BREAKING NEWS

COVID-19/ Më shumë se 2 mijë testime! Ministria e Shëndetësisë tregon sa persona rezultuan të infektuar ditën e sotme

COVID-19/ Më shumë se 2 mijë testime! Ministria e
x

Opinion / Editorial

I ka ikur zëri SPAK-ut?

I ka ikur zëri SPAK-ut?

Ngritja e SPAK-ut ka qënë një shpresë e madhe për shqiptarët, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në këto vite tranzicion. Drejtësia e vërtetë ka munguar dhe për këtë shkak ka lulëzuar si një pranverë anti-ligji, nuk është goditur korrupsioni, i cili jo vetëm që ka penalizuar shqiptarët, por edhe botës moderne i ka bërë zbor. Vendosja e një sistemi drejtësie në funksion të plotë ka marrë shumë kohë, investime, por më e rëndësishme është se mjaftë çështje që duheshin shqyrtuar nga organet hetimore dhe gjyqësori kanë ngelur në heshtje. Në një heshtje të gjatë, që mund të barazohet me harresën. Shqiptarët e kanë ngritur zërin për këtë problem të ndjeshëm, por politika nuk i ka ndihmuar, përkundrazi ka sabotuar reformën në drejtësi, duke i dhënë mundësi krimit të organizuar, autorëve të veprave penale të bëjnë zullume edhe më të mëdha. Më në fund Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krimit të Organizuar u ngrit. Është në proces Byroja Kombëtare e Hetimit. U bënë disa muaj që kjo strukturë e plotfuqishme ka nisur nga puna, por nuk duket në horizont ndonjë punë konkrete që ta shohin qytetarët. Thuhet se SPAK ka në dorë dosje të rëndësishme që mbajnë etiketën VIP, por deri tani kanë munguar ndëshkimet, edhe pse është kërkuar ritmikisht të shpejtohet puna për të ndëshkuar ata që kanë shkatërruar jetën e shqiptarëve. Nuk kanë munguar as thirrjet e ndërkombëtarëve, që SPAK nuk duhet të presë më, por të hidhet në veprim konkret për t`u thënë peshqve të mëdhenj se drejtësia e re e pakorruptuar erdhi. Përfaqësuesja e SHBA, zonja Yuri Kim, ambasadore në Tiranë, ka kërkuar në mënyrë analitike, të përsëritur që SPAK të dënojë politikanë, deputetë, qeveritarë që kanë futur duart në xhepat e qytetarëve. “Koha për të ndërmarrë veprime kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri”, citon së fundi ambasadorja Kim, duke ia rikujtuar edhe një herë tjetër politikës të mos bëhet pengesë për t`a çuar deri në fund reformën në drejtësi. Kjo strukturë që prangos të korruptuarit, deri sot nuk ka dhënë ndonjë provë të dukshme, të kërkuar nga shqiptarët për të hequr nga shpina e tyre një mal me krime. Kriminelët akoma nuk e kanë parë akuzën dhe dyert e qelive. Nuk ka ndonjë informacion, përse SPAK po qëndron larg, shumë ftohtë reagimit të njerëzve, të cilët arsyetojnë dhe e mbështesin me argumente logjikën e tyre. Kanë kaluar goxha muaj, një kohë e mjaftueshme për të dhënë një shembull konkret se struktura është në punë dhe duhet të dalë në terrenin konkret duke mos patur frikë nga politika e dalë boje. Sa më larg njerëzve, hallexhinjve, qytetarëve, denoncimeve të bëra në kohë të ndryshme, aq më shumë bie besimi se kjo strukturë nguron, s`ka fuqi, është e paaftë të përmbushë misionin edhe pse është në elitën e drejtësisë që duam e kemi.

Nuk duhet të harrojmë se politika shqiptare është e klonuar dhe efekti negativ i saj është helmues. Në Shqipëri ka dosje që nuk i mbajnë dot mbyllur krimet e rënda në këto tridhjetë vjet. Do hapen dosjet me vepra penale që u shkaktua në vitin e errët 1997? Po për hapjen e depove të armatimit, ku shqiptarët rrëmbyen armët dhe vranë njeri-tjetrin, do hapen? Po për firmat piramidale, dosjet mbahen mbyllur prej vitesh. Po Gërdeci, vrasja e katër protestuesve më 21 janar 2011? Nga opozita e sotme janë bërë denoncime, sipas tyre për vjedhje kolosale përmes PPP-ve. Ka denoncime dhe autorë të identifikuar për shpërdorimin e taksave të qytetarëve me koncensione. Në daljet publike të tij zoti Basha ka thënë se do padisë për inceneratorët kryetarin e Bashkisë së Tiranës, zotin Erion Veliaj! Nga ana tjetër vetë zoti Veliaj ka thënë për Bashën se: Luli dhe kunati i tij punonin natë e ditë për të groposur buxhetin në malin e plehrave të Sharrës. Kurse kryeministri Rama ka ironizuar kreun e opozitës së bashkuar, kryeopozitarin Basha se do menaxhonte mbetjet me 37 euro/ton. Ka dhe dosje VIP, që nuk durojnë kohë tjetër, për të cilat votuesit, taksapaguesit e duan një përgjigje për informim, i cili të jetë transparent dhe të qetësojë opinionin shoqëror. Asnjë reagim, asnjë përgjigje, asnjë zë nuk del nga struktura anti-korrupsion. Duket se politika ka efektin domino në këtë rrugëtim, i cili është i vështirë, por jo i pamundur. Heshtja asnjëherë nuk ka ndikim pozitiv, sado të punohet me përkushtim për të krijuar normalitetin e duhur në zbatimin korrekt të kërkesave ligjore.

Realizimi i standardeve për të patur një strukturë hetimi dhe gjykimi, brenda kornizës kushtetuese, kërkon ndëshkueshmërinë e autorëve të veprave të renda penale, sidomos të atyre që kanë trafikuar lëndë narkotike, të trafikimit të qenieve njerëzore. Është thënë shpesh që punët e mira kërkojnë kohën e duhur. Shqiptarëve u ka ikur shumë dekada kohë dhe u ka humbur durimi. Përherë është thënë se së afërmi ngrihet BKH, ndërsa muajt dhe vitet kalojnë. Ne ngelëm tek procesi i reformës, i cili pengohet qëllimisht nga politika, për të maskuar, fshehur dhe humbur gjurmët e kapitalit të vjedhur. Peshqit e mëdhenj nuk duan as Strukturë Antikorrupsion as BKH, as OFL, sepse e dinë mirë që me shtetin nuk bëhet duel. Kur drejtësia hesht e mendon se nuk ka kushtet për të ndëshkuar krokodilët, ata gjejnë shesh e bëjnë përshesh. Kjo zvarritje mban peng negociatat. Ndërkombëtarët kanë përsëritur shpesh se ngritja e sistemit të drejtësisë së re është kusht themelor për integrimin e vendit në bashkësinë perëndimore. Vonesa në krehjen e dosjeve kriminale nga SPAK, formatimi i BKH,funksionimi me ngarkesë të plot të gjykatave, deri në Kushtetuese, bëjnë të dyshosh se drejtësia shqiptare reformimin e ka qëllim në vetvete për të mbajtur pengë pandëshkueshmërinë, për të mbrojtur të korruptuarit e këtij sistemi të kalbur degë e rrënjë.