BREAKING NEWS

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte përdhunimin nga disa persona, kush është shefi i lartë i Policisë: I kërkoi favore seksuale dhe mbesës së shkrimtarit të madh Martin Camaj

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte
x

Opinion / Editorial

Humano-virusi i njollës blu!

Humano-virusi i njollës blu!

“Gara” e humbur me natyrën

Koronavirusi rikonfirmoi se planeti ka “zot”. Nuk është njeriu sikurse na gënjen ne mëndja por natyra që kur i cënohen ekuilibrat e saj prej zullumit njerëzor që tejkalon çdo cak, të kthehet fort! Do ia dalim edhe kësaj rradhe por pyetja është si do ecet më tej?

Me natyrën nuk luhet “kukamçefti” duke e trajtuar planetin me arrogancë sikur të kishim një të dytë në dispozicion. Edhe kur mendojmë se po i punojmë qindin natyrës, në fakt i punojmë qindin vetvetes. Fundja, sado ta cënojmë natyrën, ajo e ri-gjen një ditë ekuilibrin e vet dhe planeti do vijojë të ekzistojë, me apo pa njerëzimin nëpër këmbë por ndërsa dinosaurëve u erdhi nga qielli, ne rrezikojmë të na vijë nga vetja! Nëse ka “Zot” që duhet t’i përulemi e falemi është ky planet bujar, mirësinë e të cilit vijojmë ende t’a marrim të mirëqënë.   

Duke iu kundërvënë natyrës po ia bëjmë “bam” vetes dhe nëse vijohet me politikat izolacioniste, makutërinë e materializmin pafre, ndasitë dhe tensionet pafund mes kombeve për burimet natyrore etj që në finale ia nxjerrin inatin natyrës, po rrezikojmë shfarosjen më të madhe në historinë e këtij planeti duke e bërë njeriun specien më shumë të rrezikuar në planet.

Planetin nuk e ndërrojmë dot ndaj dhe një “re-boot” apo rivendosje natyrore e ekuilibrave të planetit si rrjedhojë e dorës shkatërrimtare të njeriut, mund të rezultojë fatal për njerëzimin në rradhë të parë (e kafshët nuk na e kanë borxh!). E pastaj të mos themi se na kapi gafil dhe nuk u paralajmëruam kurrë! Koronavirusi, si pandemi pa kufij, është paralajmërimi rradhës për të mos shtyrë më tej caqet që natyra na caktuar me bujari. Jemi ende në kohë, boll që kohën ta përdorim për mirëkuptim, marrëveshje dhe bashkëjetesë dhe jo trazira e tensione mes vetesh, apo më keq, duke ngatërruar natyrën në këtë mes!

 

Sistem ekonomik që fut humano-virusin në karantinë

Njerëzimi do ia dalë koronavirusit por çështja shtrohet nëse do ia dalë vetvetes! Me keq se virusi i rradhës, problemi i këtij planeti është epidemia e përhershme e “humano-virusit” që nuk kursen kënd dhe shkakton vuajtje e fatkeqësi pafund, deri guxon “tapinë” e planetit tokë! Por ndërsa me njëri-tjetrin prishemi dhe ndreqemi, natyra nuk të fal. Sot koronavirusi, nesër nivelet e oqeaneve, ngrohja globale, anarkia e klimës, ndotja etj sfida pafund me natyrën ku i humbur i madh është në rradhë të parë njeriu.  

Njerëzimi duhet të rishikojë mënyrën e jetesës, standartet dhe dogmat tradicionale për t’u mos u degraduar në “virusin” më famëkeq të planetit që provokon shpagimin e natyrës më pas. Duke filluar me sistemin social-ekonomik ku përtej sfidës mes kapitalizmit e socializmit, super-sfida është harmonia me natyrën. Kapitalizmi tradicional nuk po ia del si duhet - paraja, statusi, pasuria etj humbasin vlerën kur e drejta e jetës rrezikohet nga abuzimi njerëzor me natyrën ndaj, nëse do të mbijetojmë, duhet të ndryshojë. Mbi standartin e ndjeshmëritë politike, sociale, kombëtare, fetare, racore, ekonomike etj është respekti e standarti ndaj natyrës.

Deri më sot sistemet social-ekonomike kanë “garuar” me njëri-tjetrin pa futur në “ekuacion” natyrën dhe sikurse gjërat po tregojnë “progresi” në kurriz të natyrës është regres afatgjatë me pasoja për të gjithë. Materializmi e egoizmi pa kufi, zvogëlimi shtetit, prirja dhe deliri për t’iu bashkuar “tufës” e dalë në krye të saj në makutërinë me pronën private, liria në abuzim, fitimi me çdo çmim, ekzagjerimet në stilet e jetesës, kulti deri në absurd i modës etj, na kanë “verbuar” për të parë “krisjet” e planetit duke rrezikuar të degradojmë në “mish të huaj” për planetin dhe ekuilibrat e tij miliona vjeçar. 

Ndaj, po aq sa fatkeqësi, koronavirusi është edhe këmbanë alarmi në kohë për shoqërinë njerëzore pa dallim. Sistemi i sotëm kapitalist duhet të ri-dimensionojë vetveten pa vonesë. Deri dje sfida mes sistemeve rrotullohej rreth lirive të individit dhe zhvillimit ekonomik por, për sot e mot, “sine qua non” dhe premisa e çdo gare për formën e organizimit të jetës njerëzore duhet të jetë ruajtja e ekuilibrave natyrorë. Kapitalizëm apo çdo sistem tjetër pa natyrë nuk ka dhe asnjë vënd nuk është “ishull” më vete.

 

Sfida e përbashkët lyp veprim të përbashkët

Në sytë e një alieni, parë nga hapësira e pamatë, jemi thjesht një njollë e vogël blu! Shumë pak dhe të vegjël për t’u ndarë dhe problemi i përbashkët kërkon zgjidhje po të tillë. Kur sfidat nuk njohin kufinj duke na prekur njëlloj pavarësisht racës, fesë, himnit të flamurit etj, reagimi dhe bashkëpunimi duhet të jenë planetar.

Përgjigja nuk është mbyllja, nacionalizmi, kufiri, lokalizmi historik por solidarizimi dhe globalizmi realisht efektiv. Kriza e koronavirusit aq sa ekspozoi dobësitë e BE, po aq është dhe një arsye e shtysë e madhe që BE të shndërrohet realisht në një organizëm efektiv që krijon besim tek qytetari europian pa dallim. Reagimi më i mirë i BE ndaj falangave që u ka mbetur ora në Mesjetën e nacionalizmit historik, është rikonfigurimi pa hezitim i BE si një i tëri në identitet, kompetenca dhe veprim dhe hapja e shpejtë ndaj Ballkanit duke zbrazur “barutin” prej tij. 

BE nuk duhet të lejojë qasjen “O Mete për vete” brënda tij. Po aq sa humbja e jetëve njerëzore, rrënimi ekonomik, përballja e emigracionit masiv etj, rëndon edhe braktisja ndaj dhe gjëma italiane sot duhet përjetuar si gjëmë europiane e mbarë BE dhe ndjeshmëria dhe reagimi i tij duhet të jetë si një i vetëm jo vetëm në mbështetje financiare por dhe burime njerëzore (sikundër edhe kontributi modest shqiptar me nisjen e mjekëve në Itali).     

Sot BE ka shansin jo vetëm të sendërtojë një realitet politik që funksionon si një i vetëm por dhe të promovojë më tej partnershipin strategjik me SHBA dhe fuqizojnë, së bashku me polet politike e ekonomike kudo në botë, OKB si qeveri të globit.

Kemi humbur shumë kohë të vyer të ndarë, kemi bërë tym shumë gjëra për të dëmtuar e kanosur me luftra e armatime njëri-tjetrin në emër të gjithshkaje që nuk ka kurrfarë rëndësie nëse e sheh këtë planet nga orbita e tij. Planeti nuk është veçse një “fshat” i vogël me “kryeplakë” që shkojnë e vijnë ku “rrapin” e jetës nuk ka të drejtë ta prekë kush. E ardhmja nuk rrezikohet nga viruset që ndajnë me ne këtë planet për mijra e miliona vjet por nga vetvetja dhe “kutia e pandorës” me të cilën “lozim” çdo ditë.