BREAKING NEWS

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre ‘Rithemelimit’, arsyet e vërteta të distancimit të grupit të Bardhit nga Lulzim Basha, panikun që ka shpërthyer brenda tyre dhe lajmet e hidhura që e presin Sali Berishën

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre
x
BREAKING NEWS

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’, përveç Metës, Berishës dhe Shkëlzenit rrezikon prangat një juriste amerikane, ish-presidenti po përgatitet për ditët e zeza në SPAK, ja strategjia që po ndjek për të shpëtuar nga arresti me burg...

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’,
x
BREAKING NEWS

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për të monitoruar SPAK dhe përmbysur reformën në drejtësi, ja pse është alarmuar “Treknëdëshi i Bermudës”

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për
x
BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x

Opinion / Editorial

Hoçishti, “korija” që i mbledh të gjitha...

Hoçishti, “korija” që i mbledh të gjitha...

...Kështu e quanin hoçishtarët, fshati, jo më larg se 7 km nga qyteti i Bilishtit, lisin shekullor në qendër të fshatit, “korije”, një pyll me të gjitha llojet e bimëve, siç është edhe fshati me të gjitha “llambat” e ndriçimit në të gjitha fushat e jetës... Hoçishti, është një perlë, sepse i kalon shumë kufijtë e një fshati, për vetë “xhevahiret” që përmbledh brenda vetes, për të cilën, të gjithë do të binden për këtë dhe do të më japin të drejtë. Po nga vjen emri i vetë fshatit Hoçisht? Ka versione të ndryshme, por sidoqoftë, të gjitha këto, nënkuptojnë të njëjtin gjë, nënkuptojnë mrekullinë. Njëri version thotë që vjen nga sllavishtja, “Ocen-cishta” shumë i pastër, një tjetër, vjen nga përshtypjet e turistëve të shumë ndër shekuj “O ç’ishte ai vend” i mrekullueshëm, si dhe nga “oci ishta” syri i pastër. Pavarësisht shumë varianteve, ato bashkohen në një pikë, në atë që Hoçishti, është më shumë se një mrekulli. Të vijmë tani tek lisi shekullor në qendër të fshatit, apo siç quhej “lisi i Shën Konstandinit”, i cili për gjashtë shekuj, qysh kur kishte “lindur”, me qindra degët e tij që zinin tërë qendrën e fshatit, mblidheshin të gjithë nën hijen e tij në ditët e nxehta të verës. Me të drejtë banorët e Hoçishtit, nuk i thoshin lis, por e kishin “pagëzuar” me emrin “korije” sepse mblidhte tërë banorët e fshatit dhe u bënte freski. Nuk i shpëtoi diktaturës as ky lis dhe i vunë sëpatën në vitin 1967, për të cilin intelektuali i shquar Stavri Afezolli, shkruan: “U hap fjala e mori dhenë/ Lisin e shenjtorit prenë/ A për trarë a për tokë arrë/ Për ç’kishërim a për dru zjarrë/ Thonë se ishin tre të marrë”. Dhe më tej: “U lëkund u tund Tomorri/ Urtësinë e mposhti horri/ Gjithë fshati shpalli zinë/ Mbi kandilat u gëdhinë/ E vajtonin fatëzinë / Hijeshonte Shën Konstandinë / Monument për Shqipërinë”. Lisin shekullor, të pafetë, e prenë, por nuk mundën të presin “korijen” rreth e qark fshatit me të gjitha llojet e pemëve dekorative dhe drufrutorë...

