BREAKING NEWS

Një nga tetë më të rrezikshmit e Vlorës/ Kush është Xhevahir Jonuzi që hapi zjarr ndaj RENEA-s dhe mbeti i plagosur (Detajet)

x

Opinion / Editorial

Hiperbola nuk ka lidhje me bamirësinë!

Nuk e njoh së afërmi dhe nuk kam patur asnjë rast të vetëm për t’u takuar ballë për ballë me Elvis Naçin. E njoh vetëm përmes medias, aq sa e njohin shumica e shqiptarëve, prej daljeve të shpeshta publike gjatë predikimit dhe misionit që ai i beson dhe e ushtron si klerik. Sinqerisht, e admiroj humanizmin dhe sakrificat e imamit të xhamisë së Tiranës, i cili, me pasionin dhe zellin e një shërbestari të përulur para Zotit, me energjinë e tij pozitive dhe imazhin e kuruar, ka mundur të na paraqesë një model të munguar të empatisë humane, duke formësuar tashmë një vepër monumentale të shpirtit njerëzor, që i tejkalon përmasat sublime të sakrificës mbinjerëzore! Përtej kësaj, puna e këtij misionari nuk ka nevojë për koment, përveçse duhet përshëndetur dhe inkurajuar nga të gjithë. Në kohën që jetojmë, e cila është e mbarsur me kaq shumë kriza sociale dhe fenomene të polarizimit ekstrem të shoqërisë, ajo që Elvis Naçi bën, është një vepër hyjnore, tepër e dobishme, konkrete, e dukshme, frytet e së cilës i kanë prekur me dhjetra e qindra nevojtarë, shumë familje shqiptare. Në sagën e përvuajtjes së mjerimit përmes ironisë së fatit, shpeshherë edhe të pashpresë, këta nevojtarë kanë mundur të prekin fundin, por sërish janë ringritur, falë ndihmës së Elvisit me të tijët dhe misionit që ai përfaqëson. Është një shembull model frymëzimi e inspirimi që na dëshmon se sa energji të pashterur mbart në vetvete qoftë edhe një individ i vetëm kur ai udhëhiqet nga e mira dhe e bukura, nga parimet e shenjta humane dhe besimi, nga dashuria për jetën, për njeriun! Por, kujdes i dashur Imam! Sot, kam një apel të sinqertë dhe dashamirës për ju dhe për shumë bamirës e filantrop të vërtetë, të njohur dhe të panjohur, njerëzit e zakonshëm e të heshtur, zemërdhembshur e vullnetmirë, të cilët, fatmirësisht as i kanë munguar dhe as nuk i mungojnë truallit shqiptar! Ju lutem, i nderuar Imam, lërini mënjanë shifrat bombastike e të paverifikuara që ju ofrohen në mënyrë fiktive qoftë edhe nga individë apo pseudo-shoqata që mbase janë në të drejtën e tyre t’ju kërkojnë pse jo edhe ndihmë, por që për hir të së vërtetës, disa prej tyre, prej tre dekadash bubërrojnë si brejtës e parazitë përmes kauzave të rreme. Ju e dini se, për të realizuar me sukses një mision të vërtetë human, siç është edhe nisma e fundit që keni publikuar për t’iu ofruar falas asistencën e ndihmës mjekëjsore për 5000 fëmijë jetim në spitalin “Continental”, (ende i pacelebruar, por i përfolur kohët e fundit nga gojët e liga për mënyrën se si është blerë prej fondacionit “Firdeus” që ju drejtoni), nuk është e nevojshme që të proklamoni shifra të tilla me fëmijë jetim me shumë zero nga pas, të cilët, sipas jush do të përfitojnë nga ky projekt shërbime mjekësore, por që në fakt, në dijeninë time dhe për hir të së vërtetës, s’kanë asnjë lidhje me realitetin dhe situatën faktike. Më ndjeni i dashur Elvis, me gjithë vlerësimin dhe respektin e madh që kam, ju e dini fort mirë se, qëllimi dhe fuqia e aktit të bamirësisë nuk mbështetet as në sasi dhe as në shifrat bombastike me numra fëmijësh që proklamoni në atë që bëni, apo që do të bëni në të ardhmen. Njerëzit nuk janë shifra, as numra, janë qenie humane. Aq më tepër kur bëhet fjalë për fëmijët pa familje dhe pa kujdesin prindëror, portretet dhe imazhet e të cilëve publikohen në media dhe në rrjete sociale pa teklif, mbase edhe për show, pa treguar as më të voglin respekt për dinjitetin njerëzor nga ata që në fakt duhet të bëjnë të kundërtën: të kujdesen dhe të ruajnë privatësinë, të dhënat për çdo fëmijë, dhe jo të publikojnë shifra fëmijësh jashtë realitetit.

Ndryshe, kjo quhet hiperbolë dhe humanizmi nuk ka lidhje me hiperbolën që përdoret shpesh në rrëfenjat e lashta apo në letërsi. Sikurse edhe hiperbola, nuk ka dhe s’mund të ketë asnjë lidhje me bamirësinë…(!) Këtë e thonë librat e shenjtë: Bibla dhe Kurani. Nënë Tereza thotë: “Nuk ka rëndësi se sa bëjmë dhe çfarë bëjmë! Rëndësi ka, sa dashuri sjellim në atë që bëjmë”. Këtë postulat të Shenjtores Terezë, duhet ta keni si një busull orientuese në misionin tuaj human edhe pse i përkisni besimit islam. Këtë parim duhet ta ketë cilido që e konsideron veten misionar dhe shërbestar i përulur i Zotit! Nëse do të veprojmë kështu, të gjithë së bashku do të mund të respektojmë preambulën e Konventës së të Drejtave të Njeriut, por edhe një nga parimet bazë të saj që lidhet me ruajtjen dhe respektin e dinjitetit njerëzor të çdo individi, qoftë ky edhe fëmijë.

