "ekskluziv" i Ramës, çunave të Rilindjes dhe PS-së.

Në të vërtetë sa fillon të përvijohet kjo ide, ky mentalitet dhe kjo marrëzi ideore opozitare duhet menjëherë të kuptosh se prandaj dhe Rama ekzagjerohet sepse ka përballë një dorë të tredhurish politikë dhe filozofikë, që akoma e dinë popullin dhe shumicën e shoqërisë shqiptare jo thjesht të paditur, por dhe komplet idiote, sa të mos kuptojë se me kë ka të bëjë si në pozitë dhe opozitë. Po mundohen të na mbushin mendjen se në qoftë se "pastrojmë Ramën dhe partinë e tij është e pastruar dhe Shqipëria". E kujtojnë se njerëzit me këtë rast nuk pyesin (sepse ju ka ardhur në majë të hundës nga pushteti sot): A thua po u largua Rama ky vend shpëton? Pastaj kujtojnë se njerëzit nuk e dinë se "po u largua Rama kush mbetet të qeverisë Shqipërinë". Po pra, nuk e dinë se i bie të qeverisë Lulëzim Basha i Republikës së Re, Rrugës së Kombit, 21 Janarit dhe detit tonë dhënë Greqisë, Sali Berisha i dy dëshmitarëve si zonja Haklaj dhe zoti Haxhia dhe shumë të vdekurve në Shqipëri jo vetëm në ‘97-tën, por dhe’ 98-tën dhe kohën e Gërdecit.

Mbetet dhe Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta, por mbetet dhe i gjithë "background-i" i një rropullie që dolën jashtë institucioneve për të bërë të mundur djegien e Shqipërisë apo gjakun e derdhur me provokim, për të krijuar fantazmën e rrëzimit të shtetit. Këta mbeten dhe kanë si përmirësim njerëzor dhe "intelektual" Salianjin dhe Balliun. Mbetën këta që në marrëveshje të fshehtë me Ramën ose më mirë shërbim ndaj tij, kanë lëshuar opozitarizmin në institucione, kanë thyer pluralizmin dhe kanë lejuar që të prishet raporti demokratik në pushtetin vendor dhe po ashtu në qeverisjen e ndarjes së pushtetit në një vend demokratik. Janë këta tipat që thonë "jemi të pastër ne, pa kriminelë dhe pa gangsterë" që digjnin me zjarr dhe kanë vrarë në bulevard e më e bukura është se Rama dhe sot e kësaj dite nuk ju ka bërë asgjë. Sepse e para, ka premtuar kot dhe paturpësisht dikur dhe e dyta, nuk është as i zoti dhe kur e ka kuptuar se i ka të dyja, sot jep përgjigje se "nuk merret ai me politikanët" sepse me ta do të merret "drejtësia e re"! Po po, janë këta tipat e pastër të "politikës shqiptare" sot në opozitë, që dikur horrave të ndërtimit që vranë njerëz me tërmetin e fundit, ju jepnin lejet dhe ju merrnin paratë dhe sot duan të thonë se janë vepra vetëm të socialistëve - rilindistë të Ramës. Janë këta tipa që dhanë leje për resorte dhe "toka me një euro metri katror" që të bëhet lëmsh i gjithë bregdeti që të mblidhej gjithë mafia e ndërtimeve dhe e tokave të marra me forcë dhe me "drejtësinë" e gjyqtarëve dhe prokurorëve të gatuar në fabrikën e prodhimit të kriminelëve të drejtësisë që është selia e PD-së në Tiranë.

Biles më mirë të them te njëra zyrë e vetme atje. Këta tipa duan të na mbushin mendjen (që akoma duan të sabotojnë reformën në drejtësi) se kriminelët janë të gjithë andej nga Rama, kurse këta janë qelibar. Këta tipa që ndërtuan sistemin më pervers të drejtësisë më të padrejtë në Europë, mundohen të na "shpëtojnë" sot duke thënë se po u rrëzua Rama dhe PS-ja e Rilindjes apo Rilindja e Ramës - shpëton Shqipëria, sepse vijnë në pushtet këta të ndershmit dhe qelibartët e korrupsionit. Këta tipa që me emërimet e tyre në drejtësi, kanë bërë që krimi jo vetëm të sundojë ekonomikisht dhe financiarisht në Shqipëri, por dhe politikisht. Këta tipa duan të na mbushin mendjen se "tre çereku i kriminelëve të banditëve" dje "nuk ishin me PD-në dhe të joshur apo të paguar aty dhe nga aty" dhe sot lëpihen nga PS-ja - duke bërë kalimin e rrjedhshëm të biznesit të tyre të vetëm që dinë të ndërtojnë, ose krimin e organizuar. Në fakt sot "gjithsecili duhet të kujdeset për kriminelët e partisë së vet".

Duhet të kujdeset, sepse kanë pasur disa vite kohë ndërkombëtarët (që na ngritën institucionet si SPAK dhe BKH) të studiojnë se nga ku kanë marrë frymë njerëzit e krimit, të cilët kërcejnë sa nga njëra parti te tjetra sipas kohës dhe modelit që ju vjen përballë. Duhet të kujdesen dhe shumë, sepse dalëngadalë do të vijë një kohë që do t’u duhet të përballen jo vetëm me drejtësinë, por dhe me njerëzit në zgjedhje. Kujtojnë se janë mjeshtra të mashtrimit dhe gënjeshtrës, por sot ka përfunduar gjithçka në besimin që kjo shoqëri ka, te kjo klasë politike si në pushtet dhe në rrugë, apo në zyra të jashtë sistemit, por që bashkëpunimin për tu mbrojtur nga krimet që kanë bërë - e kanë të sigurtë me njëri-tjetrin. Kujtojnë se njerëzit realisht "hanë bar" dhe nuk i kuptojnë.

Në fakt, aty i kanë kriminelët, me pasuritë e tyre dhe me resorte apo dhe fabrika e vila, me toka dhe mundësi të jashtëzakonshme që jam i sigurtë që një OFL nuk e zgjidh dot vetëm. Prandaj krahas këtij operacioni është dhe një tjetër që quhet: “Politikanë mbroni kriminelët tuaj”. Po pra, që shkurt quhet - PMKT! Megjithatë drejtësia akoma nuk ka filluar, akoma nuk kuptohet veprimi real i saj. Thjesht ka filluar të kuptohet se nuk do të jetë më si këto 30-të vite. E sido që të jetë - më mirë do të jetë dhe pse politikisht janë po të njëjtat fytyra të shëmtuara që vazhdojnë të bëjnë show-n e radhës.