BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të reja brenda 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të
x

Opinion / Editorial

Hakmarrje primitive!

Hakmarrje primitive!

Të qënurit anëtar i një subjekti politik, përveç nderit dhe privilegjit, nënkupton varësi dhe përgjegjësi, por kur partia të ngarkon me detyra dhe të avancon në poste të larta, shtohet varësia dhe rritet përgjegjësia politike. Ngritja dhe rënia nga partia, dy anët e së njëjtës medalje. Nga momenti i emërimit në një post partiak e deri tek ai shtetëror (deputet, ministër, kryeparlamentar apo kryeministër), anëtari i partisë politike e ka për obligim respektimin edhe të parimeve politike të subjektit të përfaqëson. Në të kundërtën, rënia ndesh me parimet dhe qëndrimet partiake mund t'i kushtojë me ndëshkim apo linçim politik nga subjekti që e ka emëruar në poste të larta shtetërore. Jo rrallë herë ndodh, që ngritja e shpejtë dhe e pamerituar në poste të larta të ndikojë negativisht në personalitetin e zyrtarit politik, siç janë: mendjemadhësia nga ndjenja e superioritetit, arroganca dhe nënvlerësimi i të tjerëve e deri tek mospërfillja e parimeve të subjektit politik. Mospërfillja e parimeve të subjektit politik duke u thirrur në mbrojtjen e parimeve personale, nuk është gjë tjetër veçse kundërshtim dhe mospërfillje e subjektit politik që të ka emëruar për postin e lartë shtetëror. E privilegjuara e partisë, mbron parimet e partisë tjetër. Politikani i (pa) përgjegjshëm, i ngritur në karrierë politike, respektivisht i katapultuar në majat e pushtetit përmes subjektit politik (qendror apo lokal), në momentin që vendos të mbrojë vetëm parimet e veta në kundërshtim me ato të partisë, është mirë që paraprakisht të zhvishet nga petku partiak, e jo të presë shkarkimin nga partia, për t'u viktimizuar më pas para opinionit publik, kinse për shkarkim dhe linçim politik nga partia. Rastin më eklatant e kemi të kryeparlamentares Vjosa Osmani, e cila pas zgjedhjes në postin e kryeparlamentares është shkëputur totalisht nga parimet dhe qëndrimet partiake. Pa dashur të lëshohem në shkaqet e prishjes së ish koalicionit qeverisës LVV-LDK (na janë të njohura të gjithëve), gjegjësisht pas shkarkimit të “Qeverisë Kurti” në Kuvendin e Republikës së Kosovës, më nuk kemi të bëjmë me mbrojtje të parimeve personale politike të Vjosa Osmanit, por të parimeve të pastra partiake. Paradoksalisht e privilegjuara e partisë (LDK), nga posti i kryeparlamentares është kthyer në mbrojtëse të interesave të një subjekti tjetër politik (LVV). Sjellja e papritur dhe e paparashikuar nga askush e Vjosa Osmanit dhe shkarkimi i saj nga postet partiake, e ka kthyer situatën e hakmarrjes primitive në LDK. Vjosa Osmani nuk u shkarkua nga postet partiake për shkak të shprehjes së mendimeve, e aq më pak si gruaja më e votuar, por për shkak të diskursit politik.

Pavarësisht faktit, në ishte veprim i drejtë apo i gabuar politik, pas prishjes së koalicionit, më e votuara e LDK-së, më shumë se me "mbrojtjen e parimeve", do duhej të merrej me mbarëvajtjen e punës së Kuvendit, gjegjësisht të ruajtjes së balancit politik në institucionin që drejton, e jo me mbrojtjen e parimeve të Albin Kurtit, sado që ato parime politike mund të jenë të drejta dhe të pa realizuara në praktikë. Kthimi i kryeparlamentares në "edukatore" të Kuvendit, e ka dëmtuar balancin politik në Kuvend. Keqmenaxhimi i pozitës së kryeparlamentares Vjosa Osmani, e ka kthyer “zonjën e hekurt” të LDK-së në një “edukatore” të papërgjegjshme në Kuvend, e cila sa herë të dojë i ndëshkon deputetet e partisë së saj me ndërprerje të fjalës, gjë të cilën nuk e aplikon edhe ndaj të tjerëve që shajnë e fyejnë kolegët e tyre gjatë seancave parlamentare të Kuvendit. Kjo situatë ka bërë, që në të njëjtën mënyrë t'i përgjigjen asaj kolegët deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Rasti i fundit i incidentit në Kuvend është produkt i "edukatores", e cila e provokoi paraprakisht sjelljen e pahijshme dhe të dënueshme të deputetit Xhavit Ukaj, i cili ju vërsul asaj me fjalë fyese dhe kërcënim fizik gjatë drejtimit të seancës.

Një hakmarrje e tillë primitive nuk i bën nder kryeparlamentares dhe asnjërit deputet, e aq më pak LDK-së si parti e traditës më të lashtë demokratike jo vetëm në Kosovë, por në mbarë hapësirat ballkanike.

 "Guri rëndë peshon në vendin e vet"

Pavarësisht vendimeve të zonjës Vjosa Osmani, për vazhdimin e karrierës së saj politike, brenda apo jashtë LDK-së, peshën që e ka pasur deri më tani në LDK nuk do ta ketë më.

Përvoja e deritanishme e ka dëshmuar këtë, jo vetëm me LDK-në, por edhe me subjektet e tjera politike. Sa e sa figura edhe më prestigjioze sesa Vjosa Osmani kanë dështuar me largimin nga subjekti politik. Historia e largimeve nga LDK-ja nuk ka filluar dhe as që mbaron me Vjosa Osmanin, por që një ditë mund të mbarojë historia e LDK-së me largimin e figurave madhore të saj dhe me mbetjen e këtij subjekti në dorën e matrapazëve politikë. Reformat aq të nevojshme dhe të domosdoshme në LDK duhet të bëhen nga brenda e jo nga jashtë, jo nga urrejtja, por nga dashuria, jo nga hakmarrja primitive, por nga toleranca dhe bashkëpunimi, nga pajtimi dhe kërkimfalja reciproke. Nuk ka vend për rrahagjokse dhe shitje të rugovizmit, se cili është më rugovist se tjetri. Kur jemi në këtë segment, rugovizmi ndahet në disa etapa. Secili duhet të sillet konform kontributit të dhënë në etapën e caktuar për LDK-në dhe shtetin e Kosovës në veçanti.

Të mos mjaftohemi me atë që kemi bërë për shtetin dhe lirinë që e gëzojmë sot. Por të mundohemi të bëjmë akoma më shumë punë të mira, që t'ua lëmë në dorë brezave të rinj një shtet të fortë, një trashëgimi të pastër dhe të pasur vlerash, në mënyrë që gjeneratat që vijnë pas nesh të mburren me kontributin tonë, siç mburremi ne sot me kontributin e paraardhësve tanë ndër shekuj. Një politikan në lartësinë e pushtetit mund të qëndrojë i paprekur nga subjektet politike nëse zgjedhjet drejtpërdrejt nga populli si kandidat i pavarur, siç kemi pasur dhe kemi raste, të zgjedhjes deputet apo kryetar komune (Hani i Elezit). Do të ishte fat i mirë për vendin që në të ardhmen të kemi sa më shumë deputetë të pavarur në Kuvend dhe kryetar komunash të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, e pse jo nesër, me ndryshimet kushtetuese të kemi edhe president të zgjedhur nga populli e jo si deri më tani produkt i pazareve të pista politike për pushtet mes subjekteve politike në Kuvend.