BREAKING NEWS

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë në aksin Sauk-Teg, policia përballet me atë që nuk pritej (VIDEO)

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë
x

Opinion / Editorial

Gruaja shqiptare me pushkë dhe penë në histori

Gruaja shqiptare me pushkë dhe penë në histori

Autorët Suzana Jahollari dhe Kujtim Boriçi vijnë përsëri me librin e titulluar “Gratë oficere në rrjedhën e historisë”, ku nëpërmjet arkivave, historive, personaliteteve, kujtimeve dhe ditarëve na sjellin një libër enciklopedi për figurën e gruas me uniformë, komandante, ushtarake në historinë shqiptare. Libri ka përmasa gjithë kombëtare dhe shtrihet në periudha historike, ku në plan të parë del vendi, roli dhe pjesëmarrja e gruas shqiptare përkrah burrit në luftërat e zhvilluara në vendin tonë. Një vend të veçantë në histori ka zënë dhe gruaja ushtarake në një periudhë mbi gjysmë shekulli, ku u bë pjesëtare e rregullt dhe aktive e Forcave të Armatosura shqiptare.

 

Shkolla që titullonte oficere dhe gratë ushtarake në histori

Libri nëpërmjet kapitujve të ndryshëm fillon me historikun e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, për të vazhduar në një kapitull tjetër me objekt oficeret e para të pasluftës dhe fati i karrierave të ndërprera në mes. Më tej vazhdon me gratë luftëtare dhe oficere në Ushtrinë dhe Policinë e Kosovës, të tilla si komandante Sadete Curri, trimëresha, luftëtarja dhe heroinë e Luftës së Dytë Botërore nga Prizreni, Kosovë, për të vazhduar me luftëtaren dhe reporteren në frontet e luftërave në trojet shqiptare, ku vend zenë Rajmonda Maleçka, publiciste, gazetare, shkrimtare dhe fotografe e luftërave të shqiptarëve në Ballkan.

Një kapitull bën fjalë për oficeret shqiptare me karrierë të suksesshme në ushtritë e aletëve dhe pjesëmarrëse në misione ndërkombëtare, shqiptarja Justina Shkupi, ishte infermiere dhe luftëtare internacionaliste në Luftën e Spanjës. Libri përshkruan edhe oficeren shqiptare që u vra në mision paqeruajtës në Lituani, “Dëshmoren e Atdheut” Zarife Hasanaj, që ngeli në histori si krenaria e grave shqiptare me uniformë.

Ndërsa në disa kapituj autorët përshkruajnë oficeret shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që titullohet “Shoqet tona oficere në Amerikë”. Nëpërmjet shkrimeve të ndryshme na japin vështirësitë dhe bukuria e jetës burrë e grua oficerë karriere, gëzimet, privimet dhe sukseset në jetë, burrë e grua, oficerë karriere si Nadire e Astrit Xhakolli, në Nju Jork, SHBA.

Gratë oficere në funksione të larta shtetërore dhe në elitën e artit

Në sajë të kësaj lufte dhe të përpjekjeve të vijueshme të bëra në këto 70 vjet pas lufte, ajo sot është më tepër e organizuar dhe po zë një vend të merituar në të gjitha shtresat e shoqërisë demokratike shqiptare. Fakt është se gruaja shqiptare sot është pedagoge, deputete, ministre, biznesmene, diplomate, oficere police, drejtuese institucionesh etj.. Vetë lufta, kurajoja dhe përpjekjet e saj në shoqëri e kanë radhitur atë të barabartë me burrat, dhe sot gëzon të drejta të plota, të njohura botërisht dhe të garantuara me ligje e Kushtetutë.

Në një kapitull nga fillimi autorët përshkruajnë historinë e grave ushtarake në funksione të larta shtetërore, por dhe shkrimtare e poete. Ushtarake Anila Hoxha bëhet titullare e Policisë së Shtetit dhe në 100-vjetorin e Pavarësisë, u shpall në 100 gratë e suksesshme shqiptare. Më tej vijon me Aida Viezaj Hajnaj, e cila u bë “Drejtuese e Lartë” në Policinë e Shtetit. Një gjetje interesante vijon për ushtaraken Manushaqe Shehu, e cila është gjenerale e parë femër në historinë e Forcave të Armatosura Shqiptare. Në rrugën e jetës gratë ushtarake si Antoneta Dhima, që u bë deputete e Kuvendit të Shqipërisë, kolonele Suzana Jahollari u bë Prefekte e Qarkut të Tiranës, e cila është dhe bashkëautore e librit. Ndërsa ushtarake Ilirjana Sulkuqi, ka qenë komandante dhe pedagoge u bë poete dhe është personalitete e shquar dhe loz një rol të veçantë në komunitetin shqiptar në SHBA.

