BREAKING NEWS

Fundoset Meta, Kuvendi rrëzon dekretin për Kodin Zgjedhor dhe vulos heqjen e koalicioneve, Basha dhe amerikanët lënë në baltë presidentin

Fundoset Meta, Kuvendi rrëzon dekretin për Kodin Zgjedhor dhe vulos
x

Opinion / Editorial

Greva, Azerbajxhani dhe Bankers

Greva, Azerbajxhani dhe Bankers

Një dramë e dhimbshme, e mirëfilltë, zemërçjerrëse po zhvillohet prej më shumë se dy javësh përpara nesh. Ajo e naftëtarëve të ngujuar në grevën e urisë, në emër të mbi 600 punonjësve të Rafinerisë së Naftës në Ballsh që kanë gjashtë vjet pa marrë rrogat e një pune të papaguar rreth një vit e gjysmë. Ka gjashtë vjet që kjo dramë luhet përpara nesh si qytetarë, por edhe në sytë e qeverisë e shtetit tonë. Halli i këtyre njerëzve që me punën në Rafinerinë e naftës Ballsh mbajnë familjet e tyre shkrep në sytë tanë vetëm në kohë të protestave të tyre. Ai pulson dhe më shumë në ditët kur rrezikojnë jetën, të ngujuar në greva urie, si kjo e tanishmja. Kjo grevë e dytë vjen vetëm tetë muaj pas së parës në shkurt 2020. Janë mesatarisht 16-17 paga mujore të papaguara të këtyre punonjësve, që në tërësi bëjnë 6-7 milionë euro, sipas raportit të vitit 2015 të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Në procese gjyqësore të bëra shpejt, dy banka tregtare i kanë marrë Rafinerisë detyrimet që ajo u kishte ndër vite, në nivele disa dhjetëra milionë euro. Vetëm për këto 6-7 milionë eurot e punëtorëve nuk u kujdes kush. As qeveria, si pronare e aksioneve të shtetit me 15 për qind të ARMO-s deri dy vjet më parë, as Avokati i Shtetit. Tani nuk ndihet as edhe Avokati i Popullit, për të drejtat thelbësore njerëzore të shkelura të naftëtarëve. Kjo dëshmon përgjumjen e plotë të shoqërisë sonë ndaj kësaj drame të qindra familjeve. Vetë naftëtarët pajtuan avokatë dhe hodhën në gjyq Rafinerinë. Pas seancave pafund, fituan dy vite më parë edhe gjyqin, por përmbarimi i naftëtarëve nuk është njësoj me përmbaruesit e bankave tregtare, që fusin edhe shejtanin në shishe. Sot këta naftëtarë që po vetësakrifikohen me një shëndet në fije të perit, përfaqësues të 600 naftëtarëve të mashtruar dhe të injoruar për vite me radhë, qëndrojnë përpara një qeverie dhe një shteti që lart duart si Ponc Pilati, kur thotë se është një çështje mes punonjësve dhe privatit që i ka marrë në punë, duke qenë se shteti ynë ka shitur pjesën e tij 15 për qind të aksioneve. Qeveria mund vërtet të ketë shmangur përgjegjësinë juridike me shitjen e aksioneve të Shtetit, por kurrsesi përgjegjësinë e saj morale për këta njerëz. Pastaj, ku ishte kjo qeveri, kur rafineria rishitej (bashkë me pjesën e shtetit) dhe bankat merrnin jashtë radhës së kreditorëve pjesën e tyre tek detyrimet? Pse nuk këmbënguli kjo qeveri që të parët (me vetëm 6-7 milionë euro) të shlyheshin punonjësit, duke marrë rrogat e tyre të papaguara? Le të harrojmë për një moment borxhet e Rafinerisë ndaj tatimeve, Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe doganës. Dhe të shikojmë hallin njerëzor. Naftëtarët janë në grevën e tyre të dytë të urisë, pas protestave gjashtëvjeçare. Duket se kjo grevë nuk ka synim vetëm rimarrjen e pagave të prapambetura. Naftëtarët janë në grevë urie për fatin e punësimit të tyre në të ardhmen, më shumë se nga padrejtësitë e së kaluarës. E kanë lidhur jetën e tyre me atë strukturë prodhimi dhe nuk shohin të ardhme tjetër. Rafineria ka që në shkurt që nuk punon. Të dyja kompanitë e regjistruara në parajsat fiskale që e administronin me qera Rafinerinë, u tërhoqën që në shkurt 2020, sapo plasi pandemia. Kjo, pasi pandemia e zbriti në muajt mars-maj 2020 çmimin e naftës në tregun ndërkombëtar në vetëm 27 dollarë fuçia, ose 70 për qind më pak se në janar 2020. Tani, me rritjen disi në 39 dollarë fuçia në tregjet ndërkombëtare, Rafineria e Ballshit edhe mund të ringjallet. Por ama duhet të sigurohet furnizim i vazhdueshëm deri në 50 mijë ton naftë në vit nga Bankers. Këtë kërkojnë në mënyrë të heshtur naftëtarët me grevën e tyre të urisë. Këtu hyn lëvizja me pronarin e vërtetë të Rafinerisë në Azerbajxhan (prej nga edhe takimi i kryeministrit tonë me presidentin azerbajxhanas Ilham Alijev katër javë më parë në Turqi). Dhe fatkeqësisht, kjo përpjekje u zerua nga shpërthimi i luftës mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, që ngriu mundësinë e një zgjidhjeje për nisjen e punës në Rafineri për tre javë. Por tani mundësitë rishfaqen, pse konflikti ka humbur intensitetin e tij dhe Alijev, po të dojë, tani edhe mund të plotësojë lutjen e kryeministrit të Shqipërisë. Dashtë Zoti! Në Ballsh duhet që ose pronari azer i kompanisë guackë që figuron pronare e Rafinerisë, e regjistruar në Britaninë e Madhe, të investojë dhe nisë prodhimin, ose qeveria të gjejë kompani qiramarrëse për Rafinerinë dhe mirëkuptimin e kinezëve të Bankers për të dhënë 50 mijë tonë naftë furnizim, që ta nxjerrë rafinerinë me fitim të paktë e kësisoj të rifillojë puna. Vetëm kështu rikthehen të punojnë të 600 punonjësit aktualë të Uzinës. Kjo do të kërkojë kohë dhe grevistët e urisë të Ballshit kanë boll dëshpërim, vuajtje dhe ankth, por kohë nuk kanë. Prandaj dhe duhet që qeveria të lidhë tani, shumë shpejt një marrëveshje me të 600 punonjësit kreditorë të Rafinerisë për 16-17 rroga të papaguara, që të nisë pagesën e këtij detyrimi me këste. Ndërkohë që juridikisht të bëhet qeveria mbajtëse e këtij detyrimi dhe kreditore e Rafinerisë. Vetëm kjo lëvizje mund të nxjerrë naftëtarët e Ballshit nga greva. Ata janë të vendosur të sakrifikojnë dhe rrezikojnë, në emër të bukës së gojës për qindra familjet e tyre.