Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

I djegur nga qulli, BE i fryn “kosit”

Postuar: 22/05/2019 - 07:15

Së fundi nga Brukseli ishte dhe zëri se meqë integrimi në BE është meritë e bazuar në progresin individual, Maqedonia e Veriut nuk ka pse mbetet peng i atyre që kanë mbetur pas! E meqë po përmenden meritat, ha bukë edhe debati i “metrit” që maten ato.

Delja e zezë në rajonin ilir

Për integrimin dihet që BE diskriminon pozitivisht. Dikur hapi dyert kanat me integrimin rrufe dhenë bllok të lindjes dhe pastaj, i djegur nga “qulli”, ngriti stekën vazhdimisht. Por dhe sot në rajonin ilir, po vërehet sërish një “zoom-in” apo kqyrje selektive prej BE.

Sot shqiptarëve u vihen si kushte paraprake për hapje negociatash standarte që të tjerë po i përmbushin teksa janë në proces negocimi dhe për të cilat vetë disa vende të BE stonojnë (minoritetet, diskriminimi, reformat etj). Nën retorikën e “meritave”, qasja me dy kute e BE po favorizon për ironi shtete që ende luajnë me dy “porta” kur vjen puna tek integrimi në BE!

BE ka gurin dhe arrën në dorë por shoqëria shqiptare dhe vokacioni i saj plebishitar pro-BE, më i larti në rajon e BE, nuk ka pse paguan çmim më të lartë integrimi në raport me fqinjët në rajon. Hezitimi i BE ndaj Shqipërisë nuk ka të bëjë me standartet nisur nga zhgënjimi prej integrimit të nxituar të Lindjes dje (korrupsioni, emancipimi demokratik, diskriminimi, autokracia etj), ndryshe nuk do i jepej një dorë më shumë Serbisë së papenduar të luftrave, Malit të Zi, apo me gjasa Maqedonisë të ndarë në dysh në vokacionin pro-BE! Nuk ka të bëjë as me panikun nga populizmi e fobizmi ndaj të huajve në BE ndryshe nuk do të zihej me gojë as Maqedonia e Veriut sot.

E nëse kështu, mbetet ajo që nuk thuhet - paragjykimi, kompleksi dhe deri fobia shekullore e politikave e qarqeve të caktuara europiane që nuk distancohen dot prej trashëgimisë famëkeqe të 1913 dhe sot ecin me dy kute për “meritat” e integrimit në BE.

“Fantazma”që ende endet!

Përtej romantikes, BE mbetet një entitet gjeopolitik dhe 1913 është trashëgimi që ndikon në nocionin e saj për statukuonë në rajon me reminishenca protagonizmin e dikurshëm sllavo-ortodoks. Kur Kosova u çlirua nga ndërhyrja e SHBA e Britanisë së Madhe, vende e politikanë në BE hezituan, deri iu kundërvunë bombardimeve në Beograd dhe vetë litarin jashtë të“kufirit” tek Ura e Ibrit e lanë aleatë historikë të Serbisë në BE.

Ndërkohë që BE heq vizat për një shtet që nxiti luftra, ai kufizon lëvizjen e lirë për shtete që vuajtën luftën mbi shpinë, ndërkohë që faktorizon me përshpejtim të integrimit (vizita të larta zyrtare, investime) një shtet të papenduar për luftrat etj, ai fut në “rreth” dhe izolon shtetin më të ri në rajon, ndërkohë që janë lajm me gërma të vogla krimet e luftës së agresorit, ai shndërron në kryetituj tribunalët për luftëtarët që i bënë ballë atij.

BE ka lejuar prej kohësh shtetet sllave të futen në “oborr” duke i lejuar t’i bëjnë “detyrat” në rrugë e sipër dhe ndërkohë Shqipërinë e lë matanë “gardhit” sa t’i mbarojë ato! BE që dikur hapi ambasadat të hynte kushdo vetëm të binte sistemi socialist, sot ngre murin e izolimit “demokratik” dhe quan lëshim heqjen e vizave (që sa zbraz xhepat e shqiptarëve turistë) dhe refuzon të drejtën e punësimit e rezidencës sikurse mbarë lindorët (deri moldavët falë Rumanisë) etj!

