Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Grabitja e protestave

Postuar: 14/11/2018 - 07:06

 Protestat e opozitës tonë ngjajnë shumë me informacionet që jepeshin përditë në seksionet e bujqësisë në Komitetet Ekzekutive për sipërfaqet që mbillnin kooperativat bujqësore dhe fermat në vitet e komunizmit. Informime sa për evidencë, për të gënjyer Komitetin Qendror të Partisë, duke dërguar telegrame si sihariqe për t’u thënë se realizuam mbjelljen e lulediellit, misrit, grurit, foragjereve deri edhe kungujve. Edhe pse kjo sipërfaqe ishte në skërka e male, ku vetëm gurët mund të rriteshin. Ama shifrat raportoheshin si zbatim në jetë e direktivës së partisë në evidencat e shtetit. Vinte koha e korrjeve, po në vend të bimëve, gjendeshin vetëm gjemba e shkurre që e kthenin tokën në inproduktive që nuk shërbente as për kullotjen e bagëtive. Evidencat në letër ishin entuziaste. Hektarët e renditur në pasqyrat e raportimit paloseshin në sirtare të pluhurosura nga myku sepse askush nuk i shfletonte, pasi secili ishte koshient që kështu e donte loja. Lart në qeveri, lojë e poshtë e njejta lojë. Hambarët mbeteshin bosh. Populli ushqehej me shifra, si pata e përrallës ku vezët në vend të proteinave kishin brenda vetëm gërma të zeza prej plumbi. Evidencat grabiteshin nga të gjithë palët. Një përngjasim simetrik ndodh sot me protestat e opozitës. Refreni protesta sot, nesër, pasnesër, pas një jave, një muaj, një viti vazhdojnë deri në bezdi. Thirrjet se do bëhet nami në qershor, në korrik, në shtator, në nëntor e në funddhjetor trokasin pa pushim. Bilanci? Vetëm një numër rendor! Dhe riciklimi vijon për muajt e vitit tjetër. Njoftimet për numrin e protestave janë bërë si serial telenovelash pa fillim e fund. Fronti i bashkuar opozitar njofton gjithnjë në kohën e ardhshme, cili do jetë sheshi i radhës, ku do ngrihen qytetarët në protestë me barrikada, kur do revoltohen dhe ditën që do ngujohen. Nga podiumi i PD-së në seli vijnë njoftim pas njoftimi. Të parin e nis Lulzimi. Kryesihariq me kryeprotesta. Vijon Alibeaj. Vazhdon Paloka. Njofton protestën e radhës, Noka dhe Ndoka! E njejta histori dhe histeri edhe në LSI. Shumë herë të përputhura në simetri. Ndryshojnë vetëm qytetet, kryesuesit, emrat, organizatorët dhe dialektet. Po të gjithë kumtojnë sihariqin e partisë për organizmin e protestave madhështore. Si gjithnjë protesta e radhës do jenë më e madhja e këtij shekulli. Protesta gjigande që nisin e nuk mbarojnë, që do mbushin sheshe dhe kryesheshe. Protestë para kryeministrisë, prefekturës, bashkisë. Bllokime rrugësh anembanë Shqipërisë. Kur nuk shënohet protesta nëpër rrugë, me parulla e pankarta, manekinë që përqeshin qeverinë, në frontin e protestave vërshojnë deklaratat e zëdhënsve e lajmëtarëve pafund. Të gjithë thirrje për protesta. Me premtime se do ndodhi çudia e radhës. Të dashuruarit pas protestave janë unikë. Nuk lëshojnë rastin nga dora t’u ikë. Deklaratat mund të ndryshojnë vetëm për datën, vendin, shkakun, pretekstin, strategjinë, taktikat, po premtimet për protesta vazhdojnë. Protesta do venë e do vijnë. Tërë kohës deklarohet. Do të... Do të shihni... Do t’u hedhim në greminë... Do t’u futim nëpër puset e zinj. Do u syrgjynosim. Do u sakatosim... I pari Rama në kryelistë. Protesta dhe arrestime u rezervohet gjithë ministrave dhe deputetëve. Të nesërmen thirrje për burgosje, shporrje, linçim. E për cilët i bëjnë këto kërcënime? Për ata që kanë përballë, që sot janë pozitarë e nesër thjeshtë opozitarë. Se kjo puna e pushtetit në demokraci kështu e ka. Njëherë unë e të nesërmen do hypësh ti në kalë, o opozitar.