Oficeret shqiptare dhe kontributi i tyre në Forcat e Armatosura

Në një kapitull që mendoj se është dhe më kryesori përshkruhen mjaft ushtarake, të cilat kanë dhënë një kontribut të vlerësuar në punën e tyre gjatë karrierës në FA. Fillimisht autorët nëpërmjet të dhënave të ushtarakeve me uniformë japin dhe një vlerë të tyre siç do të lexohet në libër. Nëpërmjet këtij kapitulli si në një kolor të vërtetë ngjyrash rrjedh tërë jeta e ktyre vajzave, të cilat veshën uiformën ushtarake dhe shërbyen në pozicione të ndryshme të strukturave të FA në të gjithë territorin e Shqipërisë. Nëpërmjet bibiografive të tyre ne mësojmë për jetën, punën, sakrificat dhe përkushtimin e tyre ndaj detyrës ushtarake. Ato janë në pozicione të ndryshme të detyrave ushtarke, që nga këmbësore, ndërlidhëse, financë, prapavijë, pedagoge, komandante, me grada të ndryshme ushtarake që nga Kapitene e Parë dhe deri në Kolonele.

Roli i oficereve shqiptare në Policinë e Shtetit

E veçanta e këtij libri është se për herë të parë në faqet e tij zënë vend dhe përshkruhen në të gjitha pozicionet e gruas ushtarake dhe në Policinë e Shtetit shqiptar. Tanimë është fakt i pranuar që femra në Policinë e Shtetit përbën një element mjaft të rëndësishëm në funksion të performancës së policisë në shërbim të komunitetit dhe të sigurisë në tërësi. Janë ndërmarrë hapa konkretë për rritjen e barazisë gjinore brenda radhëve të Policisë madje në disa raste janë vendosur kuota 50% në rekrutim, gjë që ka rritur ndjeshëm përfaqësimin e grave dhe vajzave me uniformë. Sot 10 % e personelit policor janë femra nga roli bazë deri në rolet e larta të drejtimit e menaxhimit. Në raste të tilla natyrshëm, vështrimi ynë kthehet pas në fillimvitet ‘90 për të parë zanafillën, vështirësitë e ndeshura dhe mënyra si u kapërcyen ato. Një “dëshmitar” i rëndësishëm që paraqitet në libër është drejtues Skënder Doda, i cili ka pasur fatin të ndjekë nga afër e të udhëheqë procesin e integrimit të femrës në Policinë e Shtetit.

Gratë luftëtare dhe oficere në ushtrinë dhe Policinë e Kosovës

Në këtë libër zënë vend të meritur dhe shumë nga luftëtaret dhe ushtarket në ushtrinë dhe në Policinë e Kosovës. Autorët kanë ditur që të përzgjedhin dhe të përshkruajnë me një dashuri të veçantë komandanten Sadete Curri, trimëreshë, luftëtare dhe heroinë e Luftës së Dytë Botërore, për të vazhduar me mjaft dëshmore të Kosovë të rëna gjatë zhillimeve të lufimeve në forcat e UÇK-së. Përshkruhet jeta dhe vepra e Elheme Ukshini, nusja “Dëshmore e lirisë” nga familja Jashari e Prekazit, sikurse zë vend të meritura edhe heroina Xhevë Krasniqi Lladrovci, komandante e cila dha jetën në një ditë me bashkëshortin për lirinë e Kosovës, heroin Fehmi Lladrovci.

Me tej zënë vend figura të spikatura të luftëtareve të UÇK-së si dëshmore Adile Rama, bashkëshorte e bashkëluftëtare e legjendës Adem Jashari, Mukadez Muhaxherri, dëshmore e trime nga Kaçaniku, luftëtarja trime e UÇK-së Safete Hadërgjonaj, deputete e Kosovës dhe aktiviste e njohur shoqërore, komandante, zëdhënëse e UÇK-së, gazetare dhe shkrimtare e njohur, Fetnete Ramosaj, etj.

Të gjitha dëshmoret dhe luftëtaret e UÇK-së zënë një vend nderi dhe të merituar në figurat ushtarke të kombit, të cilat me plot dinjitet dhe përkushtim lartësuan edhe më tej figurën e gruas shqiptare në përgjithësi, por të gruas luftëtare dhe ushtarake në veçanti.

Një vend të dukshëm në faqet e librit zënë dhe sytha kapituj si fuftëtare dhe reportere në frontet e luftërave në trojet shqiptare, si rasti i Rajmonda Maleçka, publiciste, gazetare, shkrimtare dhe fotografe e luftërave të shqiptarëve në Ballkan.

