BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

Opinion / Editorial

Historiku i pandemive globale, radioaktiviteti, radiacioni dhe COVID-19

Historiku i pandemive globale, radioaktiviteti, radiacioni dhe COVID-19

Në të vërtetë koha është duke u kthyer në gjendjen e saj fillestare në të cilën ajo u krijua dhe në planetin tonë Tokë, Në botë ka njerëz kur u thuhet “Mos bëni çrregullime dhe mos e shkatërroni Tokën, dhe ata përgjigjen: “Ne po bëjmë vetëm përmirësime të Tokës”, por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë shkaktarët e çrregullimeve, ndonëse nuk duan që ta ndjejnë. Katastrofat e pandemitë e mëdha nga agjentët e rrezikshëm kimikë, bakteriologjikë, radioaktivë dhe bërthamorë (KBRB) janë potencial mëse real në botën e globalizuar tashmë. Prandaj, është thelbësore që planet e masat parandaluese dhe mbrojtëse duhet të jenë gjithnjë të gatshme në rast të një ngjarjeje katastrofike globale nga këta agjentë toksikë vrasës. Nëqoftëse për shkak të një gabimi nga faktori njerëzor ose të daljes së situatës jashtë kontrollit, masat parandaluese mbrojtëse duhet të merren dhe të jenë të menjëhershme, në kohën e duhur dhe sa më efektive.

Duke ilustruar me shembuj konkretë të mëparshëm me fillimin e viteve 1920 me gripin spanjoll, duke vazhduar me aksidentet bërthamorë 26 Prill 1986, në Çernobil, Ukrahinë, më pas 11 Mars 2011, në Fokushima, Japoni, dhe më tej në Nëntor 2019 me virusin COVID-19, pra afro një shekull shoqëria mbarë botërore ka kaluar humbje të paimagjinueshme. Shoqëria njerëzore ka njohur e kaluar disa shpërthime epidemike nga të cilat kanë humbur jetën miliona e miliona njerëz. COVID-19, koronavirusi më i ri i zbuluar, i panjohur më parë nuk është i njëjtë me koronavirusët që qarkullojnë zakonisht tek njerëzit dhe shkaktojnë sëmundje, dhe ndoshta nuk është pandemia e fundit në këtë fillim shekulli.

Më 11 Shkurt 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi emrin zyrtar për virusin e identifikuar për herë të parë në Ëuhan të provincës Hubei të Kinës, i quajtur “COVID-19”, ku "CO" është shkurtim i corona, “VI” shkurtim për virusin, "D" për llojin e sëmundjes, ndërsa 19 meqenëse u shfaq në fundin e vitit 2019. MERS, SARS1, SARS2-COV, EBOLA etj, janë po ashtu shembuj të tjerë të koronavirusëve që janë përhapur vite më parë edhe në vendin tonë dhe e kanë origjinën e tyre nga kafshët dhe më pas u përhapën edhe tek njerëzit.

Incidentet ose aksidentet e ndodhura më lart janë pjesë e gabimeve dhe humbjes së kontrollit njerëzor nga specialistët e fushave përkatëse, mirëpo pasojat e ndotjes nga materialet e rrjedhura bërthamore dhe radioaktive, nga viruset e ndryshme MERS, SARS, COVID dhe lëndët helmuese kimike Cyanidet e Sodium, Potassium, Hidrogjen cyanide (HCN), Cyanogjen chloride (ClCN), ose Mustardi, Sarini, Tabuni, dhe VX, të gjithë janë agjentë toksikë me efekte të larta negative shëndetësore në sistemin nervor, të frymëmarrjes, etj, duke shkaktuar vdekjen brenda disa orësh dhe ditësh.

Artikulli përmbledh dy aspekte të historisë së ngjarjeve më të rëndësishme të aksidenteve të shkaktuara nga agjentët e KBRB, si dhe njohuritë e grumbulluara për sa i takon menaxhimit të situatave mjekësore të viktimave të prekur nga rrezatimet e materialeve radioaktive ose nga viruset dhe agjentët kimikë të gjithë aq të dëmshëm në shëndetin e njeriut dhe mjedisin.

