BREAKING NEWS

"Unë kryeministër e ai president", pas deklaratës së bujshme të Bashës, reagon Rama

"Unë kryeministër e ai president", pas deklaratës
x

Opinion / Editorial

Hipokrizi, pandershmëri dhe...

Hipokrizi, pandershmëri dhe...

Përgjatë gjysmës së dytë shekullit 20-të, në vendin tonë, në të folurën e përditshme sunduan rëndshëm fjalët dhe togfjalëshit "ndërgjegje e pastër; solidaritet; ndershmëri komuniste; partishmëri proletare; luftë kundër shfaqjeve të huaja, të burokratizmit e liberalizmit", etj. Edukimi revolucionar i të gjithëve bëhej në të tëra nivelet, strukturat, organizimet e organizatat dhe që të rrimë shtrembër e të flasim drejt, u arritën goxha suksese në vendosjen e disa normave të shëndosha njerëzore në marrëdhëniet midis qytetarëve kudo ku jetonin e punonin. U shënua përgjithësisht një ngritje e dukshme e gjendjes shpirtërore të shumicës së popullsisë; u ngushtua shumë hendeku midis të thënës dhe të bërës; u forcua, më së fundi shteti që ngriti mirëqenien, krahasimisht me të kaluarën dhe ndihmonte mbarëvajtjen e jetës në tërësi të barabartë të shqiptarëve brenda vendit dhe siç thotë një analist serioz "ai realitet na dha dinjitet dhe na radhiti midis vendeve që respektoheshin në gjithë botën". Kemi thuajse tridhjetë vjet që në të folurën dhe në tërë veprimtarinë e qytetarëve të të gjithë shkallëve të njohurive dhe pozicioneve sociale gjëmojnë dhe marshojnë triumfalisht fjalët vjedhje, vrasje, taksa, pará, shpifje, arrestime, ikje. E kuptueshme: duke ndryshuar pronësia mbi mjetet e prodhimit do të ndryshojë edhe mendimi e koncepti i të jetuarit, menduarit e vepruarit. Por jo deri në këtë derexhe! Drejtuesit e mesëm shtetërorë bëjnë ligjin në kasollet e tyre-ndërmarrje duke iu siguruar edhe shefave paratë korruptive të "kontraktuara"; udhëheqësit (tani përdoret gjerazi fjala "lider") flasin "me lot në sy për popullin dhe ecurinë me zhvillim të madh të vendit" (lexo: Shtypjen më të egër të masës së punonjësve dhe plaçkitjen e shitjen e pasurive të vendit); biznesit të vogël iu vu shkelmi; djersa e fshatarit (tani i thonë fermer, se kështu e ka Amerika) dhe qytetarit injorohet sepse nuk i garantohet treg shitje. Në këtë periudhë “miqtë” dhe partnerët tanë perëndimorë japin direktiva, shtyjnë urat për konflikte, bëjnë sehir, monitorojnë situatat dhe fërkojnë duart. Ndërkohë edhe “miqtë” lindorë përgjojnë që të gjejnë shtigje për ndërhyrje. Mashtrimet e hapura dhe pandershmëria në çdo sektor të administratës, të prodhimit apo shërbimit janë bërë pikat më të larta të veprimtarisë së ndërgjegjshme të gjithsecilit. Hipokrizinë, këtë pelerinë kobndjellëse dhe varrosëse të çdo virtyti, e kanë hedhur mbi supe shumë njerëz dyfytyrësh, nga karrigia e portierit deri tek kolltuku i ministrit, nga zyra e kryetarit të qeverisë deri tek selia e Presidencës apo Gjykatës së Lartë. Nuk dua të zë në gojë partitë, sepse janë organizmat më të fëlliqura nga veset, injoranca, mungesa e kulturës e mashtrimet deri në infinit; ato kanë edhe meritën e shkatërrimit total të shtetit me vendosjen e militantëve në poste kyçe administrative. Për pasojë ka humbur besueshmëria e gjithkujt tek gjithkush. Hajduti Lulzim Basha thërret "kapeni hajdutin" Edi Rama! Është kulmore, apo jo?! Kurse ajo, O.Pampuri që vetëquhet deputete bërtet: "Vdiq një njeri se e qëlloi policia tek Astiri..." kur burri botës është gjallë e shëndoshë si kokrra e mollës! Shpifje dhe kaluar shpifjes... Kjo pasqyrë e ka emrin degradim, degjenerim, vetasfiksim. Kështu e nisi Saliu-kryetar "i stuhishëm" dhe kështu po e bitis Edi me "risitë e tij origjinale" në qeverisje, nga veshja e potureve Ditën e Flamurit, 28 Nëntor, deri tek vrima në ujë "mini-Shengeni Ballkanik!". Duke parë rreth e qark shtete e vende, shohim se për të njëjtën kohë, mjaft gjëra kanë zënë vend. Të tjerat vijnë më pas, por ama në horizont ka një perspektivë. Në ato shtete shohim se liderët luftojnë për kombin, për interesat e vendit të tyre dhe bazohen thellësisht në traditë e ligj. Tek ne, këto dy të fundit janë goditur keqas. Hëpërhë këtë zymtësi mund ta durojmë me shpresën se do të bëjnë diçka gjykatat që po spastrohen nga elementët thellësisht të korruptuar. Po themelore është që të funksionojë shteti në të gjithë hallkat e zinxhirit. Kështu që Edi Ramës i kërkojmë të forcojë disiplinën, nga vetja tek vartësit imediatë dhe deri në fund të zinxhirit administrativ dhe ndjekjen e zbatimit të vendimeve ose të lërë detyrën. Në radhë të parë ti o kryeministër i ynë, rregullo veten, sistemo mirë punën me vëllanë kosovar e pastaj merru me Ballkanin. Nuk mund të kërkojmë ndërgjegje të pastër, por të paktën përkushtim ndaj detyrës dhe ndaj kombit është kërkesë e parë për çdo qytetar e jo më për nëpunësit nga më i ulëti deri tek kryetari i qeverisë.

Nga Ilmi Qazimi