BREAKING NEWS

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe 2 mijë të vdekur brenda ditës

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe
x

Opinion / Editorial

I dënuari... do të jetë populli dhe ne bijtë e tij!

I dënuari... do të jetë populli dhe ne bijtë e tij!

Me ndjenjën e qytetarit të këtij vendi, drithërohem tmerrësisht kur vërej nëpërkëmbjen që na bëhet, që na tallin, na poshtërojnë dhe më pas zbardhin dhëmbët duke derdhur gjithë helmin e shpirtit të tyre, me një ironi të hapur dhe vrastare. Kemi tre dekada që të goditur tejet rëndë, me gjëndrat tona të sekrecionit, lëpijmë plagët që na shkaktuan, i lëpijmë për të mbijetuar, sepse mbijetesa e jonë në radhë të parë është vazhdimësi e shqiptarizmës kombëtare! Shqiptarizmës kombëtare! Sa shprehje e bukur, por dhe sa ironike na është bërë këto 30 vite sepse për fatin tonë të keq, brenda kësaj ndjenje është luajtur dhe vazhdon të luhet një nga tragjeditë më të mëdha shekullore, mbas pushtimit nazi-fashist të vendit. Fundja në atë kohë armikun e kishim përballë, plumb për plumb me njëri-tjetrin. Lufta ishte luftë. Ranë dhe e dhanë jetën nga të dy anët; pushtues dhe tradhtarë sëbashku në vijën e frontit nga njëra ana dhe nga ana tjetër pjesa dërrmuese e popullit bashkë me partizanët fitimtarë. Po përse ndodhi ky fenomen, cilat janë shkaqet e kësaj tragjedie të madhe dhe përse ne me indiferentizmin tonë, me verbërinë tonë vazhdojmë e vazhdojmë të besojmë se Shqipëria do të bëhet? Po kush do ta bëjë këtë Shqipëri, ne skllevërit e shekullit të ri, që punojmë për oligarkinë dhe manjatët, teksa ata ashtu si hienat kanë futur turinjtë në thellësi të trupit dhe mendjes tonë duk na pirë gjakun? A jua u kini parë ndonjëherë turinjtë atyre se si i kanë?! Gjithë gjak dhe jargët u kullojnë përsëri për gjak. Dikush do mendojë: Ore po a është në rregull ky që shkruan? Ku kanë gjak manjatët, oligarkët dhe borgjezët barkfryrë? Ne nuk u shohim gjë. Përkundrazi, atyre u shkëlqejnë sytë dhe fytyra! Jo miqtë e mi jo! Ata janë lyer gjithë gjak, është gjak që në pamje nuk duket, por ata janë të zhytur tërësisht dhe shumë thellë në gjakun tonë, të familjeve tona të fëmijëve tanë. Është një gjak që vetëm tuhafët nuk e shohin. Janë ngritur disa organizma me emra bombastikë, sikurse një farë Byro Hetimi, KÇK, SPAK, OFL, madje na mbushin mendjen se për këto çështje janë të interesuar dhe vet euro-atlantikasit. Këto akronime, apo sigla të këtyre organizmave, janë dhe do shërbejnë si maska, sikur ato gjasme do bëjnë namin në luftë kundër krimit të organizuar, atij të paorganizuar, etj. Po sa kohë ka kaluar dhe sa tjetër do të kalojë, që ne të na e “atrofizojnë trurin” ashtu sikurse bënin falangat naziskine gebelsiane nëpër kampet e përqendrimit gjerman?! Nuk e teproj aspak kur them se ne jemi brenda të njëjtit kamp, vetëm se mburremi dhe krenohemi me emrin e bukur Shqipëri, duke harruar se s’ka më Shqipëri kryelartë, duke harruar, se ne tashmë punojmë si skllevër dhe marrim aq sa të mbajmë shpirtin tonë me dhëmbë. Diku në një nga zyrat e Presidencës ka punuar mbase dhe vazhdon të punojë Princi Leka i dytë. Ai vendosi të rrijë në atdheun e tij, por çështja nuk është te princi ynë Leka i ll-të, që mund të jetë më i varfër nga “Princ Zeni”, ( djali i Don Berishës ), apo “Ështëarbër” Malltezi, i