Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Hipokritë deri në vdekje, edhe në raste vdekjesh

Postuar: 14/08/2018 - 07:10

Këto ditë u nda nga jeta një ndër themeluesit e Partisë Socialiste të Shqipërisë, zoti Luan Hajdaraga. Nuk ka se si të mos thuash fjalë të mira, të vërteta, për këtë shok, mik dhe bashkëpunëtor. Aktiviteti politik i fillimpluralizmit në vendin tonë, më gjeti edhe mua të rreshtuar në Partinë Socialiste të Shqipërisë, që në ditët e para të themelimit të saj. Më pas, në detyrën e kryetarit të Partisë Socialiste të Rrethit të Beratit. Në këto kushte, bashkëpunimi me qendrën e partisë dhe në veçanti me drejtuesit e saj ishte i ngushtë . Luani ishte një nga tre nënkryetarët e Partisë Socialiste të Shqipërisë, që në kushtet e burgosjes së kryetarit, roli i tyre ishte shumë i rëndësishëm. Jo vetëm kaq, por kemi qenë së bashku edhe anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë, së paku tetë vjet, për mua. Nuk gjej fjalë të përshkruaj kontributin e tij, durimin, qetësinë, dashurinë dhe komunikimin me shokët, inteligjencën në trajtimin e situatave të vështira. Nuk kam as qëllimin të flas për aktivitetin e plotë të tij, pasi e kam të vështirë, bile më mungon edhe aftësia për ta bërë një gjë të tillë të plotë dhe korrekte. Kujtime kam shumë për të dhe për shumë shokë dhe nuk besoj se e teproj nëse diçka shkruaj dhe këtu. Them se është e nevojshme sepse edhe pasardhësit në PS, të rinjtë e saj duhet të njohin të shkuarën, të studiojnë të tashmen dhe të orientohen për të ardhmen.

Qëllimi im është të trajtoj fenomenin në qëndrimin që ka mbajtur drejtimi i sotëm politik i së majtës karshi figurave të tilla kontributore, si ndaj të ndjerit mikut tonë Luan Hajdaraga, që në të gjallë. Të gjithëve në atë kohë na vinte natyrshëm një ndjenjë e fortë idealizmi. Kaq idealistë ishim sa që, edhe kur takonim ndonjë të panjohur, qoftë edhe rastësisht dhe këmbenim mendime për ngjarjet e situatat e kohës dhe kur ato përputheshin, na dukej sikur kishim takuar ndonjë të afërmin tonë të familjes. Në atë kohë ne thonim familja e madhe socialiste. Kjo vinte edhe nga fakti se në pushtet për dyzet e gjashtë vjet kishim një klasë politike autoritariste, me legjislacion të qartë autoritarist, me drejtues që i largonte nga karrigia ose shpallja armik ose vdekja natyrore, me një ekonomi, veçanërisht në dekadën e fundit, totalisht të atrofizuar. Në këto kushte, përgjegjësia për të transformuar gjithçka në jetën politiko-shoqërore ishte e madhe. Përvoja për drejtim shtetëror në kushtet e pluralizmit mungonte. Këtyre po t’u shtosh edhe strategjitë dashakeqe karshi vendit tonë, do të sillnin patjetër edhe problematika të mëdha.

