Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

I lutemi Ndokës ta ndriçojë Shqipërinë në samitet e ardhshme

Postuar: 14/07/2018 - 07:13

Nard Ndoka është nga deputetët më jetëgjatë në politikën shqiptare. Për shumë legjislatura ai ia ka dalë, herë ngjitur pas një force politike minore e në shumë raste duke u borxhlepsur tek PD me vota të transferuara nën siglën e kësaj force politike të sigurojë një karrige në Parlamentin e Shqipërisë. Sa pa u futur në parlament, ai është një përfaqësues i zjarrtë i kristiandemokratëve, një parti që ka për mision të përfaqësojë kristiandemokratët, ideologjinë e humanizmit dhe të përcjellë mesazhe të paqëta, ashtu siç është deviza e këtyre forcave politike në partitë simotra në shumë vende të Europës. Fakti që është një parti me antarësi të kufizuara që nuk siguron vota të mjaftueshme për zgjedhje të drejtpërdrejta, ai i është bashkangjitur partive të krahut të djathtë përmes të cilave ia ka dalë të rezistojë në luftën e ashpër zgjedhore, ku parti edhe më të fuqishme nuk ia kanë arritur të kenë përfaqësuesit e tyre në sallën e kuvendit. Edhe në zgjedhjet e vitit 2017 iu bashkua PD dhe mori mandatin e deputetit, të cilin e përdor herë në interes të forcës politike që e bëri deputet e herë në emër të partisë që kryeson. Një ditë shfaqet PD-ist e të nesërmen kristiandemokrat. Një herë racional e të nesërmen populist. Po kjo pak rëndësi ka. Ai është nga deputetët që ka shijuar zgjidhjen prej shumë vitesh dhe atë sallë e ka tanimë si shtëpinë vet. Falë koalicionit me PD për një kohë jo të shkurtër drejtoi një nga dikasteret më të rëndësishme e me ndjeshmëri maksimale për shtresat e gjera të popullit, atë të shëndetësisë. Edhe pse shumë larg nga profesioni i mjekut dhe kërkesat specifike të një sektori nga më delikatët në shërbim të qytetarëve me problematika të jashtëzakonshme, që kërkon reforma të thella e transformime rrënjësore dhe kur sot e gjithë ditën sistemi i shëndetësisë vuan nga mungesa të shumta dhe vazhdon një diarre largimesh të specialistëve më të kualifikuar si punonjës të mesëm edhe mjekë të profileve të veçanta, duke u larguar drejt emigrimit në shtete të tjera të zhvilluara, përsëri ky dikaster iu besua politikanit Ndoka. Sa dhe si ecën punët në këtë dikaster në periudhën “Ndoka” nuk është qëllimi ynë për ta analizuar. Kjo i përket specialistëve të fushës, analistëve të specializuar për punët e shëndetësisë dhe vetë pacientëve që kanë provuar “reformatorin” Ndoka në kohën kur kanë frekuentuar spitalet e vendit, apo kanë kërkuar shërbime të ndryshme për shëndetin e tyre. Po le ta lëmë mënjanë ministrin Ndoka dhe le të ndalemi në veprimtarinë politike të deputetit dhe kryetarit të Partisë Demokristiane të Shqipërisë, ku ai prej vitesh qëndron në krye të saj i pacënuar dhe i patundur nga askush. Dhe në emër të së cilës bën politikë. Shumë herë në qëndrimet sa majtas e djathtas, herë në krah të PS dhe të majtës, në mbështetje të lëvizjeve të PS-së në kërkim të votës dhe verifikimit të manipulimit të akuzuar nga PS për zgjedhjet e 2009, ku ai ishte një nga polemizuesit më të ashpër dhe herë si djathtistë, ai është dalluar për mendimet e tij “origjinale” dhe etiketimet filozofike e shkencore që bën kur analizon situatën politike.