cili në një kompleks me disa miliona kërkon të futet në ingranazhin e madh të aferave grosiste. Po ku i gjeti ky këto para dhe këtë valutë kaq të madhe?! Supozojmë se ka 20 milionë Eu. Po kur “Ështëarbëri”, i cili na paska kaq miliona... po aventurieri qejfli i Berishajve,“Zeni” sa do ketë vallë? Po Gita? Po të tjerët, po Lili që përflitet për floririn?! I vogël duket Lili në pamje, por pazaret i bënte të mëdhaja. Populli është filozof nga natyra, kur thotë se nga ferra e vogël del lepuri i madh. Del or popull del, por ec e kape lepurin. Thonë, se Rama do e kapë me doemos se s’ka nga ja mban, teksa unë, sapo kujtova Ramën, më shkoi menjëherë mendja te qeveria dhe duke bërë një përafrim buzëqesha duke thënë me veten time, se me të vërtetë: “Qeveria ka për ta kapur lepurin me qerre” (Do jua u rruaj menderin). E them kështu, sepse është e pamundur të luftohet me efikasitet krimi. Është e pamundur, jo se nuk dihet se kush janë ata, por problemi është se “luftën kundër tyre” e ka marrë në dorë pikërisht ajo klasë, apo dhe përfaqësuesit e asaj klase, të cilët i shërbejnë asaj me zell e besnikëri të madhe. Është e pamundur, sepse është vetë natyra e shoqërisë kapitaliste e tillë që i gjeneron të gjitha fatkeqësitë që rëndojnë mbi shpinën e popullit. Miqtë e mi të nderuar, njerëz të thjeshtë të këtij populli, me apo pa parti qofshi, ju drejtohem juve dhe kujtesës tuaj 30-vjeçare: A dini dhe a njihni ju ndonjë ministër, zv/ministër, drejtor drejtorie, anëtar parlamenti, punonjës Presidence, anëtar të gjykatave kushtetuese apo të larta, prokurorë të thjeshtë e deri te kryeprokurorë, të dergjet burgjeve sepse i kanë vjedhur dhe i kanë pirë gjakun popullit?! Asnjë! Zero absolute! Na dalin afaristët e togave të zeza (më të zi kanë shpirtin e tyre të pashpirt) dhe na thonë se i paskan fituar ca me lotari, disa ja u ka falur vjehrri apo vjehrra, (Epooo kjo është çudia më e madhe, sepse mbasi i ka falur vajzën për shkërbythje, për këtë nder të madh që u bëka dhëndëri...vjehrri i paska falur dhe para të madhe! Dashuri shqiptare jo shaka!). Po mirë, a do luftohet vërtet krimi në Shqipëri? Pordhë me rigon! Kjo nuk ka për të ndodhur, sepse nëse do fillohet kjo punë, duhet filluar nga vet PS-ja, e cila për herë të parë në historinë e popullit tonë, nga një parti luftarake e në shërbim të popullit, që ishte dikur ( në kohën e “Xhaxhit”), u transformua në një parti neo-borgjeze me maska socialiste, e cila i pi gjakun popullit. Të më falin njerëzit e mirë e të ndershëm të kësaj partie, sepse unë aspak nuk i ngatërroj ata me kupolën e tyre, sikurse nuk ngatërroj as demokratët e mirë me ish-kasapët e ‘97-ës të kupolës së tyre. Shkurt këta bij të ndershëm, janë pjesë e popullit tonë të vuajtur, por që fatkeqësisht u shërbejmë gjakpirësve tanë, atyre që na vjedhin e na rrjepin lëkurën në çdo kohë, atyre të cilët për të vjedhur më mirë e për tu mbrojtur më bukur, kanë zgjedhur partitë e tyre, dikush në PS, një tjetër në PD, në republikanë e deri te bythëlëvizurit e LSI. Sa bukur të jesh sipërmarrës dhe udhëheqës i një partie. E bukur se të bëka të pasur! Por ata or miqtë e mi, nuk kanë as nder e dinjitet. Nderi dhe dinjiteti i tyre është stampuar në kartëmonedhat, të cilin ata nuk e kanë për gjë ta shesin e ta blejnë madje për ato të flamosura kartëmonedha, pranojnë