Nga hapja e negociatave BE nuk rrezikon asgjë. Ajo nuk është kontrata përfundimtare me Shqipërinë ndaj dhe hezitimi është absurd, paragjykues dhe zhgënjyes për standartin e pritshëm nga BE. Kur flitet për merita, prej BE pritet më shumë objektivitet dhe ndjeshmëri dhe ndarja e veçimi artificial i shteteve zhgënjen dhe tkurr imazhin e vetë BE.

Me BE duhet folur pa komplekse e vetë termi “negociata” stonon kur marrëdhëniet me BE janë marrëdhënie vasaliteti, një kompleks inferioriteti ky që nëse vijon, do të na ndjekë pas edhe kur të jemi në BE! E meqë po citohen merita, të pohojmë tonat fort. Nëse meritat janë të ditës apo historike, Shqipëria i ka të dyja dhe negociatat duhet të ekspozojnë qartë se çfarë fiton apo humbet vetë BE nëse respekton apo shpërfill meritën e popullit më pro-BE në rajon.

Vokacion plebishitar shekullor pro-europian

Nëse historia është CV për një komb dhe vokacioni pro-BE dhe pro-perëndim është meritë, ai plebishitar shqiptar është proverbial sidomos për një rajon të trazuar nga ndikimet ruse, kineze etj. Ai është meritë dhe kontribut që plotëson më tej kohezionin e mozaikun europian.

Jo meritë konjukturiale por konstante shumë shekullore nga epopeja e Skënderbeut e këtej. Identikiti shqiptar është europian dhe integrimi i Shqipërisë duhet të jetë gjëja më e natyrshme për BE. Kjo, kur të tjerë në rajon në BE apo pranë saj, luajnë me dy“porta”dhe ndahen më dysh si opinion publik e klasë politike kur vjen puna tek integrimi në BE!

Garantues të paqes në rajon

Nëse paqja dhe stabiliteti janë vlera për BE, Shqipëria ka meritën se është garantuesi në rajon. Shqiptarët, ndonëse janë të prekurit e mëdhenj prej padrejtësive historike, janë promotor të paqes dhe harmonisë në rajon dhe kjo është meritë për në BE.

Rreshtimi gjatë luftës me Koalicionin Antifashist ishte një tjetër kontribut-meritë pro-demokracisë europiane e shqiptarëve, pavarësisht joshjes me rivendikime hartash prej okupatorit, sikurse ishte kontribut-meritë gjatë luftës së ftohtë (megjithë çmimin e izolimit) edhe denoncimi i Traktatit të Varshavës, largimi i bazës ruse nga Adriatiku etj.

Bota mbarë e di se gjatë luftës në Kosovë por dhe më parë me tragjedinë çame, Shqipëria dha kontributin e saj për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe kjo nuk është pak. Shqiptarët janë një komb që nuk ka varre si pushtues në tokat e të tjerëve, nuk ka bërë genocid ndaj fqinjëve, një komb që ndonëse ka të drejtën e amshuar për rishikimin dhe korrigjimin e padrejtësive historike beson tek bashkimi i gjithëve në“shtëpinë” e BE. Jo pak si meritë!

Sot përgëzohet Maqedonia e Veriut për një emër që historikisht është “tapi” e të parëve të shqiptarëve ndërkohë që është faktori shqiptar atje që e mundësoi këtë gjë. Sot milionat e shqiptarëve brenda dhe jashtë trungut amë janë promotorët unik të vokacionit pro-perëndimor dhe garanci e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kjo nuk është pak si meritë!

Reformator pro-BE si shtet e shoqëri

Shqipëria shquhet sot për gadishmërinë për bashkëpunim e mbikqyrje institucionale me zyrtarët e misionet e BE (së fundi FRONTEX si rasti parë i BE me një të tretë), shkallën e privatizimit, inisiativën private e reformat e gjithanshme pro-BE që promovojnë interesat e biznesit europian, kanalet e tregtisë, turizmin për qytetarët e BE etj.