Oficeret shqiptare, karrierë të suksesshme në ushtritë e aletëve dhe pjesmarrës në misione ndërkombëtare

Interesant është dhe ky kapitull që autorët me të drejtë i kanë kushtuar vëmendje dhe kanë prurë para lexuesit ushtaraken shqiptare në pjesëmarrjen e saj në misionet ndërkombëtare. Ky kapitull fillon me shqiptaren Justina Shkupi, infermiere dhe luftëtare internacionaliste në Luftën e Spanjës të vitit 1936, për të vazhduar me Erika Demiraj, histori e oficeres shqiptaro-amerikane që shërbeu në ushtrinë amerikane. Më tej përshkruhet Lulziana Musliu nga Pollogu i Gostivarit, e cila ka qenë zëdhënëse e Policisë Federale të Zvicrës në Maqedoni, apo Majore Valentina Korbi dhe Kapitene Viola Hoxha, oficeret shqiptare të misionit të inteligjencës në Sudan.

Më tej vjen një përshkrim për Arelena Shalan nga Kosova, e cila gradohet majore në Akademinë West Point të SHBA, apo Ornela Fari Koca, ushtarake shqiptare që nuk e braktisi rrobën ushtarake as në SHBA.

Eprorët, pedagogët dhe kolegët për gratë oficere

Më tej vjen një kapitull që kuadro ushtarak japin mendime dhe vlerësime për oficeret shqiptare. Përshkrimi i bërë nga ushtarku Enver Begeja, komandanti model i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, për kursin e parë të vajzave oficere në vitet 1967-1969 dhe risitë që sollën në Shkollën e Bashkuar. Ndërsa Nevruz (Turku) Sako, ish-pedagog dhe më pas komisar i shkollës, tregon vitet si pedagog dhe komandant i studenteve për oficere, vitet më të bukura të karrierës së tij ushtarake. Edhe kuadri ushtarak Behar Sabriu, ka bërë përshkrime interesante për jetën dhe veprimtarinë e kursanteve gjatë viteve të studimit në shkollat ushtarake.

Për arsimimin e femrave në Forcat e Armatosura, Docent Agim Gjini pedagog në Akademinë e Forcave të Armatosura, ka argumentuar me fakte dhe argumente tërë zinxhirin e arsimimit ushtarak edhe për studentet e shkollave ushtarake.

Oficeret shqiptare, pjesëmarrëse në operacionet ndërkombëtare në det të hapur

Autorët kanë përshkruar edhe oficeret shqiptare, që krahas të tjerave, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e operacioneve ndërkombëtare paqeruajtëse, përfshi dhe ato humanitare për shpëtimin në det të emigrantëve. Në këta të fundit, (operacionet detare), janë shpëtuar mijëra emigrantë, anijet me të cilin udhëtonin, rrezikonin mbytjen në det. Mjaft nga këto raste, kanë gjetur hapësira në median e shkruar dhe televizive, në Shqipëri e jashtë saj.

Kështu mjaft bukur është shkruar për vajzën që u gjend e para në krye të Forcave Speciale të Kosovës, në Durrës në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti i 26 dhjetorit 2019. Po kështu një përshkrim bëhet dhe për bazën amerikane të “Fort Dix” kërcehet “Napoloni”, oficere shqiptare Glodiana Zeqo, në bazën e njohur amerikane, si specialiste në “zyrën e luftës”, etj.

Prezenca e oficereve shqiptare në akademitë e njohura ushtarake, në SHBA, Angli, Turqi, Gjermani etj., tashmë nuk është një fenomen i veçantë, përkundrazi. Ajo që vlen të theksohet në këtë drejtim, është fakti se oficeret shqiptare, me përkushtimin, rezultatet që kanë arritur dhe performancën, janë vlerësuar e vlerësohen ndër më të mirat. Për këtë fakt, ato shpesh janë bërë dhe objekt vlerësimin në shtypin apo televizionet apo vendet ku kanë studiuar apo janë diplomuar si dhe në median shqiptare. Një për të cilën është shkruar, është dhe oficere e karrierës, Glodiana Zeqo e kualifikuar në bazën ushtarake “For Dix”, ndër më të njohurat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa për kolonelen shqiptare në Afganistan, kemi librin me kujtime të oficeres shqiptare Bardha Pali në misionin paqeruajtës. Po kështu oficere Egla Pashollari, merr çmimin “Gruaja Kurajoze” nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa togere Jonida Prifti, diplomohet në Akademinë Britanike.

Për gratë oficere, ëndrrra, dëshira dhe realitete...

