BREAKING NEWS

Pllakos zia/ Covid-19 i merr jetën drejtorit të Pallatit të Kulturës në moshën 46-vjeçare, pa asnjë sëmundje, ishte baba i tre fëmijëve

Pllakos zia/ Covid-19 i merr jetën drejtorit të Pallatit të
x

Opinion / Editorial

I dashur eskimez, të kam kushëri derisa një diell na ngroh të dy!

I dashur eskimez, të kam kushëri derisa një diell na ngroh

Në politikën shqiptare interferenca e medias në politik është e fuqishme. Së pari opinionistë e analistë, janë reshtuar në vijë të parë, fare pranë skalioneve të koalicioneve politike, partive të veçanta dhe je i detyruar në jo pak raste të dëgjosh histori me kushërinj e krushqi, miqësi e farefisni edhe gjatë vizitave të rëndësishme të personaliteteve që vijnë në Shqipëri. Seç ka një këmbëngulje për ta pasur zili për të të bërë me dajë, xhaxha apo vëlla dikë që vjen nga shumë larg apo pranë kur në realitet nuk ke asnjërin prej tyre të afërm. Kjo mënyrë të komunikuari dhe aq më shumë këmbëngulja për ta paraqitur mendimin e tyre si një realitet të padiskutueshëm, është bërë rutinë, qëndrim normal, gati pas çdo vizite që personalitete të rëndësishme, burra shteti, vizitojnë Shqipërinë. Vite më parë kur George W Bush, Presidenti i SHBA, vizitoi Shqipërinë, iu rezervua një pritje madhështore dhe ai u surprizua me dashurinë e shfaqur kudo ku shkeli nga Rinasi, Tirana e Fushë Kruja, jo të paktë ishin ata që i gjetën origjinën shqiptare. Shumë prej tyre këmbëngulnin për të na thënë se ai erdhi si Presidenti i Amerikës, po tek e fundit erdhe si njeriu me origjinë shqiptare. Dhe kjo këmbëngulje e mjaft individëve, shumë herë personalitete të letrave apo mediave deri edhe tek politikanë të veçantë për t`i trajtuar figura botërore, me origjinë shqiptare tregon subjektivizmin e skajshëm të disa individëve që kërkojnë të na orientojnë nga të panjohura që nuk janë të besueshme aq më pak të argumentuara dhe të provuara nga dokumenta autoktone. Aq më pak që vendi ynë, trashëgon nga e kaluara dokumentacion shumë të mangët për të provuar edhe rrënjët e autoktonëve, jo më atyre që janë larguar dhjetë e më shumë breza nga atdheu ynë, siç provohet pa diskutime, emigrimi i shqiptarëve që janë vendosur në Kalabri e gjetkë në shtetin fqinj Itali, Turqi e Amerikë apo vende, si Egjipti, Libani, ku edhe sot jetojnë bashkombasit tanë. Shqipëria, gjithnjë ka dhënë e marrë me vendet e tjera dhe në këtë kuadër nuk kanë munguar emigrantët shqiptarë që janë larguar e vendosur në ato shtete. Kjo është historia e emigracionit e cila mori përmasa pas vitit 1990, ku mijëra shqiptarë vërshuan në shtetet fqinjë, pothuaj në tërë kontinentet. Një lëvizje kjo, e argumentuar dhe e njohur edhe në politikat tona të emigrimit. Për emigrantët e veçantë kur janë të shquar në ato vende ose kur njihen si personalitete që shkëlqejnë në fusha të ndryshme të jetës së atyre vendeve, historia e tyre njihet dhe vlerësohet nga kombi ynë pasi ata me figurën e tyre i bëjnë nder këtij vendi dhe janë medalja më e mirë që i akordojnë atdheut të tyre, Shqipërisë. Kur flitet për shqiptarë që janë larguar nga trojet amtare në breza të ndryshëm dhe provat janë të padiskutueshme se janë me gjak shqiptari, krenaria jonë është e ligjshme. Këtu nuk ka aspak peshë nëse janë kushërinj apo fis i largët. Po veç rasteve të provuara që janë shqiptarë, personalitetet që njihen në shkallë të gjerë ndërkombëtarisht, seç