Po si ta gjykojmë këtë punën e përmbysjeve me revolta? Fronti opozitar ka zënë pusinë tek portat tona. Për të na sharë e për të na hequr zvarrë? Po le të vijmë tek protestat dhe një mijë marifetet për grabitjen me hipokrizi e përdhunë të çdo proteste. Pasi mburren me protestat masive me “milionat” nëpër sheshe, nisin me protestat shëtitëse një model i ri ku grupe militantësh sapo mësojnë se kryeministri do të niset në Vlorë lënë vrapin drejt sheshit qendror “Pavarësia”. Me deklarata e ultimatume. Akuzojnë me përgjime e video e filmime. Numërohen tërë të këqijat e dheut sikur të mos qeveris qeveria, po bandë babëzia. Pas mbarimit të protestës në Vlorë, ku e shpallën kryeministrin kryehorr të nesërmen vrapojnë në Elbasan. Ditën tjetër në Korçë. Në Lezhë. Në Durrës. Në Shkodër. Peshkopi. Gjithnjë të njejtët protestues, ata të stërviturit të bëjnë propagandë, të shajnë me rrënjë shtëpinë, ata që diskreditojnë me fund, jo thjeshtë qeverinë, po vetë Shqipërinë. Në krye të ditës e javës, në fund muajt apo vitit, ulet në tavolinë e gjithë opozita dhe nis të bëjë llogaritë. Të numërojë, ku ishte dhe ku shkoi! Sa prita ngriti në qytete dhe sa protestues bëri për vete?! Llogaria iu del e pasur në letër si mbjelljet për evidencë në sistemin tjetër. Gjeografia e qyteteve të protestave ndryshon për ditë. Kështu dhe motivet. Në Gramsh ristrukturohet një shkollë. Investimi i qeverisë. PD mobilizon prindër e fëmijë për të realizuar protestën e radhës. Kjo garë me protesta duket se bëhet vetëm për evidenca. Në TV, në mbrëmje shqiptarët duhet të kenë mendje të shtuar për protestën e opozitës. Prej vitesh, herë në jug e herë në veri, në perëndim a në lindje, militantë të PD dhe LSI sulmojnë, shajnë e godasin me tymuese qeverinë. Dhe pasi bëjnë lëmsh me akuza e shpifje, me kinofilma e video hedhin në sulm protestuesit e radhës, jo se bëjnë ndonjë hata po për të qenë në rregull me evidenca e shifra. Pas protestave “madhështore” të vetëkënaqurit opozitarë nisin të flasin në studiot televizive. Deklaron kryetari Basha: I bëmë të dridhen “rilindasit” nuk gjejnë vrimë të futen. Nga podiumi flet Paloka: Protesta që vjen, do përmbyset bota. Në rrugëtimin me protesta, ajo që evidentohet, është përvetësimi i tyre nga opozita, vjedhja e shpirtit të protestës, grabitja, ndryshimi i qëllimit dhe shndërrimi i çdo lëvizje në politike e kaotike. Nuk ka rëndësi shkaku, as arsyeja. Vlerë ka vetëm partia. Kur një shtëpi shembet në veri nga tërmeti ose rrebeshi. Në Librazhd nga rrëshqitja e tokës. Në baipasin në Shkodër, qytetarët dalin në protestë se nuk dëmshpërblehen. Kur minatorët ankohen për statusin. Kur dalin në protestë, punëtorët në baipasin e Fierit. Opozita jonë ua grabit kauzën, ua vjedh shpirtin. U rrëmben emocionin. U përvetëson aksionin. Dhe megjithatë, në ekstazë kori opozitar thërret: Protestë dhe vetëm protestë! Opozita shqiptare nuk ndalet vetëm në Shqipëri. Nuk mjaftohet me 28 mijë km2, kaq pak hapësirë i qëndron ngushtë opozitës sonë. Ndaj e eksporton revoltën në qendër të Europës. Brukseli është sheshi i radhës. Protestë para Europës sikur të ishim fundi i botës. Po pak rëndësi ka ç’thonë, opozita shënon edhe një protestë më shumë në radhën e protestave pa fund. Po ndryshe nga protesta në “shtëpi” në Brukselit llogaritet me përmasa kozmike se përfshin jo vetëm Shqipërinë, po tërë gjithësinë. Dhe pas protestës në sallën e qelqtë, deputetët e opozitës zbresin në Tiranë si gladiatorë triumfatorë. Gjithnjë me urën e zjarrit në dorë. Opozita është tërë kohës në aksion, jo për protestat e veta po për vjedhjen e protestave. Pak rëndësi ka, janë një, dhjetë a një mijë protestues. Është protestë fshati, rrugice, lagjeje a qyteti. Vlerë ka evidenca e protestave të shtohet e rritet, të ngjishet e ngjitet se opozita jonë bën politikë dhe e sheh protestën vetëm si sprint. Protesta pas e para Kryeministrisë. Bllokim kryqëzimesh, emergjencash, autobusë fëmijësh. Kjo është loja e opozitës tonë. Për këtë vrapon e vrapon. Lufton e lufton. Nuk ka asnjë vlerë produkti që voli në dimër, sa qytetarë mblodhi këtë verë! Për të ka vetëm një kryevlerë. U përplasëm me qeverinë në të “n-tën” herë. Dhe protesta e radhës lexohet e pangjashme në tërë historinë e protestave më parë.