Fatin e qeverisjes së parë pluraliste e pati Partia Demokratike . Nga të vërtetat historike, kjo parti e shpërdoroi këtë shans. Për të mos analizuar gjithçka në detaje mjafton të kujtojmë elementët fillestarë të një shoqërie pluraliste, marrëdhëniet ndërpartiake. Oponentja e saj ishim ne, Partia Socialiste. Po në fakt ne nuk konsideroheshim oponentë, por armiq të betuar të Partisë Demokratike dhe si pasojë edhe armiqtë e vendit. Qëndrimi karshi “armiqve” ishte burgosja, keqtrajtimi. Raste të tilla janë të pafundme e të pasqyruara edhe nga raportet e ndërkombëtarëve. Me modesti po shmang nga evidentimi sakrificat e pafundme të antarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë, pasi për të sotmit janë gati të pabesueshme. Bëra një përshkrim të shkurtër të historikut të fillimpluralizmit, për t’ju bërë të qartë disa drejtuesve të nivelit të lartë të Rilindjes së sotme, se ne, ish themeluesit e Partisë Socialiste të Shqipërisë, midis tyre dhe në qendër të tyre edhe Luani, nuk kemi bërë ndonjë krim. Ne sakrifikuam gjithçka nga vetja dhe familjet tona të ndërtonim një kapital të jashtëzakonshëm politik siç është Partia Socialiste e Shqipërisë. Atë nuk e morëm me vete kur zbarkuat ju. Ju miratuam me votat tona edhe në nivele të larta të qeverisjes. Ju lamë ta përdorni në interesat e vendit, por jo ta shpërdoronit dhe ta përdornit për interesa klanore. Nuk më vjen as keq dhe as çudi, që qëndrime indiferente, mospërfillëse bile denigruese për ne “xhaketat e vjetra të PS” (përdora metaforën që na kanë ngjitur së fundmi) të mbajnë ish drejtues të rilindjes së sotme që kanë zbarkuar nga partitë e tjera, më së shumti nga PD. Çuditem dhe ndjehem i keqardhur për përdorimin që i lejojnë vetes disa bashkëkohës dhe bashkëthemelues të PS. Bëhet më e papëlqyer kur përdoret kundër ish shokëve të tyre. Kanë mbetur edhe disa të tillë. I dëgjova dhe lexova disa prej tyre edhe në dhimbjen e fundit. I dëgjova tek flisnin për kujtime në kohët e vështira dhe superlativa në vlerësime në kohë të shkuar. Ashtu ishte. Të vërteta pohuan. Po sot? Asnjë fjalë për të tashmen. Asnjë kujtim të ditëve të fundit. Por po t’i pyesja se sa kohë kishin pa komunikuar me të ndjerin dhe me të ndjerët e ardhshëm për së gjalli, jam i sigurt se nuk do të më përgjigjeshin. Ç’mund të thonë!? Së paku të heshtnin. E dimë që janë hipokritë, por se paku në rastet e dhimbshme ta lënë mënjanë. E përsëris, së paku të heshtin. Dikush mund të më paragjykojë për këto rreshta, por hipokritët deri në vdekje edhe në raste vdekjesh, jo. Ata e dinë shumë mirë se si veprojnë me ish bashkëpunëtorët e tyre. Jo vetëm që kanë kthyer shpinën fizikisht e moralisht por edhe me mjetet e sotme të komunikimit nuk denjojnë të përgjigjen e të bëhen pjesë të halleve të tyre.

Ne, brezi i sakrificave të mëdha në emër të PS kemi detyrimin të flasim, të japim opinionin tonë se kush janë ata të cilët do t’u paraqiten si engjëjt e radhës në kohë fushatash. Jam i bindur se askush prej brezit tim nuk do kërkonte asgjë të padrejtë. Pak vlerësim, hapësira ligjore për të punuar dhe jetuar vetë dhe me familjet tona. Nuk na mungon as shkollimi, as edukimi, as trajnimet, as kultura. Kemi provuar të gjejmë këto hapësira edhe sipas ligjit, por na janë refuzuar edhe kur i kemi merituar ligjërisht. E vërtata është se na mungon plastika për të ndërruar fytyrën në varësi të udhëheqësve të rradhës. Por edhe kjo nuk do të ishte e nevojshme. Udhëheqësi na ka studiuar dhe ka bërë seleksionimet. Cilët janë të përdorshmit dhe cilët jo. Nëse ndodh kështu, kemi të drejtë t’u themi e t’u kërkojmë të mos sforcohen. Të jenë të vendosur në rrugën e tyre, hipokritë deri në vdekje edhe në raste vdekjesh./ Nga Flamur ROGU

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 12

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/09/2018 - 07:25

Përmbysja e pushtetit të Demokracisë Popullore, që u ligjërua pas zgjedhjeve farsë të 22 marsit 1992, kur në pushtet erdhën forcat e djathta të prira nga komunisti antikomunist Sali Berisha, shumë shqiptarë naivë patë

Postuar: 19/09/2018 - 07:23

Kur popullata çame erdhi e detyruar në Shqipëri për t’i shpëtuar vrasjeve dhe masakrave të

Postuar: 19/09/2018 - 07:22

Në rrethet normale, secili prej nesh do t'i gëzoheshim liberalizimit të vizave, gjegjësisht l

Postuar: 18/09/2018 - 07:22

Sa herë vjen ndonjë "Konferencë Peze" dhe sigurisht dalin nostalgjikët e Enverit, Parti

Postuar: 18/09/2018 - 07:19

Ndryshe nga trajtimet e mëparshme, jo të pakta, në lidhje me zbatimin e ligjit, ku është shkruar

Postuar: 18/09/2018 - 07:15

Askush tek ne nuk i shpëton dot politikës.

Postuar: 16/09/2018 - 07:50

Si qytetar i zakonshëm por edhe si vëzhgues i kujdesshëm në kuadrin e gjithë jetës të shoqërisë t