Situata botërore e laboratorëve të materialeve të rrezikshme të KBRB

Kudo vazhdojnë të zhvillohen studime të shumta nga laboratorë shkencorë në botë për materialet e rrezikshme toksike dhe vdekjeprurëse të KBRB. Materialet toksike kimike dhe mikroorganizmat patogjenikë janë një pjesë mjaft e vogël e rrezikshmërisë të lidhura me studimet dhe investigimet nga laboratorët shkencorë. Rëndësia e kontrollit të tyre bazohet në kërcënimin potencial të tyre ndaj njerëzimit, kafshëve, bujqësisë dhe mjedisit në përgjithësi. Veç kësaj, laboratorët kërkimorë dhe reaktorët bërthamorë kërkimoro-shkencorë, janë në shkallë të lartë përgjegjëse mbi përhapjen e ndotjeve radioaktive, dhe të infeksioneve pandemike me kosto të paimagjinueshme ekonomike dhe me konsekuenca të pallogaritshme në ndotjet e mjedisit.

Praktikisht, të gjithë stafet specialistë që punojne në laboratoret kërkimoro-shkencor me mostra kimike, biologjike, virusologjike dhe në reaktorët bërthamorë me rrezatime jonizuese, janë të ekspozuar nga këto materiale infektuese, njëkohësisht dhe subjekte ndaj riskut nga kulturat dhe mostrat klinike. Meqenëse agjentët e rrezikshëm transmetohen nga këta laboratorë nëpërmjet frymëmarrjes, lëkurës dhe mënyrave të tjera, atëherë nevojitet të njihen karakteristikat e tyre fiziko-kimike dhe fiziologjike mbështetur në studime shkencore për shkallën e tyre të rrezikshmërisë, së pari për shëndetin e punonjësve të këtyre laboratorëve, dhe së dyti për marrjen e masave mbrojtëse në rastet e shpërthimeve pandemike dhe aksidenteve bërthamore.

OBSH ka të zhvilluar sistemin e klasifikimit me 4 grupe, mbështetur në shkallën e rrezikshmërisë ndaj stafeve laboratorike dhe publikut, ndërsa Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (ANEA) ka të përfshirë sistemin e klasifikimit me 5 grupe lidhur me shkallën e rrezikshmërisë që vjen si pasojë e aktiviteteve të reaktorëve bërthamorë. Duke marrë në konsideratë efektet patogjenikë ndaj njerëzve dhe rrezikun potencial ndaj mjedisit, të shkaktuara nga KBRB, duhen marrë masat e duhura me një qëllim të vetëm: reduktimin e të gjithë risqeve potenciale të shkaktuara nga këta agjentë për të reaguar me të gjithë infrastrukturën e duhur mjekësore, pajisjet dhe mjetet e specializuara, për të përballuar përhapjen e pandemive të tilla si: tuberkulozi, karniomenengjiti limfacitik, sëmundjet e infektimit të kafshëve me gripin e derrit, të shpendëve me forma të ndryshme të griprave virologjike SARS1, SARS2, si dhe sëmundjet e sindromave hematopoetike të shkaktuara nga dozat e larta të rrezatimeve jonizuese prej aksidenteve nga reaktorët bërthamorë etj.

Karakteristikat dhe saktësimet shkencore mjekësore, fiziologjike të agjentëve KBRB

Ekzistojnë disa risqe për shëndetin njerëzor të shkaktuar nga agjentët kimikë me bazë lëndët helmuese kimike të Cyanideve, si dhe kimikatet ushtarake të Mustardit, Sarinit, Tabunit, dhe VX, janë agjentë toksikë me efekte të larta negative shëndetësore që influencojnë në sistemin nervor, të frymëmarrjes, etj. Kimikatet toksike prodhuar nga laboratorët shkencorë, nëse dalin jashtë kontrollit njerëzor, kryesisht fokusohen me veprimet e tyre në helmimin e ushqimeve, ujit dhe shpërhapjen e tyre në sipërfaqe e më pas, nga kontaktet mbi lëkurën e njeriut e kafshëve i helmojnë ato. Kështu, kripërat Cyanide të Natriumit e Kaliumit janë me ngjyrë të bardhë në të verdhë të hapur, lidhen lehtësisht me ushqimet, duke i helmuar ato dhe pijet e ndryshme. Kur bien mbi lëkurë përzihen me kripërat e organizmave të gjalla futen lehtësisht në reaksion duke i helmuar rëndë ato. Dy kimikatet e tjera toksike, acidi cianidrik (HCN) dhe kloruri cianidrik (ClCN) janë kripëra pa ngjyrë, por me ngjyrë të verdhë në forma të lëngta dhe në mjedise të mbyllura janë mjaft efektivë duke rrezikuar rëndë shëndetin e njeriut. Në doza të larta, prej disa miligramë, të katër këto kimikate toksike krijojnë kolaps shëndetësor, me rrjedhje hundësh, të vjella, dridhje me ethe të forta dhe konfuzion nervor. Mustardi, ka ngjyrë kafe të errët, në kontakt me organizmat e gjalla krijon flluska, duke shkaktuar kruajte të forta, irritim dhe skuqje lëkure, ndërsa kur kalon në rrugët e frymëmarrjes dëmton shumë rëndë mushkëritë, shkakton vështirësi të mëdha në frymëmarrje e pas disa orësh vdekjen. Kimikatet toksike Sarin, Tabun dhe VX janë agjentë helmues ushtarakë, janë paralizues të fuqishëm të sistemit nervor dhe ekspozimi ndaj tyre shkakton jargëzim, konvulsione të forta dhe shumë shpejt vdekjen. Ka dhe kimikate toksike industriale si: Chlorine, Phosgene që kur lëshohen në mjedise të jashtme në sasi të mëdha shkaktojnë helmime të forta.

