BREAKING NEWS

Ndryshojnë masat anticovid! Zbulohet vendimi më i ri i Komitetit të Ekspertëve: Duke nisur nga nesër do të...

Ndryshojnë masat anticovid! Zbulohet vendimi më i ri i Komitetit
x

Opinion / Editorial

Huamarrësit marrin frymë

Huamarrësit marrin frymë

Në procesin e mbledhjes së detyrueshme të kredive konsumatore, kalvari i huamarrësve (kreditorëve) të këqij që përballen me gjoba stratosferike nga bankat e nivelit të dytë dhe nga përmbaruesit, pritet të përfundojë shumë shpejt. Banka e Shqipërisë ka propozuar vendosjen e një kufiri rregullator lidhur me shumën e gjobave dhe kamatëvonesave që institucionet e huadhënies (bankat) mund të vendosin ndaj huamarrësve me probleme. Kjo masë po vjen në kohë, pse, për shkak të vështirësive ekonomike të jashtëzakonshme nga pandemia, shumë qytetarë dhe sipërmarrës e kanë të pamundur të kthejnë në kohë këstet e kredive të marra. Bëhet fjalë për 20 mijë kredi në nivelin e rreth 2 miliardë eurove si shumë tërësore në treg. Sigurisht që vetëm një pjesë e vogël e këtyre kredive janë me probleme. Pra, ka qytetarë dhe sipërmarrës që mund të kenë disa muaj pa shlyer këstet. Janë me qindra hua të tilla. Dhe në këta muaj të vështirë për shoqërinë dhe ekonominë tonë, numri i kredive me probleme do të rritet. Sipas ndryshimeve rregullatore të propozuara nga banka jonë qendrore, gjobat dhe kamatëvonesat për kreditë e këqija nuk mund të jenë më shumë se 30 për qind e detyrimit total të kreditorit. Pra, në rast se kam marrë një kredi konsumatore (kam blerë një makinë të re) në nivel të 15 milionë lekë të vjetra dhe, me këstet dhe interesat e papaguara e kam detyrimin 10 milionë lekë të vjetra të papaguar në kohë, banka nuk mund të më gjobisë me gjoba dhe kamatëvonesa më shumë se tre milionë lekë të vjetra. Çfarë ka ndodhur deri tani është që në shumë raste ky limit është tejkaluar, nga ashpërsia e bankës tregtare ndaj klientit (huamarrësit) në vështirësi. Ka pasur raste, kur pas gjashtë muajsh mospagim të detyrimit, klienti i kishte bankës edhe dyfishin e detyrimit! Kjo ngarkesë me penalitete (gjoba, kamatëvonesa) të pakufizuara, pikërisht në këto raste është bërë një detyrim shkatërrues ekonomikisht për huamarrësit e vegjël. Janë pikërisht këta që sot ndodhen më shumë në vështirësi nga pandemia. Duke filluar nga bizneset e vogla e deri tek qytetarët e thjeshtë. Duke qenë se gjobat e parashikuara në kontratat e kredive janë shumë të larta dhe megjithatë, janë shumë qytetarë dhe sipërmarrës të vegjël që i marrin parasysh nga nevoja për para të thata në momente të caktuara, kur nuk janë në gjendje t’i kthejnë, detyrimet rriten vërtik. Proceset e zgjatura në kohë (nganjëherë kërkojnë edhe vite) të mbledhjes ligjore të detyrimeve, nëpërmjet zyrave të përmbarimit, bëjnë që shpesh këto detyrime të arrijnë shuma të papërballueshme, duke denatyruar edhe të drejtën e bankës tregtare për të kërkuar mbrapsht paratë e marra borxh. Për shembull, për një kredi konsumatore (për blerjen e një orendie shtëpiake, një makine, pushime dhe vizita jashtë vendit, etj.) me vlerë 5 milionë lekë të vjetra dhe moskthimin e saj për një vit, nuk mund të kërkohen nga banka 15 milionë lekë të vjetra! Krahas bankave janë edhe institucionet e tjera të huadhënies (të quajtura institucione të kreditit), pothuajse banka, të shtuara në numër dhe aktivitet kohët e fundit, por të cilat gjobat për moskthimin në kohë i kanë shumë më të larta, nganjëherë edhe me herë më të larta se vetë bankat! Ndalimi i shtrirjes së gjobave të tyre ndaj qytetarëve-klientë që zakonisht janë njerëz shumë hallexhinj (të papunë, qytetarë me të ardhura të pakta, të cilët nuk mund të marrin para nga bankat, për shkak të garancive që u kërkohen) është domosdoshmëri. Këto institucione krediti kthehen në shushunja të vërteta, kur qytetarët nuk kthejnë dot kredinë e marrë në kohë dhe nuk arrijnë as të përballojnë edhe përqindjet e interesit që i kanë me herë më të larta se vetë bankat. Për shembull, kur merr një kredi me afat shumë të shkurtër kthimi, vetëm tre muaj, me pagesë me tre këste mujore, interesin e kanë 27 për qind. More 500 mijë lekë të vjetra. Duhet të kthesh në tre muaj 635 mijë lekë. Ose mbi dyfishin e huasë për një vit! Dhe nëse nuk e bën të kthesh këto 635 mijë lekë të vjetra në tre muaj, fillojnë gjobat stratosferike. Të tilla raste janë bërë objekt denoncimesh në emisione investigative mediatike. Penalitetet e larta, që i fryjnë detyrimet përtej çdo kufiri të arsyeshëm, janë realisht një dhunim i të drejtave të huamarrësve, të mbrojtura nga Kushtetuta. Banka jonë qendrore po bën shumë mirë që po ndërhyn dhe në kohën e duhur, për t’u dhënë fund abuzimeve. Nuk mund të tolerohen më praktika jo morale biznesi nga mbledhësit e borxheve të këqija. Me shpërthimin e pandemisë dhe shtimin e kredive të këqija, mundësitë për abuzim me masat shtrënguese ndaj kredimarrësve problematike rriten. Rregullorja e Bankës së Shqipërisë për caktimin e një limiti mbi shumën e gjobave dhe kamatëvonesave të kredive do të bëjë që kuadri ligjor për mbledhjen e kredive të këqija të përmirësohet. Shitja e kredive me probleme tek kompani të specializuara për mbledhjen e tyre në disa raste ka dhënë kontribut domethënës në pastrimin e portofolave të bankave dhe në uljen e raportit të kredive me probleme. Por, nga ana tjetër, rritja e kredive të këqija vuri në dukje edhe anën tjetër të medaljes, faktin që, në raste të veçanta, kuadri ligjor dhe rregullator nuk garantonte disa kufij të mbrojtjes së të drejtave të huamarrësve. Prej kësaj kjo lëvizje për t’u përshëndetur, nga ana e bankës qendrore.