BREAKING NEWS

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte përdhunimin nga disa persona, kush është shefi i lartë i Policisë: I kërkoi favore seksuale dhe mbesës së shkrimtarit të madh Martin Camaj

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte
x

Opinion / Editorial

Ia hodhëm qeverisë, policisë, njëlloj si të dashurohesh me koronavirusin

Ia hodhëm qeverisë, policisë, njëlloj si të dashurohesh

Është e pafalshme në këto ditë kur mbarë bota është përfshirë në betejën më të madhe të këtyre dekadave në luftë kundër armikut të padukshëm që qëndron mbi kryet e njerëzimit në kërkim të marrjes së jetës së qytetarëve, të shkosh me mendimin se Ia hodhëm policisë! I bëmë tetëshin Kryeministrit aq më tepër të shash të gjithë ata që të këshillojnë për të mbajtur distancë, maska e doreza. Pasi ke thyer një ligj, një rregull apo një këshillë për t`u izoluar dhe për të marrë masat për distancimin social, të shkosh me idenë se ia hodhëm policisë, kaluam dhe nuk na kapën. I treguam një leje koti, u buzëqeshëm e na lanë të kalojmë është të gënjesh veten. Është të ecës me mentalitetin: Nuk ka zot të na ndali ne. Kemi lirinë tonë. Jemi në të drejtën që na garanton kushtetuta dhe nuk ka burrë mbi dhe të na pengojë ne! Kjo mënyrë të sjelluri, është pak të gjykohet si primitive dhe një kapriço nga e cila nuk e pëson vetëm ti si individ i pabindur, po të gjithë që janë rreth teje. Askush nuk ta ka borxh që nga familja jote deri tek miqtë në lagje apo ata që kalojnë në punë të tyre për të mbaruar nevojat për furnizime apo kryer pagesat e nevojshme ta infektosh me papërgjegjshmërinë tënde. Rregullat nuk dalin për të fyer as për të penguar askënd në kuptimin për të të izoluar pa shkak. Nuk ka asnjëri dëshirë të të izolojë pasi nga këto masa vuan tërë shoqëria dhe shteti detyrohet të zbrazi xhepat e varfër të një ekonomie që gjithnjë vuan nga mungesa e likujditeteve dhe aq më shumë kur fiken motorët e ekonomisë dhe mbyllen tërësisht ndërmarrjet prodhuese. Po mbi të gjitha këto, është jeta e njeriut, e qytetarit shqiptar, i cili duhet të sigurojë së pari jetën e vet, pasi vetëm jeta nuk jepet dy herë. Përballë ligjeve, rregullave, akteve normativë, këshillave të ekipeve të specializuara të shëndetësisë, ata që janë në vijën e parë të frontit anti kovid -19, që e njohin shumë më mirë se të gjithë të tjerët rrezikun që i kanoset shoqërisë nga ky virus, që është pak ta quash murtajë dhe ta krahasosh me çdo virus tjetër që kanë kaluar njerëzimi ndër shekuj, ka një pjesë qytetarësh që kërkojnë t`i bëjnë karshillëk shtetit, vet virusit dhe të anatemojnë masat e marra. Në se qeveria dhe Kryeministri apo ekipet e task forcës anti virus, si dhe mjekët që përballen me vdekjen dhe qëndrojnë në roje të jetës, kërkojnë me ngulm që qytetarët të zbatojnë këshillat dhe të qëndrojnë në vendin e duhur, pa prishur rregullin dhe distancën, si dhe duke zbatuar çdo masë që kërkohet, ajo pjesë e vogël individësh që i kundërvihet këtyre kërkesave është pak të quhet grupi i individëve që bëjnë trimin dhe duan të duken si heronj që nuk ia kanë frikën kovidit -19, përkundrazi dalin në shesh të burrave për t`u matur me të. Shumëkujt prej tyre i duket se ka fuqitë dhe shprehitë, vetitë dhe energjitë e Mujit dhe Halilit të legjendave të moçme shqiptare dhe është i armatosur për t`u ndeshur në shesh të burrave me bajlozët e padukshëm. Po nuk jemi në kohë