Risqet që vijnë nga laboratorët shkencorë bioteknologjikë për shëndetin njerëzor dhe që lidhen me studimin e prodhimet e vaksinave për luftimin e baktereve, viruseve, viruset e gripit të formës rickettsia, parazitët, format sfungjerore të alergjenteve etj, përbëjnë të ashtuquajturën inxhinieri gjenetike dhe në kuadrin e bio-sigurisë nevojitet menaxhim shumë i saktë i situatave për mbajtjen nën kontroll të incidenteve të rrjedhura në laboratorët shkencorë mikro-viruso biologjikë si agjentë të rrezikshëm. Ka disa ngjarje të ndodhura në botë me përdorimin e agjentëve biologjikë si Anthrax, bakter i cili shkakton simptoma të cilat shfaqen nga 1-6 ditë pas ekspozimit dhe kryesisht shoqërohen me ethe e temperaturë të lartë, këputje (pafuqishmëri), lodhje e frymëmarrje të vështirë. Botulinum toksin është një tjetër bakter i prodhuar nga Clostridium botulinum, i cili ndodhet në forma natyrale në dherat e fëlliqura. Simptomat e shfaqura kur goditesh nga ky bakter vijnë afro 24-36 orët e para pas infektimit, por mësymja e sëmundjes kërkon disa ditë e shoqëruar me të vjella të vazhdueshme, dhimbje të forta barku, dobësim i sistemit muskulor dhe dëmtime në sistemin pamor. Racine është një bimë toksike, është 30 herë më e fuqishme sesa agjenti nervor VX për nga pesha, përgatitet duke u ekstraktuar nga disa bimë në formë bathore. Simptomat shfaqen brenda disa orësh dhe një ditë pas ekspozimit, por varet nga doza e marrë dhe rrugët e hyrjes në organizmat e gjalla. Mënyrat e rrugët e transmetimit theksojnë specialistët mikrobiologë, janë përhapjet përmes sekrecioneve që dalin nga personat e infektuar kur ata kolliten apo teshtijnë, dhënia e dorës njëri-tjetrit etj., prandaj dhe rekomandohet që këta pacientë të izolohen në spitale ose në shtëpi dhe varet nga lloji i viruseve dhe sa të prekur e të sëmurë janë ata. Studimet shkencore treguan që një pacient psh, i prekur nga virusi SARS2-COV që ai të dalë nga izolimi, më parë duhet të konsultohet me mjekët apo specialistët e parandalimit dhe kontrollit të infeksioneve, në mënyrë që të merren masat e duhura dhe shumë strikte duke bërë testimet laboratorike, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit dhe infektimin e njerëzve të tjerë. Treguesit dhe shenjat më kryesore tek pacienti i prekur nga ky virus janë: temperaturë të lartë, simptoma të teshtitjes duke përfshirë dhe kollën e fortë, vështirësi në frymëmarrje, lodhje fizike dhe kur ai është i infektuar duhet të kalojë me sukses dy provat laboratorike në izolim, teste të cilat bëhen me 24 orë diferencë njëra nga tjetra. Në këtë mënyrë, dikush që ka qenë i prekur, infektuar me virusin SARS2-COV, duhet të dalë nga izolimi mbas 14 ditësh, duke mos përbërë më rrezik infeksioni për të tjerët.

