BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Hodhëm një kusar në ferrë... e hodhëm e mbuloi dhenë!

Hodhëm një kusar në ferrë... e hodhëm e mbuloi

I gjori shqiptar, i cili ka tre dekada që nëpërkëmbet duke u vjedhur në maksimum, vjedhje kjo e cila vjen nga të gjitha drejtimet, ashtu si “trëndafili i erërave”, i cili është krejtësisht i zbuluar e që përdorin marinarët në busull për t’u orientuar gjatë lundrimeve të tyre. Në fakt “ky trëndafil”, përcakton drejtimet sepse ai nuk ka se ç’t’i bëjë erës veçse të dijë t’i shmanget. Ja kështu qenka e shkruar dhe për shqiptarin, që të vuajë duke paguar kusarët e tij, të cilët i vijnë nga të gjitha drejtimet, por dhe që kanë formuar piramidën e tyre, piramidë kjo, e cila themelet i ka jo vetëm mbi krimin e organizuar, por dhe në bashkëpunimin e tij me sferat e larta shtetërore. Kjo tashmë është katërcipërisht e vërtetuar dhe bosët e vërtetë të krimit kanë qenë të vendosur në pushtet në të gjitha hallkat e tij në të gjithë kohërat dhe në gjithë koloritin e shumtë të partive e sidomos atyre tre të famshmeve PS-PD-LSI. Por ama për hir të së vërtetës ata kurrë nuk kanë nguruar edhe të mendojnë “për sovranin popull” sidomos, mbasi i kishin vjedhur mirë e mirë pasuritë kombëtare të tij, të ngjiteshin nëpër podiume në prag fushatash me premtime madje me premtime të tilla që do t’i kishin patur zili dhe vetë eurodeputetët e Brukselit, pa folur që dhe Amerikën e lanë me gisht në gojë. Mund të jenë dhe zëra, por e vërtetë është se në Shqipëri dyndën agjentë të shumëfishtë për të mësuar se cili ishte “sekreti” i kandidatëve për deputetë të Kuvendit shqiptar, që populli i votonte me këngë e valle. Nëse dilte lideri Sali Berisha me bandën e tij (muzikore por edhe të kusarisë) bardhë e zi (këmishë të bardha e pantallona të zeza) nuk e bënte pa qëllim. Ai i vishte kandidatët e tij të dukeshin si kamarierë dhe këtë veprim të Salës, pak kush e kuptonte nga që ai e bënte qëllimisht, për të futur në popull idenë se deputeti im është shërbëtor i popullit. Në vitet “Salinjane” u bë batërdia aq sa askush në atë kohë, nuk e besonte një gazetë italiane, e cila shkruante me gërmat kapitale se “Mafia shqiptare” do të zotërojë gjithë Europën dhe siçilianët do të jenë të varur prej tyre. Mbase ata kishin fjalën te ngritja e firmave piramidale, të cilat u ngritën me qëllim të caktuar. Ishte koha e “terapisë së shokut” që do të thoshte të rrafshohej çdo gjë e me themel dhe në këtë kasaphanë ndaj pronës së popullit krijoheshin kushte për t’u vjedhur pronat publike, ato që ishin ndërtuar nga e gjithë shoqëria e jonë e asaj kohe. U bënë jo vetëm të moralshme vjedhjet, korrupsionet dhe ryshfetet, por ato shkuan deri në atë pikë sa fituan të “drejtën e qytetarisë”. Shkurt ajo që deri dje ishte e pamoralshme u shpall e moralshme. Privatizimi në fakt mori karakter rrëmbimi thuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë e sidomos në fushën e bujqësisë e të industrisë, në pronat e ushtrisë etj. Kusarët e kollarepsur nga