 

Ndonëse Shqipëria nuk është shtet ideal (cili është?)ndryshe nga të tretë në rajon më pranë BE apo dhe në BE, ajo është sot në pararojë me reformën unike në drejtësi. Jo pa probleme, sepse korrupsioni dhe një takëm politikanësh të sponsorizuar deri nga vetë BE këto vite, po i kundërvihen në ekstrem. Reformë kjo që i jep mundësi vetë BE ta servirë më pas atësi shembull për të tjerë duke e lehtësuar vetë misionin e BE në rajon. Jo pak si meritë!

Miliona shqiptarë korrekt në BE

Për të gjithë ata në BE që paragjykojnë dhe përflasin një popull të tërë (rasti Holandës por jo vetëm) milionat e shqiptarëve shtetas tashmë korrektë të BE, janë dëshmi e së kundërtës. Integrimi i Shqipërisë nuk është import i “krimit” sepse krimi nuk zë rradhë për letra!

Shumë më të paktë në numër se lindorët, ne nuk cënojmë tregun e punës në BE dhe sa për qytetari, puna, familja dhe respekti i ndërsjelltë në shoqëri janë të shenjta për ne. Se për “derra”, “pyje” ka edhe në BE.

Tolerant në gen

Nëse BE ka prioritare të drejtat e njeriut - minoritetet, toleranca fetare etj, Shqipëria ka meritën se i garanton prej kohësh ndërkohë që ato stonojnë në rajon, bile dhe vetë BE (Greqia, Hungaria etj).

Mbarë bota vlerëson kohezionin dhe tolerancën ndër-fetare në një vend me shumicë ateiste, mbrojtjen e çifutëve gjatë luftës, mikpritjen ndaj refugjatëve pa dallim, respektin ndaj minoritetit pavarësisht sistemit politik (mbretëri, socializëm apo demokraci) etj. Jo pak si meritë.

Këto e të tjera merita për kombin shqiptar, janë aty prej kohësh dhe Brukseli zyrtar në respekt ndaj qytetarit shqiptar, bën mirë t’i pohojë. Ndryshe, i bie që po trokasim në derë të“shurdhit” dhe ndoshta “tersi” është se na marrin të mirëqenë se luajmë me një “portë”!

Një JO ndaj negociatave në qershor do të ishte shtytje për reflektim që dhe ne si shoqëri e politikë të ndahemi më dysh për integrimin në BE. Boll të bëjmë shtet se mund të jesh me “letra” në BE e prapë të mbetesh mavri si shtet. BE të jetë thelë mbi bisht!

Nga Artan Xh. DUKA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/09/2019 - 07:17

Sa herë Presidenti del me deklarata ose jep opinione, konferenca shtypi apo shkruan në rrjetet sociale, jemi tërë sy e vesh për të rejat që kumton, idetë që shpalos, paralajmërimet që bën, objektivat që përcakton për

Postuar: 17/09/2019 - 07:15

....Këtë mund ta besojë vetëm ndonjë mendje si ajo e z.

Postuar: 17/09/2019 - 07:14

Më kujtohet se kur erdhi në pushtet qeveria e Edi Ramës mbas zgjedhjeve të 2013-ës, ju desh njëfa

Postuar: 17/09/2019 - 07:12

Ka kohë që flitet për krisje të marrëdhënieve midis presidentit Meta dhe liderit të selisë blu, B

Postuar: 15/09/2019 - 07:43

Gjatë periudhës së pushimeve në qytetin e Vlorës, më ndodhi, ashtu sikurse i ndodh gjithkujt, që

Postuar: 15/09/2019 - 07:42

Bashkimi Evropian e zgjidhi qesen për reformën në drejtësi.

Postuar: 15/09/2019 - 07:40

Nuk është hera e parë që zonja Monika Kryemadhi, Kryetarja e LSI-së, sot bashkëkryetarja e opozit