Rrezatimet jonizuese dhe që shpesh referohet si radiacion, janë të lëshuara nga atomet e elementeve radioaktivë, kur një atom jo i qëndrueshëm radioaktiv tenton të përshtatet në forma të qëndrueshme, nga ai lëshohen valë energjitike ose grimca alfa, beta, gama, rrezatim X ose neutronik etj. Grimcat dhe valët energjitike përgjithësisht përftohen nga 2 burime: (a) radiobërthamat natyrore që e kanë zanafillën e tyre nga koha e formimit të planetit tonë e që janë: radiumi, thoriumi dhe uraniumi; dhe (b) burimet e prodhuara nga dora e njeriut si: reaktorët dhe armët bërthamore. Tipat e ndryshme të rrezatimeve jonizuese karakterizohen nga niveli i ndryshimit të depërtimit kur bashkëveprojnë me lëndë të ndryshme. Kështu, grimcat alfa () të përbëra nga 2 protone dhe 2 neutrone të lëshuara nga bërthamat e atomeve radium, polonium, uranium, radon dhe thorium, kanë masë dhe energji të madhe dhe si të tilla rendja e tyre në masën materiale është e shkurtër deri në 1, 3 cm, kështu që grimcat nuk kalojnë në thellësi të lëkurës, por janë shumë të dëmshme nëse konsumohen, thithen me frymëmarrje ose futen në sistemin e qarkullimit të gjakut. Grimcat beta (?) janë po ashtu energjitike dhe ato në të njëjtën mënyrë emetohen nga bërthamat e atomeve psh: të tritiumit, karbonit-4, stronciumit-90, fosforit-32, squfurit-35 etj, dhe ata rendin në distanca më të mëdha se grimcat, sepse kanë masë më të vogël e mund të përthithen nga materiale si alumini, por grimcat beta kanë aftësi të kalojnë shtresat e lëkurës duke e djegur atë dhe bëhen mjaft të rrezikshme kur gëlltiten ose kalojnë rrugët e frymëmarrjes. Rrezatimi gama () përbëhet nga fotone, të njëjta me dritën dhe e humbin me ngadalë energjinë që mbartin duke mundur të kalojnë distanca më të gjata se grimcat dhe ?, pasi nuk kanë masë dhe ngarkesë duke kaluar më lehtësisht në qelizat dhe indet e organeve njerëzore. Ky lloj rrezatimi përftohet nga burimet artificiale radioaktive të kobaltit-60, zinkut-65, ceziumit 137, kaliumit-40 etj, të prodhuara nga njeriu në reaktorët dhe pajisje tjera bërthamore. Neutronet janë grimca pa ngarkesë të emetuara po ashtu, nga bërthamat e elementeve radioaktive dhe nga bashkëveprimi i një neutroni dhe një atomi rezulton me absorbimin e një pjese të energjisë që neutroni mbart në vetvete dhe kjo dukuri ka bërë të mundur përftimin e radioizotopëve të rinj në reaktorët dhe pajisje të tjera bërthamore. Ndjeshmëria e indeve të gjalla te njeriu dhe kafshët është proporcional me raportin e riprodhimit të qelizave brenda indeve dhe do të variojë në mënyrë të pakthyeshme me diferencimin e qelizave në fjalë. Të dhënat mbi raportin e dëmtimeve të sistemeve në organizmin e njeriut kundrejt dozave të rrezatimeve jonizuese fillojnë nga dozat 50 rem të shoqëruara me ndryshime në parametrat e sistemit të gjakut. Kur dozat janë në vlerat 100-150 rem, organizmi e shoqëron me të vjella, dhimbje barku e koke dhe risqe të vdekshmërisë. Ndërsa dozat e rrezatimit rriten më tej në vlerat 320 – 360 rem deri 480 – 540 rem, atëherë sistemi imunitar nuk përshtatet dhe raportet e vdekshmërisë rriten. Në vlerat e dozave me 800 rem të gjithë personat e ekspozuar ndaj rrezatimit vdesin 100%.

Zinxhiri ushqimor luan një rol të rëndësishëm në shpërndarjen e grimcave radioaktive të rrezikshme si më lart, krahas ndotjeve që shkaktohet nga kafshët si: lopët, delet, gjedhi në përgjithësi, pasi ato duke u ushqyer në vende të kontaminuara marrin dhe grimcat radioaktive duke i transmetuar ato me qumështin, mishin, leshin dhe produkte tjera shtazore. Po ashtu, nga zinxhiri ushqimor i frutave, zarzavateve, drithërave etj., është e mundur marrja e grimcave radioaktive. Edhe te shpendët, peshqit në det janë gjetur sasira të konsiderueshme të izotopit cezium 137Cs pas aksidentit në Japoni në Mars 2011. Është gjetur dhe provuar shkencërisht që izotopet e Ceriumit 144, depozitohen në pulmone, izotopet e Ceziumit 134, 135, 137 depozitohen në veshka, sistemin urinar, Kobalti 60, Jodi 129,131 depozitohen në mëlçi veshka, kocka dhe tiroide, ndërsa izotopet Iridiumt192, Pluton 239 dhe Stroncium 90, depozitohen në sistemin gastrointestinal, mëlçi, kocka, mushkëri dhe palcën kurrizore.