Ushtarake e karrerës Liljana Konomi Mero ka një shkrim të veçantë për shoqet dhe koleget tona oficere që u ndanë nga jeta para kohe. Për 70 vajzat maturante, pjesë të grupit të parë që nisën studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në vitin 1967, është shkruar e do të shkruhet gjatë, jo vetëm për faktin se ato ishin të parat që thyen “tabunë” e nisën studimet për ushtarake karriere përkrah djemve, por se dhe shumë prej tyre patën një karrierë të suksesshme në ushtri dhe në fusha të tjera të jetës. Ndër to, janë dhe Kristina Andoni, Kristulla Kaçi Prifti dhe Natasha Nasto Salaj, të cilave, në këtë libër, u kushtohen një vëmendje.

Libri është interesat për faktin se aty është përshkruar në çdo detaj ku femrat ushtarake kanë dhënë kontributin e tyre edhe në lëvizjen kulturore e artistike, siç është dhe përshkrimi vajzat e teatrit apo reportazh i vonuar, për studentet ushtarake, aktoret e talentuara që bënë emër në skenat e vendit dhe fituan çmime të para.

Përpjekja e autorëve për shkrimin e librit

Autorët në këtë libër kanë bërë përpjekje për të pasqyruar veprimtarinë ushtarake, patriotike dhe atdhetare të gruas shqiptare në uniformë në veprimtari të ndryshme të shoqërisë shqiptare.

Autorët e kanë pasur të vështirë që të shkruhet vetëm për veprimtarinë dhe rolin e gruas në Forcat e Armatosura, sepse kjo veprimtari dhe ky rol kanë qenë pjesë përbërëse e të pandara të të gjithë përpjekjeve të tyre për përparim, drejtësi dhe dinjitet. Pjesëmarrja e gruas shqiptare në një shkallë aq të gjerë dhe aq të thellë, siç ka qenë në këtë luftë, por dhe në ndërtimin e shoqërisë socialiste dhe asaj demokratike ndodhte për herë të parë në historinë e popullit shqiptar. Pikërisht për këtë arsye ka rëndësi të shkruhet në veçanti për veprimtarinë dhe rolin e gruas ushtarake në këto periudha si një fenomen i ri politik e shoqëror që çelej në etapën e re të zhvillimit të Shqipërisë.

Ngjarjet dhe veprimtaria e gruas ushtarake është trajtuar në gërshetim kronologjik dhe problematik për të mënjanuar paralelizmat dhe përsëritjet në histori. Trajtimi i çështjeve thelbësore, parimore dhe praktike në lidhje me pjesëmarrjen dhe rolin e gruas ushtarake si në luftë, por dhe në ndërtimin e paqes janë thurur organikisht me veprimtarinë konkrete të tyre dhe me shembuj heroizmi, vetëmohimi, zgjuarsie e urtësie të tyre.

Në hartimin e këtij librit janë përdorur kryesisht dokumente të kohës që gjenden në arkiva, libra të shkruara, kujtime, ditarë, shtypi i çdo kohe ushtarak dhe civil, si dhe në bibliografitë e tyre të shkruara.

Ndaj autorët për të pasqyruar në një shkallë sa më të gjerë veprimtarinë e gruas ushtarake u pa e nevojshme mbledhja e të dhënave plotësuese me anë anketa dhe kujtime të kuadrove dhe pjesëmarrësve në këto ngjarje.

Punim me vlera shkencore

Me këtë punim të gjerë dhe të shtrirë në të gjithë hapësirën shqiptare autorët Suzana Jahollari dhe Kujtim Boriçi jepnin një pasqyrim të plotë dhe shkencor të rrugëtimit të gruas ushtarake në histori, të ndodhive, historive, të ngjarjeve kulmore, të traditave shekullore dhe luftarake në historinë kombëtare. Punimi ka vlera shkencore, gjuha shqipe është mjaft e pastër dhe e qartë, burimet arkivore janë të sakta dhe të plota, literatura për shfrytëzimin e tyre është mjaft e bollshme.

Përmbajtja e gjerë e këtij libri bën të mundur që kjo të ketë dhe një rreth të gjerë përdoruesish, në radhë të parë për gratë ushtarake, si dhe kudo ndodhen ato brenda dhe jashtë vendit, për studentët e AFA, për të njohur përvojën dhe rrugëtimin e gruas ushtarake në periudha të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Por kjo do të jetë shumë e dobishme dhe me vlera njohëse dhe për të gjithë repartet dhe njësitë e FA, për komandantët, shefat dhe pedagogët, për specialistët e shkencave shoqërore, për gazetarët e punonjësit e mediave dhe specialistë të tjerë thuajse nga të gjitha fushat e dijes, si dhe për publikun e gjerë.