BREAKING NEWS

Ja se si nobelisti Montagnier po hedh në erë Big Farmën dhe po zbardh veprimet kriminale me covid 19

Ja se si nobelisti Montagnier  po hedh në erë Big Farmën dhe  po
x

Opinion / Editorial

Hipokrizia si dashuri me BE dhe kritikët realistë si nihilistë

Hipokrizia si dashuri me BE dhe kritikët realistë si nihilistë

O kanë shqiptarët simpati deri në ekstrem për BE dhe Europën, o s`ka asnjë popull dhe vend tjetër. Që me përmbysjen e sistemit komunist, tri dekada më parë deri sot në fillim vitin 2021, u shqyem, duke brohoritur dhe duartrokitëm për Europën dhe me të drejtë. Pas një izolimi të gjatë dhe mungesës së lirive themelore, së pari atë të shprehjes apo lëvizjes në vende të tjera si gjithë bota. Privacionet për ne shqiptarët ishin aq të thella, sa u desh pak hapësirë që me mijëra shqiptarë të largoheshin nga vendi dhe të shkonin për të jetuar e punuar në vendet perëndimore. Gjatë këtyre tri dekadave, Europa dhe institucionet udhëheqëse të saj, kanë qënë dhe janë pranë Shqipërisë në përballimin e problemeve dhe zbatimin e reformave më të rëndësishme, pa të cilat nuk ka as zhvillim as përparim dhe ecje përpara. Kujdesi i BE-së, ka qenë permanent sa herë që vendi ynë është gjendur përballë të papriturave dhe kanë mbajtur qëndrime parimore në emër të demokracisë dhe të së drejtës. Sa herë kanë rrëshqitur partitë tona politike të çdo krahu apo kanë ndjekur politika jo korrekte të papranueshme për demokracinë, si shmangja nga zgjedhjet apo bojkotet e Parlamentit, mos pjesëmarrja aktive në Parlament në debatet që zhvillohen në reformat që ndërmerren, aq herë BE, ka qenë pranë vendimmarrësve shqiptarë, duke mbajtur qëndrime parimore. Pa folur këtu për donacionet e shumta që BE i ka dhënë Shqipërisë në momente të vështira apo fatkeqësi natyrore, siç ka qenë tërmeti dhe përballimi i fatkeqësisë së krijuar pas tij apo me pandeminë botërore, ku ka financuar projekte dhe investime në pajisje e medikamente aq të domosdoshme në shërbim të pacientëve dhe sistemit tonë shëndetësor. Këto janë të pamohueshme dhe lexohen edhe në errësirë. Shqiptarët i njohin dhe i vlerësojnë edhe donacionet e vendeve të veçanta të Europës, duke nisur nga Gjermania, Italia, Franca e më gjerë deri tek fqinji ynë Greqia. Askush nuk merr përsipër të zhbëjë asnjë mbështetje të vendeve mike pa të cilat demokracia dhe ekonomia jonë nuk do njihte përparim dhe zhvillimi do ishte i papërfillshëm për mos të folur për ndërprerjen e demokracisë dhe pengimin e reformave të mëdha. Pa BE dhe shtetet mike të Europës nuk do kishim sot reformën më të thellë dhe më të shumanshme të drejtësisë. Nuk do kishim ligjin zgjedhor si ky që është në zbatim, duke larguar opozitën nga rruga me marrëveshjen e 5 qershorit. Do kishim ende deputetët në rrugë dhe parti që do bojkotonin procese të rëndësishme për të cilat ka kaq uri dhe nevojë vendi ynë. Të gjitha këto janë afishuar nga qeveria dhe të gjithë i njohim. Për atë që ka bërë Europa i jemi mirënjohës secilit vend kontributor, si për demokracinë edhe për mbështetjen pa rezerva të ekonomisë tonë kombëtare për ecjen përpara dhe përballimin e fatkeqësive natyrore. Tek ne është i ngulitur mendimi se pa Europën nuk ka Shqipëri europiane. Ndaj dhe në çdo miting, lëvizje, aksion qeveritar apo opozitar në krye, me flamurin tonë kombëtar qëndron edhe flamuri i Bashkimit Europian siç qëndron edhe ai i SHBA, partnerët tanë strategjikë të padiskutueshëm. Tek ne jehona e thirrjes “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, është si një gjëmim dhe brohoritje që buron nga thellësia e shpirtit të popullit tonë. E gjithë kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për të thënë diçka, për të bërë kritika për të qenë hipokritë apo pajtues edhe kur qëndrimet e vendeve të veçanta apo institucioneve që drejtojnë BE, bien ndesh me praktikat më të mira apo mungon mbështetja dhe mënyra e trajtimit në mënyrë të barabartë kur bëhet fjalë për jetë njerëzore të rrezikuara nga pandemia, e cila është ulur këmbëkryq në vendin tonë si në tërë globin. Europa na ka mësuar, të jemi të hapur, realistë, të themi atë që mendojmë kur është fjala për të vërtetën, ta themi edhe nëse dikush, institucion apo kushdo qoftë mund të mërzitet, keqkuptohet e të mos ndihet mirë. Në bashkëpunimin institucional, secili ka qëndrimin e vet. Dhe të jesh vetëm pajtues, të thuash, lepe peqe si urdhëron nuk do të thotë se je më pranë Europës dhe e ke mirë me udhëheqësinë e saj, se je burrë apo grua e mirë. Vetë Europa është kritike ndaj vetvetes kur bëhet fjalë për vendimmarrje apo gjykime të ndryshme për vendimmarrje të njëjta. Të tilla ka pasur gjithmonë dhe kjo ka qënë edhe sinergjia e brendshme, e cila ka shërbyer si motor lëvizës që ka çuar përpara vetë zhvillimin dhe konsolidimin e Europës në përballimin e sfidave të rëndësishme që nxjerr përditë zhvillimi dhe jeta pasi dihet se asgjë nuk ecën qorrazi apo për inerci. Në këto rrethana, shtete të mëdha, të zhvilluara me përparime të njohura, demokraci funksionale, shumë më të konsoliduara se jona, kanë mbajtur qëndrime që nuk kanë qenë në unison me gjithë shtetet e Europës. Mjafton të kujtojmë këtu, se shtete të rëndësishme europiane, kanë pasur një qasje ndryshe nga vendimmarrjet e komisioneve të BE e KE. Kështu është kundërshtuar vendimi për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, vendim i cili u kundërshtua nga shtete të veçanta si Holanda, Danimarka e të tjerë me pretekste, të cilat nuk janë aq argumentuese, siç u veprua edhe me Maqedoninë e Veriut, ku Bullgaria, e cila vendosi veton apo pretendimet e përsëritura dhe kushtet e reja shtesë në kohën shtesë nga shtete të ndryshme që kërkojnë të përfitojnë në emër të po-së për pranimin në BE dhe fillimin e konferencës ndërqeveritare me institucionet europiane. Po kështu shembuj të pafund të qëndrimeve ndryshe, ka pasur sa herë është diskutuar për shpërndarjen e fondeve mes shteteve të BE-së. Dhe kjo është normale dhe e paqortueshme pasi secili shtet edhe pse në bashkësi ka të drejtën dhe detyrimin të mbrojë interesat e vendit të vet. E megjithatë asnjëherë nuk janë vendosur sanksione apo të jenë marrë vendime që prishin ekuilibrat në emër të qëndrimit unik dhe të pandashëm. Secili ka zërin e vet dhe mbron interesat kombëtare dhe të popullit të vet edhe kur janë anëtarë të BE-së. Edhe për teka, ka zëra që bien ndesh me BE dhe qëndrimet e politikat e saj kur eurodeputetë të veçantë kërkojnë të imponohen me  kërkesa që i bien ndesh vetë demokracisë dhe rregullimit të funksionimit të shteteve përkatëse. Në këtë kuadër kanë qenë jo të pakta rastet që edhe faktorët politikë të Shqipërisë kanë mbajtur qëndrime dhe kanë qenë kritikë për me rekomandimet që ka dhënë BE në shumë raste. Kujtojmë këtu betejën e paprecedentë në prag të miratimit të ndryshimeve kushtetuese vite më parë, ku sovranistët shqiptarë, ata që nuk e donin këtë reformë mbajtën ndaj rekomandimeve të institucioneve të Europës qëndrime që shumë herë arritën pikën e vlimit. Deklarata që ngjanin si lajthitje dhe që niseshin, jo nga parimësia, po interesi partiak. Sa herë, Meta mbajti qëndrime kundër vendimmarrjeve të BE-së apo rekomandimeve për reformën zgjedhore?! Sa herë Lulzim Basha dërgoi e-maile qortuese dhe mbajti qëndrime që nuk shkonin me rekomandimet e institucioneve të BE-së, bile Kryemadhi ka shkuar shumë më tutje, duke akuzuar diplomatët në Tiranë se janë blerë nga Edi Rama me paratë e drogës, vetëm se nuk kanë qënë në unison me opozitën dhe i kanë kritikuar ata për mos pjesëmarrjen në zgjedhje apo bojkotimin e Parlamentit dhe zgjedhjeve të pushtetit lokal. Atëherë për të gjithë opozitarët, BE ishte një kundërshtare që nuk ishte me të drejtën dhe mbante qëndrime pro qeverisë. Dhe për këtë nuk mungonin kritikat e deklaratat të cilat i binin ndesh politikës dhe demokracisë funksionale të Shqipërisë dhe posaçërisht BE-së, të cilët i kërkonin opozitës të respektonte institucionet. Të gjithë kujtojmë deklaratat pa sens të bëra nga lidët tanë të opozitës kur bëhej fjalë me mospajtimin e BE-së dhe institucioneve të saj me bojkotin e Parlamentit dhe aq më tepër kur opozita doli jashtë sistemit dhe bojkotoi zgjedhjet e pushtetit lokal në emër dhe interes të partive të tyre politike. Kanë qenë jo kundërshtime po akuza të rënda dhe fyerje që janë rëndom të përdorshme mes debateve të këtushme, ku politikanët shahen me libër shtëpie. Kësaj llogore nuk mundi t`i shpëtonte as Europa e askush tjetër që ka mbajtur pozicione të ndryshme nga politika e opozitës kundër qeverisë dhe vendimmarrjeve të saj. Për gjithë këto qëndrime opozita ndihet krenare dhe se ka qenë, dinjitoze, ka akuzuar gjithnjë Europën për politikën dhe vendimmarrjen, e cila nuk i ka pëlqyer se binte ndesh me interesat personale të liderëve tanë politikë. Tani fleta ndryshoi. Sapo Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, tha një fjalë, jo për politikat e BE-së, po për qëndrimin specifik me vaksinën, menjëherë europianë dashuruesit e mëdhenj, ata që deri dje shanin e anatemonin, bërtisnin dhe akuzonin pa asnjë ndroje cilindo që u binte ndesh me interesat e tyre partiake, sot kur Rama bëri një kritikë konkrete, jo për tërë BE as për politikat e saj të përgjithshme, po për aspekte të veçanta në emër të jetës së shqiptarëve që është e njëvlershme me atë të çdo europiani, tabori opozitarë u turr kundër Edi Ramës sikur të kishte blasfemuar kundër perëndive dhe të kishte fyer ata që na kanë mbështetur. Liderëve të opozitës nuk u vjen aspak keq nëse shahet apo kritikohet BE. Për ta ka vlerë vetëm paraqitja e Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, si individ kundër Europës. Si lideri që i kundërvihet BE-së dhe mbanë sytë nga vendet autokrate! Një hipokrizi fare e hapur dhe pas asnjë dorezë kjo. Lulzimi me koalicionistët opozitarë shfaqen e shiten si dashnorë hipokrit të BE-së dhe Rama përmbys, si super kritizerë dhe anti europianë. Flitet kështu nga sovranistët në një kohë kur vetë BE mban qëndrim kritik për trajtimin e Ballkanit dhe reflekton pas kritikës së vendeve rreth Europës. Sondazhet serioze mbështetën qëndrimin e Ramës dhe kritikën ndaj BE për vaksinën në masën 81 për qind?! Atëherë kush ka të drejtë? Rama apo opozita? Kritiku realist apo dashnorët hipokritë? Ky qëndrim i opozitës është as më shumë e as më pak thjesht strategji dhe dashuri imagjinare pasi në realitet këtu nuk shfaqet dashuri qetësi e simpati, po thjesht hipokrizi!