ka edhe një këmbëngulje të pashpjegueshme dhe gati frenetike për të bërë lidhje të shkurtra për individë që mbajnë poste në shtetet e ndryshme për t`i etiketuar si shqiptarë apo si individë që kanë në vendin tonë lidhje farefisnore me personalitete apo pushtetarë e opozitarë. Më e fundit këmbëngulje, është ajo e mbrëmjes pas përfundimit të vizitës së ministrit të Jashtëm të Greqisë në Shqipëri për të bërë lidhje se ministri i Jashtëm i shtetit fqinj, Greqisë Dendias si kushëri të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Nëse kjo do ishte e vërtetë asgjë të keqe nuk do kishte. Lidhjet dhe interferencat mes njerëzve janë aq të komplikuara dhe aq të ngatërruara sa shumë herë nuk u gjendet filli edhe nga historianë e specialistë të fushës, antropologë, arkeologë, studiues të ADN-së e gjithë elementeve të nevojshme për të dalë në konkluzione shkencore se personi në fjalë është i afërm, kushëri apo nip, vëlla a fis, ka lidhje gjaku me dikë. Të flasësh me bindje se Dendias është kushëri me Edi Ramën, si vuniotë, të këmbëngulësh, është e njëjta gjë që unë të ulem dhe t’i shkruaj një letër një eskimezi që jeton në polin e largët dhe ti them: I dashur vëlla eskimez. Unë që po të shkruaj, jam nga fshati Sallatë i Albanisë.Të shkruaj për të të bërë të ditur atë që ti nuk e ke mësuar nga të parët e tu se e ke origjinën nga fshati im. Të parët e tu shumë shekuj më parë, kanë qënë afër shtëpisë së të parëve të mi. Janë rritur bashkë, kanë ngrënë në një furrë buke. Kanë gatuar së bashku. Bile kanë ruajtur edhe bagëtitë, atje në malet pranë fshatit, ku jemi mundur dhe herë kanë fituar ata të tutë e shumë herë të mitë. I dashur vëlla eskimez, dëshiroj të të pres këtu në Albani. Ndjesë që nuk të kam shkruar më parë. Po të tilla kanë qenë rrethanat e mija shoqërore dhe shteti në të cilën kam jetuar unë i brezave të mëvonshëm të vinte dyshimin mbi shpinë nëse dërgoje letra apo merrje të tilla prej jush. Erdhi koha dhe të gjeta. Tani është radha jote për të më shkruar dhe të lëmë të takohemi, këtu apo atje në shtëpitë prej akulli për të provuar mishin e ndonjë foke nga ato që ti gjuan gjatë dimrit të gjatë. Dua ta mbyll këtë letër të shkurtër me fjalët. I dashur eskimez, a nuk jemi kushëri deri sa një diell nga ngroh edhe mua edhe ty?! Përqafime! I bindur se jeni kushëri me të parët e mi. Po meqenëse ajo popullsi është në juridiksion të shtetit të Danimarkës dhe nuk keni ministër të Jashtëm u detyrova të shkruaj letrën me përmbajtjen e mësipërme pasi ti kushëriri im eskimez nuk je ministër as ndonjë personalitet të na vizitosh si shtet që të kem mundësi ta them në televizion se je kushëriri im. Kaq e kam detyrim që rrjedh nga të parët që të të kujtoj. Këmbëngulja në tryezën e debatit në televizion se Dendias është kushëri me Edi Ramën e deklaruar nuk e dimë për cilën arsye pa e provuar me ndonjë dokument, më kujton një debat rreth vitit 1997 në një fushatë elektorale në qytetin tim të lindjes. Të mbledhur në një kodrinë pasi salla e kulturës ishte rrafshuar nga shkatërrimi që ndodhi pas vitit 1990 njëri prej pjesëmarrësve i kërkonte më insistim të deleguarit, kandidat për deputet të fliste për një person që në vitet e para pas çlirimit kishte qenë punonjës i Sigurimit të Shtetit në atë zonë dhe siç tregojnë ka qënë shumë i rreptë dhe kishte bërë arrestime të pamotivuara ashtu siç bëheshin në ato vite