legjendash dhe nuk jetojmë pranverën e lumturisë apo imagjinatës. Jemi në kohë kolere, ku secili duhet të bëjë detyrën e vet. Dhe detyra e parë është t`u bindemi ligjeve dhe rregullave. Po nuk janë të vetmit një grusht qytetarësh të pabindur që e kanë zemrën hekur dhe i kanë thënë mëndjes lamtumirë dhe në djall të shkojnë rregullat. Janë ca individë të tjerë të veshur me kostumin e politikës opozitare që edhe në këto ditë janë në të njëjtat llogore, duke shpifur dhe kërkuar llogari atyre që i kanë vënë gjoksin përballimit të fatkeqësisë e cila merrë përditë jetë njerëzore. Lideri I PD-së Lulzim Basha dhe rrethi i ngushtë i tij e ka merakun të zbulojnë, si është vepruar me tenderin e ushqimeve dhe për shkeljet që ka bërë Ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka, e cila sipas tyre nuk ka zbatuar ligjin dhe meriton të hetohet si e pandehur nga SPAK. Duke e çuar në tre numrin e ministrave të shigjetuara nga PD. Dhe jo rastësisht janë tri femra dhe zonjat që janë në krye të shtabeve të betejës me virusin. Halli i Bashës nuk është mbrojtja e qytetarëve nga shpenzimet, po demaskimi i atyre që janë në krye të punëve për të përballuar betejën më të vështirë nga të gjitha ato që deri sot kanë përballuar qeveritë shqiptare. Nuk është i vetmi Basha dhe Bardhi. Manjani, opozitari i përjetshëm, kritiku i pandryshueshëm, merr përsipër të korrigjoi vendimin e qeverisë dhe kërkon një përplasje të re, mes saj dhe presidentit se cili ka urdhëruar nxjerrjen e autoblindave në rrugë dhe pse nuk është pyetur Meta në një kohë kur edhe gjatë Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kjo nuk u prek pasi dihet pse janë autoblindat në rrugë dhe cila është arsyeja e një mase të tillë. Vetëm Manjani vë pikëpyetje mbi këtë masë. Populli u gëzohet enegjve mbrojtjes, djemve dhe vajzave që kanë lënë familjet në emër të mbrojtjes së jetës së shqiptarëve. Këto zëra janë bashkuar dhe janë bërë njësh me ata individ që prishin rregullat dhe kërkojnë t`i kundërvihen masave të qeverisë, duke dalë në rrugë për t`u thënë të tjerëve, ja ne e sfidojmë shtetin. Në realitet ata si dhe opozitarët keqdashs, sherrxhinj e kritizerë, kanë të vetmin qëllim: Të mos zbatojnë këshillat, regullat dhe ligjet dhe të ndezin zemërimin e qytetarëve të cilët po humbasin këto ditë, jo vetëm të ardhurat dhe puën, po shumë prej tyre janë në hall të madh pasi po humbasin edhe gjënë më të shtrenjtë. Jetën. Të shkosh me logjikën e opozitarëve dhe qytetarëve të veçantë, në kushtet kur shumica dërmuese është ndërgjegjësuar për të qëndruar në shtëpi me qëllimin e vetëm të ndërpritet zinxhiri i pandemisë globale dhe të shpëtohen jetë, është detyra më qytetare që mund të bëhet sot. Beteja me koronavirusin, u ka kërkuar qytetarëve shqiptarë të bëjnë të vetmen sakrificë. Të qëndrojnë në shtëpi. Të zbatojnë ligjet dhe rregullat. Dhe kjo është shumë pak, përball heroizmit të atyre që kanë vënë jetët e tyre në dispozicion të shqiptarëve për t`i mbrojtur dhe shpëtuar nga virusi vdekje prurës. Është naivitet i pafalshëm, është papërgjegjshmëri, ligësi, mllef, urrejtje, politikë imagjinare e gënjeshtare që të shkosh sot me idenë se ia hodhëm policisë. Ia luajtëm kryeministrit. E mashtruam qeverinë. I gënjyem. E anashkaluam bashkinë. Realisht ata që shkojnë me këtë logjikë nuk kanë arritur asgjë, veç vetëvrasjes së tyre, familjes dhe gjithë të tjerëve. Në radhë të parë vetë Shqipërisë!