qendra e deri në bazë e kaluan vendin në gjendjen “zero”. Kjo situatë bëri që bosët banditë të mendonin forma e metoda të reja duke hapur “Dragonjtë e ekonomisë shqiptare” një mënyrë kjo që nga përmasat e vjedhjeve mori aq shumë përpjesëtime, saqë vendi shkoi drejt katastrofës. Po kush vallë i vodhi paratë? Mos vallë populli? Po përgjegjës i tragjedisë ndaj popullit tonë në situatën që kaluam gjatë ‘97-ës kush ishte dhe a do të dali ndonjë herë fajtori i vërtetë i kësaj situate të rëndë me gjakderdhje që kaluam apo do themi se gabuam, por ama ”jemi të gjithë bashkëfajtorë”?! Jo, jo popullin s’mund ta bëni dot bashkëfajtor në mizoritë e kriminalitetit tuaj! Dhe kjo histori nuk mund të kalohet me një “gabuam”, sepse ju zotërinj kriminelë e vrasës me pushtet e kini natyrë të punës tuaj, të majtë e të djathtë qofshi. Vërtet firmat i ngriti Saliu dhe duart e gjakosura të tij ska sapun e detergjent t’i lajë, por shumë drejtues të tyre ishin madje dhe socialistë me tituj. Ju nuk humbët asgjë edhe pse thërrisnit “Me ne fitojnë të gjithë”! Populli ishte ai që humbi jo vetëm paratë dhe dinjitetin e vet, por dhe bijtë e tij dhe nuk ishin pak, por disa qindra e mbase më shumë se 2 mijë djem nënash. Kishte ikur dhe perënduar koha e Genc Rulit ministër dhe Artan Hoxhës (prof.) që u vunë sharrën drurëve të arrave, duke e kthyer pemtoren në fusha të djerra (mos vallë dikush para tyre shekuj më parë e ka kryer këtë akt që dhe një vend tjetër andej nga zonat e veriut e ka marrë emrin “Fushë-Arrëz”?!!). Kishin ardhur kohët e përplasjeve dhe kacafytjeve midis ujqërve, sepse si për inat të tyre A. Hajdari do të zaptonte me forcë zyrat e pronat e sindikatave, teksa përflitej dhe në implikim të kontrabandës së armëve dhe karburantit. Por revani i Hajdarit duhej ndalur, sepse ia kishte hyrë dhe kërkonte të hynte me dhunë në zona të ndaluara, zona këto, që nuk ishin të tija, por të të “përndriturit”, “të madhit”, “shefit”. Kështu që duhej menduar dhe për të dhe po qe se nuk mendonte ai vet, kishte kush mendonte në mos duhej eliminuar, sepse po bëhej pengesë e madhe. Vendi nuk duhej kurrë që të kishte dy apo tre kryekusarë, por vetëm një dhe njëshi dihej se cili ishte, të tjerë poshtë tij të kishte sa të duhej por mbi atë joooo kurrsesi jo! Lili le të vidhte sa të donte flori, fundja le të shfaqnin sa të dëshironin video me para në duar, le të shkruanin ish-shokët e tij besnikë se më kërkoi aq po kaq, le të ulërinin nëpër ekrane se Lili do të më asgjësojë, punë e madhe! O burra të ruajmë partinë, se ajo është burim pushteti dhe paraje! Të jesh President nuk është asgjë para një kryetar partie. Le ta bënin Lilin President e kujt i plasi! Bëheni po të doni dhe perandor të botës, ama LSI-ja nuk duhet lëshuar o në duar të tij o të Monit. Kaq ta bëjë dhëmbin Petrit Vasili! Disa budallenj si Pango dhe Shukriu pa dy gramë në kokë nuk donin para, por të ardhura në natyrë. U ishte bërë fiksim mishi i bardhë i lepurit me dy veshë!! Fshatarët e dreqit, mendjen e kanë për “pjeshka”!

