BREAKING NEWS

“Serbia po dërgon tanket në kufirin me Kosovën”, Spartak Ngjela paralajmëron zhvillimet e papritura: Dhëntë Zoti, ua merr mendjen dhe...

“Serbia po dërgon tanket në kufirin me Kosovën”,
x
BREAKING NEWS

Florian Marku bën krenar shqiptarët, luftëtari kuqezi shkruan historinë

Florian Marku bën krenar shqiptarët, luftëtari kuqezi shkruan
x
BREAKING NEWS

Berisha bën deklaratën e papritur: Kam kërkuar shpalljen non grata të George Soros

Berisha bën deklaratën e papritur: Kam kërkuar shpalljen non
x
BREAKING NEWS

Kryeministri Rama intervistë për Zërin e Amerikës, flet për marrëdhëniet me Kosovën: Kemi një divergjencë, por...

Kryeministri Rama intervistë për Zërin e Amerikës, flet
x
BREAKING NEWS

Bilanc tragjik në 24 orë, MSH jep të dhënat e fundit epidemiologjike: Ja sa të infektuar janë regjistruar në vend, 26 pacientë në gjendje të rëndë

Bilanc tragjik në 24 orë, MSH jep të dhënat e fundit
x
BREAKING NEWS

Çfarë pritet? PD mbledh sot grupin parlamentar

Çfarë pritet? PD mbledh sot grupin parlamentar
x
BREAKING NEWS

Dënimi i Adriatik Llallës/ Reagon për herë të parë Edi Rama dhe flet për mediat franceze nga Nju Jorku: Po bëjmë luftë të hapur kundër ...

Dënimi i Adriatik Llallës/ Reagon për herë të parë
x
BREAKING NEWS

SHBA 2 mesazhe vdekjeprurëse, rihapet “Gërdeci” dhe bien kambanat për Shkëlzen Berishën, Yuri Kim vjen me porosi të qarta nga Uashingtoni dhe vulos fundin tragjik të Sali Berishës

SHBA 2 mesazhe vdekjeprurëse, rihapet “Gërdeci” dhe bien
x

Opinion / Editorial

Ibrahim Bufi, jehona historike e një patrioti

Ibrahim Bufi, jehona historike e një patrioti

 Ibrahim Bufi është një nga personazhet historikë të zonës së Roskovecit, i cili ka dhënë një kontribut të spikatur patriotik në dy dekadat e para të shek. të kaluar. Kjo periudhë e ngjeshur me lëvizje nacionaliste, fillon në këtë trevë me organizimin e çetave të para komite dhe zhvillimin e kryengritjeve madhore, të cilat çuan në shpalljen e pavarësisë sonë kombëtare.

 Ibrahim Bufi u lind në vitin 1887 në fshatin Suk të rrethit të Fierit. Që në fëmijërinë e tij të hershme u angazhua në punët e rënda bujqësore dhe blegtorale të familjes derisa u rekrutua në shërbimin e detyrueshëm ushtarak të Perandorisë Osmane. Kjo periudhë ndikoi ndjeshëm në aftësimin e tij luftarak dhe krijoi kontakte të gjera me lëvizjen komite të kohës, njohje me çështjen kombëtare që propagandohej ilegalisht në radhët e ushtarakëve shqiptarë dhe ndërgjegjësimin e tij patriotik. Kur u lirua nga shërbimi, situata politike në trojet shqiptare ishte mjaft e tensionuar dhe vendi ishte përfshirë në kryengritjet e njohura antiosmane të viteve 1911 – 1912. Kazaja e Beratit ishte qendra më e rëndësishme e lëvizjes antiosmane në gjithë Shqipërinë e Jugut. Kjo lëvizje ishte formësuar me krijimin e një serë çetave patriotike si, ajo e Islam bej Vrionit në Berat, çeta e Musa Hekalit në Mallakastër, çeta e vëllezërve Bektash e Hajredin Cakrani në Cakran, çeta e Ikonom Dhimës në Myzeqe etj. Në zonën e Roskovecit çeta e parë komite ishte formuar e udhëhiqej nga patrioti Hysni Toska që në vitin 1907. Në përbërje të kësaj çete përfshiheshin luftëtarë të disa fshatrave si: Luar, Siqecë, Kuman, Vidhishtë, Kurjan, Suk, Marinez, Strum, Belinë, Sheqishtë, Kuqar, Rusinjë etj. Pikërisht në këtë çetë u radhit edhe Ibrahim Bufi. Sipas dokumentave dhe dëshmive të ndryshme të transmetuara nëpër vite, sistemi i mobilizimit të luftëtarëve nëpër këto fshatra bëhej nëpërmjet personave të caktuar të cilët kryenin funksionin e një komandanti njësie të atij fshati. Kështu p.sh. në Marinëz këtë funksion përfaqësimi e kryente Kostë Prifti, në Sheqisht Lil Pan Sheqishta, në Kuqan Qamil aga Kuqari, në Luar Kodhel Toska, në Kurjan Dervish Mino etj. Pikërisht këtë funksion kryente edhe Ibrahim Bufi në fshatrat Suk - Strum. Ai shfaqet që në fillimin e pjesëmarrjes së tij në çetën e komitëve si një organizator i aftë e luftëtar trim dhe shumë shpejt, krijoi rreth vetes një opinion të gjerë popullor, i cili e nderonte dhe e respektonte për aftësitë, devotshmërinë dhe kthjelltësinë e tij patriotike. Nga kujtimet e këtij luftëtari, mësojmë se mobilizimi i vullnetarëve në trevën e Roskovecit bëhej me kaçator (korrier) dhe secili prej tyre jetonte në një gjendje gatishmërie të përhershme, sipas rrethanave dhe kushteve të kohës. Tek këta komitë ishte bërë traditë që krahas gatishmërisë së armatimit personal, të mbahej rezervë edhe mielli i çyrekut (bukës së grurit), i cili gatuhej sapo merrej thirrja për luftë. Bashkë me pajisjet luftarake, ata merrnin me vete edhe “paguren e ujit e trastën me tre ditë bukë”. Në 23 korrik të vitit 1912 Ibrahimi mori pjesë në kuvendin e njohur të Sinjës. Bashkë me luftëtarët e tjerë ai kryente detyrën e mbrojtjes së këtij kuvendi aq të rëndësishëm për kohën. Pas Kuvendit, forcat patriotike shkuan në Risili dhe nga aty dërguan një komision në Vlorë, i cili i dërgoi memorandumin Portës së Lartë i njohur si “memorandum i Sinjës”. Ky memorandum mbështeste Librin e Kuq të Greçës dhe dëshmonte unitetin e forcave patriotike dhe përhapjen e gjerë të lëvizjes kryengritëse nga veriu në jug.

