BREAKING NEWS

Asnjë viktimë, bien infektimet në vend, MSH përditëson të dhënat: Ja sa raste të reja u shënua në 24 orët e fundit nga koronavirusi

Asnjë viktimë, bien infektimet në vend, MSH përditëson
x
BREAKING NEWS

Kryeministri Rama jep një tjetër lajm fantastik

Kryeministri Rama jep një tjetër lajm fantastik
x
BREAKING NEWS

Pas dënimit me 2 vite burg të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Rama jep mesazhin e fortë në France 24, paralajmëron ndryshimin e madh: Do të bëjmë çfarë është e mundur që...

Pas dënimit me 2 vite burg të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Rama
x
BREAKING NEWS

Zbardhen emrat! Kush janë dy vëllezërit dhe i riu nga Tepelena që donin të vrisnin biznesmenin e njohur në Sarandë?

Zbardhen emrat! Kush janë dy vëllezërit dhe i riu nga Tepelena
x

Opinion / Editorial

Hasan Halili donte më shumë Shqipërinë se sa partinë

Hasan Halili donte më shumë Shqipërinë se sa partinë

Jeta është një arenë cirku ku vijnë rrotull personaliteti, karakteri, dija, suksesi dhe dështimi i çdo njeriu në rrugëtimin e tij jetësor. Karakteri është shfaqje dhe dukuri personale, por njëkohësisht është refleksion familjar, shoqëror dhe krahinor. Unë e njoh Hasanin në të katër dimensionet moshore duke filluar nga fëmijëria, adoleshenca, rinia dhe të moshuar. Kam udhëtuar dhe jam takuar në të gjitha stacionet e jetës, herë si bashkëshoqërues dhe herë si vëzhgues i afërt i jetës dhe veprimtarisë së tij. Fëmijërinë e kemi kaluar bashkë në fshatin e lindjes në Dukat, ku kemi mbaruar dhe shkollën 7-vjeçare. Prej aty nisëm shkollën e mesme në Teknikumin Bujqësor të Kavajës ku mbaruam për agronom frutikulture të specializuar një vit në Laprakë të Tiranës. Mbas mbarimit të shkollës së mesme nisëm punën në ekonomi bujqësore të rrethit të Vlorës. Universitetin e nisëm në kohë të ndryshme, por lidhjet nuk munguan edhe për ato vite që ishim bashkë në universitet dhe kur pas mbarimit të universitetit, ku rrugët e jetës u ndanë. Hasani nisi punën në ekonomi bujqësore të Fierit, ndërsa unë punova disa vjet në Krujë dhe aktivitetin tim kryesor e kam në Ministrinë e Bujqësisë me shtypin dhe informacionin, që më lejonte si shok, mik dhe dashamirës ta ndiqja dhe propagandoja tërë aktivitetin e Hasanit në ekonomitë e Fierit.