Socialistët e shkretë dikur qanin nëpër zyra kryetarin e tyre të akuzuar për vjedhje të ndihmave të Komunitetit Europian në mënyrë të stërholluar, teksa zëvendësi i tij në atë kohë kishte pajtuar argatë, të cilët me mushka u ngjiteshin gërxheve të Salarisë për të transportuar “kanabisin”, si dikur ushtarët mbrapa vijës së batalioneve italiane, të cilët me kafshë u bënin furnizimin reparteve të tyre. Thuhet (por kjo nuk është fort e sigurtë ) se Tosi i shikonte mushkat nga qelia e Bënçës, teksa magnetofoni i tij këndonte këngën “Tringëllin një zilkë mushke” që ja kishte dhuruar kryesia e PD-së për të hequr mërzinë. Natyrisht të gjitha këto, jo vetëm se do shkretonin vendin, por do t’u jepnin mundësi dhe n/kombëtarëve, që t’i vinin mirë gishtin kokës e të mos i lëshonin eurot dhe dollarë sikurse bëri Rajdhërsoni që i fali Shqipërisë një “lotari amerikane” me 30 milionë $. Joooo shqiptarët duhej të ngrinin me forcat e tyre institucionet e veta të kusarisë, sikurse u bënë me “Juridikun e plepave” i ndjekur nga Shkolla e lartë e policisë, të cilët filluan të taktikat e bandave kriminale dhe atyre të hajdutërisë, për t’i shtënë në dorë sa më parë. I mësuan dhe i përvetësuan aq mirë, sa që nuk kishte më asnjë jurist, shef komisariati, drejtor policie, komisarë e n/komisar a drejtor burgjesh e n/drejtorë që të mos implikohej jo vetëm me bandat dhe kartelet e drogës, por në çdo lloj krimi e sidomos të atij që me anë të presionit të ligjit të sjell fitime. Në çdo vend të botës drejtësia ka bërë punën e vet kur kap kusarët dhe i dënon teksa bilancin e punës e matin me uljen e krimit. Por në Shqipëri drejtësia jonë, te çdo lloj krimi shikonte dhe përllogariste se sa do të ishte fitimi, sa do të duhej për trupin gjykues, sa për prokurorin dhe sa për ata të Kushtetutës që i kishin mbi krye. Nëse me dekret “salinjan” Kavaja do shpallej kryeqytet i demokracisë, Lazarati do shpallej kryevendi i Kanabisit që shpesh i themi dhe hashash. Thonë se etimologjia e kësaj fjale daton mbas viteve 90-të, kur në një moment kënaqësie Rama mbasi u shtri nudo në një plazh, drodhi e ndezi nga kutia e tij një cigare dhe nga ngazëllimi i çastit që përjetoi në ato momente filloi si nëpër gjumë t’ia bënte “haash-haash-haaaash”! Por këto janë hamendësi, pse jo dhe mund të mos të ketë të vërteta. Mund të mos të jenë të vërteta në mos t’i ketë përhapur “toktorri”, i cili edhe sot e kësaj dite është me mëdyshje të ishte i sinqertë përqafimi i Ramës kur e ngushëlloi për Gërdecin, apo ishte manovër e tij për të fituar pikë në opinionin publik. Ç’është e vërteta “toktorri” njërën dorë të tij në qafë e ndjeu, por sikur ndjeu dhe diçka nga mbas që e gudulisi në vend të lig. Dhe që nga ajo ditë ai kurrën e kurrës nuk ja ka më besën Ramës, sepse ai atë që thotë sot e mohon nesër, por dhe e kundërta. E kundërta sepse Rama po plas nga inati që nuk po e dënon dot “toktorrin” ngaqë po e dënoi atë, do i dalin petkat lakrorit. Një Izet Haxhi është ai i cili nga qelia ka deklaruar se njëshi i krimit dhe i gjithë banditizmit në Shqipëri është Sala dhe se shumica e vrasjeve të çojnë të çojnë te ai. Po sa të tjerë dëshmitarë të tillë ka të cilëve “shefi” i tyre jua u ka zënë kokën m derë?! Fundja përse na duhen dëshmitarët, kur krimi flet vetë, sikurse flet ai me “stilolapsa” e me “çadra” “çakmakë pistoletë” etj, në vrasjet e bulevardit. Për hir të së vërtetës, ato vrasje u bënë për mbrojtjen e korrupsionit “Meta” me koburen e Lulushit, i cili për herë të parë