Tek shkruaj për Hoçishtin, e kam shumë të vështirë mbasi nuk kam cilën të shkruaj, e cilën të anashkaloj. Gjithçka ka Hoçishti, është një mpleksje e mrekullive të Zotit me gjithçka ka bërë mëndja dhe dora e hoçishtarit. Hoçishtit i ka dërguar Zoti shtatë shenjtorë; Shën Konstandinin, Shën Jovanin, Shën Ilian (Shëndëllinë), Shën Thanasi, Shën Kolli, Shën e Diela dhe Shën Anargjendëve apo i Mjekëve të shenjtë, Shën Kozmait dhe Shën Damjanit, i njohur ndryshe edhe si Satrivaci, i cili prej shumë kohësh preferohet si vendi i Shenjtë dhe dy ditë në vit, më 1 korrik dhe 1 nëntor bashkë me hoçishtarët, festojnë edhe vizitorë të shumtë të të gjitha bindjeve fetare, të ardhur nga larg. Nuk i shpëtuan diktaturës as “dhuratat e Zotit” për t’i vënë kazmën dhe me gurët e tyre të ndërtonin stallat e kooperativës, por nuk kishin se si t’i vendosnin “kazmën” bindjeve të banorëve hoçishtarë, të cilët i ndërtuan ato edhe më të bukura nga sa ishin. Paratë që i dërgonin të afërmit e banorëve nga Amerika, banorët e fshatit e blenë kryqin e Madh të Manastirit të Shën Kostandinit. Hoçishti, është dhe mbetet fshati model i bashkëekzistencës fetare ku ortodoksë dhe myslimanë, jetojnë si një familje e vetme në harmoni dhe dashuri... Nëpër shekuj brez pas brezi, kanë marrë udhët e botës për dije e kulturë. Ku nuk kanë shkuar ata qysh nga Amerika e deri në Australinë e Largët. Kushdo që vinte në fshat, merrte me vete edhe pak dije e kulturë për fshatin e tij. Kudo ku shkonin dhe punonin, sytë dhe veshët, i mbanin “bigë” për vendin e tyre, për vendlindjen. Në Luftën e Vlorës, më 1920, midis njëqind vullnetarëve që erdhën nga Amerika në ndihmë të luftëtarëve, pesë prej tyre ishin nga Hoçishti, sikurse edhe shumë të tjerë nga fshatrat rreth e qark si Dardha, Sinica etj. Qysh në vitin 1917, vit kur erdhi Armata e Parë franceze, filloi edhe mësimi i gjuhës frënge. U habitën francezët e Armatës së Parë, kur në këtë fshat dëgjuan për herë të parë të flitej frëngjisht. Në vitin 1905, vetëm nga fshati Hoçisht studionin në shkollën franceze të Korfuzit dymbëdhjetë studentë, të cilët ishin më të dalluarit e Shkollës. Europën dhe Amerikën e kanë “sjellë” hoçishtarët shumë herët në fshatin e tyre. Shumë kohë para çlirimit, në fshat organizoheshin aktivitete të ndryshme e midis tyre edhe mbrëmje tematiko dëfrimi, ku vinin edhe nga fshatrat përreth. Vinte në këto mbrëmje edhe Dritëroi i Madh, i vogël atëherë në moshë, që nga fshati i tij Menkulas. Kulturën e tyre hoçishtarët e shpërndanin edhe në fshatrat përreth e sidomos përtej kufijve të sotëm tek sundonte një prapambetje shekullore. “Kur shkonin djemtë dhe vajzat tona në fshatrat që tani banohen nga grekët, ata shpreheshin; “Hoçishti na sjell “degjenerimin” sepse atyre u “vrisnin syrin” veshjet e djemve dhe vajzave hoçishtarë, kultura e tyre, derisa u mësuan”, thotë Stavri Afezolli. Nga fshatrat përreth Hoçishtit, vinin edhe çiftet e reja për mbrëmje dëfrimi... Asnjëherë hoçishtarët nuk qëndruan të qetë nga bandat dhe banditët që vinin nga larg për të grabitur banorët, sidomos mbas shpalljes së Pavarësisë. Ishte bërë traditë që sa herë vinin banditët binte kambanorja e Kishës në krye të fshatit. Sapo dëgjonin këtë ngriheshin tërë banorët. Një natë, kaçakët e ruajtën lajmëtarin e fshatit dhe e vranë. Ata natë, kur kambanorja nuk ra, banditët hynë në shtëpinë e babait të gjyshes së Stavrit, i cili atë natë martonte vajzën e tij Katerinën. Babai i saj Jorgoja, i mblodhi të gjitha bizhuteritë që i kishin sjellë shoqet vajzës së tij si dhurata, ia dha vajzës nuse dhe kjo u hodh nga dritarja për të shpëtuar. Tërë natën e kaloi në kopshtin e mbjellë me fasule pllaqi derisa kaçakët u larguan mbasi nuk gjetën gjë. Kaçakët, babain e nuses, e tërhoqën zvarrë derisa ai dha shpirt. Por dasma, nuk u ndërpre. Sa ndodhi të tilla tregojnë banorët e moshuar. Qysh nga fillimet e shek të XVIII-të Hoçishti ishte çiflig i bejlerëve të Plasës. Banorët nuk e duronin këtë dhe për më shumë se njëzet vjet vazhduan gjyqet sa në Manastir, në Kostur e deri në Stamboll, derisa u shkëputën si fshat më vete. Ishte kontributi i vetë hoçishtarëve që në vitin 1921, në fshat u hap Shkolla e Parë shqipe. Hoçishti, është edhe i luftës dhe i trimërisë. Në këtë fshat u formua çeta e parë me partizanët e parë Jorgo Plaku, Maqo Como, Thimi Dimoshi, Feim Kaja, Tefik Cakonji... Atje ra heroikisht Fuat Babani heroi i Popullit. Sikur të shkruaj për kuadrot e të gjitha profesioneve që ka nxjerrë