Elementët dhe masat parandaluese ndaj dëmtimeve nga radiacioni

Para se të tregojmë tipat e ndryshme të ndotjeve nga radiacioni duhet të flasim mbi elementët radioaktivë që prodhohen nga aksidentet bërthamore si psh, në rastin e Çernobilit. Kështu në fazën e parë të aksidentit, elementet me të përhapur nga dekantimi i resë radioaktive ishin izotopet e Jodit dhe Ceziumit, dhe në sasi pak më të ulta izotopet e Niobit, Ceriumit, Rutenit, Plutoniumit dhe Stronciumit. Radiacioni shkakton dëmtime në organizmat e gjalla pasi ai depoziton energjinë e lirë të grimcave brenda në indet dhe qelizat e gjalla duke formuar radikale të lira në to, si dhe shkatërron ADN, strukturat dhe proceset qelizore. Sapo grimcat e radiacionit futen në organizëm, ndeshen me indet dhe qelizat e sistemit intestinal dhe palcës kurrizore duke shkaktuar simptoma të sëmundjeve akute që manifestohen brenda ditëve ose javës së parë pas ekspozimit. Shkencërisht njihen tre faza të sëmundjeve akute të shkaktuara nga dëmtimi i radiacionit: Faza e hershme e sëmundjes ku simptomat e para shfaqen nga 48 orë deri në 6 ditë pas ekspozimit, faza e dytë shoqërohet nga simptoma më të avancuara, por është e përkohshme për pacientin, pasi ndiqet menjëherë nga faza e tretë më e avancuar e sëmundjes, në të cilën simptomat manifestohen me zhvillime shumë të vështira për t’u menaxhuar. Në fazën e tretë sëmundja prek në masë të ndjeshme sistemin e prodhimit të gjakut dhe atë gastrointestinal e që njihen me emrin sindroma. Nga dy sindromat pacienti ndjen këputje të plotë të trupit, muskulatura dobësohet ndjeshëm, të vjellat dhe diarreja janë të vazhdueshme, duke u shoqëruar nga mos funksionimi i veshkave, infeksion të përgjithshëm, preket sistemi cerebralo-vaskular. Ndërkohë lëkura mbushet me flluska (qese) të lëngëzuara që shpejt kalojnë në zona të skuqura të qelbëzuara. Vdekja është pranë dhe e pashmangshme.

Në rastet kur kontaminimi radiacional është i lokalizuar, zakonisht dëmtimet paraqiten me ënjtje, flluska dhe rrjepje të lëkurës, ndërsa kur depërton brenda në organizëm, atëherë ka mënyra më specifike të trajtimit të pacientit psh, tretjen e ndotësve të futur në organizëm, reduktim me anë të substancave absorbuese, bllokazh i tyre në pjesën e organit ku depozitohet dhe heqja me anë të sondave thithëse etj. Kur në trupin e pacientit ka edhe plagë të kontaminuara me substanca radioaktive, atëherë ato shpëlahen me ujë të rrjedhshëm dhe më pas trajtohen me anë të teknikave sterilizuese, ndërsa kur plagët ndoten me substanca alfa rrezatuese, atëherë nevojitet ndërhyrja kirurgjikale te plaga dhe vendi rreth saj.

Për shkak të qëndrueshmërisë e ndikimit afatgjatë të agjentëve toksikë në dy aspekte: shëndetit të njeriut dhe ndotjes së mjedisit nga pandemitë dhe aksidentet bërthamore, shoqëria njerëzore ndodhet në pozicione të pasigurta. Kryesisht kjo situatë vjen si rrjedhojë e prishjeve të ekuilibrave të burimeve natyrore në planet, veçanërisht nga mospërmbushja e kritereve dhe me risqe të mëdha si: lëshimi i gazrave industrialë, ndotjet nga incidentet/aksidentet bërthamore, pandemitë nga viruset/bakteret e laboratorët shkencorë edhe në këtë shekull të XXI-të, nga vetë dora e njeriut.

Ky mesazh prezantohet si një përmbledhje koncize e kuptimeve bazë të mbështetura në të dhëna shkencore, historike, administrative, monitoruese dhe matematikore, për kuptimin sa më të mirë të rolit që vetë shoqëria njerëzore duhet të luajë në nevojë të ruajtjes e mbrojtjes së planetit tonë-Tokë.

* Specialist i fushës së mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese