BREAKING NEWS

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, zbardhet shifra: Ja sa të infektuar me koronavirus u shënuan ditën e sotme

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së
x

Opinion / Editorial

Humbje me faqe të bardhë!

Humbje me faqe të bardhë!

PD duhet të çlirohet nga kompleksi i humbjes duke e pranuar atë e hedhur sytë nga vetja. Me Bashën apo pa të, një PD e re që përzë të vjetrën dhe i ndërron “bravën” derës, vlerëson me këmbë në tokë historinë e para viteve ‘90 dhe sillet si e djathtë perëndimore, është më pranë shumicës dhe votës së saj.

Avazi i dokrrave të radhës që nuk të shpie kund

Dihet që edhe kur humb në politikë, prapë fiton ca pikë e del faqebardhë kur pranon pa mëdyshje rezultatin, uron pa vonesë kundërshtarin dhe nis e reflekton duke e nisur nga vetja. Njohja e rezultatit është respekt ndaj urtësisë së elektoratit dhe kjo është sa gjest emancipues e standard për të tjerë më pas, aq dhe marketing politik sepse nëse votuesi vlerëson reagimin dinjitoz pas humbjes, ai mund të jetë më i predispozuar për të të kushtuar vëmendje më pas. Kështu siç po vepron PD, thjesht fyen votuesin dhe indirekt e bind më tej atë se bëri mirë që nuk i dha votën asaj. Humbja në vetvete është një shans për të ndërtuar imazh politik dhe dalë faqebardhë prej saj. Duke u bërë qepaze, PD po humbet edhe shansin të kapitalizojë sadopak aset politik dhe në këtë rast humbja është e dyfishtë. Fakti që sot PD nuk del dot nga vetja nuk përbën ndonjë lajm. Është bërë me hije nga vota dhe çfarë thotë sot nuk thotë nesër. Njëherë feston në marramendje fitore paradhënie dhe garanton se nuk forcë që ndal ndryshimin e vë baste “burrash”, pastaj qurravitet se ia vodhën fitoren me marifet, njëherë vlerëson procesin e numërimit kur nga kutia dalin vota blu, pastaj llomotit për kuti të manipuluara kur shikon se mbetet një xhiro pas… dhe si gjithnjë, për lajmin e mirë meritat ia njeh vetes dhe për lajmin e keq, fajtori është gjetiu. Basha e të tjerët në PD, e dinë që vicklat paszgjedhore nuk pinë më ujë. Fati politik i Bashës e vet PD është në udhëkryq. Koha lyp lidership, por koha nuk është me bollëk. Pavarësisht duarve të “lidhura”, Basha ka përgjegjësi për humbjen. Si për rezultatin, ashtu dhe faktin se lejoi, apo e mori vetë përsipër me dëshirë, të luante i diktuar nga të tretë pas. Me letra humbi Basha, por në fakt humbi fryma e trashëgimisë 30-vjeçare që e ka marrë peng PD dhe të djathtën në vend. Dorëheqja nuk kërkohet, por jepet dhe nëse Basha nuk e bën këtë gjë, atëherq, në ka ambicie për të drejtuar atë parti, duhet të dalë haptazi me platformën e rregullat e tij, i padiktuar nga askush, aq më tepër nga ata që janë sot etalonë të trashëgimisë problematike në atë parti. Fati PD është më jetik se fati një lideri dhe me Bashën apo pa të, PD nuk duhet të kuturiset në një tjetër qorrsokak politik. Nuk fiton as simpatinë e publikut (edhe ai që nuk ishte i bindur për votën, bindet se nuk gaboi kur nuk votoi PD) e as të faktorit ndërkombëtar (me poza demokratike “më katolik se papa”). Me Bashën apo pa të, një PD e re duhet të lërë pas zakonet e vjetra dhe syresh që ushtron presion me to. Gjetjet artificiale “libri zi” nuk duhet të zënë më vend mes shqiptarëve sepse, njëlloj si dhe sajesat serbe të llojit “shtëpia e verdhë” etj, nuk shpien ujë në “mullirin” shqiptar.  Humbja është provë karakteri dhe Basha e mbaroi listën e preteksteve. PD nuk ka pse të bëjë UFO-n që rron me euforinë e 1992 në një Univers Paralel (botë) ku vetëm ajo fiton dhe kur ballafaqohet me realitetin e humbjen, bën fajtor këdo përveç vetes.

Vota është punë zemre dhe argumenti

PD humbi për shumë arsye, por kryesore që shpjegojnë përse ajo nuk gëzon mbështetjen e shumicës në vend janë mosdistancimi prej trashëgimisë problematike politike të PD dhe qëndrimi ekstrem i PD ndaj trashëgimisë historike në vend. PD nuk mundet dot të krijojë frymë sa kohë mbetet e asfiksuar nga e vjetra e idhujt që e kanë marrë peng. Ka kohë që “tapia” e PD nuk është më tek Berisha ndaj Basha, nëse do vërtet të marrë përgjegjësi e fitojë me PD, duhet ta bëjë atë me PD e tij dhe jo ta ketë atë me “qira” prej tjetërkujt. Një PD e re duhet të distancohet prej dështimeve e abuzimeve të qeverisjeve të saj në tranzicion dhe lidershipi i vjetër duhet lënë në fatin e tij dhe jo adhuruar në dalldi e shndërruar në standard besnikërie e karriere në parti.

Ndryshe, sikurse u provua edhe nga partitë e dala nga PD më 25 prill, nëse del kundër Bashës, por ndërkaq përbetohesh ndaj “njëshit” historik, kjo nuk të çon kund sepse, nëse për kopjen, votuesi djathtë më mirë preferon origjinalin. PD nuk ngjall dot besimin e shumicës sa kohë në qeverisje gjithmonë e ka degraduar atë dhe sot ende nuk ka reflektim. PD nuk ngjall dot besimin e shumicës sa kohë nuk promovoi një të djathtë moderne, por ricikloi të djathtën arkaike (deri kolaboracioniste) dhe volli vrer në emër të antikomunizmit ekstrem ndaj LANÇ e periudhës së ndërtimit duke fyer dhe lënduar ndjenjat e shumicës në këtë vend dhe sot ende nuk ka reflektim.

E famshmja e viteve ‘90 “të gjithë bashkëfajtorë, të gjithë bashkëvuajtës” nuk duhej të katandisej retorikë për pushtet, por duhet të ishte identitet për PD si shtëpia e lirisë dhe mundësive për këdo.

Ndaj dhe humbja e PD nuk është thjesht çështje emrash, por edhe kauze e filozofie. Nëse duan të shihen si “shtëpia e lirisë”, PD duhet të çlirojë veten së pari nga pengjet e së shkuarës, kulti individit dhe komplekset historike ndaj së shkuarës. Askush nuk mund të jetë idhull në parti sa kohë idhull është vetë partia. Vota jepet me zemër dhe me argument dhe deri tani PD i ka humbur të dyja tek shumica në vend. Vetëm duke u distancuar nga qeverisja e keqe e së shkuarës dhe qenë mendjehapur dhe racionale ndaj vlerave historike prej LANÇ dhe ndërtimit më pas (që ofrojnë vlera kombëtare që qëndrojnë mbi dallimet ideologjike), vetëm atëherë PD ka një shans të fitojë zëmrën e argumentin e shumicës në këtë vend. Ndryshe, rezultati zgjedhor do të shndërrohet në një konstante “universale” (si shpejtësia e dritës) ku PS përherë dominon!

PS e PD nuk kanë pse të ndahen nga mënyra sesi e vlerësojnë të djeshmen, por nga mënyra se si e qeverisin të sotmen në këtë vend. Dhe kur kjo të ndodhë, pasioni e zemra do i hapin udhë ngadalë argumentit dhe qetësisë tek kutia e votimit dhe rezultati nuk do të tensionojë më askënd. 

Në do pushtet, PD duhet ta rifillojë nga e para. Më shumë se fati i Bashës, është në pikëpyetje fati PD. Nëse Basha kërkon të rrijë në krye të PD duhet të rrijë për llogari të vet dhe jo të atyre pas. Kushdo që çliron PD prej trashëgimisë problematike të “njëshit” dhe vlerëson objektivisht të shkuarën, bën histori. Jo vetëm për veten, PD apo fatin e së djathtës, por dhe vetë demokracinë. Është i vetmi shans për të marrë pushtet se, për ta mbajtur pastaj atë duhet djersitur fort sidomos tani që PS i ka duk puna dhe u bë kohë që i thonë puna e mbarë.