Ngulmoj në këtë çështje, ngase se ju i dashur Elvis, thellë thellë e ndjeni, e keni mishëruar dhe konkretizuar me akte të vërteta të bamirësisë dhe dashurisë për të gjithë ata që ju kanë besuar dhe ju besojnë, u keni shtrirë dorën për ndihmë të gjithë atyre që kanë qenë dhe janë në nevojë. 30 apo 50 fëmijë jetim (mbase edhe jo jetim) që mbahen peng për lëmoshë nga disa individë të papërgjegjshëm, matrapazë social dhe pseudo-organizata me emra të rremë, strukur skutave e kthinave të ish-Kombinatit Ushqimor në Tiranë, por që shpesh e rëndom përdoren si dekor për show para kamerave e publikohen në rrjete sociale, asesi nuk janë ekuivalenti real me shifrën e 5000 fëmijë jetim, që, çuditërisht ju është servirur dhe e keni publikuar pa e verifikuar me aq bujë në statusin tuaj social. Personat që kanë kontaktuar për të bashkëpunuar me ju, janë të njëjtët ata të cilët, në gjithë këto vite të tranzicionit kaotik të vendit, kanë çuditur dynjanë dhe institucionet tona të shtetit, ambasadat, fondacionet dhe bizneset brenda dhe jashtë vendit, duke deklaruar të dhëna të rreme. Këto shoqata, të cilat nuk kanë as minimumin e infrastrukturës dhe të logjistikës, nuk zotërojnë as kapacitetet minimale njerëzore e profesionale dhe janë të palicencuara për veprimtarinë e tyre nga autoritetet shtetërore të zbatimit të ligjit, mbi çfarë kriteresh dhe të dhënash deklarojnë njëherë se kanë të regjistruar në regjistrat e tyre 80.000 familje me fëmijë jetim dhe njëherë tjetër deklarojnë një tjetër shifër me 12.000 familje të tilla. Nëse vërtet këto statistika do të ishin të tilla, e gjitha kjo do të ishte shqetësuese, sepse sfidon dhe vë përpara përgjegjësisë shtetin dhe institucionet tona, të gjithë zinxhirin e rrjetit të shërbimeve sociale që vepron në këtë fushë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Në këto rrethana, pyetja që shtrohet është: Cilat janë mekanizmat, modalitetet, tipologjitë, treguesit dhe standardet që aplikohen nga këta operatorë që monitorojnë e klasifikojnë target-grupet vulnerabël dhe veprojnë në tregun privat si të palicencuar duke na paraqitur një tablo me situata të tilla shifrash alarmante me fëmijët jetim? Padyshim, është i njohur fakti se shteti dhe vetëm shteti është ai që ka barrën dhe përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen, mbështetjen dhe ofrimin e shërbimeve të kësaj kategorie të brishtë të shoqërisë. E kundërta nuk ka si të ndodhë. Jo vetëm këtu në Shqipëri, por kudo në botë, shteti ka qenë, është dhe mbetet protektori kryesor që kujdeset dhe duhet të kujdeset për këtë shtresë, përgjigjet me të gjitha detyrimet e veta kushtetuese. Çdo gjë tjetër që bëhet në favor të fëmijëve dhe shtresave të tjera të shoqërisë në nevojë nga operatorë privatë, janë komplementare, sigurisht janë edhe të mirëpritura, por të kontrolluara dhe të monitoruara për aplikimin e standardeve nga institucionet e politikëbërjes dhe të ligjzbatuese, me synimin e vetëm për të shmangur çdo lloj abuzimi, që për hir të së vërtetës nuk kanë qenë të pakta rastet. Arsyet e lojërave të tilla me numra fëmijësh dhe me familje jetimësh sipas oreksit, më mirë se kushdo i dinë vetë ata që i bëjnë, por ju lutem, tregoni vëmendje dhe kujdes të shtuar që të distancoheni nga këta individë që nën petkun e aktivistëve të “bamirësisë” ju ofrohen djallëzisht duke iu servirë të dhëna me shifra të rreme në mënyrë manipulative. Në Spanjë, ka një fjalë të urtë që populli i atij vendi e përdorë shpesh kur thotë: “Mos u zhyt në një llucë me derrat sepse me derrat do të ngatërrojnë”.

E nëse nga dashamirësia, pakujdesia, toleranca e ardhur qoftë edhe për shkak të besimit apo sinqeritetit të treguar, do të vijë një ditë që të mund të bëhet pis sado pak ngrehina e misionit tuaj nga ato çfarë cekëm më lart, kjo do të përmbyste gjithçka të mirë e të bukur që keni ngritur deri tani, duke e kthyer të gjithë mundin dhe përpjekjen tuaj në boomerang. Në këtë rast, të humbur do të jenë vetëm nevojtarët, dhe e gjitha kjo do të ishte zhgënjyese, e dhimbshme, por edhe e trishtë njëkohësisht!

Nga Ilir ÇUMANI