në jetën e tij zbatoi një urdhër të hapet zjarr kundër turmës (duke i lyer duart me gjak dhe vallë si e zë gjumi?!). Por Lulushania nuk e jepte dot urdhërin pa “njëshin Salinjan”. Ku ka kurajë Luli, madje dhe një pallat që ngriti në Vlorë, ai nga frika vajti dhe ja faturoi vjehrrit. Fati i tij që paratë me vendim ndërkombëtarësh do i paguajmë ne, nëpërmjet shtetit, se ndryshe do e kishte kalbur vjehrrin e vet mbas hekurave të kryqëzuara. I shkreti vjehrri i tij! Mirë që i mori të çupën po ç’borxh i kishte Lulit, që ta fuste në qeli? Po pse seriozisht e kini, mos me të vërtetë do e lejonte “toktorr Salia” të futnin në burg Lulin beniaminin e tij? Ja e zëmë se do e lejonte, por Luli do nxirrte Metën dhe Meta nga inati do i kthehej Mediut të gjyleve, por po ta pësonte Mediu do na dilte “Zeni”, ky i fundit do i drejtohej Kushtetutës së Zaganjorit dhe po qe se Zaganjori do e dënonte do t’i numëronte të gjitha dallaveret e tij ( të cilat ia kishte treguar i ati, Saliu) dhe kështu karvani i gjithë kusarëve e banditëve do të ishte shumë shumë i gjatë. Janë ngritur organizma me emra bombastikë, është krijuar dhe një “FBI” shqiptare se gjoja do hetojë peshqit e mëdhenj. Jo fliheni mendjen, asnjë nuk kanë për të dënuar madje kryebanditin do e zgjedhin dhe deputet, sikurse dhe Lili ska pse frikësohet dhe të betohet që nëse nuk ja heq vetes do ia heqë Ramës direkt në foltoren e Kuvendit, duke u bërë “Ilir Rustem” i dytë që shtriu për dhe Edvin Pashanë. Them kështu sepse edhe në këto organizma “të pastra” brenda tyre janë po ata ish-funksionarë të cilët në mos merrnin sa shefat e tyre të dikurshëm merrnin më pak, por edhe në mos kanë marrë i kanë parë e kanë heshtur... Të heshtësh kur më shumë se 50% e sistemit gjyqësor janë të korruptuar?! Problem për Yuri Kim dhe Sorekën pse jo dhe për gjithë ambasadorët e akredituar në “Republikën e Kusarisë së Shqipërisë”: Nëse në 50% të tyre janë të tillë, po në administratën shtetërore dhe gjithë piramidën e superstrukturës drejtuese nga qendra e deri në bazë në të gjithë sektorët në shkallë kombëtare sa janë? Po ti populli im që më 25 prill do dalësh me këngë e valle e di se sa borxh i ka çdo shqiptar Europës? Nëse nuk e dini mësojeni dhe shtrojuni punës të paguajë çdo shqiptar (madje dhe një bebe që porsa lind më shumë se 2000 Eu).Ndaj dhe unë kurrë skam për ta harruar një plak lab, i cili u ul te shkallët e gjykatës në Vlorë dhe duke më parë mua të kollarepsur ja mori këngës me qesëndi “Hodha një kusar në ferrë – e hodha e mbuloi dhenë”. Doemos që më erdhi rëndë kur më mendoi se isha dhe unë “një nga ata”. U largova i menduar. Populli i besoi tre dekada. Vallë, nuk i mjaftoi për të kuptuar se cilët janë shtetarët tanë që na kanë udhëhequr këto tridhjetë vite? Nëse duhet të vendoset drejtësi, ajo nuk fillon nga poshtë me peshqit e vegjël, por nga lart me peshkaqenët, me ata që e mbollën farën e krimit të organizuar, me ata, që kultivuan vrasjet, bastisjet, vjedhjet, ryshfetet dhe imoralitetin e shoqërisë. Serioziteti fillon nëse nga listat e kandidimit do të hiqeshin të gjithë ish-drejtuesit shtetërorë e partiakë të kallëzuar për vepra penale që kanë mbushur arkivat e gjykatës me dosje e kallëzime, pa folur këtu për të dhënat që kanë organet e tjera të shërbimit informativ dhe të Policisë së Shtetit. Po kush do t’i heqë dhe kush e merr përsipër këtë nismë?! Gjithsesi sido që të bëhet,vetëm një privilegj ma bëni... Po deshët Saliun mos ma hiqni nga lista, ndryshe do votoj Zenin!