edhe fyerjen në nder e dinjitet. Nuk dua të flas më tej për Berishën sepse ai nuk ka asgjë njerëzore, por besoj se shumicës së shqiptarëve u kujtohen fjalët e Metës në vitin 2013 i cili e konsideron Ramën si “një fundërinë të kombit” dhe “një mostër që mohon dhe familjen e vet” etj. etj. Madje dhe unë që shkruaj më vjen rëndë t’i rreshtoj ato. Po përse e bëri Meta këtë hap?! Kur ai i dinte këto gjëra, pse nuk i bëri publike kur ishte në aleancë me PS-në? Pikërisht kjo ndodhi, sepse Lilit iu prishën interesat, teksa dhe dihej se Meta në ingranazhin e madh ekonomik ishte një ndër elementët e korrupsionit, ndaj dhe populli u ngrit në demonstratën e 21 janarit 2011. Të gjithë me të drejtë akuzojnë Berishën, Lulin, Gardën e Republikës etj, por harrojnë dhe e lënë në hije Lilin “liliput me shpirt vrastari”, se pikërisht ata katër dëshmorë ishin epilogu përmbyllës i grykësisë së tyre korruptive pa asnjë kufi e deri në qelizë, korrupsion ky, që përgjaku bulevardin e Dëshmorëve të Kombit, duke ju shtuar dhe katër të tjerë. Ju të nderuar miq e dini se si i është përgjigjur Rama Metës, disa vite më vonë kur e bëri president bashkë me partinë e socialistëve?! Po jua u rikujtoj: “Ilir Meta në veprimtarinë e tij nuk ka bërë asnjë gabim, nëse nuk do të ishte Meta, por një person tjetër, i cili nuk do të kishte bagazh nga e shkuara, do të ishte shumë keq! Ilir Meta është presidenti më i mirë që kemi patur deri më sot”...( maj 2018). Dhe ja pikërisht po ky Ramë një vit më vonë, teksa kërkon ta heqi nga posti i Presidentit, i mohon me një të rënë të lapsit ato që ka pohuar dikur për të dhe e anatemon si fatkeqësi institucionale. Të drejtë ka, por nuk është vetëm Iliri, sepse Iliri është pjellë e PS-së dhe vet PS-ja është bekuar nga Ramiz Alia, i cili futi kodin dhe statutin e kapitalizmit në Shqipëri. Piramida shtetërore dhe hierarkët e lartë të partive parlamentare, por dhe familjarët e tyre, do të merren mbase nën hetim dhe kjo do bëhet për “Shoë” dhe sensacion politik. Pa kanë për tu çarë membranat e altoparlantëve do plasin emisionet në studio, do grinden prindërit me fëmijët e vegjël se nuk do i lejojnë të shohin filma vizatimorë ngaqë do ndjekin “Topin”, “Klanin”, pa do ftohen ambasadorë e do duartrokiten hapat e “Byrosë së Hetimit”. Po kush do dënohet? Vallë a do të ketë “peshq të mëdhenj”? Sigurisht që po, do të ketë. Peshqit e mëdhenj, si gjithë peshqit, fillimisht do të futen në rrjetë, por rrjeta do jetë e dobët dhe me të çara të mëdha. Kësaj dobësie të saj do i shtohet dhe forca e madhe dhe potenca ekonomike e këtyre peshqve, që nuk na qenkëshin të tillë, por peshkaqenë. Peshkaqenët na duhen do thonë shkencëtarët e politikës, sepse ruajnë ekuilibrin e ekosistemit kapitalist, kështu që mbasi t’ia kenë hedhur dhe kësaj radhe qenëria e peshqve shqiptarë, apo shkurt peshkaqenët, me në krye Sali Tonio “pendëblu” ( Sali si Toni Karridi te filmi “La piovra”) do e fillojnë peshkimin nga e para, por jo më me rrjeta, por me grep. Të parët që e hanë karremin e gënjeshtrës e që do biem në grep do jemi ne. Me pak fjalë do të rezultojë se politikisht i dënuarit i vërtetë do të rezultojë populli dhe bijtë tanë! Ata do ja hedhin si përherë. Rroftë “Blu-mavia”! Rroftë “piramidokracia”! ( Nuk më besuaka Shqipëria) Atëherë... poshtë kusarja Sude!