 Mbas Risilisë, patriotët ju drejtuan Fierit, e çliruan atë nga forcat turke dhe vunë kontrollin e tyre në qytet dhe gjithë Myzeqenë. Ndërkohë në Fier u krijua komanda e përgjithshme për organizimin e Kryengritjes së Jugës, me komandant Zija Mulla Beratin. Nga kjo periudhë, korrik 1912 deri në ardhjen e Ismail Qemalit për shpalljen e pavarësisë, këto forca ishin prezente në gjithë trevën e Myzeqesë, ruanin qetësinë dhe siguronin aktivitetin e dendur diplomatik të udhëheqësve të kryengritjes, si në rastin e Kuvendit të Fierit mbajtur më 10 gusht 1912 nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi. Pas shpërthimit të Luftës Ballkanike, forcat e komanduara nga Hysni Toska, u rreshtuan në bregun e djathtë të lumit Seman gjatë së cilit ishte vendosur kufiri frontal për mbrojtjen e Vlorës nga avancimi i forcave serbe. Një dëshmi e tillë na vjen edhe nga kujtimet e patriotit Dervish Mino, të cilat gjenden në Arkivin e Shtetit Tiranë, “Më 1912 – shkruan ai, - si u shkatërrua ushtria turke nga ballkanasit, duke marrë vesh përpjekjet e jashtme të Ismail Qemalit për mëvetësinë e Shqipërisë, organizuam nji fuqi kundër ushtërivet sërbe që ishte duke u afruar dhe kemi ruajtur lumin Seman në Jagodinë e Belinë deri në ditën e ngritjes së Flamurit Kombëtar”. Këta muaj, Ibrahim Bufi ishte në radhët e këtyre luftëtarëve dhe ndërkohë kryente edhe detyrat e prapavijës, kryesisht me sigurimin e ushqimeve dhe veshmbathjeve për forcat e mobilizuara. Mbas shpalljes së Pavarësisë, Ibrahim Bufi, në përbërje të forcave të Hysni Toskës u angazhua në një serë aksionesh luftarake, kryesisht kundër forcave greke. Nga Janari deri në qershor të vitit 1913, ai qëndroi në frontin e Llogarasë për të ndalur avancimin e këtyre forcave drejt Vlorës dhe dy ditë luftoi në luftën e njohur të Dukatit. Me këtë vetëmohim, Ibrahim Bufi u radhit në forcat vullnetare kundër andartëve grekë edhe në zonën e Përmetit, Ersekës dhe Skraparit. Vitet 1914 – 1916 ishin mjaft të vështira për vendin tonë, pasi në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, vërshuan lukunitë e ujqërve të Haxhi Qamilit, të njohur si “dumbabistë”. Zona e Roskovecit bëri një rezistencë të vendosur kundër këtyre forcave të errëta e regresiste dhe Ibrahimi ishte një ndër protagonistët kryesorë të kësaj rezistence. Por kulmin e aktivitetit të tij patriotik, Ibrahim Bufi e arriti në Luftën e Vlorës më 1920. Zona e Roskovecit u përfshi në këtë luftë me forca të mobilizuara nga komandanti i njohur Hysni Toska. Më 5 qershor me fillimin e sulmit kundër llogoreve italiane, këto forca morën pozicionin përgjatë fshatrave: Risili, Panaja e deri në bregdet. Ndërkohë, fitoret e para të forcave patriotike trokitën në disa zona. Një e tillë ishe edhe Kota, ku armiku kishte ngritur disa magazina dhe kishte grumbulluar materiale të ndryshme ushtarake, ushqime e veshmbathje. Këto materiale duheshin iventarizuar, përpunuar e vënë në dispozicion të luftës dhe për këtë kërkoheshin njerëz të aftë e kompetentë. Dhe midis luftëtarëve u zgjodhën dy persona të përshtatshëm për këtë detyrë, Ibrahim Bufi dhe Ali Gjiriti. Sipas një dokumenti të kohës, më 17 qershor, prefekti i Vlorës Qazim Kokoshi, iu dërgon një letër të dyve këtyre patriotëve, nëpërmjet së cilës ju kërkon të marrin në dorëzim magazinat e Kotës të çliruar nga forcat patriotike. “Z Ibrahim Bufi dhe Ali Gjiriti, - shkruan prefekti.- Zotnija juaj jeni të lutun të mirni përsipër magazitë që ndodhen në Kotë me ushqime e tjera të cilat janë në urdhër të prefekturës Vlorës. Do të keni nën urdhërin tuaj edhe një forcë prej 10 vetësh ta përdorni si për ruajtje ashtu edhe për çdo nevojë që të kini. Do të na lajmëroni rregullisht për punën që do të bënet atje. Çdo send që do të dalë nga magazinat do të bëhet një urdhër nga ana e prefekturës. Do të keni një libër-defter ku do të shënoni që sot me radhë të gjitha teshat që ndodhen në magazinë të cilat me një listë të veçantë do të na tregoni veçanërisht.