Për të bërë profesionistin e çdo fushe, tregohet kompetent për drogën. Bën analistin për të droguarit. Psikologun e psikiatrin duke qenë se ka informacion nga takimet me mjekët e këtyre profesioneve. Përcakton aftësitë e paaftësitë e secilit politikanë qoftë ky edhe Kryeministri i Shqipërisë, që në këtë rast është Edi Rama. Më shumë se njëherë, Ndoka është angazhuar për të sqaruar pse pi shumë ujë kryeministri në podiumin e kuvendit. –Pive gjashtë shishe me ujë i tha në një seancë dhe këtë e ke nën efektin e drogës. Po me kryeministrin, Ndoka nuk ndalet vetëm në cilësimet e zakonshme. Nuk mbetet në detajet anësore. Ai bën një autopsi të thellë të mendimit dhe veprimit të tij, të aftësive drejtuese, organizuese, udhëheqëse, dhe veçanërisht paraqitjes së jashtme, estetikës dhe performancës të kryetarit të qeverisë, duke u ndalur dhe analizuar përse ai vishet pa protokoll dhe bëhet objekt i BBB-së dhe mediave të tjera. Këtë herë, Ndoka u mor gjatë me atletet e Ramës në Samitin e Londrës me ngjyrën e tyre. Analizoi stonimin që krijonte kostumi blu dhe bardhësia e atleteve. Analizoi pamjet, ku ai u fotografua midis kancelares Merkel dhe kryeministres Tereza May të Anglisë. Me kostum, po me atlete. Bile me ngjyrë të bardhë. Një veshje jashtë protokollit, informale. Përse Rama vishet kësisoj, unë nuk e di. Po që nuk është ndonjë hata e madhe të ndryshosh nga të tjerët dhe që nuk është ndonjë faj botëror, edhe kjo dihet. Se mund të veshësh këpucë me lëkurë krokodili apo lëkurë më të famshme në botë, mund të veshësh kostumet Versaçe dhe përsëri të mos kesh asnjë akses për t`u dukur, i ditur, i kompletuar, i vlerësuar. Veshja në një event të rëndësishëm ka efektet e veta, po kjo nuk do të thotë se ke shkelur rregulloren, ke hyrë në kryqëzim me sinjal të kuq dhe nuk ke zbatuar sinjalin “stop”. Aq më pak se ke cënuar dinjitetin shtetëror në se bën një veshje ndryshe nga të tjerët. Dhe në këtë anë nuk ka pse atletet, qofshin ato edhe në këmbët e kryeministrit të bëhen problem kombëtar e ndërkombëtar. Të shndërrohen në kauzë politike për t`i shërbyer luftës pafund të opozitës siç rreket edhe Ndoka të veprojë për t’u dukur si faktor. Pikërisht nga veshja e atleteve merr spunto Ndoka të vërë para përgjegjësisë Ramën, të mos kursejë kritikat e të godasë papërshtatshmërinë e veshjes si jo serioze. Nisur nga një detaj anësor, ai nuk përton ta quajë kryeministrin të paaftë. Problematikë, që sipas tij nuk rëndon vetëm veten, por edhe shtetin që përfaqëson. Pra edhe Ndokën, i cili nuk mund ta kapërdijë tërë atë peshë që krijon veshja jo korrekte në një samit ndërkombëtar. Deputeti Ndoka e mat dhe e vlerëson kryeqeveritarin, jo nga koka as nga mendimi as nga fjalimet as nga kontaktet e mesazhet që përcjell në takimet me zotin Trump, Sekretarin e Përgjithshëm të NATOS, liderë të shumtë botëror, po pikërisht nga këmbët, posaçërisht nga atletet e bardha. Dhe duke filluar nga këmbët mbaron po me këmbët. Nuk e ka keq dhe është origjinal pasi mbi këmbë qëndron trupi i çdo njeriu. Dhe në këtë aspekt nuk bën përjashtim as Rama. Dhe pas “analizës” së hollësishme, deputeti demokristian dhe aliazh i PD-së e gjen edhe arsyen përse vesh atlete Rama. Ai nuk heziton të veshë atlete apo të dali nudo në plazhe kur do të tërheqi vëmendjen, - thotë Ndoka, edhe pse në këtë mënyrë pëqas dy epoka të largëta që nuk kanë asnjë korelacion mes tyre. Për Ndokën e kolegët e tij nuk ka rëndësi nëse kryeministri në samitin e Londrës u takua me krerë shtetesh europianë e ballkanikë, takoi kancaleren gjermane, Kryeministren e Anglisë, Kryeministrin e Greqisë e personalitete të tjera shumë të rëndësishme, ku foli për Shqipërinë e ardhmërinë e Kosovës. Për të dhe kolegët tij nuk ka rëndësi se u fol për luftën kundër terrorizmit dhe perspektivën e zhvillimit. Për të nuk ka asnjë vlerë për debatet dhe marrëveshjet si dhe piketat që vuri Samiti i Londrës. Të gjitha këto eklipsohen nga atletet e kryeministrit që u bën shqetësim, jo vetëm kombëtar, por edhe europian. Pikërisht këtë detaj nuk e la të bjerë në tokë deputeti Ndoka. Ai iu bashkua korit të opozitarëve duke shënjestruar Ramën. Jo për gjë, po kultura e tij shumëdimensionale, përvoja politike, idetë nga të cilat udhëhiqet, nuk mund ta lejojnë të kapërdijë një shkelje flagrante të etikës së veshjes. Dhe në këtë aspekt, ai është në të njejtën linjë me BIBIS-në dhe nuk ka pse të mos merret seriozisht. Tek e fundit nuk është një zë i vetëm. Është bashkë me korin ndërkombëtarë dhe nuk mund të qortohet. Ajo që bën përshtypje në analizat e Ndokës, jo vetëm për këtë detajin e fundit dhe përcaktimin e aftësisë së kryeministrit, është fakti se ai gjithnjë është shumë, gati bio në përcaktimet e tij kur bëhet fjalë për ngjarje të rëndësishme. Dhe është tepër origjinal për idetë, filozofinë, mendimin dhe qëndrimet që mbanë si një demokristian i hekurt. Aq të shpeshta janë prononcimet e deputetit Ndoka për jetën politike të vendit tonë, për ecurinë e reformave, për qëndrimet ndaj zgjedhjeve, për Teatrin Kombëtar, për reformën në drejtësi, për vettigun për strategjinë e opozitës kundër qeverisë dhe ligjin zgjedhor, sa nuk mund të kuptohet asnjë hap politik pa dëgjuar mendimin dhe gjykimin e Nard Ndokës. Dhe në këtë mënyrë ai është bërë tanimë një politikan me “peshë”. Njeriu që di të flasi për gjithçka. Ideolog e filozof. Analist e mendimtar. Kualitativ i kulturuar dhe njohës shumë i mirë i demokracisë dhe jetës politike të politikanëve dhe partive tona. Ndaj duhet dëgjuar dhe jo të neglizhohet zoti Ndoka. Me analizat dhe filozofinë që ai ndriçon tërë ecurinë e politikës tonë me dominimin që i bën dialogut e debatit mund të thuhet se është bërë një faktor që nuk mund të injorohet.