Opozita jonë, kur flet për revolta e protesta mburret se miliona qytetarë zbritën në rrugë sikur Shqipëria të ishte jo dy- tre milionë, po fiks një trilion. Sikur në shesh të kenë zbritur jo vetëm shqiptarë, po bota mbarë. Dhe llogaritarët opozitarë me teknologjinë më të re shënojnë sa milionë ishin në sheshe. Po ka protesta e protesta. Siç ka protestëgënjeshtra dhe protesta të vërteta. Kukësi i dha leksion transparence qeverisë me protestën e shkurtit për tarifën në “Rrugën e Kombit”. Populli di të protestojë dhe nuk ka nevojë partia ti organizojë. Pikërishtë për të treguar diferencën mes protestave të partisë ato me tharm politik dhe revoltave të qytetarisë të cilat janë themeli i demokracisë bëhet edhe diferenca mes protestave reale dhe protestave imagjinare. Le ti referohemi disa prej protestave. Nëse protesta e fillim vitit për kundërshtimin e tarifës së “Rrugës së Kombit” ishte reale edhe pse e dhunshme dhe kërkesat gjetën reflektim nuk mund të themi se protesta e militantëve po në Kukës gjatë vizitës së kryeministrit pati të njëjtin vlerësim. Arsyeja? Se protestën anti Rama e bëri politika ndaj militantët numëroheshin me gishta. Dështoi si protesta edhe politika. Ndryshe është zëri i qytetarëve. Në takim me qytetarët dëgjova një minator veteran, njeriun e nëntokës në Kukës. Foli qytetari. Kërkoi, jo me tërsëllima as arrogancë, që qeveria të shikojë pensionin dhe statusin e minatorit. Dëgjova se emërimet shumë herë bëhen me miqësi dhe jo nga konkurenca dhe portali. Dëgjuam si mësuesit mezi hyjnë nga penxheret, ndërsa miqve u hapen të gjitha dyert. Dhe pashë si kryeministri Rama apeloi për drejtësi. Dhe premtoi se këtej e tutje mësuesit do emërohen vetëm nga portali. Dëgjova për aeroportin e rrugët e reja. Për zgjidhje e shërbime për popullin dhe luftë burokracisë. Mësuam për drejtorë që nxijnë, jo vetëm qeverinë, po tërë Shqipërinë. Dhe thashë. Ja protesta që ka në thelb njeriun! Kur protesta është thelbi i demokracisë.