Prefekti Vlorës Qazim Kokoshi”. Është i rëndësishëm fakti se prefekti radhit të parin në kërkesën e tij emrin e Ibrahim Bufit, krahas Ali Gjiritit, i cili ishte një figurë e njohur në rrethet patriotike të kohës. Mjafton të kujtojmë faktin se Ismail Qemali e kishte emëruar atë në vitin 1913, Komisioner të policisë në qytetin e Fierit dhe më vonë ai kishte vazhduar me një serë detyrash të tjera ushtarake. Por, në këtë letër, prefekti i drejtohet së pari Ibrahim Bufit, duke lënë të kuptojë rolin parësor që ka ai në kryerjen e kësaj detyre. Dhe ai e kreu atë me sukses, u kthye sërish në frontin e luftës dhe marshoi krenar ditën e fitores, bashkë me luftëtarët e tjerë të të njëjtit front.

 Mbas Luftës së Vlorës, Ibrahim Bufi iu kthye sërish punëve bujqësore e blegtorale të familjes, duke bërë jetën e tij të thjeshtë dhe aq të nderuar, sa u bë shembull i krenarisë së heshtur të banorëve të vendlindjes së tij. Ibrahim Bufi u nda nga jeta në vitin 1969 duke ruajtur deri në fund figurën e tij të lartë patriotike dhe duke gëzuar respekt e nderim të veçantë publik. Një vit më vonë, më 1970, në kuadër të 50 vjetorit të Luftës së Vlorës, Ibrahim Bufi u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSSH me medaljen e trimërisë. Në vitin 2012, në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Ibrahim Bufi u vlerësua nga Këshilli i Bashkisë Roskovec me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Roskovecit” me motivacion: “Për kontributin si patriot i shquar, luftëtar në çetën e Hysni Toskës, pjesmarrës në Kuvendin e Sinjës, i angazhuar me forcat mbrojtëse të këtij kuvendi. Ka qenë luftëtar aktiv në Kryengritjet e armatosura të viteve 1911 – 1912. Luftëtar në shumë përpjekje me andartët grekë në Përmet, Llogara e Tepelenë. Dekoruar pas vdekjes nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë për merita Patriotike”. Ndërsa vitin e kaluar, Këshilli i Qarkut Fier e nderoi atë me titullin e lartë “Nderi i Qarkut Fier”. Kjo përmasë rritjeje lidhet ngushtë me gjurmët e pashlyera që ka lënë në kujtesën e brezave emri dhe vepra e paharruar e këtij patrioti dhe luftëtari të dy dekadave të para të shek. XX. Dhe i tillë do të mbetet përherë emri i tij, një jehonë e pashtershme historike.