Kur njihesh me jetën aktive të deputetit Ndoka, spontanitetin e ideve dhe mendimeve që shfaq, gjetjet dhe zgjidhjet që ofron nuk do ishte keq që në samitet e radhës të jetë vetë Ndoka që ta përfaqësojë Shqipërinë për të na ndriçuar sadopak me idetë brilante, përcaktimet korrekte e serioze, kombëtare e ndërkombëtare me analizat e thelluara e idetë që i ka me shumicë. I lutemi Ndokës që në samitet e radhës të jetë ai përfaqësuesi ynë. Le ta ndërmarrë këtë sakrificë në emër të dinjitetit dhe aftësive individuale, dhe të na zbardhë faqen si shtet e si popull. Së paku do shkojë atje me veshje korrekte dhe atletet do t`i lërë në shtëpi. Në vend të tyre do ketë kostum serioz e kollare me simbole kombëtare, serioz nga këmbët deri tek koka. Dhe me karizmën që e karakterizon, guximin dhe diturinë që zotëron, do të na zbardhi faqen para gjithë kancelarive të botës. Për Shqipërinë do të ketë një gjykim ndryshe poshtë kontributit të Nard Ndokës. Jo vetëm me ligjërime e ide, përjashtime e analiza, por edhe me veshje.

Nga Bardhyl BEJKO

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 45

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:17

 Përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit mes dy dhjetorëve dhe për të përfituar frytet e një lëvizjeje masive studentore, e cila deri tani në thelb ka disa kërkesa dhe që mundet nesër të përparojnë dhe me të t

Postuar: 09/12/2018 - 07:16

 Në ditën e shpallur nga Sali Berisha si "dita e Rinisë" dhe sigurisht e

Postuar: 09/12/2018 - 07:14

 Ka më shumë se një muaj që banorët e unazës se re protestojnë ditë e natë, në mbrojtje të b

Postuar: 09/12/2018 - 07:13

 Nuk është vetëm dufi i studentëve.  Protesta e tyre ka trazuar gjithë shoqërinë.

Postuar: 08/12/2018 - 07:22

Ҫdo vit, miliona njerëz detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehë si refug

Postuar: 08/12/2018 - 07:21

Njohja me një vendim për ngritjen në Shqipëri, të varrezave të ushtarëve grekë të vrarë gjatë Luf

Postuar: 08/12/2018 - 07:20

Një opozitë që nuk frymëzon! Është ky konstatimi që e bën kushdo në këtë vend.