Udhëtari i mirë duket si e nis rrugën qysh në mëngjes. As suksesi e as humbja, s’vijnë rastësisht në terren të zbrazët pa kaluar në një proces jetësor. Jeta dhe veprimtaria e Hasan Halilit është e larmishme, duke kaluar nëpërmjet baticave dhe zbaticave të kohës. Në të gjitha nivelet e arsimimit ka qenë me rezultate të mira dhe konstante, në elitën e të dalluarve. Betejën me prodhimin e nisi në rrethin e Fierit, jo si ekonomist, por si agronom, duke qarkulluar në disa ekonomi të prapambetura. Stacioni i parë në karrierën e punës ishte Kooperativa Bujqësore Kut-Çorrush-Drizar, ku punoi disa vjet dhe u ndie dora dhe mendimi i tij shkencor në transformimin e ekonomisë. Fshatarët e donin dhe e respektonin jo thjesht si një specialist i zoti po se po, por edhe si një njeri i mirë, korrekt, i dashur, i përkushtuar dhe i gjendur në të mira e të këqija, që jeta ia afron kujtdo. Drejtuesit e rrethit e shikonin Hasanin si “barkë shpëtimi”, për ato ekonomi që kishin stanjacion apo rënie drastike të treguesve të prodhimit. Ishte kjo arsyeja që Hasani u bë një “ambasador shëtitës” në ekonomitë e rrethit të Fierit, që kishin rezultate të dobëta ekonomike. Kështu nisi rrugën e qarkullimit nga Mallakastra, në Ndërmarrjen Bujqësore “Levan”, Kooperativën Bujqësore të Bishanit, Kooperativën e Frakullës, që lëngonte e sëmurë buzë Vjosës. Aluvionet i kishin zënë “frymën” dhe ajo “psherëtinte” në agoninë e paaftësive të drejtuesve. Në cilësinë e gazetarit të bujqësisë, në vitet 1985, shkova me shërbim në Fier. Kontaktova me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, një mik imi i vjetër i rinisë Dhimitër Briskun dhe mbasi pimë kafenë e mirëseardhjes sipas traditës, ai më pyeti se ku e kisha destinacionin e asaj dite. I thashë se do shkoja në Bishan, se kam një shok timin agronom, Hasanin. Ai në mënyrë ekspresive më ndërhyri duke pohuar: “se po të kisha 3-4 specialistë si Hasani, nuk do më dhimbte koka për problemet e bujqësisë në rreth, pasi do i qarkulloja në ekonomitë bujqësore të prapambetura. U ndjeva krenar dhe më erdhi mirë. Por kryetari sqaroi, mos shko në Bishan se nuk e gjen aty pasi ka pësuar një paralizë parciale nga motori dhe po pushon në shtëpi. Shkova në shtëpi, ku unë i tregova dhe një skicë letrare që kisha shkruar për tufëzimin, ku ironizoja se cjapi do ngrihej në përgjegjësi në tufën e bashkuar. Pasi e lexoi më tha: “Ki kujdes se mos e çon për botim në gazetë, se do shkosh ti në vend të cjapit”. Hasani jo vetëm që ishte një specialist i mirë i bujqësisë, por edhe një njeri i ekuilibruar dhe i kulturuar. Megjithëse prodhimi të privonte nga shumë hobi personale, përsëri ata që ishin racionalë gjenin kohë edhe për të lexuar letërsi artistike. Një ndër ata specialistë që kishte bibliotekën e tij personale dhe lexonte autorë të mëdhenj vendas e të huaj, ishte dhe Hasani. Kanceri i biografisë e kërcënonte ndonjëherë, por nuk e ligështonte. Kujtoj një rast që kam asistuar në organizimin e Festës së Bukës, në qytetin antik të Apollonisë. Ishim një grup nga Shtëpia e Propagandës Bujqësore të Ministrisë së Bujqësisë, që do xhironim festën për ta transmetuar në televizionin shtetëror të Tiranës. Në këto ceremoni shpërndaheshin edhe stimuj moralë për ato ekonomi e individë që kishin arritur tregues të lartë në prodhim. Një ndër ata specialistë që do nderohesh me Fletë-Nderi ishte edhe Hasani. Nga komisioni organizator, pati një debat dilematik, se a duhej t’i jepej publikisht një vlerësim i tillë Hasanit, se kishte një cen në biografi. Ky debat ra në vesh të Sekretarit të Parë të partisë së rrethit, Pali Miskës dhe ai reagoi menjëherë duke iu thënë se Hasanin e kemi specialistin më të mirë të bujqësisë dhe meriton çdo vlerësim. Asnjë nuk foli nga të pranishmit. Heshtja pushtoi mjedisin e festës. I motivuar nga korrektësia dhe puna e palodhur ka ngjitur shkallët e karrierës profesionale. Në të gjithë sektorët që ka punuar, qofshin ato të prodhimit apo si drejtues në institucionet e bujqësisë, si në Stacionin Bujqësor, Përgjegjës i Seksionit të Bujqësisë të rrethit etj., është dalluar për aftësitë e tij profesionale e drejtuese. Me ndërrimin e sistemeve ai përkrahu ndryshimet demokratike dhe u angazhua në politikë në forumet e larta të Partisë Demokratike, fillimisht si deputet dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të Bujqësisë. Megjithëse aderuam në parti të ndryshme politike, Hasani te Partia Demokratike, unë te Partia Agrare, kishim shumë mendime të përbashkëta edhe pse filozofinë time: se në demokraci jemi të një mendimi që të mos jemi të një mendimi, ai e bëri divizë të vetën. Në kandidaturën e parë për deputet në takim me elektoratin një grup aktivistësh të Partisë Demokratike i thanë se ne jemi dakord t’i japim votën, por e kemi parë që pi kafe me disa punëtorë të fermës që kanë qenë anëtarë partie. Hasani iu përgjigj se: do pi prapë kafe se ata komunistë ishin punëtorë kanalesh, kurse unë drejtues i tyre, po keni këto mendësi mos ma jepni votën. Ishte një qëndrim tepër parimor. Hasani nuk ishte nihilist. Ai e dënonte hemorragjinë e shkatërrimeve të ekonomisë dhe nuk ishte dakord me ligjin fatkeq 7501, që i sugjeroi dhe Berishës mos ta japim tokën në pronësi, por ta lëmë siç e ka Partia Socialiste në përdorim. Por Berisha s’pranoi. Për aftësitë e tija drejtuese i ngjiti shkallët e karrierës duke u vendosur në poste të larta shtetërore, si ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit dhe mandej ministër pa Portofol, pranë Këshillit të Ministrave dhe Prefekt në Qarkun e Vlorës. Më vonë ka punuar si këshilltar në Projektet e IFDC-së financuar nga USAID, si dhe këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Një tipar tjetër dallues, është se Hasani nuk e ka shpërdoruar jetën për interesa të vogla meskine. Ai ka bërë jetë aktive politiko-shoqërore. Ishte angazhuar në Shoqatën Atdhetare Kulturore “Labëria” “Nderi i Kombit” ku mori dhe titullin: “Personalitet i Shquar i Labërisë”, dhe në shoqatën “Dukati”. Nuk ka vuajtur kurrë nga kompleksi i superioritetit dhe autoritetit zyrtar, por i ndodhur mes shokësh të shtresave të ndryshme shoqërore, e ka rritur figurën dhe profilin e tij njerëzor. Dinte të dallonte e diferenconte bindjet partiake nga marrëdhëniet shoqërore dhe respektonte mendimin ndryshe. Ishte shembulli i një demokrati të emancipuar, jashtë kornizave militante të njerëzve të sëmurë, që po e minojnë godinën e demokracisë nga brenda në këto vite të pluralizmit shqiptar.