Hoçishti, do të duhen volume të tëra, por më e keqja është që nuk di nga ta fillosh. Ata, kanë bërë histori, kanë lënë emër në çdo punë që kanë kryer. Të flas për familjen Plaku, Josifi, i pari i familjes Plaku në Hoçisht, kishte kryer studimet e larta në Amerikë dhe u kthye në fshatin e tij të lindjes. Të katër djemtë e tij, u pushkatuan apo u helmuan nga regjimi. Djali i madh Jorgo Plaku është dëshmori i parë që as ky nuk i shpëtoi ndëshkimit, Panajot Plaku, ministër i Gjeologjisë e më pas ministër pa portofol, për t’i shpëtuar plumbit, u arratis, Kajo Plaku,  Drejtori i fermës së parë e më të madhe në vend, asaj të Sukthit e deri tek vëllai më i vogël Koco Plaku nën drejtimin e të cilit u zbuluan katër vendburime nafte dhe Laureat i Çmimit të Republikës. Duhet një kohë e gjatë të shkruash. Secili prej tyre, është një universitet më vete. Më mirë, ta lëmë për herë tjetër. Kur thua familja Uçi, ke thënë familje patriotësh, akademikësh, filozofësh... I pari i kësaj familje Kristo Uçi, Gjyshi i akademikut Alfred Uçi, ishte antar i Shoqërisë “Bashkimi” në Konstancë të Rumanisë. Shoqëri, që sytë i mbante nga Shqipëria. Ibrahim Temo, patriot i Kristos, ishte kryetar i saj, e ka ndihmuar shumë Kristo Shqiptarin siç e thërrisnin kolegët për ndjenjat e tij patriotike. Loni Kristo dhe Pandi Jaupi, ishin sekretarë të Shoqërisë “Vatra” nga viti 1917 deri në vitin 1924. Fan S. Noli, erdhi vetë në Hoçisht që i dha kurorën Loni Kristos, i cili ishte deputet i “Vatrës” dhe pjesmarrës në Kongresin e Lushnjës. Kristo, në vitin 1911 i shiti hotelin dhe restorantin që ishin pronat e tij. Një nga dëshmitarët, që të parët, kanë shpenzuar paratë e tyre për të ndërtuar Shqipërinë... Paratë i investoi në fshatin e tij Hoçisht. Pjesën tjetër, ia çoi Ismail Qemalit, fill mbas ditës së ngritjes së flamurit. “Do t’ia dorëzoni këto, Luigj Gurakuqit, i tha Kryeministri i Parë, sepse atë do ta emërojmë ministrin e Ekonomisë”! Djali i Kristos, Minai, babai i Alfred Uçit, u martua me Shegën, vajzën e Petro Nini Luarasit. Edhe Minai, ka lënë gjurmë që nuk shlyhen... Kur thua, familja Tërpini, kjo nënkupton muzikën, artin dhe kulturën. “Mjafton të thuash hoçishtar, ke thënë se je patriot, njeri me kulturë dhe muzikant. Dhe po thua se je Tërpini, treguesi i parë është se këndon e pastaj të tjerat”, shkruan Josif Minga, Mjeshtër i Madh dhe “Nderi i Gjirokastrës”! Gaqo Tërpini, ishte Mjeshtër i Madh i muzikës, shembullor për të dy kohët që jetoi, para dhe pas çlirimit, shembullor për brezin e vet, brezin që pasoi e do të pasojnë, për kulturën, vullnetin dhe disiplinën muzikore. “Dhe prapë mbi gjashtë telat ai dëbon e thërret / Herë trishtimin e Madh / Herë harenë e madhe / Mbi këto gjashtë udhë që e lidhin me jetën / Ngrihet kokë e tij si një shpellë krenare”, shkruan Ismail Kadare në poemën kushtuar kitaristit virtuoz Gaqo Tërpini. Sapo të kujtosh familjen Jani, kujtdo i shkon mendja tek tre djemtë dhe dy motrat e Petro Janit, mësuesit, ekonomistët, inxhinierët. Kristofor Jani, tridhjetë e tre vitet e punës së tij si mësues i matematikës, ia kushtoi qindra kuadrove që nuk e harrojnë mësuesin e tyre model të mësuesisë. Edhe sot, që për pak muaj Kristofori, mbush të nëntëdhjetat, është shumë i kërkuar për matematikën e tij të dashur që e mban të freskët si dikur. Kristofori, bashkë me Vaskë Radon, e shumë të tjerë, janë e mbeten “muze” i gjallë në Devoll, i talentit, përkushtimit dhe aftësive të tyre. Vaskë Rado, sot nëntëdhjetë e tre vjeçar, është një enciklopedi më vete. Me rrugën që bënte çdo mëngjes për më shumë se gjysmë shekulli me biçikletën e tij nga Hoçishti në Bilisht, i hapi udhët e jetës jo vetëm për dije, por edhe për punë, qindra e mijëra kuadrove që dolën nga gjimnazi i nderit në Republikë, ku drejtor ishte Vaska. Të flasësh për familjen Afezolli, mendja të shkon tek vëllezërit Stavri, Vangjo dhe Koço Fezolli. Stavri, mjek veteriner, poet e shkrimtar i ka dhënë shumë kulturës dhe veterinarisë me librat e shumtë që ka shkruar. Është “Qytetar nderi i Komunës Hoçisht”, “Mirënjohja e Qarkut Vlorë” dhe “Mirënjohja e qytetit të Tiranës”. Edhe vëllai i tij Koço, ishte i pari që me aftësinë e tij, ka bërë të mundur atë që për të gjithë specialistët ishte e pamundur që tubacionet e H/C të Vaut të Dejës të shkonin në destinacion. Të gjithë kuadrot e këtij fshati, si në të kaluarën edhe në ditët e sotme, janë një “mirënjohje” më vete që e kanë fituar me mundin, talentin dhe aftësitë e tyre.