thjesht me imponim dhe subjektivizëm ekstrem. Qytetari që këmbëngulte i kërkonte kandidatit për deputet të fliste për lidhjen e tij me ish-sigurimsin të cilin sipas tij e kishte dajë. Kandidati dha disa argumenta se nuk e njihte ish-sigurimsin në fjalë, po qytetari nuk bënte asnjë lëshim dhe këmbëngulte me zë të lartë, duke i shoqëruar fjalët me lëvizje të duarve dhe këmbëve në pritje të pohimit të kandidatit. Dhe kandidati për t`i dhënë fund sherrit iu drejtua bashkëbiseduesve: Të dashur miq. Unë jam nga ajo zonë. Po personin në fjalë nuk e njoh dhe për këtë u jap garanci, ndershmërinë time dhe fjalën e burrit dhe nëse nuk them të vërtetën do vij para juve dhe do dorëzoj mandatin si i padenjë për tu përfaqësuar. Po këmbëngulja vazhdonte më e ashpër se ajo e tavolinës në televizion. Ndaj edhe kandidati gjeti një zgjidhje që iu duk më optimale. Meqenëse, kjo që argumentova nuk u besua nga qytetari, po u them se nëna ime nuk ka vëlla e për rrjedhojë edhe unë nuk kam dajë. Po meqenëse polemika vazhdon po e pranoj të bëj nënën time me vëlla dhe veten më një dajo. Faleminderit. Kështu u mbyll debati që u shoqërua me të qeshura dhe duartrokitje nga mbështetësit e kandidatit për deputet. Po ky debat nuk është i njëjtë me atë të kushëririt Dendias me Edi Ramën. Këtu bëhet fjalë për dy personalitete që ulen e flasin për fatet e dy vendeve dhe janë të detyruar të veprojnë në zbatim të ligjeve dhe traditave, të marrëveshjeve bilaterale, atdhetare e të ndershme. Të flasin si politikanë. Të mbrojnë politikat e vendit të tyre. Të debatojnë me fakte e argumenta edhe për problematika që kemi mes dy vendeve dhe të luftojnë për të gjetur zgjidhjet më të mira në interes reciprok në bazë të ligjeve ndërkombëtare, konventave dhe sovranitetit të shteteve respektive. Ndaj përpjekja për t’i paraqitur kushërinj, Ramën e Dendias, është vërtet një mundim pa vlerë. Sepse edhe nëse do ishin vërtet kushërinj nga nëna apo babai, ministri i Jashtëm grek do mbrojë interesat e Greqisë dhe nuk besoj të bëjë asnjë kompromis origjine edhe pse sipas një fotoje të Bejlertit është me origjinë nga Himara, po edhe Edi Rama do mbrojë sovranitetin dhe interesat e Shqipërisë. Ndaj është atje në krye të qeverisë. Besojmë shumë se analisti nuk këmbëngul me prapavijë politike. As se Rama foli me kushëririn. Apo do bëjë lëshime për mysafirin se e ka kushëri?! Ai besojmë se flet më shumë për kërshëri. Për të shpërndarë mjegullnajë. Për të bërë përshtypje po kurrsesi se dy kushërinjtë do ndajnë atë që nuk është pronë e tyre aq më pak që ky i Shqipërisë do lëshojë integritet territorial apo interesa të atdheut që sot drejton në emër të kushtrimit të të parëve. Paraqitja si kushërinj i dy personaliteteve të dy shteteve të ndryshme, Shqipërisë dhe Greqisë nuk përmban asnjë arsye të paragjykohen bisedimet bilaterale pasi gjuha e politikës së jashtme nuk përcaktohet nga fisnia aq më tepër që miku nga Greqia mori pothuajse të njëjtat përgjigje edhe nga bashkëbiseduesit e tjerë të vendit tonë, nga ministri i Jashtëm në detyrë Cakaj deri tek lideri i opozitës, Lulzim Basha. Së paku në politikën e jashtme faktori politik shqiptar, ka shumë pak diferenca. Ndaj përpjekja për t`i bërë kushërinj dy personalitetet që u takuan ditë më parë nuk u shton asnjë emocion qytetarëve tanë. Aq më shumë kur të bëjnë kushëri me imagjinatë, me pahir, shkuesi a djallëzi!