Në vargun e protestave, këto ditë banorë të Tiranës kërkojnë zgjidhje. Kërkesë normale njerëzore. Po ç`ndodhi me protestën e qytetarëve? Deri sa në protestë në emër të së drejtës për dëmshpërblim të hynte me përdhunë mes turmave protestuese partia, ishim të gjithë në krah të protestuesve. Po si nga dhjetori 1990, kur u grabit protesta e rinisë në emër të liderit të partisë, ashtu si me grabitjet e protestave të mëdha siç ndodhi me lëndët kimike. Parkun e liqenit edhe këtë protestë njerëzore nuk mund ta linte t’i ikte opozita. Dhe u dërguan emisarët, deputetët, grabitqarët. Këtë herë, Balliu dhe Mul Noka shkuan të parët. Kërkesa e protestuesve në Astir është një e drejtë ligjore. Se tek e fundit kush i lejoi të ndërtojnë në një territor ku do ndërtohej një vepër si ajo e Unazës së Madhe? Ku ishte shteti, bashkia, qeveria, urbanistët që lejuan vila e shtëpi? Po nëse qytetarët kanë të drejtën për të kërkuar drejtësi dhe zgjidhje dhe janë në hallin e tyre. Basha ka axhendë tjetër, për atë nuk ka vlerë shtëpia familja, fëmija, po ajo që fiton partia. Kur protestat janë reale dhe qytetarët kërkojnë drejtësi, bashkia e qeveria duhet të gjejnë zgjidhje se nuk mund të mbeten në qiell të hapur qindra familje e fëmijë. Fajtorë nuk janë protestuesit po vetë funksionimi i shtetit. Zëri i protestuesve duhet dëgjuar! Organet shtetërore të ulen e të dëgjojnë dhe evidentojnë kush ka të drejtë. Të analizojnë përse sot qytetarët janë në protestë. Të nxjerrin fajet dhe përgjegjësitë se bëhet fjalë për shtëpi ndërtuar me mund e djersë. Duhet kompensim i balancuar. Se është detyrë e qeverisë të dëmshpërblejë familje që rrezikohen nga dalja në qiell të hapur. Se tokat atje kanë qënë. Kush i la të ndërtojnë dhe pse shteti nuk i ndali kur dihet se në këtë zonë do ndërtohej unaza e qytetit? Kur qeveria lë boshllëk, opozita e vjedh edhe vetë protestën, përvetëson si nxënësit kopjacë e kthen në kauzë të vetën. Në gjithë protestat e grabitura në këto tridhjetë vjet nuk ka hallin e qytetarëve a familjarëve për shtëpitë e pasuritë po ëndrrën si nga opozitë të bëhet qeveri!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 4

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 11/12/2018 - 07:19

Ashtu si në çdo lëvizje e protestë të viteve të fundit apo pas ndonjë skandali të shpërthyer në Shqipëri, edhe protesta e studentëve, e cila për hir të së vërtetës deri sot është paqësore, të gjithë vrapojnë të k

Postuar: 11/12/2018 - 07:17

Nuk dua të hyj në të drejtat e tyre legjitime, sepse i zoti e di ku i pikon çatia, tjetër gjë kam

Postuar: 11/12/2018 - 07:16

Kishim një mësues fantastik vizatimi në tetëvjeçare dikur në fillim të vitet 70-të!

Postuar: 11/12/2018 - 07:13

Zyra e Llogaridhënies Qeveritare(GAO) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është institucioni i a

Postuar: 09/12/2018 - 07:17

 Përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit mes dy dhjetorëve dhe për të përfituar frytet e

Postuar: 09/12/2018 - 07:16

 Në ditën e shpallur nga Sali Berisha si "dita e Rinisë" dhe sigurisht e

Postuar: 09/12/2018 - 07:14

 Ka më shumë se një muaj që banorët e unazës se re protestojnë ditë e natë, në mbrojtje të b